Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sprovat na kanë forcuar besimin te Jehovai

Sprovat na kanë forcuar besimin te Jehovai

Sprovat na kanë forcuar besimin te Jehovai

Treguar nga Ada Delo Strito

Sapo kopjova shkrimin e ditës te blloku i shënimeve. Jam 36 vjeç, por për të shkruar ata pak rreshta, m’u deshën dy orë. Pse kaq shumë? Mamaja ime do ta shpjegojë.—Joeli

UNË dhe im shoq u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait në 1968-n. Pas dy djemve të shëndetshëm, Davidit dhe Markut, patëm një fëmijë të tretë, Joelin. Ai lindi para kohe në vitin 1973 në një spital të qytezës Bensh, në Belgjikë, rreth 60 kilometra në jug të Brukselit. Peshonte 1,7 kilogramë. Kur dola nga spitali, u desh që Joeli të qëndronte atje për të shtuar pak në peshë.

Disa javë më vonë, kur ende nuk shfaqte shenja përmirësimi, unë dhe burri im, Luixhi, e çuam djalin te një pediatër. Pasi e ekzaminoi Joelin, doktori tha: «Më vjen shumë keq. Joeli duket se ka tërë problemet që nuk i kanë vëllezërit e tij.» Ra një heshtje e gjatë. Në atë çast kuptova se djali ynë i vogël kishte një problem shëndetësor të rëndë. Më pas, doktori e mori burrin mënjanë dhe i tha: «Fëmija ka trisominë 21», e cila quhet edhe sindromi Daun. *

Të trishtuar nga diagnoza e pediatrit, vendosëm të konsultoheshim me një specialist tjetër mjekësor. Ai e ekzaminoi me kujdes Joelin e vogël për gati një orë pa thënë asnjë fjalë. Mua dhe Luixhit na u duk një përjetësi. Në fund, doktori ngriti kokën dhe tha: «Fëmija juaj do të ketë nevojë shumë për mbështetjen tuaj.» Pastaj me një zë dashamirës shtoi: «Por Joeli do të jetë i lumtur, sepse ka prindër që e duan!» E rënduar emocionalisht, e mora në krahë Joelin dhe e çuam në shtëpi. Atëherë ai ishte tetëjavësh.

Marrim forcë nga mbledhjet dhe shërbimi i krishterë

Analiza të tjera mjekësore zbuluan se Joeli kishte gjithashtu një keqformim serioz në zemër dhe një formë të rëndë rakitizmi. Ngaqë zemra ishte tepër e madhe, ngjeshej pas mushkërive dhe si pasojë, e bënte Joelin më të prirur ndaj infeksioneve. S’kaloi shumë dhe, kur ishte katërmuajsh, Joeli u sëmur me bronkopneumoni. Kështu u desh të kthehej në spital ku e vunë në karantinë. Na dhimbte shpirti kur e shihnim të luftonte me sëmundjen. Dëshironim ta merrnim në krahë e ta përkëdhelnim, por për dhjetë javë plot angështi nuk na u lejua as ta preknim. Unë dhe Luixhi s’mund të bënim gjë tjetër veçse ta shihnim, të përqafonim njëri-tjetrin dhe të luteshim.

Gjatë asaj periudhe të vështirë, vazhduam të ndiqnim mbledhjet e kongregacionit bashkë me Davidin e Markun, që atëherë ishin 6 dhe 3 vjeç. Kur ishim në Sallën e Mbretërisë ndiheshim sikur ishim në krahët e dashur të Jehovait. Gjatë orëve që ishim atje, të rrethuar nga vëllezër dhe motra të krishterë, e ndienim se mund ta hidhnim barrën tonë te Jehovai dhe përjetonim njëfarë qetësie të brendshme. (Psal. 55:22) Madje edhe infermieret që kujdeseshin për Joelin thoshin që e vinin re se si mbledhjet e krishtere na ndihmonin të ruanim ekuilibrin.

Gjithashtu, gjatë asaj kohe i përgjërohesha Jehovait për forcë që të dilja në shërbim. Në vend që të rrija në shtëpi e të qaja, doja të flitja me të tjerët e t’u thosha pse më jepte forcë besimi te premtimi i Perëndisë për një botë pa sëmundje. Çdo herë që mund të dilja në shërbim, e ndieja se Jehovai po u përgjigjej lutjeve të mia.

«Kjo është e pabesueshme!»

Sa të lumtur ishim ditën kur, më në fund, e morëm Joelin nga spitali dhe e sollëm në shtëpi! Por të nesërmen, gëzimi ynë u kthye në trishtim. Gjendja e Joelit u keqësua me të shpejtë dhe na u desh ta çonim me nxitim në spital. Pasi e vizituan, doktorët na thanë: «Joelit i kanë mbetur jo më shumë se gjashtë muaj jetë.» Dy muaj më pas, kur ishte rreth tetëmuajsh, parashikimi i doktorëve u duk sikur doli i vërtetë ngaqë gjendja e Joelit u keqësua. Një mjek u ul me ne dhe tha: «Më vjen shumë keq. S’mund të bëjmë më asgjë.» Pastaj shtoi: «Tani vetëm Jehovai mund ta ndihmojë.»

