Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Krijim apo evolucion?​—Pjesa 3: Pse të besoj te krijimi?

Krijim apo evolucion?​—Pjesa 3: Pse të besoj te krijimi?

«Nëse beson te krijimi, të tjerët mund të mendojnë se je budalla, se u beson ende përrallave që të kanë mësuar prindërit ose se feja të ka bërë lavazh truri.»​—Zhaneta.

 A ke edhe ti të njëjtin merak si Zhaneta? Nëse po, mbase ke dyshime për krijimin. Në fund të fundit, askujt s’i pëlqen të duket i paditur. Çfarë mund të të ndihmojë?

 Pse nuk besojnë te krijimi

 1. Nëse beson te krijimi, të tjerët do të mendojnë se je kundër shkencës.

 «Mësuesja tha se njerëzit besojnë te krijimi kur përtojnë të gjejnë një shpjegim për botën që na rrethon.»​—Maria.

 Çfarë duhet të dish? Ata që thonë gjëra të tilla, nuk i dinë faktet. Te Krijuesi kanë besuar edhe shkencëtarë të famshëm, si Galileo dhe Isak Njutoni. Besimi i tyre nuk binte ndesh me dashurinë që kishin për shkencën. Në mënyrë të ngjashme, disa shkencëtarë sot mendojnë se shkenca nuk bie fare ndesh me besimin te krijimi.

 Provo këtë: Shkruaj (brenda thonjëzave dyshe) shprehjen “shpjegon besimin e tij” ose [e saj], “flet për besimin e tij” ose [e saj], “shpjegon pse beson” te hapësira e kërkimit te BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower për të gjetur shembuj të disa personave të fushës së mjekësisë dhe të shkencës, të cilët e pranojnë krijimin. Lexo çfarë i ndihmoi të arrinin në këtë përfundim.

 Përfundimi: Besimi te krijimi nuk të bën person me bindje antishkencore. Në fakt, duke mësuar më shumë për natyrën, mund të forcosh besimin se gjithçka është krijuar.​—Romakëve 1:​20.

2. Nëse beson te tregimi i Biblës për krijimin, të tjerët do të mendojnë se je një fanatik fetar.

 «Shumë veta mendojnë se është qesharake të besosh te krijimi. Sipas tyre, tregimi i Zanafillës është thjesht një trillim.»​—Jasmina.

 Çfarë duhet të dish? Shpesh, njerëzit kanë ide të gabuara për tregimin biblik të krijimit. Për shembull, disa kreacionistë thonë se toka u krijua jo shumë kohë më parë ose se jeta u krijua në gjashtë ditë 24-orëshe. Bibla nuk mbështet asnjërën nga këto pikëpamje.

  •   Zanafilla 1:1 thjesht thotë: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» Kjo nuk bie në kundërshtim me provat shkencore se toka është miliardavjeçare.

  •   Fjala «ditë» që përdoret te Zanafilla mund t’u referohet periudhave të gjata kohore. Në fakt, te Zanafilla 2:4 fjala «ditë» përdoret për të përshkruar të gjashta ditët e krijimit bashkë.

 Përfundimi: Tregimi i Biblës për krijimin përputhet me faktet shkencore.

 Mendo për bindjet e tua

 Besimi te krijimi nuk kërkon «besim të verbër». Përkundrazi, ai mbështetet në arsyetim të shëndoshë. Mendo pak:

 Çdo përvojë në jetë të mëson se aty ku ka një projekt, ka edhe një projektues. Kur sheh një aparat fotografik, një aeroplan ose një shtëpi, me të drejtë del në përfundimin se dikush e ka projektuar. Pse të mos ndjekësh të njëjtën logjikë kur mendon për syrin e njeriut, një zog në qiell ose planetin Tokë?

 Për të menduar: Shpesh, inxhinierët kopjojnë veçori që shohin në natyrë që të përmirësojnë shpikjet e tyre, dhe me të drejtë duan që të tjerët t’u japin meritat për punën e tyre. A është e logjikshme të pranojmë ekzistencën e shpikësve njerëzorë dhe t’u japim meritën për punën e tyre, por nga ana tjetër të mos pranojmë Krijuesin dhe projektet e tij shumë më superiore?

A është e arsyeshme të mendosh se aeroplani është projektuar, kurse zogu jo?

 Mjete që të ndihmojnë të shqyrtosh provat

 Mund ta forcosh bindjen te krijimi duke vëzhguar provat që gjenden në natyrë.

 Provo këtë: Shkruaj (brenda thonjëzave dyshe) shprehjen “a është projektuar” te hapësira e kërkimit te BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower. Zgjidh disa tituj që të interesojnë nga seritë «A është projektuar?» te revista Zgjohuni! Te secili artikull shih çfarë ka të veçantë aspekti i natyrës që trajtohet. Si të bind kjo se ekziston një Projektues?

 Kërko më thellë: Përdor broshurat e mëposhtme për të eksploruar me më tepër hollësi provat e krijimit.

  •  A u krijua jeta?

    •   Vendndodhja e tokës dhe gjithçka në të është e përsosur për të mbështetur jetën.​—Shih faqet 4-​10.

    •   Në natyrë gjenden shembuj të projektimit.​—Shih faqet 11-​17.

    •   Tregimi biblik i Zanafillës për krijimin përputhet me shkencën.​—Shih faqet 24-​28.

  •  Origjina e jetës​—Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh

    •   Jeta nuk mund të ketë ardhur rastësisht nga materia e pajetë.​—Shih faqet 4-7.

    •   Organizmat e gjallë janë tepër kompleksë që të jenë zhvilluar nga dukuri të rastësishme e të padrejtuara nga dikush.​—Shih faqet 8-​12.

    •   Sasia e informacionit që mund të mbartë ADN-ja ia tejkalon teknologjisë moderne.​—Shih faqet 13-​21.

    •   Format e jetës nuk kanë ardhur nga një paraardhës i përbashkët. Dokumentimet fosile tregojnë se grupet kryesore të kafshëve nuk janë zhvilluar gradualisht, por janë shfaqur papritur.​—Shih faqet 22-​29.

 «Ajo që më bind më tepër se Perëndia ekziston, është bota natyrore, që nga kafshët këtu në tokë e deri te universi dhe rregulli që e karakterizon.»​—Tomasi.