TË RINJTË PYESIN
Si ta përballoj ndarjen?
Stiveni thotë: «Kur u ndava nga e dashura, ndihesha i dërrmuar fare. S’kisha ndier ndonjëherë dhimbje më të madhe emocionale.»
A të ka ndodhur edhe ty një gjë e tillë? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë.
Ndjenjat që mund të provosh
Pa diskutim që një ndarje u shkakton dhimbje të dyja palëve të përfshira.
Nëse ndarjen e kërkove ti, ka mundësi që e kupton mirë Jasminën, e cila tha: «Dijenia se lëndova dikë që e kisha për zemër ishte një barrë në ndërgjegjen time që shpresoj mos ta mbaj më kurrë.»
Nëse ndarjen nuk e kërkove ti, atëherë ka mundësi që e kupton pse disa e kanë barazuar dhimbjen që sjell ajo me pikëllimin kur të vdes një njeri i dashur. Një e re me emrin Xhaneta, u shpreh: «Në të vërtetë kalova të gjitha fazat e procesit të pikëllimit, përfshirë mohimin, zemërimin, dëshpërimin dhe në fund, thuajse një vit më pas, pranimin.»
Përfundimi: Pas një ndarjeje mund të ndihesh përtokë dhe i dëshpëruar. Një shkrimtar i Biblës e përshkroi kështu: «Një frymë e dërrmuar i than kockat.»—Proverbat 17:22.
Ç’mund të bësh
Fol me një mik të pjekur. Bibla thotë: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.» (Proverbat 17:17) Kur ia zbraz ndjenjat prindit a një miku të pjekur, kjo mund të të ndihmojë t’i shohësh gjërat ndryshe.
«Për muaj të tërë u mbylla në vetvete dhe nuk i tregova askujt si ndihesha. Por miqtë mund të të ndihmojnë të shërohesh emocionalisht, ndaj vetëm kur fola me ta, gjeta njëfarë lehtësimi.»—Xhaneta.
Mëso nga ajo që ndodhi. Një proverb tjetër biblik thotë: «Fito mençuri, fito kuptueshmëri.» (Proverbat 4:5) Eksperiencat jo të këndshme mund të na mësojnë shumë për veten dhe për mënyrën si reagojmë përballë zhgënjimit.
«Pasi u ndava, një shok më pyeti se ‘çfarë kisha mësuar nga kjo lidhje dhe si mund të më ndihmonte kjo kur të lidhesha sërish në të ardhmen’.»—Stiveni.
Lutu. Bibla thotë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psalmi 55:22) Lutjet mund të të ndihmojnë të përballosh dhimbjen dhe ta shohësh me tjetër sy ndarjen.
«Lutu vazhdimisht. Jehovai e kupton dhimbjen tënde dhe madje e njeh situatën më mirë se ti vetë.»—Marsia.
Ndihmo të tjerët. Bibla thotë: ‘Shihni me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.’ (Filipianëve 2:4) Sa më shumë të ndihmosh të tjerët, aq më shpejt do të fitosh pikëpamjen e duhur për ndarjen.
«Ndarja mund të duket si fundi i botës dhe mund të lëndojë më shumë se dhimbjet fizike. Megjithatë kuptova se dhimbja kalon, thjesht duhej ti jepja kohë vetes që kjo plagë emocionale të shërohej.»—Evelina.