Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Sipas 76,3 për qind të të rriturve që u anketuan në Gjermani, flirtimi nuk është «aspak i dëmshëm» dhe «nuk do të thotë se duhet të lidhesh medoemos me atë person». Pothuajse gjysma e atyre që u anketuan thanë se nuk ka problem që të martuarit të flirtojnë me të panjohur.​—APOTHEKEN UMSCHAU, GJERMANI.

Një anketim mbarëkombëtar tregon se 48 për qind e rusëve besojnë se sulmet terroriste janë bërë diçka që «priten» dhe «pjesë e jetës».​—KOMMERSANT, RUSI.

Kohët e fundit, «në një përpjekje kokëkrisur, që të kujton rrethimet e mesjetës», kontrabandistët meksikanë provuan një metodë të re për të shmangur policinë kufitare: një «katapult të stërmadh» mbi një maune të pajisur me llastik të fuqishëm «për të hedhur drogën në drejtim të veriut» mbi gardhin kufitar amerikan.​—REUTERS NEWS SERVICE, SHBA.

«Dy në çdo pesë shtatzëni» në qytetin e Nju-Jorkut përfundojnë në abort. Ky raport «zor se ka ndryshuar gjatë më shumë se dhjetë viteve të fundit».​—THE NEW YORK TIMES, SHBA.

Një agjenci që merret me kafshët dëmtuese, u habit kur u thirr për të kapur një dhelpër në katin e 72-të të një grataçele në ndërtim në qendër të Londrës. Dhelprën, që «jetonte me mbeturinat e hedhura nga punëtorët e ndërtimit», e lëshuan në një vend aty afër.​—THE TELEGRAPH, LONDËR.

Priftërinjtë ortodoksë rusë mund të kandidojnë në politikë

«Këshilli i Peshkopëve të Kishës Ortodokse Ruse ka dhënë miratimin që klerikët të kandidojnë për pozita në politikë në rrethana të jashtëzakonshme për të mbrojtur kishën nga përçarjet dhe nga kërcënime të tjera të drejtpërdrejta»,—raporton agjencia e lajmeve RIA Novosti. Sipas pohimeve të peshkopëve, këto rrethana lindin kur është nevoja «për t’u përballur me forca të ndryshme, përfshirë forcat përçarëse dhe ato të grupeve të tjera fetare, të cilat duan të përdorin të drejtën e votës për të sulmuar Kishën Ortodokse».

Dilema të reja ligjore

Metodat mjekësore në lidhje me riprodhimin që dikur dukeshin si diçka fantastiko-shkencore, po krijojnë dilema të reja në fushën ligjore. «Çdo vit shtohet numri i fëmijëve që kanë fillesën nga sperma ose nga embrione të ruajtura për muaj ose vite të tëra,—shpjegon gazeta The Wall Street Journal.—Në disa raste, njëri prej prindërve, zakonisht babai, ka vdekur tashmë.» Në Shtetet e Bashkuara, disa jetimë marrin çdo muaj ndihmë financiare nga Sigurimet Shoqërore. Por ligji për ndihmën financiare ndaj fëmijëve të ngjizur pas vdekjes së njërit prej prindërve, ndryshon nga shteti në shtet. «Teknologjia ka shkuar përtej asaj që mund të kishte parashikuar ligji»,—pohon avokati Soni Miler nga Minesota.