Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Nuk e dini as ditën, as orën»

«Nuk e dini as ditën, as orën»

«Prandaj, qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini as ditën, as orën.»​—MAT. 25:13.

1-3. (a) Cilat situata ilustrojnë mësimin që donte të jepte Jezui në dy shëmbëlltyrat e tij? (b) Cilave pyetje duhet t’u përgjigjemi?

MENDO sikur një zyrtar i lartë të të kërkojë ta çosh me makinë në një takim të rëndësishëm. Megjithatë, pak minuta para se të nisesh për ta marrë, kupton se nuk ke mjaft karburant për rrugën. Duhet të nxitosh që të blesh karburant. Ndërkohë vjen zyrtari, sheh përreth, por nuk të gjen. S’mund të presë, ndaj i kërkon dikujt tjetër ta çojë me makinë. Ti kthehesh shpejt dhe kupton se zyrtari ka ikur. Si do të ndiheshe?

2 Tani imagjino sikur je ti zyrtari dhe ke zgjedhur tre burra të zotë që të kujdesen për një punë të rëndësishme. U shpjegon caktimin dhe të tre e pranojnë me gatishmëri. Mirëpo, kur kthehesh pas ca kohësh, mëson se vetëm dy prej tyre e kanë përmbushur. Për më tepër, ai që nuk e ka përmbushur caktimin, fillon të justifikohet. Në të vërtetë, ai s’është përpjekur fare. Si do të ndiheshe?

3 Në shëmbëlltyrat për virgjëreshat dhe talentat, Jezui përdori situata të ngjashme që të ilustronte pse gjatë kohës së fundit disa të krishterë të mirosur do të tregoheshin të besueshëm e të matur, ndërsa të tjerë jo. * (Mat. 25:1-30) Ai e theksoi me këto fjalë mësimin që donte të jepte: «Prandaj, qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini as ditën, as orën»​—domethënë, kohën kur Jezui do të shkatërronte botën e Satanait. (Mat. 25:13) Ne mund ta zbatojmë këtë këshillë sot. Si mund të nxjerrim dobi duke qëndruar vigjilentë, siç na inkurajoi Jezui? Cilët kanë qenë gati për të mbijetuar? Ç’duhet të bëjmë tani që të qëndrojmë vigjilentë?

 NXIRR DOBI DUKE QËNDRUAR VIGJILENT

4. Pse të qëndrosh zgjuar nuk do të thotë t’i mbash sytë tek ora?

4 Disa aktivitete, si për shembull, puna në një fabrikë, vizita te mjeku ose udhëtimi me një mjet të transportit publik, kërkojnë që të respektohet një orar i caktuar. Por, nëse po shuajmë një zjarr ose po u shpëtojmë jetën njerëzve pas një katastrofe, nuk mund t’i mbajmë sytë tek ora, sepse kjo do të na shpërqendronte ose më keq akoma, do të ishte e rrezikshme. Në këto situata, është shumë më e rëndësishme të përqendrohemi tek ajo që po bëjmë, sesa t’i përmbahemi një orari. Teksa fundi i këtij sistemi afrohet gjithnjë e më tepër, kurrë s’ka qenë më e rëndësishme sesa tani që t’u tregojmë njerëzve masat e Jehovait për shpëtim. Të qëndrojmë zgjuar si të krishterë, nuk do të thotë t’i mbajmë sytë tek ora. Faktikisht, ka të paktën pesë mënyra se si nxjerrim dobi ngaqë nuk e dimë ditën ose orën e saktë kur do të vijë fundi.

5. Si na ndihmon fakti që nuk dimë ditën ose orën të tregojmë se ç’kemi në zemër?

5 Së pari, duke mos e ditur kur do të vijë fundi, mund të tregojmë se ç’kemi vërtet në zemër. Faktikisht kjo na jep dinjitet, sepse kemi mundësi ta përdorim vullnetin e lirë për të treguar besnikërinë tonë ndaj Jehovait. Edhe pse shpresojmë të mbijetojmë kur të vijë fundi i këtij sistemi, i shërbejmë Jehovait sepse e duam, jo thjesht për të fituar jetën. (Lexo Psalmin 37:4.) Kënaqemi duke bërë vullnetin e tij dhe e kuptojmë se Perëndia na mëson si të nxjerrim dobi për vete. (Isa. 48:17) Urdhërimet e tij s’na duken aspak të rënda!​—1 Gjon. 5:3.

