Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ia vlen të jesh i ndershëm

Ia vlen të jesh i ndershëm

Ia vlen të jesh i ndershëm

«Buka e fituar me hile i duket e këndshme njeriut, por më pas goja i mbushet me zhavorr.»​—Proverbat 20:17.

A DUHET patjetër të jesh i pandershëm për të pasur sukses në biznes? Përgjigjja është jo. Në fakt, pandershmëria zakonisht është vetëshkatërruese. Kurse kur jemi të ndershëm fitojmë besimin e të tjerëve dhe ky besim është thelbësor për të pasur një sukses afatgjatë.

Sa rëndësi ka besimi i të tjerëve?

Reputacioni si person i ndershëm ndikon në suksesin tënd, pavarësisht nëse je ose jo i vetëdijshëm për këtë. Përvoja e Francit i cili u përmend në artikullin e mëparshëm, e tregon këtë. «Kur fillova punën,—thotë ai,—punëdhënësit, pa dijeninë time, më provuan në një sërë mënyrash për të parë se sa i ndershëm dhe i drejtë isha. Siç mora vesh më vonë, e kisha kaluar provën. Prandaj, ata më dhanë më shumë përgjegjësi e liri veprimi, si dhe më shpërblyen për ndershmërinë. E di se ka të tjerë që mund ta bëjnë më mirë punën time e që sigurisht janë më të zgjuar se unë. Megjithatë, mendoj se e kam mbajtur vendin e punës, sepse punëdhënësit kanë besim tek unë.»

Mos rrezikoni kot

Davidi, një biznesmen që u përmend në artikullin e mëparshëm, vëren: «Teksa shihja të tjerët që u bënin bisht rregullave për të pasur përfitime të përkohshme, mendoja me vete se ndonjëherë e drejta e ka rrugën të gjatë, por vjen. Me fjalë të tjera, në një mënyrë apo në një tjetër, me kalimin e kohës do të vuash pasojat e pandershmërisë. Kemi refuzuar shumë mundësi bashkëpunimi me firma joserioze. Shumë nga ato firma që u përfshinë në aktivitete të pandershme, me kalimin e kohës dolën jashtë loje dhe disa individë u ndoqën penalisht. Kompania jonë i shmangu situata të tilla të rënda.»

Ndërsa po ndërtonte një fermë gjedhësh në juglindje të Afrikës, Keni mund të ishte tunduar t’u jepte ryshfete zyrtarëve për të përshpejtuar importin dhe për të mos paguar taksat. Ai thotë: «Shumë pronarë fermash bënë atë që ishte e zakonshme, pra dhanë ryshfet. Ngaqë i bëmë gjërat me ndershmëri, na u deshën dhjetë vjet që ferma jonë të ishte gati. A ia vlejti? Po. Më vonë, zyrtarët e korruptuar që s’kishin të ngopur u binin vazhdimisht në qafë atyre që jepnin ryshfete.»

Kur përballesh me vështirësi ekonomike

Kur ke një biznes të dobët dhe je përballë falimentimit, presioni për të vepruar pandershmërisht është i madh. Megjithatë, rrethana të tilla tregojnë se sa vlerë ka reputacioni si një person i ndershëm.

Shqyrtoni rastin e Billit, i cili kishte një firmë ndërtimi që falimentoi kur industria e ndërtimit në Shtetet e Bashkuara pësoi rënie. Ai tregon: «Shumë nga klientët tanë të mëdhenj falimentuan ndërkohë që na kishin qindra mijë dollarë borxh. Kur situata dukej e pashpresë, i kërkova një firme konkurrente nëse mund të merrte në punë disa prej nesh. Brenda 48 orëve nga takimi, më ofruan punë mua dhe shumë prej punëtorëve të mi. Më thanë se njihesha si person i ndershëm e që bëja punë me cilësi.»

Personat që kanë pasur këto përvoja, janë të gjithë Dëshmitarë të Jehovait. Standardet që ata kanë për biznesin, si edhe për çdo aspekt të jetës, janë të bazuara në Bibël. Siç e kuptuam, ndershmëria nuk i ka penguar të kenë sukses, por u ka sjellë dobi praktike.

Prapëseprapë, do të ketë gjithmonë raste kur pandershmëria duket se sjell rezultate të mira. Por a matet suksesi vetëm nga përfitimet ekonomike?

[Diçitura në faqen 6]

Reputacioni si person i ndershëm ndikon në suksesin tënd, pavarësisht nëse je ose nuk je i vetëdijshëm për këtë

[Figura në faqen 7]

«Më thanë se njihesha si person i ndershëm e që bëja punë me cilësi.»​—Billi, Shtetet e Bashkuara