Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të stërvitur për të dhënë dëshmi të plotë

Të stërvitur për të dhënë dëshmi të plotë

Të stërvitur për të dhënë dëshmi të plotë

«Do të jeni dëshmitarët e mi si në Jerusalem, ashtu edhe në mbarë Judenë, Samarinë e deri në skajin më të largët të tokës.»​—VEPRAT 1:8.

1, 2. Ç’detyrë i ishte caktuar Pjetrit e kush ia dha këtë detyrë?

‘JEZUI që ishte nga Nazareti . . . na urdhëroi t’i predikojmë popullit dhe t’i japim dëshmi të plotë se ky është Ai i dekretuar nga Perëndia për të qenë gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve.’ (Veprat 10:38, 42) Me këto fjalë apostulli Pjetër i shpjegoi Kornelit dhe familjes së tij detyrën që i ishte caktuar për të qenë ungjillëzues.

2 Kur e caktoi Jezui këtë detyrë? Me sa duket, Pjetri po mendonte për atë që tha Jezui i ringjallur para se të ngjitej në qiell. Në atë rast, Jezui u tha dishepujve të tij besnikë: «Do të jeni dëshmitarët e mi si në Jerusalem, ashtu edhe në mbarë Judenë, Samarinë e deri në skajin më të largët të tokës.» (Veprat 1:8) Megjithatë, edhe përpara kësaj, Pjetri e dinte se si dishepull i Jezuit, duhej të fliste me të tjerët për besimin e tij te Jezui.

Tre vjet stërvitje

3. Çfarë mrekullie kreu Jezui dhe ç’ftesë i bëri Pjetrit dhe Andreas?

3 Disa muaj pas pagëzimit në vitin 29 të e.s., Jezui predikoi pranë Detit të Galilesë, aty ku po punonin si peshkatarë Pjetri dhe i vëllai, Andrea. Këta kishin punuar gjithë natën, por s’kishin kapur gjë. Prapëseprapë Jezui i tha Pjetrit: «Shko ku është thellë dhe hidhini rrjetat tuaja për të zënë peshk.» Kur ai bëri si tha Jezui, ‘zunë një shumicë të madhe peshqish. Në fakt, rrjetat e tyre filluan të shqyheshin’. Pjetrin e zuri frika kur pa këtë mrekulli, por Jezui e qetësoi me këto fjalë: «Mos ki më frikë. Që tani e tutje do të zësh njerëz të gjallë.»​—Luka 5:4-10.

4. (a) Si i përgatiti Jezui dishepujt e tij për të dhënë dëshmi? (b) Çfarë shërbimi do të kryenin dishepujt e Jezuit në krahasim me shërbimin që kreu ai vetë?

4 Menjëherë, Pjetri dhe Andrea, si edhe dy bijtë e Zebedeut, Jakovi e Gjoni, i lanë varkat dhe shkuan pas Jezuit. E shoqëruan për afro tre vjet në udhëtimet e tij të predikimit dhe u stërvitën prej tij si ungjillëzues. (Mateu 10:7; Marku 1:16, 18, 20, 38; Luka 4:43; 10:9) Në fund të kësaj periudhe stërvitore, më 14 nisan të vitit 33 të e.s., Jezui u tha: «Ai që ushtron besim tek unë, do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; dhe do të bëjë vepra më të mëdha se këto.» (Gjoni 14:12) Dishepujt do të jepnin dëshmi të plotë njësoj si Jezui, por do ta bënin këtë në një shkallë shumë më të madhe. Siç do ta mësonin shumë shpejt, ata dhe të gjithë dishepujt e tjerë që do të vinin më vonë, do të jepnin dëshmi ‘në të gjitha kombet’ deri «në përfundimin e sistemit».​—Mateu 28:19, 20.

5. Si mund të nxjerrim dobi nga stërvitja që u dha Jezui ithtarëve të tij?

5 Ne po jetojmë në ‘përfundimin e sistemit’. (Mateu 24:3) Ndryshe nga dishepujt e parë, ne nuk mund ta shoqërojmë Jezuin dhe ta shohim teksa u predikon njerëzve. Megjithatë mund të nxjerrim dobi nga stërvitja që u dha ai ithtarëve të tij, duke lexuar në Bibël se si predikonte dhe çfarë udhëzimesh dha. (Luka 10:1-11) Por, në këtë artikull do të trajtohet diçka tjetër me rëndësi jetësore që Jezui u tregoi dishepujve të tij, pra qëndrimi i duhur ndaj veprës së predikimit.