U ktheva në dhomën e spitalit ku ishte Joeli. Megjithëse ndihesha e dërrmuar emocionalisht dhe e rraskapitur fizikisht, isha e vendosur t’i rrija në kokë. Disa motra të krishtere qëndronin me radhë me mua, ndërsa Luixhi duhej të kujdesej për dy djemtë e tjerë më të mëdhenj. Kaloi një javë. Pastaj, papritur Joeli pësoi një infarkt. Infermieret vrapuan te dhoma, por s’mundën të bënin asgjë. Pas disa minutash, njëra prej tyre më tha me zë të ulët: «S’ia doli dot . . . » Me zemër të copëtuar, shpërtheva në lot dhe dola nga dhoma. U përpoqa t’i lutesha Jehovait, por s’gjeja dot fjalë për të shprehur dhimbjen. Pasi kishin kaluar rreth 15 minuta, një infermiere më thirri: «Joeli po e merr veten!» Më mori për krahu dhe më tha: «Eja ta shohësh!» Kur u ktheva te Joeli, zemra i rrihte përsëri. Lajmi për të u përhap me të shpejtë. Infermieret dhe doktorët erdhën për ta parë dhe shumë thanë të habitur: «Kjo është e pabesueshme!»

Në moshën katërvjeçare, një hap befasues

Gjatë viteve të para të jetës së Joelit, pediatri na thoshte shpesh: «Joeli ka nevojë për shumë dashuri.» Meqë unë dhe Luixhi e kishim përjetuar në mënyrë të veçantë kujdesin e dashur të Jehovait pas lindjes së Joelit, donim ta rrethonim me dashuri edhe djalin tonë. Kishim mundësi të shumta për ta bërë këtë ngaqë atij i nevojitej ndihma jonë për çdo gjë.

Çdo vit, gjatë shtatë viteve të para të jetës së Joelit, përballonim të njëjtat gjëra. Nga tetori në mars ai kishte vazhdimisht probleme shëndetësore dhe duhej ta çonim herë pas here në spital. Njëkohësisht përpiqeshim t’u kushtonim sa më shumë kohë dy djemve të tjerë, Davidit dhe Markut. Por edhe ata e ndihmonin shumë Joelin të bënte përpara, e me rezultate befasuese. Për shembull, disa mjekë na kishin thënë se Joeli nuk do të ecte kurrë. Por, një ditë kur Joeli ishte katër vjeç, djali ynë Marku tha: «Hajde Joel, tregoji mamit se ça di të bësh!» Për habinë time, Joeli hodhi hapat e parë! Ishim shumë të lumtur dhe u lutëm si familje për ta falënderuar Jehovain nga zemra. Herë të tjera, edhe kur Joeli përparonte vetëm pak në një drejtim ose në një tjetër, ne e lavdëronim gjithnjë me ngrohtësi.

Stërvitja hyjnore që nga foshnjëria, sjell fryt

Sa më shpesh që të ishte e mundur, e merrnim Joelin në mbledhje në Sallën e Mbretërisë. Meqë ishte shumë i brishtë, për ta mbrojtur nga mikrobet, e vinim në një karrocë të veçantë që ishte e mbyllur me një mbulesë plastike të tejdukshme. Por, edhe pse qëndronte ulur pas asaj mbulese, atij i pëlqente të ishte me kongregacionin.

Vëllezërit dhe motrat e krishterë ishin burim force për ne dhe na rrethonin me dashuri e na mbështetnin në mënyrë praktike. Një vëlla na kujtonte shpesh fjalët e Isaisë 59:1: «Dora e Jehovait nuk është shkurtuar aq sa të mos shpëtojë dot, dhe veshi i tij nuk është rënduar aq sa të mos dëgjojë dot.» Këto fjalë ngushëlluese na ndihmonin të besonim te Jehovai.

Teksa Joeli rritej, përpiqeshim që shërbimi ndaj Jehovait të zinte një pjesë të mirë të jetës së tij. Në çdo rast flitnim me të për Jehovain në atë mënyrë që Joeli të zhvillonte një lidhje dashurie me Atin e tij qiellor. I luteshim Jehovait të bekonte përpjekjet tona, me qëllim që stërvitja frymore që i jepnim të sillte fryt.