6. Si ndihet Perëndia kur i shërbejmë nga dashuria dhe pse?

6 Një dobi e dytë që vjen ngaqë nuk e dimë ditën ose orën, është se kështu kemi mundësi t’ia gëzojmë zemrën Jehovait. Kur i shërbejmë atij nga dashuria​—jo për shkak të ndonjë date apo vetëm për një shpërblim—​japim kontributin tonë në përgjigjen që Jehovai u jep akuzave të pathemelta të kundërshtarit të tij, Satanait. (Jobi 2:4, 5; lexo Proverbat 27:11.) Duke marrë parasysh gjithë dhembjet dhe pikëllimet që ka shkaktuar Djalli, ne mbështetim me gëzim sovranitetin e Jehovait dhe hedhim poshtë sundimin e lig të Satanait.

7. Pse mendoni se një jetë vetëmohuese është e dëshirueshme?

7 Së treti, kur shërbejmë pa një datë specifike në mendje, nxitemi të bëjmë një jetë vetëmohuese. Edhe disa që nuk e njohin Perëndinë, besojnë se bota sot, siç është katandisur, s’e ka të gjatë. Të trembur nga disa katastrofa që kanosen, ata kanë qëndrimin: «Le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim.» (1 Kor. 15:32) Nga ana tjetër, ne nuk frikësohemi. Nuk veçohemi që të kënaqim dëshirat tona egoiste. (Prov. 18:1) Përkundrazi, mohojmë veten dhe vullnetarisht përdorim kohën, energjinë dhe gjërat tona që t’u japim të tjerëve lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Lexo Mateun 16:24.) Gjejmë kënaqësi duke i shërbyer Perëndisë, sidomos duke i ndihmuar të tjerët ta njohin atë.

8. Cilët shembuj biblikë tregojnë pse duhet të mbështetemi më plotësisht te Jehovai dhe te Fjala e tij?

8 Një dobi e katërt që vjen ngaqë nuk dimë ditën ose orën, është se kjo na ndihmon të mbështetemi më plotësisht te Jehovai dhe të bëjmë çmos që të zbatojmë Fjalën e tij në jetën tonë. Një aspekt i dallueshëm i natyrës sonë të papërsosur njerëzore, është prirja për t’u mbështetur te vetja. Pavli i paralajmëroi të gjithë të krishterët: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.» Pak para se Josiu ta udhëhiqte popullin  e Perëndisë për në Tokën e Premtuar, njëzet e tre mijë veta humbën miratimin e Jehovait. «Këto gjëra,—thotë Pavli,—u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve.»​—1 Kor. 10:8, 11, 12.

9. Si mund të na rafinojnë vështirësitë e të na afrojnë më shumë me Perëndinë?

9 Një mënyrë e pestë se si nxjerrim dobi ngaqë nuk e dimë kur do të vijë fundi, është se vështirësitë e tanishme mund të na rafinojnë. (Lexo Psalmin 119:71.) Ditët e fundit të këtij sistemi janë vërtet «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1-5) Shumë njerëz në botën e Satanait na urrejnë, prandaj mund të përndiqemi për shkak të besimit. (Gjoni 15:19; 16:2) Nëse përulemi dhe kërkojmë drejtimin e Perëndisë gjatë këtyre sprovave, besimi ynë do të rafinohet ose do të pastrohet si nëpërmjet zjarrit. Nuk do të dorëzohemi, përkundrazi, do të afrohemi me Jehovain më shumë nga ç’mund ta kishim imagjinuar ndonjëherë.​—Jak. 1:2-4; 4:8.

10. Kur duket se koha kalon shpejt?

10 Se sa shpejt apo sa ngadalë kalon koha, është diçka relative. Kur jemi të zënë e plotësisht të përfshirë në diçka, pa e mbajtur mendjen tek ora, na duket sikur koha fluturon. Po ashtu, nëse zhytemi në veprën entuziazmuese që na ka dhënë Jehovai, ajo ditë dhe orë mund të vijë më shpejt se sa mendojmë. Në lidhje me këtë, shumica e të mirosurve kanë lënë një shembull të shkëlqyer. Le të rishikojmë shkurtimisht se ç’ndodhi pasi Jezui u vendos si mbret në vitin 1914, dhe të shohim se si disa ishin gati, ndërsa të tjerë jo.