Interesimi për njerëzit

6, 7. Çfarë cilësie kishte Jezui që e bënte shërbimin e tij të efektshëm, e si mund ta imitojmë në këtë aspekt?

6 Pse dëshmia që jepte Jezui ishte kaq e efektshme? Një arsye ishte se ai interesohej thellësisht për njerëzit dhe merakosej për ta. Psalmisti paratha se Jezuit ‘do t’i vinte keq për të dobëtin dhe për nevojtarin’. (Psalmi 72:13) S’ka dyshim se ai e përmbushi këtë profeci. Ja çfarë thotë Bibla për një rast: «Duke parë turmat, ai ndjeu keqardhje për to, sepse ishin të keqtrajtuara e të hallakatura si dele pa bari.» (Mateu 9:36) Madje edhe mëkatarët me nam e kuptonin që ai interesohej për të tjerët, prandaj ndiheshin të tërhequr drejt tij.​—Mateu 9:9-13; Luka 7:36-38; 19:1-10.

7 Edhe sot shërbimi ynë do të jetë i efektshëm, po të tregojmë të njëjtin interesim për njerëzit. Para se të dilni në shërbim, përse të mos uleni e të mendoni për një çast sa nevojë kanë njerëzit për informacionin që do t’u jepni? Mendoni për problemet që mund të kenë, të cilat do t’i zgjidhë vetëm Mbretëria. Jini të vendosur që të jeni optimistë me këdo, sepse nuk e dini cili do t’i përgjigjet mirë mesazhit. Ndoshta një individ që do të takoni është lutur që të vinte dikush si ju e ta ndihmonte!

Të motivuar nga dashuria

8. Me cilin motiv e predikojnë lajmin e mirë ithtarët e Jezuit, ndërsa e imitojnë atë?

8 Lajmi i mirë që shpalli Jezui kishte të bënte me kryerjen e vullnetit të Jehovait, me shenjtërimin e emrit të Tij dhe me shfajësimin e sovranitetit të Tij. Këto janë çështjet më të rëndësishme që janë shtruar para njerëzimit. (Mateu 6:9, 10) Dashuria që kishte për Atin e tij e nxiti Jezuin të mbante integritetin deri në fund e të jepte dëshmi të plotë për Mbretërinë, si zgjidhjen e këtyre çështjeve. (Gjoni 14:31) Ithtarët e Jezuit sot kanë të njëjtin motiv, prandaj janë të zellshëm në shërbim. Apostulli Gjon tha: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.» Këtu përfshihet edhe urdhri për të predikuar lajmin e mirë dhe për të bërë dishepuj.​—1 Gjonit 5:3; Mateu 28:19, 20.

9, 10. Cila dashuri tjetër, përveç dashurisë për Perëndinë, na motivon që të japim dëshmi të plotë?

9 Jezui u tha ithtarëve të tij: «Nëse më doni, do t’i zbatoni urdhërimet e mia. Ai që i ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, ky është ai që më do.» (Gjoni 14:15, 21) Pra, dashuria për Jezuin duhet të na motivojë që të dëshmojmë për të vërtetën dhe t’u bindemi gjërave të tjera që urdhëroi ai. Në një nga rastet kur iu shfaq dishepujve pas ringjalljes, Jezui e nxiti Pjetrin: «Ushqeji qengjat e mi. . . . Kulloti delet e mia të vogla. . . . Ushqeji delet e mia të vogla.» Çfarë duhej ta nxiste Pjetrin për të vepruar kështu? Jezui e tregoi përgjigjen tërthorazi, me anë të disa pyetjeve radhazi që i bëri Pjetrit: «A më do mua? . . . A më do? . . . A më ke për zemër?» Pikërisht, dashuria dhe përzemërsia që kishte Pjetri për Jezuin do ta nxiste që të jepte dëshmi të plotë, të gjente ‘delet e vogla’ të Jezuit dhe të ishte një bari frymor për to.​—Gjoni 21:15-17.