Kur hyri në adoleshencë, ishim shumë të kënaqur kur shihnim që Joelit i pëlqente t’u fliste për të vërtetat biblike njerëzve që takonte. Në moshën 14 vjeçare, ndërsa e merrte veten nga një operacion i rëndë, u lumturova shumë kur Joeli më pyeti: «Mami, a mund t’ia jap kirurgut librin Ti mund të jetosh?» Pak vite më vonë, u desh që Joeli të bënte një operacion tjetër. E dinim se mund edhe të mos shpëtonte. Para operacionit, Joeli u dorëzoi mjekëve një letër që e kishim përgatitur bashkë. Në të shpjegohej qëndrimi i tij për përdorimin e gjakut. Kirurgu e pyeti Joelin: «Po ti, je dakord?» Joeli u përgjigj me vendosmëri: «Po, doktor.» Ishim shumë krenarë për besimin e djalit tonë te Krijuesi dhe për vendosmërinë që kishte për t’i pëlqyer Atij. Personeli i spitalit na ndihmoi shumë dhe u ishim mjaft mirënjohës.

Përparimi frymor i Joelit

Në moshën 17-vjeçare, Joeli e simbolizoi kushtimin ndaj Perëndisë duke u pagëzuar. Ç’ditë e paharrueshme ishte ajo! Përparimi i tij frymor na mbush me gëzim të thellë. Që atëherë, dashuria e tij për Jehovain dhe zelli për të vërtetën nuk janë pakësuar. Në fakt, kujtdo që takon, Joeli i thotë: «E vërteta është jeta ime!»

Në fund të adoleshencës, Joeli mësoi të lexonte e të shkruante. Iu deshën përpjekje të stërmëdha. Çdo fjalë e vogël që arrinte të shkruante ishte një fitore. Që atëherë, ai e nis ditën duke shqyrtuar shkrimin nga broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë. Pas kësaj, me kujdes e përpjekje kopjon shkrimin e ditës në një nga blloqet e tij të shënimeve, të cilat tashmë formojnë një koleksion mbresëlënës.

Në ditët e mbledhjeve, Joeli sigurohet që të shkojmë herët në Sallën e Mbretërisë, sepse dëshiron të jetë në kohë që t’u japë mirëseardhjen të gjithë atyre që vijnë. Gjatë mbledhjeve, ai kënaqet duke dhënë komente dhe duke marrë pjesë në demonstrime. Gjithashtu, kujdeset për mikrofonat dhe kryen edhe detyra të tjera. Çdo javë, nëse ia lejon shëndeti, na shoqëron në predikim. Në vitin 2007 në kongregacion u njoftua se Joeli ishte emëruar shërbëtor ndihmës. Derdhëm lot gëzimi. Ç’bekim nga Jehovai!

E ndiejmë dorën e Jehovait që na ndihmon

Në vitin 1999 hasëm një sprovë tjetër. Makinën tonë e goditi një shofer i papërgjegjshëm dhe Luixhi u dëmtua rëndë. U desh t’i pritnin njërën këmbë dhe i bënë disa operacione të rënda në shtyllën kurrizore. Sërish, duke besuar te Jehovai, ndiem forcën që ai u jep shërbëtorëve të tij në nevojë. (Filip. 4:13) Ndonëse Luixhi është invalid, përpiqemi të shohim anën pozitive. Ngaqë nuk është në gjendje të punojë, ka më shumë kohë për t’u kujdesur për Joelin. Kështu, unë kam më tepër kohë për aktivitetet frymore. Po ashtu, Luixhi mund t’u kushtojë më shumë vëmendje nevojave frymore të familjes dhe atyre të kongregacionit ku vazhdon të shërbejë si koordinator i trupit të pleqve.

Për shkak të rrethanave të pazakonshme, kalojmë mjaft kohë bashkë si familje. Me kalimin e kohës, kemi mësuar të jemi të arsyeshëm dhe të mos presim më shumë se sa është e mundur. Në ditët kur ndihemi të shkurajuar, ia shprehim ndjenjat Jehovait me anë të lutjes. Mjerisht, kur djemtë tanë Davidi dhe Marku arritën moshën madhore dhe u larguan nga shtëpia, dalëngadalë nuk i shërbyen më Jehovait. Shpresojmë që të kthehen përsëri te Jehovai.—Luka 15:17-24.

Gjatë viteve kemi ndier ndihmën e Jehovait dhe kemi mësuar të mbështetemi tek ai në çdo vështirësi që hasim. Fjalët e Isaisë 41:13 i kemi veçanërisht për zemër: «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’» Dijenia se Jehovai na mban fort për dore është burim ngushëllimi. Po, mund të themi me plot gojën se sprovat na kanë forcuar besimin tek Ati ynë qiellor, Jehovai.

[Shënimi]

^ par. 5 Trisomia 21 është një defekt i lindur që shkakton prapambetje mendore. Normalisht kromozomet janë në çifte, por foshnjat e lindura me trisomi kanë një kromozom tepër te një nga çiftet. Trisomia 21 prek kromozomin 21.

[Figurat në faqet 16, 17]

Joeli me mamanë, Adën

[Figura në faqen 18]

Ada, Joeli dhe Luixhi

[Figura në faqen 19]

Joelit kënaqet t’u japë mirëseardhjen vëllezërve dhe motrave në Sallën e Mbretërisë