TË MIROSURIT JANË GATI

11. Pas vitit 1914, pse disa të mirosur arritën në përfundimin se Zotëria po vonohej?

11 Kujto shëmbëlltyrat që tregoi Jezui për virgjëreshat dhe talentat. Nëse virgjëreshat ose skllevërit në këto shëmbëlltyra do ta kishin ditur kur do të vinte dhëndri ose zotëria, nuk do t’u duhej të qëndronin vigjilentë. Por ata nuk e dinin, prandaj duhej të rrinin gati. Edhe pse prej dekadash të mirosurit e kishin parë vitin 1914 si një vit të shënuar, nuk e kuptonin qartë se çfarë do të ndodhte. Kur gjërat nuk dolën siç kishin pritur, mund t’u jetë dukur sikur Dhëndri po vonohej. Një vëlla më vonë kujtoi: «Disa prej nesh, ndonëse të paktë, mendonin seriozisht se do të shkonim në qiell gjatë javës së parë të atij tetori [1914].»

12. Si u treguan të mirosurit të besueshëm e të matur?

12 Mendo sa shkurajuese duhet të ketë qenë të prisje fundin e ai të mos vinte! Për më tepër, vëllezërit hasën kundërshtim gjatë Luftës I Botërore. Vepra e predikimit thuajse ndali fare. Ishte sikur të mirosurit t’i kishte zënë gjumi. Mirëpo, në vitin 1919 diçka i zgjoi! Jezui kishte ardhur në tempullin frymor të Perëndisë dhe kishte mbërritur koha e hetimit. Megjithatë, disa të mirosur nuk e kaluan me sukses këtë hetim e si pasojë humbën privilegjin që të punonin për Zotërinë, Jezuin. (Mat. 25:16) Ata ishin si virgjëreshat mendjelehta, nuk u treguan të kujdesshëm për t’i mbushur plot llambat me vaj frymor. E ashtu si skllavi i plogësht, ata nuk donin të bënin sakrifica për hir të Mbretërisë. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e të mirosurve tregoi besnikëri të patundur dhe dëshirë të fortë për t’i shërbyer Zotërisë edhe gjatë viteve të vështira të luftës.

13. Ç’qëndrim mbajti klasa e skllavit pas vitit 1914? Cili është qëndrimi i saj sot?

13 Pas vitit 1914, Kulla e Rojës bëri këtë deklaratë kuptimplotë: «Vëllezër, ata mes nesh që kanë qëndrimin e duhur ndaj Perëndisë asnjëherë nuk zhgënjehen nga mënyra si i organizon ai gjërat. Ne nuk  dëshironim të bëhej vullneti ynë; prandaj kur kuptuam se po pritnim gjënë e gabuar në tetor të 1914-s, u kënaqëm që Zotëria nuk e ndryshoi Planin e Tij për ta përshtatur me ne. Nuk dëshironim që Ai ta bënte këtë. Dëshirojmë thjesht që të arrijmë të kuptojmë planet dhe qëllimet e Tij.» Kjo përulësi dhe ky përkushtim i karakterizon ende të mirosurit e Zotërisë. Ata nuk pretendojnë se janë të frymëzuar, por thjesht duan të bëjnë veprën që Jezui u ka caktuar në tokë. Tani edhe ‘një shumicë e madhe’ e ‘deleve të tjera’, pra të krishterët me shpresë tokësore, po imitojnë vigjilencën dhe zellin e tyre.​—Zbul. 7:9; Gjoni 10:16.

DELET E TJERA JANË GATI

Edhe në situata të vështira, kërko ushqim frymor

14. Si do të jemi të mbrojtur duke qëndruar të lidhur ngushtë me kanalin që ka caktuar Perëndia për të dhënë ushqim frymor?

14 Ashtu si të krishterët e mirosur, edhe pjesëtarët vigjilentë të shumicës së madhe qëndrojnë të lidhur ngushtë me kanalin që ka caktuar Perëndia për të dhënë ushqim frymor. Si rezultat, është sikur edhe ata po i mbushin llambat me vaj frymor nga Fjala Perëndisë dhe nga fryma e tij. (Lexo Psalmin 119:130; Gjonin 16:13.) Kjo i forcon, e kështu edhe ata janë gati për ardhjen e Krishtit, duke qëndruar aktivë madje edhe nën sprova të rënda. Për shembull, në një kamp nazist, si fillim vëllezërit kishin vetëm një Bibël. Prandaj u lutën që të kishin më tepër ushqim frymor. Shpejt pas kësaj dëgjuan se një vëlla i sapoburgosur kishte arritur të sillte fshehurazi në kamp disa numra të rinj të Kullës së Rojës, duke i futur brenda këmbës së tij prej druri. Ndër të mbijetuarit, ishte një vëlla i mirosur që quhej Ernst Vauer, i cili më vonë kujtonte: «Jehovai na ndihmoi në mënyrë të mrekullueshme që të ngulitnim në kujtesë mendime forcuese nga ata artikuj.» Pastaj thoshte: «Sot është kaq e lehtë të gjesh ushqim frymor, por a e vlerësojmë gjithnjë? Jam i sigurt se Jehovai ka rezervuar bekime të bollshme për ata që kanë besim tek ai, i qëndrojnë besnikë dhe ushqehen në tryezën e tij.»