10 Sot, ne nuk e njohim personalisht Jezuin siç e njihte Pjetri. Megjithatë kemi kuptueshmëri të thellë për atë që bëri Jezui për ne. Na preket thellë zemra nga dashuria e madhe e Jezuit, që e shtyu «të shijonte vdekjen për çdo njeri». (Hebrenjve 2:9; Gjoni 15:13) Ndihemi njësoj si Pavli kur shkroi: «Dashuria që ka Krishti na detyron . . . Ai vdiq për të gjithë, me qëllim që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq për ta.» (2 Korintasve 5:14, 15) E tregojmë vlerësimin për dashurinë që ka Jezui për ne dhe dashurinë tonë për të, kur e marrim seriozisht detyrën për të dhënë dëshmi të plotë. (1 Gjonit 2:3-5) Kurrë nuk duam të tregohemi moskokëçarës për sa i përket veprës së predikimit, duke e parë si diçka të zakonshme flijimin e Jezuit.​—Hebrenjve 10:29.

Të përqendrohemi aty ku duhet

11, 12. Për cilin qëllim erdhi Jezui në botë dhe çfarë bëri për të qenë i përqendruar te ky qëllim?

11 Kur ishte para Ponc Pilatit, Jezui tha: «Për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.» (Gjoni 18:37) Ai nuk lejoi asgjë që ta shpërqendronte e të mos jepte dëshmi për të vërtetën. Kjo vepër ishte vullneti i Perëndisë për të.

12 Natyrisht që Satanai e vuri në provë Jezuin në këtë gjë. Pak pasi u pagëzua Jezui, Satanai i propozoi ta bënte të famshëm në botë, t’i jepte «të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre». (Mateu 4:8, 9) Më vonë, judenjtë donin ta bënin mbret. (Gjoni 6:15) Disa mund të mendojnë se, po t’i kishte pranuar Jezui këto propozime, kjo mund të kishte sjellë shumë dobi. Ndoshta arsyetojnë se Jezui, si mbret këtu në tokë, mund të kishte bërë shumë të mira për njerëzimin. Gjithsesi, Jezui nuk mendoi fare kështu. Vëmendja e tij ishte e përqendruar për të dhënë dëshmi për të vërtetën.

13, 14. (a) Cila gjë nuk arriti ta shpërqendronte Jezuin nga vepra e tij? (b) Çfarë arriti të bënte Jezui, ndonëse ishte i varfër?

13 Gjithashtu, as rendja pas pasurisë nuk e shpërqendroi Jezuin. Si pasojë, nuk gëzonte rehatitë e të pasurve. Madje nuk kishte as një shtëpi të tijën. Në një rast tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë ku të pushojnë, por Biri i njeriut s’ka ku ta mbështetë kokën.» (Mateu 8:20) Shkrimet tregojnë se e vetmja gjë me vlerë që kishte Jezui kur vdiq, ishte një rrobë për të cilën ushtarët romakë hodhën short. (Gjoni 19:23, 24) Atëherë, a shkoi dëm jeta e Jezuit? Kurrsesi!

14 Jezui bëri shumë më tepër se ç’mund të kishte bërë edhe bamirësi më i pasur. Pavli tha: «Ju e njihni dashamirësinë e pamerituar të Zotërisë tonë Jezu Krisht, i cili, edhe pse ishte i pasur, u bë i varfër për hirin tuaj, që ju të bëheshit të pasur nëpërmjet varfërisë së tij.» (2 Korintasve 8:9; Filipianëve 2:5-8) Ndonëse ishte i varfër nga ana materiale, Jezui bëri të mundur që njerëzit e përulur të kishin jetën e përhershme në përsosmëri. Sa mirënjohës i jemi për këtë! Sa shumë gëzohemi për shpërblimin që mori ai, ngaqë nuk hoqi dorë nga bërja e vullnetit të Perëndisë!​—Psalmi 40:8; Veprat 2:32, 33, 36.

15. Çfarë ka më shumë vlerë se pasuria?

15 Sot, të krishterët që përpiqen të imitojnë Jezuin nuk lejojnë që rendja pas pasurisë t’i shpërqendrojë. (1 Timoteut 6:9, 10) Ata e pranojnë se pasuria mund ta bëjë jetën të rehatshme, por e dinë edhe se nuk ndikon fare në të ardhmen e tyre të përjetshme. Kur vdes një i krishterë, pasuria materiale nuk ka fare vlerë për të, ashtu siç nuk pati vlerë për Jezuin rroba e tij kur vdiq. (Predikuesi [Eklisiastiu] 2:10, 11, 17-19; 7:12) E vetmja gjë me vlerë të vërtetë që i mbetet një të krishteri kur vdes, është marrëdhënia e tij me Jehovain dhe me Jezu Krishtin.​—Mateu 6:19-21; Luka 16:9.

