Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Matatu​—Një mjet transporti shumëngjyrësh i Kenias

Matatu​—Një mjet transporti shumëngjyrësh i Kenias

Matatu​—Një mjet transporti shumëngjyrësh i Kenias

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KENIA

A TIJ që viziton Kenian nuk i mungojnë kurrë shprehjet në shkallën sipërore kur përshkruan udhëtimin e tij. Një elefant femër që drejton kopenë, një luan hijerëndë dhe një perëndim i përflakur i diellit janë imazhe të gjalla që mbeten në kujtesën e udhëtarit. Këtu bukuria është e pafund dhe e larmishme. Sidoqoftë, në rrugët e shumta të vendit të tërheq diçka e një lloji tjetër—matatu, një mjet shumë i manovrueshëm. Ky emër i referohet një grupi mjetesh të transportit publik. Karakteristikat e tyre magjepsëse e kanë bërë atë mjetin më të përhapur në Kenia.

Origjina që ka matatu është po aq interesante sa dhe mënyra e tij e funksionimit. I pari i llojit të vet ishte një model Ford Thames i rrënuar, që ushtarët anglezë e kishin përdorur në Etiopi gjatë Luftës II Botërore. Në fillim të viteve 60 një banues në Najrobi e përdori këtë karakatinë për të çuar disa miq në qendër të qytetit, duke i kërkuar të jepte secili një shumë të vogël të hollash prej 30 centësh për karburantin. * Shumë shpejt pas kësaj, të tjerët vunë re fitimin financiar që mund të sillnin makinat e vjetra. Kështu shumë u kthyen në mjete transporti për njëzet e një pasagjerë, me tre stola druri paralele që shërbenin si ndenjëse. Mënyra se si ishin vendosur stolat është e ngjashme me atë të bolekajas së vjetër të Nigerisë. Secili paguante në fillim tre monedha 10-centëshe për udhëtim. Kjo mund të shpjegojë edhe arsyen se përse këto mjete morën emrin matatu—nga fjala tatu që në gjuhën suahili do të thotë «tre». Që atëherë, matatu ka pësuar një ndryshim të plotë dhe modelet e kohëve të fundit ngjajnë fare pak me paraardhësit e vet kërcëllitës. Po, sot matatu, e përshkruar nga një gazetë e përditshme e Kenias si një «fishek me profilin e një avioni dhe me ngjyra të shumëllojshme» është një mjet që bie shumë në sy. Ky nuk mund të jetë një prodhim i artizanatit të viteve 60!

Udhëtimi me një matatu mund të jetë një përvojë ngazëlluese, veçanërisht kur shoferi ia del të çajë rrugën përmes trafikut të rënduar të qytetit! Le të bëjmë një udhëtim të shkurtër përreth Najrobit me një matatu dhe le ta provojmë këtë ndjenjë.

Një makinë mjaft tërheqëse

Udhëtimi ynë do të fillojë në një stacion ku janë parkuar shumë nga këto mjete duke pritur të shpërndahen në drejtime të ndryshme. Ora është një e drekës dhe vendi zien nga punët e shumta, dhe nga njerëz që përpiqen të gjejnë matatun e duhur që do t’i çojë në vendin që duan. Disa pasagjerë janë për në qendër të qytetit, një udhëtim që zgjat disa orë. Të tjerët shkojnë pak kilometra larg qendrës së qytetit, ndoshta për të ngrënë ndonjë vakt buke shpejt e shpejt. Matatu është shumë e dobishme për këtë qëllim.

E keni vërejtur që shumica e këtyre mjeteve shfaqen me disa ngjyra të ndezura? Kjo nuk është thjesht një mënyrë që e bën tërheqëse pamjen e tyre. Ka klientë që zgjedhin të udhëtojnë me matatun më tërheqës. Një vështrim më nga afër i këtyre mjeteve zbulon, gjithashtu, disa fjalë të pikturuara anash. Disa prej tyre paraqesin ngjarjet e kohës, për shembull: «El Ninjo», «Mijëvjeçari», «Website», «Internet» dhe «Dot Com». Të tjerat si, «I përulur» dhe «Misionar» tregojnë arritje ose cilësi të dëshirueshme njerëzore. Rivali më i afërt për sa i përket paraqitjes vezulluese që ka matatu është jeepney i Filipineve. Është interesante se jeepney, gjithashtu, është një pasojë e Luftës II Botërore.

Thirrjet për të tërhequr sa më shumë pasagjerë krijojnë vërtet një tablo interesante. Përveç shenjave të dallueshme në xhamat e përparmë të makinave, të cilat tregojnë rrugën e tyre, fatorinot bërtasin me sa ju ha zëri, kurse shoferët i bien borisë me tone melodioze. Mos u çuditni nëse shihni në disa matatu tabelën me shënimin «Jerusalem» ose «Jeriko». Po të hipni në ndonjë prej këtyre nuk do të përfundoni në Lindjen e Mesme, por në periferinë lindore të Najrobit e cila mban këta emra biblikë. Me fatorinot që përpiqen të shoqërojnë klientët pothuajse në çdo matatu, nuk është çudi që shumica heqin shumë për të zgjedhur ku të hipin!

