Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përdorimi i forcës nga Perëndia: A është i justifikuar?

Përdorimi i forcës nga Perëndia: A është i justifikuar?

Pikëpamja e Biblës

Përdorimi i forcës nga Perëndia: A është i justifikuar?

PËRDORIMI i forcës në mënyrë vdekjeprurëse ka qenë një tipar i vazhdueshëm i historisë njerëzore. Sipas një përllogaritjeje, përafërsisht 170.000.000 njerëz janë vrarë në shekullin e 20-të nga vetë regjimi i tyre politik. Siç thekson me shumë saktësi Bibla, njerëzit vazhdimisht kanë sunduar mbi njerëzit e tjerë në dëm të tyre.—Predikuesi 8:9.

Duke pasur parasysh përdorimin e forcës në mënyrë të gabuar nga njeriu, disa mund të vënë në dyshim përdorimin e forcës nga Perëndia për të shkatërruar armiqtë e tij. Për shembull, judenjtë, a nuk sulmuan dhe vranë banorët kananitë të Tokës së Premtuar, me urdhrin e drejtpërdrejtë të Perëndisë? (Ligji i përtërirë 20:16, 17) Dhe a nuk tha vetë Perëndia se ai do të copëtonte dhe do t’u jepte fund të gjitha mbretërive kundërshtare? (Danieli 2:44) Disa individë të sinqertë pyesin veten nëse përdorimi i forcës nga Perëndia është gjithmonë i justifikuar.

Shpërdorimi i forcës

Është jetësore të kuptojmë se aftësia për të përdorur forcën është një përbërës i rëndësishëm i qeverisjes. Administrata që nuk mund të zbatojë vendimet e saj, është në të vërtetë e pafuqishme. Për shembull, me gjithë raportet për abuzime nga policët, sa njerëz do të dëshironin të hiqnin dorë nga mbrojtja e siguruar nga forcat policore? Dhe kush do të kundërshtonte në mënyrë të arsyeshme nevojën për një sistem drejtësie me mjete të efektshme për të vepruar?

Mohandas Gandi, i cili ishte i njohur për urrejtjen që kishte ndaj dhunës, një herë pohoi: «Mendoni sikur një njeri të lëshohet si i çmendur dhe të ecë me tërbim, me shpatë në dorë, duke vrarë këdo që i del përpara e askush nuk guxon ta kapë të gjallë. Kushdo që e vret menjëherë këtë të marrë, do të fitojë mirënjohjen e shoqërisë dhe do të respektohet si një njeri dashamirës.» Po, edhe Gandi e pa të nevojshme përdorimin e forcës në disa rrethana.

Qartë, aftësia për të përdorur forcën është një përbërës i nevojshëm për çdo shoqëri të qëndrueshme. Në përgjithësi, kur njerëzit nuk miratojnë përdorimin e forcës ata faktikisht po kritikojnë shpërdorimin e saj.—Predikuesi 4:1-3.

«Të gjitha rrugët e tij janë drejtësi»

Historia nuk na siguron ndonjë dëshmi se Perëndia ka shpërdoruar në ndonjë rast fuqinë e tij. Ai nuk sundon me një forcë despotike. Ai do që ta adhurojmë nga dashuria. (1 Gjonit 4:18, 19) Në të vërtetë, Perëndia nuk e përdor forcën, nëse ekziston ndonjë mënyrë e drejtë për ta shmangur atë. (Jeremia 18:7, 8; 26:3, 13; Ezekieli 18:32; 33:11) Dhe, kur zgjedh të përdorë forcën, ai gjithmonë jep një mori paralajmërimesh, kështu që, kushdo që dëshiron mund të bëjë hapa për t’u ndrequr. (Amosi 3:7; Mateu 24:14) A janë këto veprime të një Perëndie despot dhe mizor?

Përdorimi i forcës nga Perëndia nuk ka asgjë të përbashkët me shpërdorimin e pajustifikueshëm të pushtetit nga njerëzit. «Të gjitha rrugët e tij janë drejtësi,—thotë Moisiu për Jehovain,—një Perëndi i besueshmërisë, me të cilin nuk ka padrejtësi.» (Ligji i përtërirë 32:4, BR). Ndryshe nga qeveritë e njerëzve tiranë, qeveria e Perëndisë nuk është themeluar mbi pushtetin e më të fortëve. Në çdo rast ai e ka përdorur forcën në harmoni me dashurinë, mençurinë dhe drejtësinë e tij të përsosur.—Psalmi 111:2, 3, 7; Mateu 23:37.

Për shembull, Perëndia i shkatërroi të pabesët në Përmbytje vetëm pas shumë vjetësh paralajmërimi. Çdokush mund të kishte përfituar nga sigurimi i arkës dhe të mbijetonte. Vetëm tetë njerëz e bënë. (1 Pjetrit 3:19, 20; 2 Pjetrit 2:5) Në ditët e Josiut, Izraeli ishte duke zbatuar gjykimin e Perëndisë mbi kananitët e shthurur, një gjykim i shpallur më shumë se 400 vjet më parë. (Zanafilla 15:13-21) Gjatë gjithë asaj kohe kananitët nuk do të mund të mbeteshin në padije për dëshminë e fuqishme se izraelitët ishin populli i zgjedhur i Perëndisë. (Jozueu 2:9-21; 9:24-27) Mirëpo, asnjë komb kananit, përveç atyre që banonin në Gibeon, nuk kërkoi mëshirë ose nuk nxori dobi nga mundësia për të bërë paqe. Në vend të kësaj kananitet vendosën t’i ngurtësonin zemrat e tyre kundër Perëndisë.—Jozueu 11:19, 20.

Perëndia e ka autoritetin

Kur përpiqemi të kuptojmë përdorimin e forcës nga Perëndia, duhet të kuptojmë në fillim një të vërtetë themelore rreth pozitës sonë para Perëndisë. «Ne jemi argjila ndërsa ti je Poçari»,—pranoi përulësisht profeti Isaia. (Isaia 64:8, BR) Qartë, si Krijuesi i universit, Perëndia mund ta përdorë forcën në cilëndo mënyrë që dëshiron. Duke pranuar autoritetin e Perëndisë, ashtu si Solomoni edhe ne mund të themi: «Fjala e mbretit është e fuqishme; dhe kush mund t’i thotë: ‘Çfarë po bën?’»—Predikuesi 8:4; Romakëve 9:20, 21.

Për shkak të pozitës së Perëndisë si Krijues i plotfuqishëm, jeta tokësore i përket atij, pra, ai mund ta japë dhe ta marrë atë. Vërtet, njerëzit nuk kanë as të drejtën dhe as njohurinë për t’i parë gjërat siç duhet, që të mund të vënë në dyshim mënyrën se si e përdor Perëndia forcën. Njeriu duhet të mësojë t’i përshtatë mendimet e tij me ato të Perëndisë. «Janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta?»—pyeti Jehovai.—Ezekieli 18:29; Isaia 45:9.

Është ndjenja e drejtësisë së Jehovait dhe dashuria që ka për popullin e tij që do ta shtyjnë të pastrojë tokën nga të gjithë ata që shpërdorojnë pushtetin dhe ata që dhunshëm shkelin të drejtat e të tjerëve. Ky ushtrim i forcës do të vendosë në tokë kushte ideale për të gjithë njerëzit paqedashës që e dëshirojnë këtë. (Psalmi 37:10, 11; Naumi 1:9) Kështu, sundimi i Perëndisë do të jetë i justifikuar dhe i përligjur përgjithmonë.—Zbulesa 22:12-15.