Nuk stepen nga kundërshtimi

16. Si reagoi Jezui ndaj kundërshtimit?

16 Kundërshtimi nuk e shpërqendroi Jezuin, duke e bërë që të mos jepte dëshmi për të vërtetën. Nuk e shkurajoi as dijenia se shërbimi i tij në tokë do të përfundonte me një vdekje flijuese. Pavli tha për Jezuin: «Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë torture, duke përbuzur turpin dhe është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.» (Hebrenjve 12:2) Vini re se Jezui ‘e përbuzi turpin’. Nuk e trazonte shumë ajo çka mendonin kundërshtarët e tij për të. Ishte i përqendruar që të bënte vullnetin e Perëndisë.

17. Ç’mund të mësojmë nga qëndrueshmëria e Jezuit?

17 Duke treguar si ta imitojnë qëndrueshmërinë e Jezuit, Pavli i nxit të krishterët: «Shqyrtoni me kujdes atë që i ka qëndruar një të foluri të tillë kundërshtues nga mëkatarët kundër vetë interesave të tyre, që të mos lodheni dhe të mos ligështoheni në shpirtrat tuaj.» (Hebrenjve 12:3) Vërtet, mund të jetë e lodhshme të përballojmë ditë për ditë kundërshtimin ose talljet. Mund të jetë e lodhshme të vazhdojmë t’u bëjmë ballë joshjeve të botës, ndoshta duke duruar kritikat e të afërmve që na nxitin të bëhemi ‘dikushi’. Megjithatë, ashtu si Jezui, le të mbështetemi te Jehovai ndërsa vazhdojmë me vendosmëri të vëmë Mbretërinë në vend të parë në jetën tonë.​—Mateu 6:33; Romakëve 15:13; 1 Korintasve 2:4.

18. Ç’mësim të mirë mund të nxjerrim nga fjalët që i tha Jezui Pjetrit?

18 Vendosmëria e Jezuit për të mos u shpërqendruar u duk qartë kur filloi t’u tregonte dishepujve për vdekjen që po i afrohej. Pjetri e nxiti Jezuin ‘të ishte i mirë’ me veten dhe e siguroi se ‘nuk do të kishte aspak këtë përfundim’. Por Jezui as nuk donte të dëgjonte asgjë që mund t’ia dobësonte vendosmërinë për të bërë vullnetin e Jehovait. Ai i ktheu shpinën Pjetrit dhe i tha: «Dil prapa meje, Satana! Ti je një gur pengese për mua, sepse nuk mendon mendimet e Perëndisë, por ato të njerëzve.» (Mateu 16:21-23) Le të jemi edhe ne gjithnjë po kaq të vendosur për të hedhur poshtë mendimet njerëzore, e të udhëhiqemi gjithmonë nga mendimet e Perëndisë!

Dobi të vërteta

19. Ndonëse kreu edhe mrekulli, cila ishte pjesa më e rëndësishme e shërbimit të Jezuit?

19 Jezui kreu shumë mrekulli për të treguar se ishte Mesia. Madje ringjalli të vdekurit. Këto vepra të tij tërhoqën vëmendjen e turmave, por Jezui nuk erdhi në tokë vetëm për të bërë punë shoqërore. Ai erdhi për të dhënë dëshmi për të vërtetën. E dinte se çdo e mirë materiale që siguronte ishte e përkohshme. Madje edhe të ringjallurit do të vdisnin përsëri. Vetëm duke dhënë dëshmi për të vërtetën mund të ndihmonte disa që të fitonin jetën e përhershme.​—Luka 18:28-30.

20, 21. Çfarë ekuilibri mbajnë të krishterët e vërtetë për sa u përket veprave të mira?

20 Sot, disa individë përpiqen t’i imitojnë veprat e mira të Jezuit duke ngritur spitale ose duke kryer shërbime të tjera për të ndihmuar të varfrit e botës. Në disa raste, këtë e bëjnë me shpenzime të mëdha personale dhe sinqeriteti i tyre është për t’u lavdëruar, por çfarëdo lehtësimi që mund të sjellë kjo, është veçse i përkohshëm. Vetëm Mbretëria do të sjellë lehtësim të përhershëm. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait përqendrohen për të dhënë dëshmi për të vërtetën lidhur me Mbretërinë, siç bëri Jezui.

