Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur mendon se nuk ia vlen më të jetosh

Kur mendon se nuk ia vlen më të jetosh

Kur mendon se nuk ia vlen më të jetosh

ÇDO vit, vetëm në Shtetet e Bashkuara, dhjetëra mijë njerëz tentojnë t’i japin fund jetës. Bibla na tregon një arsye thelbësore se përse shumë janë në një gjendje kaq të dëshpëruar. Ajo shpjegon se po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». Njerëzit po i ndiejnë gjithnjë e më tepër presionet e jetës. (2 Timoteut 3:1; Eklisiastiu 7:7) Kur dikush është i mbytur nga ankthet, mund ta bluajë në mendje vetëvrasjen e ta shohë si një zgjidhje për t’i dhënë fund dhembjes emocionale. Çfarë mund të bësh nëse ke pasur mendime të tilla?

Nuk je vetëm

Edhe pse situata mund të të duket e pashpresë, mos harro se nuk je vetëm dhe në ditët tona, mjerisht, çdo njeri e ka ndonjë problem. Bibla thotë: «E gjithë krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.» (Romakëve 8:22) Edhe pse për momentin nuk sheh dritë në fund të tunelit, shpesh, gjërat rregullohen me kalimin e kohës. Ndërkohë, çfarë mund të të ndihmojë?

Fol për ndjenjat e tua me një mik të pjekur e të besuar. Bibla thotë: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.» (Proverbat 17:17) Jobi, një person i drejtë për të cilin flet Bibla, foli me të tjerët për ndjenjat e tij kur po kalonte vuajtje të mëdha. Kur ndjeu se i ishte «neveritur jeta», ai tha: «Do ta shfrej brengën. Do të flas në vrerin e shpirtit tim.» (Jobi 10:1) Kur u shprehim ndjenjat tona të tjerëve, lehtësojmë ngarkesën emocionale dhe kjo mund të na ndihmojë t’i shohim problemet në një dritë të re. *

Zbrazja zemrën Perëndisë në lutje. Disa mendojnë se lutja shërben thjesht si një mbështetje psikologjike, por Bibla nuk thotë kështu. Psalmi 65:2 e quan Perëndinë Jehova «Dëgjues i lutjes» dhe 1 Pjetrit 5:7 thotë se «ai interesohet për ju». Në Bibël theksohet shpesh se është shumë e rëndësishme të mbështetemi te Perëndia. Ja disa shembuj:

«Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.»​PROVERBAT 3:5, 6.

«[Jehovai] do t’ua plotësojë dëshirën atyre që i frikësohen. Do t’i dëgjojë kur ta thërrasin për ndihmë e do t’i shpëtojë.»​PSALMI 145:19.

«Kjo është siguria që kemi tek ai: çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.»​1 GJONIT 5:14.

«Jehovai është larg të ligjve, por dëgjon lutjen e të drejtëve.»​PROVERBAT 15:29.

Nëse ia shpreh Perëndisë në lutje vështirësitë që po has, ai do të të ndihmojë. Ja përse Bibla të nxit: «Ki besim tek ai në çdo kohë . . . Atij zbrazja zemrën!»​—Psalmi 62:8.

Kur nevojitet më shumë ndihmë

Studimet tregojnë se ata që i japin fund jetës, kanë vuajtur për një periudhë kohe nga depresioni. * Kjo thekson faktin se kujdesi mjekësor mund të jetë i domosdoshëm. Mjeku mund të të japë disa ilaçe ose të të rekomandojë disa ndryshime në dietë. Në disa raste, një aspekt i efektshëm i trajtimit janë edhe ushtrimet fizike. Shumë kanë nxjerrë dobi nga kujdesi mjekësor profesional. *

Në Bibël ka mjaft shkrime që mund të të japin mbështetje dhe shpresë. Për shembull, te Zbulesa 21:4, për Perëndinë Jehova, thuhet: «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» Ky është një premtim nga Perëndia dhe meditimi rreth tij sjell lehtësim.

Dëshmitarët e Jehovait po e ndajnë me miliona njerëz në të gjithë botën këtë shpresë të bazuar në Bibël. Si rezultat, mjaft persona po gjejnë shpresë të vërtetë në këto kohë stresuese. Për më shumë informacion kontaktoni me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj, duke shkuar në një nga Sallat e Mbretërisë afër shtëpisë suaj ose shkruaju në një nga adresat e përshtatshme që ndodhen në faqen 5 të kësaj reviste. Gjithashtu, mund të vizitoni adresën tonë të Internetit www.watchtower.org.

[Shënimet]

^ par. 5 Disa kanë marrë ndihmë duke u telefonuar qendrave të parandalimit të vetëvrasjeve ose qendrave të shëndetit mendor.

^ par. 13 Për më shumë informacion rreth depresionit, shih revistën Zgjohuni! të korrikut 2009 në faqet 3-9.

^ par. 13 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë trajtim të veçantë. Çdokush duhet të shqyrtojë me kujdes mundësitë që ka, para se të marrë një vendim.

[Kutia në faqen 16]

VARGJE BIBLIKE QË JAPIN ZEMËR

● «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.»​—Filipianëve 4:6, 7.

● «E kërkova Jehovain, dhe ai m’u përgjigj e më çliroi nga çdo frikë.»​—Psalmi 34:4.

● «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»​—Psalmi 34:18.

● «Ai shëron zemërvrarët dhe lidh plagët e tyre të dhembshme.»​—Psalmi 147:3.

[Kutia në faqet 17, 18]

NËSE TË VIJNË MENDIME VETËVRASËSE . . .

Fol për ndjenjat e tua me një mik të besuar

Zbrazja zemrën Perëndisë në lutje

Këshillohu me mjekun

[Kutia dhe figura në faqen 18]

PËR MIQTË DHE TË AFËRMIT

Zakonisht, të parët që e kuptojnë se një individ i dëshpëruar po mendon t’i japë fund jetës, janë pjesëtarët e familjes dhe miqtë e ngushtë. Mund t’i shpëtojmë jetën nëse ndërmarrim disa veprime. Dëgjoni me empati. Mos e nënvlerësoni këtë periudhë të vështirë që ai ose ajo po kalon. Bibla thotë: ‘Flituni në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar.’ (1 Selanikasve 5:14) Nxiteni të kërkojë ndihmë dhe nëse është e nevojshme bëni ç’është e mundur që të marrë ndihmën e duhur.