Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinj: Rritni dëshirën për t’i shërbyer Jehovait

Të rinj: Rritni dëshirën për t’i shërbyer Jehovait

Të rinj: Rritni dëshirën për t’i shërbyer Jehovait

«Kujtoje pra tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate.»​—EKL. 12:1.

1. Cila ftesë iu bë fëmijëve ose të rinjve në Izrael?

RRETH 3.500 vjet më parë, Moisiu, profeti i Jehovait, i urdhëroi priftërinjtë dhe pleqtë e Izraelit: «Mblidhni popullin me burra, gra e fëmijë . . . që të dëgjojë e të mësojë, pasi ai duhet t’i frikësohet Jehovait, Perëndisë tuaj, dhe të përmbushë me kujdes të gjitha fjalët e këtij ligji.» (Ligj. 31:12) Vini re se cilëve iu kërkua të ndiqnin mbledhjet për të adhuruar Jehovain: burrave, grave dhe fëmijëve ose të rinjve. Po, edhe të rinjtë ishin mes atyre që iu tha të dëgjonin, të mësonin dhe të ndiqnin drejtimin e Jehovait.

2. Si e shprehu Jehovai interesimin e tij për të rinjtë në kongregacionin e hershëm të krishterë?

2 Në shekullin e parë, Jehovai vazhdoi të shprehte interesimin për të rinjtë e popullit të tij. Për shembull, ai e frymëzoi apostullin Pavël që, në disa nga letrat që u dërgoi kongregacioneve, të përfshinte udhëzime të cilat u drejtoheshin në mënyrë specifike të rinjve. (Lexo Efesianëve 6:1; Kolosianëve 3:20.) Të rinjtë e krishterë që i zbatuan këto këshilla, e rritën çmueshmërinë për Atin e dashur qiellor dhe morën shumë bekime.

3. Si e tregojnë të rinjtë sot dëshirën për t’i shërbyer Perëndisë?

3 A ftohen edhe sot të rinjtë që të mblidhen për të adhuruar Jehovain? Po! Prandaj, për gjithë popullin e Perëndisë është një burim gëzimi të shohë kaq shumë shërbëtorë të Tij të rinj anembanë botës, që marrin për zemër këtë nxitje të Pavlit: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shihni se dita po afrohet.» (Hebr. 10:24, 25) Për më tepër, shumë fëmijë marrin pjesë me prindërit në predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mat. 24:14) Gjithashtu, për të shprehur dashurinë e përzemërt për Jehovain, çdo vit mijëra të rinj pagëzohen dhe gëzojnë bekimet që vijnë kur je dishepull i Krishtit.—Mat. 16:24; Mar. 10:29, 30.

Pranojeni tani ftesën

4. Kur mund të pranojnë të rinjtë ftesën e Perëndisë për t’i shërbyer atij?

4 Eklisiastiu 12:1 thotë: «Kujtoje pra tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate.» Sa vjeç duhet të jenë të rinjtë, që të pranojnë ftesën e ngrohtë për të adhuruar dhe për t’i shërbyer Jehovait? Në Shkrime nuk përcaktohet ndonjë moshë. Prandaj, mos ngurroni duke menduar se jeni tepër të vegjël për të dëgjuar Jehovain dhe për t’i shërbyer atij. Pavarësisht nga mosha që mund të keni, jeni të inkurajuar ta pranoni pa vonesë ftesën.

5. Në ç’mënyrë prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët që të bëjnë përparim frymor?

5 Shumë prej jush jeni ndihmuar të bëni përparim frymor nga njëri ose të dy prindërit. Kështu ju jeni si Timoteu i kohëve biblike. Kur ishte veçse foshnjë, atij i mësuan shkrimet e shenjta mamaja, Eunika, dhe gjyshja, Loida. (2 Tim. 3:14, 15) Ka mundësi që prindërit po ju stërvitin në mënyrë të ngjashme duke studiuar Biblën me ju, duke u lutur bashkë me ju, duke ju marrë në mbledhjet e kongregacionit, në asamble e në kongrese dhe duke dalë me ju në shërbim. Po, prindërit kanë një përgjegjësi tejet të rëndësishme që vetë Jehovai ua ka besuar: t’ju mësojnë udhët e tij. A e çmoni dashurinë dhe interesimin e tyre?—Prov. 23:22.

6. (a) Sipas Psalmit 110:3, ç’lloj adhurimi i pëlqen Jehovait? (b) Çfarë do të shqyrtojmë tani?

