Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Engjëjt—Si ndikojnë te ne?

Engjëjt—Si ndikojnë te ne?

Engjëjt—Si ndikojnë te ne?

DUKE përshkruar vegimin ku iu shfaq familja engjëllore, profeti Daniel shkroi: «Një mijë mijëra [engjëj] i shërbenin [Perëndisë] dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë qëndronin pikërisht përpara tij.» (Danieli 7:10) Ky varg hedh dritë mbi qëllimin pse Perëndia i krijoi engjëjt. Ata janë krijuar që t’i shërbejnë atij dhe të jenë të gatshëm të përmbushin detyrat që u cakton.

Perëndia i përdor engjëjt për të kryer disa detyra që kanë lidhje me njerëzit. Do të shqyrtojmë se si i përdor ata për të forcuar dhe mbrojtur popullin e tij, për t’u çuar mesazhe njerëzve dhe për të ekzekutuar gjykimin mbi të ligjtë.

Engjëjt forcojnë dhe mbrojnë

Që kur panë krijimin e tokës dhe të njerëzve të parë, krijesat frymore kanë treguar interes të madh për njerëzimin. Gjatë ekzistencës së tij paranjerëzore, Jezu Krishti, i përshkruar si personifikimi i mençurisë, tha: «Kisha për zemër gjërat që kishin lidhje me bijtë e njerëzve.» (Proverbat 8:31) Gjithashtu, Bibla thotë se «engjëjt kanë dëshirë të ndalen e t’i shikojnë» faktet për Krishtin dhe të ardhmen që u është zbuluar profetëve të Perëndisë.—1 Pjetrit 1:11, 12.

Me kalimin e kohës, engjëjt panë që shumica e familjes njerëzore nuk po i shërbente Krijuesit të dashur. Sa shumë duhet t’i ketë pikëlluar kjo engjëjt besnikë! Nga ana tjetër, ‘engjëjt gëzohen’ sa herë që një mëkatar pendohet dhe kthehet te Jehovai. (Luka 15:10) Engjëjt interesohen vërtet për mirëqenien e atyre që i shërbejnë Perëndisë, dhe Jehovai vazhdimisht i ka përdorur për të forcuar dhe mbrojtur shërbëtorët e tij besnikë në tokë. (Hebrenjve 1:14) Më poshtë tregohen disa raste kur engjëjt kanë ndihmuar.

Dy engjëj ndihmuan Lotin e drejtë dhe vajzat e tij që të shpëtonin nga shkatërrimi i të ligjve në qytetin e Sodomës dhe Gomorrës duke i shoqëruar jashtë tyre. * (Zanafilla 19:1, 15-26) Shekuj më vonë, edhe pse profetin Daniel e hodhën në gropën e luanëve, ai nuk pësoi asgjë. Përse? Ai vetë tha: «Perëndia im dërgoi engjëllin e tij dhe ua mbylli gojën luanëve.» (Daniel 6:22) Engjëjt e mbështetën Jezuin në fillimet e shërbimit të tij këtu në tokë. (Marku 1:13) Madje, pak kohë para vdekjes së Jezuit, një engjëll iu shfaq dhe «e forcoi». (Luka 22:43) Ç’bekim duhet të ketë qenë mbështetja e engjëjve për Jezuin në ato kohë kritike të jetës së tij! Edhe apostulli Pavël u çlirua nga burgu pikërisht nga një engjëll.—Veprat 12:6-11.

Po sot, a na mbrojnë engjëjt? Bibla na siguron se do të kemi mbrojtjen e engjëjve të tij të fuqishëm e të padukshëm, nëse e adhurojmë Jehovain sipas Fjalës së tij. Ajo premton: «Engjëlli i Jehovait fushon përreth atyre që i frikësohen atij, dhe i çliron.»—Psalmi 34:7.

Megjithatë, duhet ta pranojmë se engjëjt së pari janë në shërbim të Perëndisë, e jo të njerëzve. (Psalmi 103:20, 21) Ata u përgjigjen drejtimit të Perëndisë, e jo thirrjeve ose kërkesave të njerëzve. Pra, duhet t’i thërrasim për ndihmë Perëndisë Jehova, e jo engjëjve. (Mateu 26:53) Sigurisht, përderisa nuk i shohim dot, nuk mund ta përcaktojmë se deri në ç’masë i përdor Perëndia engjëjt për të ndihmuar njerëzit në çështje të ndryshme. Por dimë që Jehovai ‘tregon forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij’. (2 Kronikave 16:9; Psalmi 91:11) Dhe jemi të sigurt se «çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai [Perëndia] na dëgjon».—1 Gjonit 5:14.

Gjithashtu, Shkrimet na tregojnë se lutjet dhe adhurimi ynë i duhen drejtuar vetëm Perëndisë. (Dalja 20:3-5; Psalmi 5:1, 2; Mateu 6:9) Engjëjt besnikë na inkurajojnë për këtë. Për shembull, kur apostulli Gjon u përpoq të adhuronte një engjëll, ajo krijesë frymore e qortoi dhe i tha: «Kujdes! Mos e bëj! . . . Perëndinë adhuro!»—Zbulesa 19:10.

