Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse shumë veta dyshojnë se feja mund ta bashkojë njerëzimin?

Pse shumë veta dyshojnë se feja mund ta bashkojë njerëzimin?

Pse shumë veta dyshojnë se feja mund ta bashkojë njerëzimin?

‘DUAJE të afërmin tënd.’ (Mateu 22:39) Kjo normë themelore e sjelljes shpallet me të madhe nga shumë fe. Sikur këto fe t’ia kishin dalë mbanë që t’i mësonin anëtarët e tyre të duan të afërmin, këta do të ishin afruar me njëri-tjetrin dhe do të ishin të bashkuar. Por nga ç’keni parë ju, a ndodh vërtet kështu? A ndikojnë fetë për të bashkuar njerëzit? Në Gjermani kohët e fundit u bë një anketë me këtë pyetje: «A i bashkojnë fetë njerëzit apo më shumë i përçajnë?» Nga të anketuarit, 22 për qind mendonin se fetë i bashkojnë njerëzit, kurse 52 për qind mendonin se i ndajnë ose i përçajnë. Ndoshta edhe në vendin tuaj njerëzit mendojnë pak a shumë kështu.

Pse shumë veta s’kanë besim që feja mund ta bashkojë njerëzimin? Ndoshta për shkak të gjërave që dinë nga historia. Në vend që t’i afronte njerëzit me njëri-tjetrin, feja shpesh i ka larguar. Në disa raste, nën petkun e fesë janë kryer barbarizmat më të llahtarshme. Të shqyrtojmë disa shembuj, që kanë ndodhur në këto 100 vitet e fundit.

Të ndikuar nga feja

Në Ballkan, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kroatët katolikë dhe serbët ortodoksë u kacafytën me njëri-tjetrin. Të dyja grupet pohonin se ndiqnin Jezuin, i cili i mësoi pasuesit e tij t’i donin të tjerët. Mirëpo konflikti i këtyre grupeve shkaktoi «një nga masakrat civile më të tmerrshme që ka njohur historia», siç u shpreh një studiues. Numri i vdekjeve që arriti në më tepër se 500.000 burra, gra e fëmijë, tmerroi gjithë botën.

Në vitin 1947 në nënkontinentin indian banonin 400 milionë njerëz, gati një e pesta e njerëzimit, që kryesisht ishin hinduistë, myslimanë dhe sikistë. Kur u nda India, u formua shteti islamik i Pakistanit. Në atë kohë, qindra mijë refugjatë të të dyja vendeve u dogjën, u rrahën, u torturuan dhe u vranë në një sërë masakrash fetare.

Dhe sikur të mos mjaftonin këta shembuj turbullues që përmendëm, ndërrimi i shekujve nxori në dritë rrezikun e terrorizmit. Sot, terrorizmi e ka vënë gjithë botën në gjendje alarmi, dhe shumë grupe terroriste pohojnë se kanë lidhje me ndonjë fe. Feja nuk shihet si nxitëse e unitetit. Përkundrazi, shpesh lidhet me dhunën e përçarjen. Prandaj nuk është çudi që revista gjermane FOCUS i krahasonte me barutin fetë më të mëdha në botë: budizmin, hinduizmin, judaizmin, konfucianizmin, krishterizmin, myslimanizmin, dhe taoizmin.

Debate të brendshme

Disa fe janë në luftë me njëra-tjetrën, kurse disa të tjera vlojnë nga debatet e brendshme. Për shembull, në vitet e fundit kishat e krishterizmit janë përçarë nga debate të vazhdueshme për çështjet doktrinale. Si klerikët, ashtu edhe besimtarët e thjeshtë pyesin: A lejohet kontrollimi i lindjeve? Po aborti? A duhet të caktohen gratë si priftëresha? Si duhet ta shohë kisha homoseksualizmin? A duhet ta miratojë feja luftën? Duke pasur parasysh këto përçarje, shumë veta pyesin veten: ‘E si mund ta bashkojë njerëzimin një fe, kur nuk bashkon dot as anëtarët e saj?’

Qartë pra, në përgjithësi, feja nuk ka arritur t’i bashkojë njerëzit. Por, a është përçarja karakteristikë e të gjitha feve? A ka ndonjë fe që është ndryshe nga të tjerat, pra që mund ta bashkojë njerëzimin?

[Figura në faqen 3]

Policë të plagosur gjatë përleshjeve mes grupeve fetare në Indi, në vitin 1947

[Diçitura]

Fotografi nga Keystone/Getty Images