6 Megjithatë, teksa ju të rinj rriteni, Jehovai do që «të vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur» i Tij, pikërisht siç bëri Timoteu. (Rom. 12:2) Nëse e bëni këtë, do të merrni pjesë në aktivitetet e kongregacionit jo sepse duan prindërit, por sepse ju dëshironi të bëni vullnetin e Perëndisë. Në qoftë se i shërbeni Jehovait vullnetarisht, kjo do t’i pëlqejë atij. (Psal. 110:3) Atëherë, si mund ta tregoni se doni ta rritni dëshirën për të dëgjuar Jehovain dhe për të ndjekur drejtimin e tij? Do të shqyrtojmë tri mënyra të rëndësishme se si mund ta bëni këtë. Ato janë: studimi, lutja dhe sjellja. Le t’i shqyrtojmë një nga një.

Njiheni Jehovain si Person

7. Në ç’mënyrë Jezui la një shembull duke i studiuar Shkrimet dhe çfarë e ndihmoi?

7 Mënyra e parë si tregoni se doni ta rritni dëshirën për t’i shërbyer Jehovait, është duke lexuar Biblën përditë. Mund ta plotësoni nevojën frymore dhe të merrni njohuri të çmuar biblike, duke lexuar rregullisht Fjalën e Perëndisë. (Mat. 5:3) Jezui la shembullin. Në një rast, kur ishte 12 vjeç, prindërit e gjetën në tempull «të ulur mes mësuesve, tek i dëgjonte dhe i pyeste». (Luka 2:44-46) Që fëmijë, Jezui kishte zhvilluar dëshirë të zjarrtë dhe kuptueshmëri për Shkrimet. Çfarë e ndihmoi? Pa dyshim, mamaja e tij, Maria, dhe babai birësues, Jozefi, luajtën një rol të rëndësishëm. Ata ishin shërbëtorë të Perëndisë që e mësuan Jezuin për Të që në foshnjëri.—Mat. 1:18-20; Luka 2:41, 51.

8. (a) Kur duhet të fillojnë prindërit të ngulitin te fëmijët dashurinë për Fjalën e Perëndisë? (b) Tregoni një përvojë që vërteton vlerën e stërvitjes së fëmijëve që në foshnjëri.

8 Po kështu edhe sot, prindërit që i frikësohen Perëndisë, e kuptojnë sa vlerë ka t’u ngulitin në zemër fëmijëve një dashuri të zjarrtë për të vërtetën biblike që në foshnjëri. (Ligj. 6:6-9) Këtë bëri edhe Rubi, një e krishterë, shumë shpejt pasi lindi i biri, Xhozefi. Çdo ditë, ajo i lexonte nga Libri im i tregimeve biblike. Teksa djali rritej, ajo e ndihmonte të mbante mend shkrime të ndryshme. A nxori dobi Xhozefi nga kjo stërvitje? Kur mësoi të fliste, ishte në gjendje të tregonte me fjalët e tij shumë histori biblike. Dhe, kur ishte pesë vjeç, mbajti fjalimin e parë në Shkollën e Shërbimit Teokratik.

9. Pse është i rëndësishëm leximi i Biblës dhe meditimi rreth asaj që lexoni?

9 Për të bërë përparim të mëtejshëm frymor, ju të rinj duhet ta bëni zakon ta lexoni Biblën çdo ditë dhe mbajeni këtë zakon gjatë gjithë adoleshencës e më tej. (Psal. 71:17) Pse leximi i Biblës do t’ju ndihmojë të bëni përparim? Vini re se çfarë i tha Jezui në lutje Atit: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë.» (Gjoni 17:3) Po, ndërsa merrni më tepër njohuri për Jehovain, do t’ju bëhet gjithnjë e më shumë një Person real dhe do t’ju rritet dashuria për të. (Hebr. 11:27) Prandaj, sa herë që lexoni një pjesë të Biblës, përdoreni këtë mundësi për të mësuar më tepër për Jehovain. Pyetni veten: «Çfarë më mëson ky tregim për Jehovain si Person? Si e tregon ky fragment biblik dashurinë dhe interesimin e Perëndisë për mua?» Nëse ndaleni për të medituar për këto pyetje, kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni mënyrën e të menduarit dhe ndjenjat e Jehovait, si edhe çfarë kërkon nga ju. (Lexo Proverbat 2:1-5.) Ashtu si i riu Timote, edhe ju ‘do të bindeni të besoni’ atë që mësoni nga Shkrimet dhe do të nxiteni ta adhuroni Jehovain me gjithë zemër.—2 Tim. 3:14.

