Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Çfarë duhet të di për mesazhet?

Çfarë duhet të di për mesazhet?
  • :-) Kur përdoren me mençuri, mesazhet mund të jenë mënyrë e shkëlqyer për të mbajtur lidhjet me të tjerët.

  • :-( Kur përdoren pa kujdes, mund të të rrënojnë miqësitë—edhe reputacionin.

Ky artikull do të të tregojë se çfarë duhet të dish për mesazhet

Gjithashtu në këtë artikull:

 Kujt t’ia dërgosh?

 Shumë adoleshentë s’bëjnë dot pa mesazhet. Falë tyre mund të mbash lidhje me të gjithë ata që ua ke numrin e celularit​—nëse prindërit janë dakord.

 «Babit s’i pëlqen kur unë dhe motra flasim me çunat. Mund të flasim vetëm me telefonin e shtëpisë në dhomën e ndenjjes, e kur janë të pranishëm edhe të tjerë.»​—Lenora.

 Çfarë duhet të dish? Po ia dhe numrin kujtdo, mund të futesh në telashe.

 «Nëse nuk tregohesh i kujdesshëm se kujt ia jep numrin, ka shumë mundësi që të marrësh mesazhe a pamje të padëshiruara.»​—Skoti.

 «Nëse i dërgon rregullisht mesazhe dikujt të seksit tjetër, mund të lidhesh shumë shpejt emocionalisht me të.»​—Stiveni.

 Bibla thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Duke marrë disa masa paraprake, do t’i kursesh shumë dhembje vetes.

 Histori reale: «Isha shumë shoqe me një çun dhe këmbenim mesazhe pa fund. Besoja se ishim vetëm shokë të ngushtë. S’ma merrte mendja se kishte ndonjë problem, derisa më tha se ndiente diçka për mua. Tani që e mendoj, e kuptoj se s’duhej të rrija e as të këmbeja aq shumë mesazhe me të.»​—Melinda.

 Mendo për këtë: Sipas teje, si do të shkojë miqësia e Melindës me shokun e saj tani që e di si ndihet ai për të?

 Ndrysho skenarin: Ç’mund të kishte bërë ndryshe Melinda që të mbeteshin vetëm shokë?

 Çfarë të dërgosh?

 Është aq e lehtë dhe qejf të dërgosh e të marrësh mesazhe, saqë harron kollaj fare se fjalët mund të merren tjetër për tjetër.

 Çfarë duhet të dish? Fjalët e mesazheve mund të keqinterpretohen.

 «Nga mesazhet s’kuptohen ndjenjat ose toni i zërit​—edhe nëse përdoren simbolet me shprehje të fytyrës apo simbolet e mesazheve. Mund të keqkuptohesh lehtë.»​—Briana.

 «Njoh vajza që kanë prishur reputacionin dhe njihen si flirtuese për shkak të asaj që u kanë shkruar djemve në mesazhe.»​—Laura.

 Bibla thotë: «Njerëzit e mirë mendohen para se të përgjigjen.» (Proverbat 15:28, Good News Translation) Mësimi? Lexoje edhe një herë mesazhin para se ta dërgosh.

 Kur ta dërgosh?

 Duke treguar gjykim të shëndoshë, mund të vësh rregullat e tua për mesazhet ose një etikë mesazhesh, siç i quajnë disa.

 Çfarë duhet të dish? Nëse s’je i sjellshëm kur shkruan mesazhe, do të tregohesh i pahijshëm dhe do t’i largosh miqtë, në vend se t’i afrosh.

 «Është e lehtë të harrosh etikën e mesazheve. Ndonjëherë më ndodh të shkruaj mesazhe ndërsa flas me dikë ose hamë darkë.»​—Alisona.

 «Është e rrezikshme të shkruash mesazhe teksa i jep makinës. Po i hoqe sytë nga rruga, rrezikon të bësh aksident.»​—Ana.

 Bibla thotë: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, . . . një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur.» (Eklisiastiu 3:1, 7) Kjo këshillë vlen kur shkruajmë mesazhe, po aq sa vlen kur flasim.

 Sugjerime për mesazhet

Kujt t’ia dërgosh?

  •  ;-)Bindju kërkesave të prindërve.​—Kolosianëve 3:20.

  •  ;-)Ji përzgjedhës! Kur me edukatë nuk pranon t’i japësh të dhëna kujtdo, përfshirë numrin e celularit, do të zhvillosh një aftësi që do të të hyjë në punë kur të rritesh.

  •  ;-)Mos e tepro me konfidencën duke dërguar mesazhe flirtuese. Nëse lindin ndjenja romantike, kjo çon veçse në zhgënjim e dhembje.

 «E kam përdorur siç duhet celularin, prandaj prindërit kanë besim tek unë dhe e dinë se tregohem e mençur për numrat që mbaj në telefon.»​—Briana.

Çfarë të dërgosh?

  •  ;-)Para se të shkruash mesazhin, pyet veten: «A është mesazhi mënyra e duhur për të komunikuar në këtë rast?» Ndoshta do të ishte më mirë të bëje një telefonatë ose të flitje drejtpërdrejt me tjetrin.

  •  ;-)Mos shkruaj asgjë që nuk do ta thoshe sy për sy. «Nëse s’ta nxë goja, atëherë mos e shkruaj as në mesazh»,—thotë Sara 23-vjeçare.

 «Nëse të dërgojnë pamje provokuese, fol me prindërit. Kjo do të të mbrojë dhe do të fitosh besimin e tyre.»​—Sirvani.

Kur ta dërgosh?

  •  ;-)Vendos që më parë se kur nuk do ta përdorësh celularin. Një vajzë me emrin Olivia thotë: «Nuk e mbaj me vete celularin kur jam duke ngrënë ose duke studiuar. Gjatë mbledhjeve të krishtere e fik fare që të mos tundohem ta shoh.»

  •  ;-)Mendo për të tjerët. (Filipianëve 2:4) Mos shkruaj mesazhe ndërsa je duke folur ballë për ballë me dikë.

 «I kam vënë rregulla vetes, si për shembull, të mos shkruaj mesazhe kur jam me një grup shokësh, veçse po qe e nevojshme. Po ashtu nuk ua jap numrin njerëzve që s’kam afrimitet.»​—Janela.