Mirë se erdhët te «Luleshtrydhja»! Ndoshta udhëtimi do të jetë po aq i këndshëm sa dhe fruti. Duket se shumë veta e parapëlqejnë këtë matatu, pasi u mbush për pak minuta. Muzika e ulët që vjen nga altoparlantët e vegjël në tavanin e makinës qetëson pasagjerët. Sidoqoftë mos mendoni se ndodh kështu në të gjitha këto mjete. Disa kanë altoparlantë të mëdhenj nën ndenjëse, nga ku del një muzikë shurdhuese. Mirë pra, kanë kaluar tashmë më shumë se dhjetë minuta që kur të gjitha vendet janë zënë. Por matatu ynë s’ka lëvizur asnjë centimetër. Pse po vonohemi? Duhet të mbushen me pasagjerë që rrinë në këmbë edhe udhëzat mes rreshtave të ndenjëseve. Shpejt mezi gjendet ndonjë hapësirë e lirë për të lëvizur qoftë dhe pak. Megjithatë, matatu ka mundësi që të ndalojë disa herë gjatë rrugës për të mbledhur më shumë pasagjerë.

Më në fund po nisemi. Njerëz krejt të panjohur bisedojnë plot gjallëri me njëri-tjetrin, kryesisht për çështjet e ditës. Duket si një pazar. Megjithatë kujdes, se mos i kushtoni tepër vëmendje bisedës. Disa janë përfshirë aq shumë në biseda të tilla, sa kanë harruar të zbresin.

Përmendëm që një matatu është e manovrueshme. Nuk ecën medoemos në një rrugë të caktuar. Për të arritur në një afat kohe të caktuar nga ai vetë, një shofer përdor çfarëdo vendi që mundet duke përfshirë trotuaret për këmbësorët—herë pas here duke u kaluar fare pranë. Ndërkohë, puna e fatorinos nuk është e lehtë. Ai po përpiqet të mbledhë paratë e biletave nga pasagjerët e zhurmshëm disa prej të cilëve nuk bashkëpunojnë. Megjithatë, ai rrallë ua vë veshin grindjeve të parëndësishme. Pasagjeri ose paguan, ose matatu ndalon në vend dhe atij i thuhet që të zbresë, ndonjëherë në një mënyrë jo të sjellshme! Fatorinoja lajmëron shoferin për ata që dëshirojnë të zbresin, ndërkohë që vëzhgon për të tjerë që duan të ngjiten. Ai i jep shenjë shoferit duke fërshëllyer, duke i rënë lehtë tavanit të makinës ose një zileje të vendosur në një vend strategjik afër derës. Ndonëse ka pika ndalimi të caktuara për mjetet e transportit publik, matatu mund të ndalojë kudo e në çdo kohë, ose për të marrë ose për të lënë pasagjerë.

Pasi jemi larguar nga qendra e qytetit, tashmë kemi arritur në një rrethinë të vogël ku po zbresin shumica e pasagjerëve. Është vendi ku matatu kthehet për në stacionin nga është nisur në fillim. Do të marrë njerëz të tjerë gjatë rrugës. Edhe ata do të kenë të njëjtën përvojë si ne. Pa dyshim, udhëtimi me «Luleshtrydhen», ndonëse i parehatshëm, ishte i kënaqshëm.

Do të vazhdojë të përdoret

Me një mesatare prej 30.000 mjetesh të tilla, industria e këtyre mjeteve të transportit në Kenia, ka ndryshuar nga një mbetje e luftës dekada më parë, në një industri të fuqishme plot jetë shumë miliondollarëshe. Sidoqoftë, mënyra se si ajo tregohet e manovrueshme ka krijuar disa probleme. Për shembull, shoferët janë akuzuar se nuk ndjekin kodin rrugor, prandaj autoritetet kanë miratuar shumë rregulla për t’i ulur vrullin kësaj industrie. Hera-herës, ky sektor i industrisë ka reaguar ndaj procedurave të tilla duke bërë grevë, kështu duke u hapur telashe mijëra njerëzve, udhëtimi i të cilëve varet çdo ditë nga këta matatu. Ndonëse jo të gjithë mund ta pëlqejnë sistemin se si funksionon matatu, për njerëzit me të ardhura të pakta në këtë zonë, këto mjete sigurojnë një mënyrë alternative të shpejtë transporti.

[Shënimi]

^ par. 4 Shilinga, njësia monetare themelore e Kenias, ndahet në 100 centë. Një dollar (amerikan) vlen rreth 78 shilinga.

[Figura në faqet 22, 23]

Makinë Ford Thames

[Burimi]

Noor Khamis/The People Daily