Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Çfarë duhet të di për lojërat elektronike?

Çfarë duhet të di për lojërat elektronike?

 Pyetësor për lojërat elektronike

 Në Shtetet e Bashkuara, ku lojërat elektronike janë një industri prej multimiliarda dollarësh . . .

  1.   Cila është mosha mesatare e atyre që luajnë lojëra elektronike?

    1.   18

    2.   30

  2.   Cila është përqindja e gjinisë së atyre që luajnë lojëra elektronike?

    1.   55 për qind meshkuj; 45 për qind femra

    2.   15 për qind meshkuj; 85 për qind femra

  3.   Nga këto dy grupe, cilët përbëjnë pjesën dërrmuese të atyre që luajnë?

    1.   Femrat 18 vjeçe e lart

    2.   Meshkujt 17 vjeç e poshtë

 Përgjigjet (bazuar në të dhënat e vitit 2013):

  1.   B. 30.

  2.   A. Femrat përbëjnë 45 për qind, gati gjysmën e gjithë lojtarëve.

  3.   A. Femrat 18 vjeçe e lart përbëjnë 31 për qind të lojtarëve, kurse djemtë 17 vjeç e poshtë përbëjnë 19 për qind.

 Këto statistika mund të të japin një ide se kush luan me këto lojëra. Por ato nuk tregojnë ndikimin, qoftë të mirë, qoftë të keq, që kanë lojërat elektronike te ti.

 Anët pozitive

 Me cilin nga pohimet e mëposhtme për lojërat elektronike je dakord?

  •  «Është mënyrë argëtuese për t’u lidhur me familjen dhe miqtë.»​—Irena.

  •  «Është një mënyrë e lezetshme për t’u larguar nga realiteti.»​—Aneta.

  •  «Të përmirësojnë reflekset.»​—Kristoferi.

  •  «Të bëjnë më të aftë për të zgjidhur problemet.»​—Emi.

  •  «Të përfshijnë mendërisht; të bëjnë të mendosh, të planifikosh dhe të gjesh strategji të ndryshme.»​—Entoni.

  •  «Disa lojëra nxitin bashkëpunimin me miqtë.»​—Tomasi.

  •  «Disa lojëra të ndihmojnë të bësh fizkulturë dhe të jesh në formë.»​—Jaela.

 A je dakord me disa prej këtyre pohimeve, ose me të gjitha? Videolojërat mund të jenë të dobishme nga ana mendore e fizike. Edhe nëse disa lojëra janë një mënyrë për të kaluar kohën dhe, siç thotë Aneta, «një mënyrë e lezetshme për t’u larguar nga realiteti», kjo nuk është gjithmonë e gabuar.

 ● Bibla thotë se ka «një kohë për çdo punë nën qiej», përfshirë zbavitjen.​—Eklisiastiu 3:​1-4.

 Anët negative

 A po të vjedhin kohën lojërat elektronike?

 «Kur filloj të luaj, nuk ndaloj dot. I them vetes kushedi sa herë: ‘Edhe një nivel.’ Dhe pa e kuptuar fare, koha ka fluturuar dhe kam kaluar orë të tëra para ekranit.»​—Aneta.

 «Videolojërat të përlajnë kohën. Luan për orë të tëra dhe pastaj ndihesh sikur ke bërë kushedi se çfarë vetëm se ke fituar pesë lojëra, por në të vërtetë nuk ke nxjerrë asgjë në dritë.»​—Serena.

 Përfundimi: Paratë mund të të vijnë prapë në dorë po i humbe. Kurse koha nuk kthehet më mbrapsht. I parë nga ky këndvështrim, koha ka më shumë vlerë se paratë. Prandaj mos lejo që të ta vjedhin!

 ● Bibla thotë: «Vazhdoni të veproni me mençuri . . .  duke blerë kohën e duhur për veten tuaj.»​—Kolosianëve 4:5.

 A po të ndikojnë lojërat elektronike te mënyra e të menduarit?

 «Kur luan me videolojëra, pa u menduar dy herë, ‘bën’ krime që normalisht do të dënoheshin me burgim ose me vdekje.»​—Seti.

 «Në shumë lojëra duhet t’i mundësh armiqtë për të arritur atë që do. Shpesh, kjo do të thotë t’i vrasësh në mënyra makabre.»​—Aneta.

 «Ndonjëherë, ndërsa luan me shokët, s’të besohet që po thua fjalë të tilla, si ‘Vdis!’ ose ‘Do të të vras!’»​—Natani.

 Përfundimi: Shmangi lojërat që nxitin gjëra të urryera për Perëndinë, si: dhunën, imoralitetin seksual dhe spiritizmin.​—Galatasve 5:​19-​21; Efesianëve 5:​10; 1 Gjonit 2:​15, 16.

 ● Bibla thotë për Jehovain se «atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren», jo thjesht atë që kryen veprime të dhunshme. (Psalmi 11:5) Edhe nëse zgjedhja e lojërave elektronike që bën ti, nuk tregon se ç’lloj personi do të bëhesh, ajo mund të tregojë diçka për llojin e personit që je tashmë.

 Për të menduar: Sipas një libri (Getting to Calm), «videolojërat e dhunshme ndikojnë te sjellja ndoshta më shumë sesa televizori, sepse fëmijët jo thjesht e shohin heroin e frikshëm dhe gjakatar, por ata janë vetë heroi. Ngaqë lojërat kanë rolin e mësuesit, në thelb ato të mësojnë dhunën».​—Krahaso Isainë 2:4.

 Kthim në realitet

 Shumë të rinj kanë mësuar të jenë të ekuilibruar në përdorimin e lojërave elektronike. Shqyrto dy shembuj.

 «Luaja deri vonë fare dhe mendoja: ‘S’kam nevojë për më shumë se pesë orë gjumë. Do të bëj edhe një nivel tjetër.’ Por tani kam mësuar të jem i ekuilibruar me videolojërat. I shoh si një hobi të lezetshëm që mund ta praktikoj herë pas here. Por çdo gjë duhet me masë.»​—Xhozefi.

 «Luaj më pak dhe arrij të bëj shumë gjëra të tjera. Kam arritur të përmirësoj në shërbim, të ndihmoj të tjerët në kongregacion e madje të mësoj edhe një vegël muzikore. Ka plot gjëra të tjera të bukura jeta.»​—Dejvidi.

 ● Bibla thotë se njerëzit e pjekur janë ‘të përkorë në zakone’. (1 Timoteut 3:​2, 11) Ata zbaviten, por e kuptojnë kur duhet të ndalen, dhe kanë vetëkontroll.​—Efesianëve 5:​10.

 Përfundimi: Lojërat elektronike mund të jenë një zbavitje e mirë nëse luan me ekuilibër. Por mos lejo që të të hanë kohën ose të të shpërqendrojnë nga gjërat më të rëndësishme në jetë. Pra, në vend që të përqendrohesh i tëri për të arritur një synim në lojë, a nuk do të ishte më mirë që këto përpjekje t’i investoje për të arritur synime që të bëjnë fitimtar në jetën reale?