Engjëjt shpallin mesazhin e Perëndisë

Fjala që në Bibël përkthehet «engjëll», në hebraisht dhe greqisht ka kuptimin «lajmëtar», dhe kjo tregon një mënyrë tjetër se si i shërbejnë engjëjt Perëndisë, pra u çojnë lajm njerëzve. Për shembull, «Perëndia dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret». Përse? Për të lajmëruar një vajzë me emrin Maria se, megjithëse ishte virgjëreshë, në mitrën e saj do të ngjizej një djalë që do të lindte e do të quhej Jezu. (Luka 1:26-31) Gjithashtu, një engjëll u dërgua te barinjtë në fushë për t’u thënë se ‘Krishti, Zotëria’, kishte lindur. (Luka 2:8-11) Po kështu, engjëjt i çuan lajm nga Perëndia Abrahamit, Moisiut, Jezuit dhe shumë të tjerëve që përmenden në Bibël.—Zanafilla 18:1-5, 10; Dalja 3:1, 2; Luka 22:39-43.

Në ç’mënyrë shërbejnë engjëjt si lajmëtarët e Perëndisë në ditët e sotme? Mendoni pak për veprën që Jezui tha se do të bënin ithtarët e tij para fundit të këtij sistemi. Ai tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:3, 14) Çdo vit, Dëshmitarët e Jehovait kalojnë më shumë se një miliard orë duke predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Por, a e dini se edhe engjëjt marrin pjesë në këtë vepër? Apostulli Gjon tha për një vegim që kishte parë: «Pashë një engjëll tjetër . . . dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm, që t’ua shpallte si sihariq atyre që banojnë në tokë, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli.» (Zbulesa 14:6, 7) Ky shkrim nxjerr në pah punën më të rëndësishme që engjëjt bëjnë për njerëzit sot.

Kur predikojnë nga shtëpia në shtëpi, Dëshmitarët e Jehovait shohin prova se drejtohen nga engjëjt. Shpesh takojnë njerëz që sapo ishin lutur që dikush t’i ndihmonte të kuptonin qëllimet e Perëndisë. Falë drejtimit të engjëjve dhe falë iniciativës së Dëshmitarëve, çdo vit qindra mijëra njerëz kanë mundësinë të njohin Jehovain. Urojmë që edhe ju të përfitoni nga kjo vepër jetëshpëtuese që kryhet nën drejtimin e engjëjve.

Engjëjt ekzekutojnë gjykimin e Perëndisë

Engjëjt nuk janë autorizuar t’i gjykojnë njerëzit e megjithatë nuk janë thjesht vëzhgues. (Gjoni 5:22; Hebrenjve 12:22, 23) Në kohët e mëparshme, duke marrë rolin e ekzekutuesit, ata përmbaronin vendimet e gjykimit të Perëndisë. Për shembull, në kohët e lashta Perëndia përdori engjëjt në luftën e tij kundër egjiptianëve, të cilët i mbanin izraelitët si skllevër. (Psalmi 78:49) Dhe, brenda një nate, «engjëlli i Jehovait» goditi njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë ushtarë në kampin e armiqve të popullit të Perëndisë.—2 Mbretërve 19:35.

Edhe në të ardhmen, engjëjt do të ekzekutojnë gjykime të ndryshme të Perëndisë. Jezui do të vijë «me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues dhe do të sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë». (2 Selanikasve 1:7, 8) Por shkatërrimi do të bjerë vetëm mbi ata që nuk e pranojnë mesazhin që tani po predikohet në mbarë botën me ndihmën e engjëjve. Ata që e kërkojnë Perëndinë dhe u binden mësimeve që gjenden në Shkrime, nuk do të pësojnë asgjë.—Sofonia 2:3.

Sa mirënjohës jemi për engjëjt besnikë, të cilët i zbatojnë gjithmonë udhëzimet e Perëndisë. Jehovai i përdor ata që të ndihmojnë dhe të mbrojnë shërbëtorët e tij besnikë këtu në tokë. Kjo është ngushëlluese për ne, sepse ekzistojnë disa krijesa të rrezikshme frymore të quajtur demonë, që duan të na bëjnë keq.

Demonët—Cilët janë?

Gjatë 15 shekujve, pasi Satanai mashtroi Evën në kopshtin e Edenit, familja engjëllore e Perëndisë pa se si Satana Djalli arriti të largonte nga Perëndia të gjithë njerëzit, përveç disa besnikëve si: Abeli, Enoku dhe Noeja. (Zanafilla 3:1-7; Hebrenjve 11:4, 5, 7) Madje edhe disa nga engjëjt shkuan pas Satanait. Bibla i referohet këtyre engjëjve si frymëra që «në ditët e Noesë» ishin të pabindur. (1 Pjetrit 3:19, 20) Po si u shfaq mosbindja e tyre?

