Eklisiastiu 4:1-16

  • Shtypja—më e keqe se vdekja (1-3)

  • Pikëpamja e ekuilibruar për punën (4-6)

  • Vlera e një miku (7-12)

    • Dy janë më mirë se një (9)

  • Jeta e një mbreti mund të jetë e kotë (13-16)

4  I kushtova përsëri vëmendje gjithë shtypjes që bëhet nën diell. Pashë lotët e të shtypurve, të cilët s’kishte kush t’i ngushëllonte;+ pushtetin e kishin shtypësit, prandaj s’kishte kush t’i ngushëllonte.  Atëherë përgëzova ata që tashmë kanë vdekur, sepse janë më mirë se ata që janë ende gjallë.+  Dhe akoma më mirë se ata, është ai që s’ka ardhur ende në jetë,+ që s’i ka parë gjërat dëshpëruese që bëhen nën diell.+  Kam parë sa mund* dhe mjeshtëri sjell rivaliteti mes njerëzve;+ edhe kjo është kotësi, një rropatje pas erës.  I pamendi rri duarkryq teksa trupi i tretet.*+  Është më mirë të kesh një grusht me pushim, sesa dy grushte me mund dhe të rropatesh pas erës.+  I kushtova vëmendje edhe një kotësie tjetër nën diell:  dikush është vetëm fare, s’ka asnjë shok, as bir, as vëlla, e prapëseprapë nuk pushon kurrë së punuari dhe sytë s’i ngopen me pasuri.+ Vallë, a e pyet veten: «Për kë po mundohem? Për kë po ia mohoj vetes gjithë të mirat?»+ Edhe kjo është kotësi, s’ia vlen mundimi.+  Dy janë më mirë se një,+ sepse kanë një shpërblim të mirë* për mundin e tyre. 10  Në fakt, në rëntë njëri, tjetri mund ta ndihmojë shokun të ngrihet. Por ç’do të ndodhë me atë që bie e s’ka kush ta ndihmojë? 11  Për më tepër, nëse dy shtrihen bashkë, kanë për t’u ngrohur, por si do të ngrohet një i vetëm? 12  E nëse një njeri i vetëm mund të mposhtet, dy së bashku mund t’ia dalin mbanë. Një litar tresh nuk këputet kollaj* më dysh. 13  Është më mirë një djalë i varfër, por i mençur, se një mbret i moshuar, por i marrë,+ që nuk ka më aq mend sa t’ua vërë veshin këshillave.+ 14  Në fakt, ai* del madje edhe nga burgu që të bëhet mbret,+ ndonëse lind i varfër në mbretërinë e atij mbreti.+ 15  Kam menduar për gjithë të gjallët që ecin nën diell, si edhe çfarë ndodh me djalin që i zë vendin mbretit. 16  Edhe pse përkrahësit e tij janë të panumërt, ata që do të vijnë më pas, nuk do të jenë të kënaqur me të.+ Edhe kjo është kotësi, një rropatje pas erës.

Shënime në fund të faqes

Ose «përpjekje».
Fjalë për fjalë «dhe ha mishin e vet».
Ose «nxjerrin më shumë dobi».
Ose «shpejt».
Ndoshta i referohet djalit të mençur.