Si jua rrit lutja dashurinë për Jehovain?

10, 11. Si ju ndihmon lutja të rritni dashurinë për t’i shërbyer Perëndisë?

10 Mënyra e dytë si mund ta rritni dëshirën për t’i shërbyer Jehovait me gjithë zemër, është nëpërmjet lutjes. Te Psalmi 65:2 lexojmë: «O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijë çdo njeri.» Edhe gjatë kohës që Izraeli ishte populli me të cilin Perëndia kishte bërë një besëlidhje, të huajt që vinin në tempullin e Jehovait mund t’i afroheshin Atij nëpërmjet lutjes. (1 Mbret. 8:41, 42) Perëndia nuk është i anshëm. Ata që i zbatojnë urdhërimet e tij kanë sigurinë se ai do t’i dëgjojë. (Prov. 15:8) Patjetër, kur thuhet «çdo njeri», këtu përfshiheni edhe ju të rinj.

11 Ju e dini se baza e çdo miqësie të vërtetë është komunikimi i mirë. Ka të ngjarë që ju pëlqen të flitni për mendimet, shqetësimet dhe ndjenjat tuaja me një mik të ngushtë. Po kështu, duke bërë lutje të përzemërta, ju komunikoni me Krijuesin tuaj të Madh. (Filip. 4:6, 7) Flitni me Jehovain njësoj sikur t’ia zbraznit zemrën një prindi të dashur ose një miku të ngushtë. Në fakt, ka një lidhje të fortë midis mënyrës si luteni dhe asaj që ndieni për Jehovain. Do të vini re se, sa më e fortë bëhet miqësia juaj me Jehovain, aq më domethënëse do të bëhen lutjet tuaja.

12. (a) Pse lutjet domethënëse nuk përfshijnë vetëm fjalë? (b) Çfarë do t’ju ndihmojë të kuptoni se Jehovai është pranë jush?

12 Gjithsesi, kini parasysh që lutjet domethënëse nuk përfshijnë vetëm fjalë. Ato përfshijnë ndjenjat tuaja më të thella. Shprehjani në lutje Jehovait dashurinë e ngrohtë, respektin e thellë dhe sigurinë e plotë tek ai. Tek vëreni si u përgjigjet lutjeve, do të kuptoni si kurrë më parë se «Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin». (Psal. 145:18) Po, Jehovai do t’ju afrohet, duke ju forcuar që t’i kundërviheni Djallit dhe të merrni vendime të drejta në jetë.—Lexo Jakovin 4:7, 8.

13. (a) Si e ndihmoi një motër miqësia me Perëndinë? (b) Si ju ndihmon miqësia me Perëndinë që t’u bëni ballë presioneve të moshatarëve?

13 Të shqyrtojmë se si Sheri mori forcë nga marrëdhënia e ngushtë me Jehovain. Në shkollën e mesme ajo fitoi disa çmime, sepse ishte mirë në mësime dhe shkëlqente në sporte. Kur mbaroi shkollën, iu ofrua një bursë që do t’i jepte mundësi të ndiqte arsimin e lartë. Sheri thotë: «Kjo ofertë ishte tunduese dhe trajnerët e studentët e tjerë më bënin shumë presion që ta pranoja.» Por ajo kuptoi se për të ndjekur arsimin e lartë, do t’i duhej t’ia kushtonte shumicën e kohës studimit dhe përgatitjes për aktivitetet sportive e kështu do t’i mbetej pak kohë për t’i shërbyer Jehovait. Çfarë bëri Sheri? Ajo thotë: «Pasi iu luta Jehovait, refuzova bursën dhe fillova të shërbeja si pioniere e rregullt.» Ka pesë vjet që shërben si pioniere. «Nuk ndiej asnjë keqardhje,—thotë ajo.—Ndihem e lumtur duke e ditur se mora një vendim që i pëlqen Jehovait. Vërtet, nëse vë në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë, të gjitha gjërat e tjera do të të shtohen.»—Mat. 6:33.