15, 16. Si u shpërblye një çift për zellin që tregoi në shërbimin e krishterë? Ç’mund të mësosh nga përvoja të tilla?

15 Edhe delet e tjera janë shumë të zënë në veprën e Zotërisë, duke mbështetur plotësisht vëllezërit e Krishtit. (Mat. 25:40) Ndryshe nga skllavi i lig e i plogësht në shëmbëlltyrën e Jezuit, ata janë  të gatshëm të bëjnë sakrifica dhe çdo përpjekje që të vënë në radhë të parë interesat e Mbretërisë. Për shembull, kur Xhonin dhe Masakon i ftuan që të ndihmonin në fushën kineze në Kenia, si fillim ata kishin disa rezerva. Mirëpo, pasi i shqyrtuan në lutje rrethanat e tyre, vendosën të shkonin.

16 Ata u shpërblyen shumë për përpjekjet. «Shërbimi këtu është fantastik»,—u shprehën. Nisën shtatë studime biblike e patën edhe shumë përvoja të tjera të bukura. Ata thanë: «E falënderojmë çdo ditë Jehovain që na lejon të jemi këtu.» Sigurisht, ka shumë vëllezër e motra që me vendimet e tyre kanë pasqyruar vendosmërinë për të qenë plotësisht të zënë në shërbim të Perëndisë, kurdo që të vijë fundi. Mendo për ata mijëra që janë diplomuar në Shkollën e Galaadit dhe kanë filluar shërbimin misionar. Pse të mos krijosh një ide për këtë shërbim të veçantë, duke lexuar artikullin «Bëjmë më të mirën tonë!» që doli në Kullën e Rojës të 15 tetorit 2001? Ndërsa shqyrton tregimin tërheqës rreth një dite në veprën misionare, mendo për mënyrat si mund të rritësh shërbimin ndaj Perëndisë që t’i japësh lavdi atij e si rezultat, edhe gëzim vetes.

QËNDRO VIGJILENT EDHE TI

Kur jemi të përqendruar në aktivitetet e krishtere, koha kalon shpejt

17. Si ka qenë një bekim fakti që nuk e dimë ditën ose orën?

17 Pa dyshim, fakti që nuk e dimë ditën ose orën e saktë kur do të vijë fundi i këtij sistemi, ka qenë një bekim për ne. Në vend që të mërzitemi apo të zhgënjehemi, afrohemi gjithnjë e më tepër me Jehovain, Atin tonë të dashur, ndërsa përfshihemi plotësisht në bërjen e vullnetit të tij. Duke i mbajtur duart në parmendë, si të thuash, dhe duke shmangur shpërqendrimet, provojmë gëzim të pamasë në shërbim të Zotërisë.​—Luka 9:62.

18. Pse duam të qëndrojmë besnikë në shërbim të Perëndisë?

18 Po i afrohemi me shpejtësi ditës së gjykimit të Perëndisë. Asnjë prej nesh nuk dëshiron të zhgënjejë Jehovain ose Jezuin. Ata na kanë besuar privilegje të çmuara shërbimi në këto ditë të fundit. Sa mirënjohës jemi që kanë besim te ne!​—Lexo 1 Timoteut 1:12.

19. Si mund të jemi gati?

19 Pavarësisht nëse kemi shpresën të jetojmë në qiell ose në Parajsën në tokë, le të jemi të vendosur të qëndrojmë besnikë në caktimin që na ka dhënë Perëndia për të predikuar e për të bërë dishepuj. Ende nuk e dimë ditën ose orën e saktë kur do të vijë dita e Jehovait, dhe a kemi vërtet nevojë ta dimë? Ne mund dhe do të vazhdojmë të jemi gati. (Mat. 24:36, 44) Kemi besim se, për sa kohë të besojmë plotësisht te Jehovai dhe të vëmë në radhë të parë Mbretërinë e tij, nuk do të zhgënjehemi.​—Rom. 10:11.