21 Sigurisht që të krishterët e vërtetë kryejnë edhe vepra të mira. Pavli shkroi: «Derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.» (Galatasve 6:10) Në kohë vështirësish ose kur dikush është në nevojë, ne nuk ngurrojmë «të bëjmë atë që është e mirë» për fqinjët tanë ose për vëllezërit tanë të krishterë. Por, gjithsesi, përqendrimin e kemi atje ku duhet, pra për të dhënë dëshmi për të vërtetën.

Të mësojmë nga shembulli i Jezuit

22. Pse të krishterët u predikojnë njerëzve të tjerë?

22 Pavli shkroi: «Në të vërtetë, mjerë unë, po të mos e shpall lajmin e mirë!» (1 Korintasve 9:16) Ai nuk u bë moskokëçarës për sa i përket predikimit të lajmit të mirë, sepse kjo nënkuptonte jetë për atë vetë dhe për ata që e dëgjonin. (1 Timoteut 4:16) Edhe ne e shohim po njësoj shërbimin tonë. Duam t’i ndihmojmë të tjerët. Duam të tregojmë dashurinë tonë për Jehovain. Duam ta tregojmë qartë se e duam Jezuin dhe e çmojmë dashurinë e tij të madhe për ne. Prandaj, predikojmë lajmin e mirë e në këtë mënyrë ‘nuk jetojmë më për dëshirat e njerëzve, por për vullnetin e Perëndisë’.​—1 Pjetrit 4:1, 2.

23, 24. (a) Ç’mësim nxjerrim nga mrekullia në lidhje me peshqit? (b) Cilët po japin dëshmi të plotë sot?

23 Ashtu si Jezui, nuk shpërqendrohemi kur të tjerët na tallin ose kur me zemërim e hedhin poshtë mesazhin tonë. Nxjerrim mësim nga mrekullia që kreu Jezui kur e ftoi Pjetrin dhe Andrean që ta ndiqnin. Kuptojmë se po t’i bindemi Jezuit dhe, në kuptimin e figurshëm, t’i hedhim rrjetat edhe në ujëra që duken sikur s’kanë fryt, peshkimi ynë mund të sjellë rezultate. Shumë peshkatarë të krishterë kanë arritur rezultate shumë të mira pasi kanë punuar për vite të tëra në ujëra që dukeshin pa jetë. Të tjerë kanë shkuar atje ku peshkimi është më frytdhënës dhe kanë arritur rezultate të mira. Çfarëdo që të bëjmë, nuk do të pushojmë së hedhuri rrjetat tona. E dimë se Jezui ende nuk e ka shpallur të përfunduar veprën e predikimit në asnjë pjesë të tokës.​—Mateu 24:14.

24 Mbi gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait janë duke predikuar me zell tani në më shumë se 230 vende. Kulla e Rojës e 1 shkurtit 2005, do të përfshijë raportin vjetor mbarëbotëror të aktivitetit të tyre gjatë vitit të shërbimit 2004. Ky raport do të tregojë sa shumë e ka bekuar Jehovai veprën e predikimit. Në kohën që i mbetet këtij sistemi, le të vazhdojmë t’u vëmë veshin fjalëve nxitëse të Pavlit: «Prediko fjalën, bëje këtë me urgjencë.» (2 Timoteut 4:2) Le të vazhdojmë të japim dëshmi të plotë derisa Jehovai të thotë se vepra ka mbaruar!

Duke filluar me këtë vit, Raporti botëror i Dëshmitarëve të Jehovait për vitin e shërbimit nuk do të dalë në Kullën e Rojës të 1 janarit, por do të botohet në numrin e 1 shkurtit.

A mund të përgjigjeni?

• Si nxjerrim dobi nga stërvitja që u dha Jezui dishepujve të tij?

• Ç’qëndrim kishte Jezui ndaj njerëzve të cilëve u predikonte?

• Çfarë na shtyn të japim dëshmi të plotë?

• Si mund të vazhdojmë të jemi të përqendruar për të bërë vullnetin e Perëndisë, siç bëri Jezui

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Do të jemi të frytshëm në shërbim, nëse tregojmë të njëjtin interesim që tregoi Jezui për njerëzit

[Figura në faqet 16, 17]

Jezui erdhi në tokë kryesisht që të jepte dëshmi për të vërtetën

[Figurat në faqen 17]

Dëshmitarët e Jehovait përqendrohen që të japin dëshmi të plotë