Në ditët e Noesë një numër i papërcaktuar engjëjsh rebelë u larguan nga familja qiellore e Perëndisë, zbritën në tokë dhe morën trupa mishorë. Përse? Sepse kishin zhvilluar dëshirën për të kryer marrëdhënie seksuale me gratë në tokë. Nga këto marrëdhënie lindën disa krijesa të quajtur nefilimë, të cilët u bënë gjigantë të dhunshëm. Për më tepër, «e keqja e njeriut ishte e madhe në tokë, dhe çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte e keqe gjithë kohën». Por Perëndia Jehova nuk lejoi të vazhdonte ky korruptim i njerëzve. Ai solli një Përmbytje globale që i përpiu të gjithë njerëzit e këqij bashkë me nefilimët. Të vetmit që shpëtuan, ishin shërbëtorët besnikë të Perëndisë.—Zanafilla 6:1-7, 17; 7:23.

Ndërsa engjëjt rebelë ia mbathën në kohën e Përmbytjes. Ata i braktisën trupat e tyre mishorë dhe u kthyen në botën frymore si krijesa frymore. Më pas, ata u identifikuan me emrin demonë. Morën anën e Satana Djallit, i cili quhet ‘sundimtari i demonëve’. (Mateu 12:24-27) Ashtu si sundimtari i tyre, demonët dëshirojnë adhurimin e njerëzve.

Demonët janë të rrezikshëm, por nuk duhet të kemi frikë prej tyre, sepse kanë fuqi të kufizuar. Kur engjëjt e pabindur u kthyen në qiell, nuk i lejuan të bashkoheshin sërish me familjen e engjëjve besnikë të Perëndisë. Kështu nuk patën më mundësi të përfitonin nga drita frymore që vjen nga Perëndia dhe mbetën në padije në lidhje me të ardhmen. Në të vërtetë, ata u lanë në një errësirë frymore të quajtur Tartar. (2 Pjetrit 2:4) Jehovai i la në «vargonj të përjetshëm» në mënyrë që të mbeteshin në errësirë frymore. Për më tepër, tani nuk janë më në gjendje të marrin trupa njerëzorë.—Juda 6.

Çfarë duhet të bësh?

A vazhdojnë demonët të kenë ndikim mbi njerëzit? Po, këtë e bëjnë duke përdorur ‘intriga’ si ato që përdor sundimtari i tyre Satana Djalli. (Efesianëve 6:11, 12) Nëse zbatojmë këshillën që jepet në Fjalën e Perëndisë, mund të qëndrojmë të patundur kundër demonëve. Dhe ata që e duan Perëndinë, janë nën mbrojtjen e engjëjve.

Është jetësore të mësoni kërkesat e Perëndisë që gjenden në Shkrime dhe të veproni në bazë të asaj që mësoni! Mund të mësoni më tepër rreth Biblës, nëse takoni Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj ose nëse u shkruani botuesve të kësaj reviste. Dëshmitarët e Jehovait me kënaqësi do t’ju ndihmojnë të studioni Biblën falas dhe në çdo kohë të përshtatshme për ju.

[Shënimi]

^ par. 7 Në Bibël, engjëjt paraqiten si meshkuj të rritur. Gjithmonë kështu u janë shfaqur njerëzve.

[Kutia në faqen 6]

ENGJËJT—SI JANË ORGANIZUAR?

Jehovai e ka organizuar familjen e tij të madhe engjëllore në këtë mënyrë:

Engjëlli më i fuqishëm e më autoritar është kryeengjëlli Mikael, ose Jezu Krishti. (1 Selanikasve 4:16; Juda 9) Serafinët, kerubinët dhe engjëjt e tjerë vijnë pas tij.

Serafinët zënë një pozitë mjaft të lartë në rregullimet e Perëndisë. Ata shërbejnë si shërbëtorë pranë fronit të tij. Caktimi i tyre është të shpallin shenjtërinë e Perëndisë dhe të mbajnë popullin e tij të pastër nga ana frymore.—Isaia 6:1-3, 6, 7.

Kerubinët kanë lidhje me fronin e Jehovait dhe lartësojnë madhështinë e tij.—Psalmi 80:1; 99:1; Ezekiel 10:1, 2.

Engjëjt e tjerë shërbejnë si përfaqësues të Jehovait dhe përmbushin vullnetin hyjnor.

[Figura në faqen 4]

Engjëjt ndihmuan Lotin dhe vajzat e tij që të shpëtonin

[Figura në faqen 5]

Kur apostulli Gjon u përpoq të adhuronte një engjëll, ky i tha: «Mos e bëj!»

[Figura në faqen 6]

Engjëjt ekzekutojnë gjykimin e Perëndisë

[Figura në faqen 7]

A po përfitoni nga vepra e predikimit që po drejtohet nga engjëjt?