Sjellja e mirë tregon se e keni «zemrën të pastër»

14. Pse sjellja juaj e mirë është e rëndësishme në sytë e Jehovait?

14 Mënyra e tretë se si mund ta tregoni se i shërbeni Jehovait me gjithë zemër është nëpërmjet sjelljes. Jehovai i bekon të rinjtë që qëndrojnë të pastër moralisht. (Lexo Psalmin 24:3-5.) I riu Samuel refuzoi të imitonte sjelljen imorale të bijve të kryepriftit Eli. Sjellja e shkëlqyer e Samuelit nuk kaloi pa u vënë re. Bibla thotë: «Ndërkohë, djaloshi Samuel rritej dhe fitonte pëlqimin e Jehovait dhe të njerëzve.»—1 Sam. 2:26.

15. Cilat janë disa arsye pse të keni një sjellje të mirë?

15 Jetojmë në një botë plot njerëz që janë të dashuruar me veten, fodullë, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, të egër, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës—për të përmendur vetëm disa nga karakteristikat që renditi Pavli. (2 Tim. 3:1-5) Prandaj, mund të jetë e vështirë të keni një sjellje shembullore ndërsa jeni të rrethuar nga kjo atmosferë e ligë. Sidoqoftë, çdo herë që bëni atë që është e drejtë dhe shmangni sjelljen e gabuar, tregoni se jeni në anën e Jehovait në çështjen e sovranitetit universal. (Jobi 2:3, 4) Gjithashtu, do të ndiheni të kënaqur që po i përgjigjeni thirrjes së ngrohtë të Jehovait: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.» (Prov. 27:11) Për më tepër, kur e dini se keni miratimin e Jehovait, do t’ju rritet dëshira për t’i shërbyer.

16. Si ia gëzoi zemrën Jehovait një motër?

16 Një e krishterë e quajtur Kerël, kur ishte në shkollë gjatë adoleshencës, u përmbahej parimeve biblike dhe sjellja e saj u binte në sy të tjerëve. Çfarë ndodhte? Atë e tallnin shokët e klasës ngaqë për shkak të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla nuk merrte pjesë në festat botërore dhe ceremonitë patriotike. Në ato raste, Kerël kishte hera-herës mundësinë t’u shpjegonte bindjet e veta të tjerëve. Shumë vite më vonë, ajo mori një kartolinë nga një ish-shoqe e klasës, e cila i shkruante: «Gjithnjë kam dashur të të kontaktoj dhe të të falënderoj. Sjellja dhe shembulli yt i mirë si një e re e krishterë, si edhe qëndrimi i guximshëm që mbaje në lidhje me festat nuk kaloi pa u vënë re. Ti ishe Dëshmitarja e parë që takova.» Me shembullin e saj Kerël kishte lënë një përshtypje kaq të thellë te shoqja e klasës, saqë më vonë ajo nisi të studionte Biblën. Shoqja shkruante në kartolinë se ishte pagëzuar si Dëshmitare mbi 40 vjet më parë. Ashtu si Kerël, edhe ju të rinj që u përmbaheni me guxim parimeve biblike, mund të nxitni individë të sinqertë që të njohin Jehovain.

Të rinj që lëvdojnë Jehovain

17, 18. (a) Si ndiheni për të rinjtë në kongregacion? (b) Ç’e ardhme i pret të rinjtë që i frikësohen Perëndisë?

17 Të gjithë ne që jemi në organizatën mbarëbotërore të Jehovait, emocionohemi kur shohim mijëra të rinj të zellshëm që marrin pjesë në adhurimin e vërtetë. Këta të rinj e rritin dëshirën për të adhuruar Jehovain duke lexuar përditë Biblën, duke u lutur dhe duke u sjellë në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Të rinj të tillë shembullorë janë një burim freskie për prindërit dhe për të gjithë popullin e Jehovait.—Prov. 23:24, 25.

18 Në të ardhmen, të rinjtë besnikë do të jenë mes atyre që do të hyjnë në botën e re të premtuar nga Perëndia. (Zbul. 7:9, 14) Atje do të përjetojnë bekime të mrekullueshme, teksa do t’u shtohet çmueshmëria për Jehovain, dhe do të mund ta lëvdojnë Atë në jetë të jetëve.—Psal. 148:12, 13.

A mund të shpjegoni?

• Si mund të marrin pjesë të rinjtë në adhurimin e vërtetë?

• Pse meditimi është thelbësor që të nxirrni dobi nga leximi i Biblës?

• Si ju ndihmon lutja t’i afroheni Jehovait?

• Çfarë arrihet falë sjelljes së mirë të krishterë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 5]

A e ke bërë zakon leximin e përditshëm të Biblës?