TË RINTË PYESIN

Si të mbrohem nga bullizmi kibernetik?

Si të mbrohem nga bullizmi kibernetik?

 Çfarë duhet të dish?

 Interneti ia ka thjeshtuar rrugën bullizmit. Libri CyberSafe thotë: «Edhe fëmijët e mirë mund sillen keq, të fshehur pas një ekrani.»

 Disa mund të jenë shënjestër më e lehtë. Këtu përfshihen ata që duken tipa të mbyllur, të ndryshëm ose që kanë vlerësim të ulët për veten.

 Bullizmi kibernetik sjell pasoja serioze. Ai mund të nxitë vetminë, depresionin e madje i ka shtyrë disa drejt vetëvrasjes.

 Ç’mund të bësh?

 Si fillim pyet veten: «A është vërtet bullizëm?» Ndonjëherë njerëzit thonë fjalë lënduese që nuk i kanë me tërë mend. Kur ndodh një gjë e tillë, mund të ndjekim këshillën e mençur të Biblës:

 «Mos u fyej shpejt, sepse fyerja prehet në gji të budallenjve.»​—Eklisiastiu 7:9.

 Nga ana tjetër, kur dikush ngacmon, poshtëron ose kërcënon qëllimisht dikë nëpërmjet Internetit, kjo konsiderohet bullizëm.

 Nëse je bërë shënjestër e bullizmit kibernetik, mos harro: mënyra si reagon, mund ta përmirësojë ose ta përkeqësojë situatën. Pse mos të provosh një ose disa nga sugjerimet e mëposhtme?

 Shpërfille bullistin. Bibla thotë: «Kush i frenon fjalët e veta, zotëron njohuri, dhe njeriu me aftësi dalluese është gjakftohtë.»​—Proverbat 17:27.

 Shiko një arsye pse kjo këshillë është e dobishme. Nensi Uillërdi thotë në librin e saj: «Synimi kryesor i bullistëve është që shënjestra e tyre të humbasë qetësinë. . . . Dhe kur kjo ndodh, atëherë në thelb viktima e bullizmit po lejon të kontrollohet nga bullisti.»—Cyberbullying and Cyberthreats.

 Përfundimi: Ndonjëherë përgjigjja më e mirë është të mos përgjigjesh fare.

 Rezistoji dëshirës për t’u hakmarrë. Bibla thotë: «Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe sharjen me të sharë.»​—1 Pjetrit 3:9.

 Ja një arsye pse kjo këshillë është me vend: «Zemërimi tregon dobësi, dhe kjo i jep më shumë zemër atij që po të ngacmon»,—thotë libri Cyber-Safe Kids, Cyber-Savvy Teens. Gjithashtu, nëse hakmerresh, mund të japësh idenë se ti je po aq përgjegjës sa ai që po të ngacmon.

 Përfundimi: Mos i hidh benzinë zjarrit.

 Vepro. Bibla thotë: «Mos e lejo të keqen të të mundë.» (Romakëve 12:21) E vërteta është se mund të bësh diçka për t’i dhënë fund bullizmit​—pa e përkeqësuar situatën.

 Për shembull:

  •    Bëji bllok personit që po të dërgon mesazhet. «Gjërat që nuk i lexon, s’mund të të lëndojnë»,—thotë libri Mean Behind the Screen.

  •   Ruaji të gjitha provat edhe pse nuk i lexon. Këtu mund të përfshihen sms-të e dhunshme, mesazhet online, posta elektronike, postimet në blogje ose në median sociale, mesazhet zanore e çdo lloj tjetër komunikimi.

  •   I thuaji të mos e bëjë më. Dërgoji një mesazh të prerë, por pa përfshirë emocionet, si:

    •  «Mos më dërgo më mesazhe.»

    •  «Fshije postimin.»

    •  «Nëse vazhdon, atëherë do të marr masa të tjera.»

  •   Ki më shumë besim te vetja. Në vend se të përqendrohesh te dobësitë, përqendrohu te pikat e forta. (2 Korintasve 11:6) Si ata që ngacmojnë ballë për ballë, edhe ata që ngacmojnë online, vënë në shënjestër ata që duken të dobët e të pambrojtur.

  •   Tregoji një të rrituri, për shembull, prindërve. Gjithashtu mund ta raportosh situatën te siti i Internetit ose tek operatori i shërbimit që po përdor ngacmuesi. Kur bëhet fjalë për një situatë të rëndë, bashkë me prindërit duhet të raportoni në shkollë, në polici e madje të kërkoni ndihmë ligjore.

 Përfundimi: Mund të bësh diçka për t’i dhënë fund ngacmimit ose të paktën të pakësosh ndikimin që ka te ti bullizmi kibernetik.