TË RINJTË PYESIN
Si mund të më ndihmojë Bibla?—Pjesa 3: Përfito sa më shumë nga leximi i Biblës
Kur nis të lexosh Biblën, vëren se është një libër goxha i madh. Por mos u frikëso! Përkundrazi mendoje Biblën si një bufe të pasur me lloj-lloj ushqimesh. Nuk mund të hash çdo gjë që të zë syri, por mund të zgjedhësh mjaftueshëm për një vakt të shijshëm që të ngop.
Që të përfitosh sa më shumë nga ushqimi besimforcues që ofron Bibla, duhet të përqendrohesh tek ajo që lexon. Ky artikull do të të ndihmojë si ta bësh këtë.
Në këtë artikull
Pse të përqendrohesh kur lexon Biblën?
Sa më shumë të investosh te leximi i Biblës, aq më shumë do të përfitosh. Mendo për këtë krahasim: nëse një bustinë çaji e lë pak sekonda në ujë të nxehtë, uji do të marrë njëfarë shije. Ama, shija do të jetë më e fortë nëse e lë më gjatë bustinën.
Ndodh njësoj edhe me leximin e Biblës. Në vend që t’i hedhësh një sy të shpejtë materialit, zhytu me mendje e zemër tek ajo që po lexon. Pikërisht këtë bëri shkrimtari i Psalmit 119. Ai tha për ligjin e Perëndisë: «Gjithë ditën e ditës e bluaj në mendje.»—Psalmi 119:97.
Patjetër, kjo s’do të thotë se duhet të kalosh tërë ditën e ditës duke lexuar e duke menduar për Biblën. Pika është kjo: psalmisti la kohë të mendonte për Fjalën e Perëndisë dhe kjo e ndihmoi të merrte vendime të mençura.—Psalmi 119:98-100.
«Një herë mami më tha: ‘Java ka shtatë ditë dhe gjatë kësaj kohe ti bën plot gjëra për veten. Pse të mos veçosh pak kohë edhe për Jehovain? Është më se e drejtë, apo jo?’»—Melania.
Kur i bluan në mendje parimet e Biblës, do të marrësh vendime më të mira, për shembull, kur zgjedh shoqërinë ose kur tundohesh për të bërë diçka të gabuar.
Si të nxjerrësh plotësisht dobi nga leximi i Biblës?
Bëj një plan. Një e re me emrin Julia, thotë: «Bëj një program për leximin e Biblës. Përcakto çfarë do të lexosh, kur do të lexosh dhe ku do të lexosh.»
Krijo një ambient të përshtatshëm. Një e re me emrin Xhana, sugjeron: «Gjej një vend të qetë. Gjithashtu tregoji edhe familjes se kur ke programuar të lexosh Biblën që të mos të ndërpresin.»
Nëse po përdor një pajisje elektronike, çaktivizo të gjitha njoftimet. Madje mund ta lexosh Biblën në format të shtypur. Në fakt, studimet tregojnë se, kur lexon nga një botim i shtypur, e ke më kollaj të kuptosh çfarë po lexon. Nga ana tjetër, mund të jetë më e vështirë të përqendrohesh plotësisht kur lexon nga një pajisje elektronike.
«Shpërqendrohem kollaj kur lexoj nga një pajisje elektronike. Më vijnë vazhdimisht njoftime, ose bie bateria, ose shkëputet interneti. Kurse, kur lexoj nga një libër i shtypur, shqetësimi i vetëm është të kem ndriçim të mjaftueshëm.»—Elena.
Lutu para se të lexosh. Kërkoji Jehovait të të ndihmojë të kuptosh, të mbash mend dhe të përfitosh nga pjesa e Biblës që ke ndër mend të lexosh.—Jakovi 1:5.
Që të veprosh në përputhje me lutjen, zhytu plotësisht te tregimi që po lexon. Si ta bësh këtë? Nëse po përdor aplikacionin JW Library ose po lexon Biblën online, kliko mbi një varg për të parë referimet shtesë ose artikujt që flasin për të.
Bëj pyetje. Për shembull: «Çfarë më mëson për Jehovain ky tregim? A del në pah ndonjë cilësi e Tij që mund ta imitoj?» (Efesianëve 5:1) «Çfarë mësoj nga ky tregim që mund ta zbatoj në jetën time?» (Psalmi 119:105) «A mund ta përdor këtë që lexova për të ndihmuar të tjerët?»—Romakëve 1:11.
Gjithashtu pyet veten: «Si lidhet me temën e Biblës fragmenti që lexova?» Kjo pyetje është tejet e rëndësishme. Pse? Sepse gjithçka që është shkruar në Bibël—nga Zanafilla te Zbulesa—lidhet në ndonjë mënyrë me temën e saj kryesore: si do ta shenjtërojë Jehovai emrin e tij nëpërmjet Mbretërisë qiellore dhe si do të provojë se ka të drejtën të qeverisë e se kjo qeverisje është më e mira.