Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse t’i japim Atij që ka gjithçka?

Pse t’i japim Atij që ka gjithçka?

«O Perëndia ynë, ne po të falënderojmë dhe po lëvdojmë emrin tënd të bukur.»​—1 KRON. 29:13.

KËNGËT: 80, 50

1, 2. Si i përdor Jehovai me bujari gjërat materiale që zotëron?

JEHOVAI është një Perëndi bujar. Gjithçka që kemi vjen prej tij. Jehovai zotëron tërë arin e argjendin, bashkë me gjithë burimet e tjera natyrore, dhe i përdor për të siguruar atë që nevojitet për jetën në tokë. (Psal. 104:13-15; Hag. 2:8) Në Bibël gjejmë sa e sa ngjarje që tregojnë si i ka përdorur Jehovai këto burime për të plotësuar në mënyrë të mrekullueshme nevojat e shërbëtorëve të tij.

2 Për 40 vjet, Jehovai i siguroi manë dhe ujë kombit të Izraelit gjatë kohës që ndodheshin në shkretëtirë. (Dal. 16:35) Si rrjedhojë atyre «nuk u mungonte asgjë». (Neh. 9:20, 21) Nëpërmjet profetit Elise, Jehovai kreu mrekulli për një vejushë besnike duke i shtuar atë pak vaj që kishte. Kjo dhuratë nga Perëndia i dha mundësi të shlyente borxhet dhe pastaj, me paratë që mbetën, të jetonte bashkë me bijtë e saj. (2 Mbret. 4:1-7) Me mbështetjen e Jehovait, Jezui siguroi me anë të mrekullive ushqim e madje edhe para kur ishte nevoja.​—Mat. 15:35-38; 17:27.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Jehovai mund t’i përdorë burimet e tij të pafundme për të mbajtur në jetë krijimin e tij në tokë. Gjithsesi, ai i fton shërbëtorët e vet që t’i përdorin të mirat materiale për të mbështetur veprën e organizatës së tij. (Dal. 36:3-7; lexo Proverbat 3:9.) Pse Jehovai pret që t’i përdorim gjërat tona me vlerë për t’i dhënë diçka nga ajo që na ka dhënë? Si i mbështetën financiarisht besnikët e së kaluarës aktivitetet e përfaqësuesve të Jehovait? Si i përdor organizata paratë që kontribuojmë sot? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të shqyrtohen në këtë artikull.

PSE I JAPIM JEHOVAIT?

4. Çfarë i tregojmë Jehovait kur mbështetim veprën e tij?

4 I japim Jehovait sepse e duam dhe i jemi mirënjohës. Prekemi thellë kur meditojmë për gjithë sa ka bërë për ne. Teksa shpjegonte çfarë nevojitej për projektin e ardhshëm të ndërtimit të tempullit, mbreti David pranoi se çdo gjë që kemi vjen nga Jehovai dhe se çfarëdo t’i japim Atij është pjesë e asaj që ai na ka dhënë tashmë.​—Lexo 1 Kronikave 29:11-14.

5. Si e tregojnë Shkrimet se dhënia me altruizëm është aspekt thelbësor i adhurimit të vërtetë?

5 Të japim është edhe një mënyrë si e adhurojmë Jehovain. Në vegim, apostulli Gjon dëgjoi shërbëtorët e Jehovait në qiell tek thoshin: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» (Zbul. 4:11) A nuk je dakord se Jehovai është i denjë të marrë gjithë lavdinë e nderimin që mund t’i japim duke i ofruar më të mirën tonë? Nëpërmjet Moisiut, Jehovai e urdhëroi kombin e Izraelit të paraqitej para Tij në tri festa vjetore. Si pjesë e adhurimit të tyre në këto festa, izraelitët nuk duhej ‘të paraqiteshin para Jehovait duarbosh’. (Ligj. 16:16) Edhe sot, dhënia me altruizëm për të treguar mirënjohje dhe për të përkrahur veprën e pjesës tokësore të organizatës së Jehovait është një aspekt thelbësor i adhurimit.

6. Pse nxjerrim dobi kur japim? (Shih figurën hapëse.)

6 Kur japim nxjerrim dobi. Na bën mirë të jemi njerëz që japim me bujari dhe jo vetëm që marrim. (Lexo Proverbat 29:21.) Të imagjinojmë një fëmijë që u bën një dhuratë prindërve nga ato pak para që i japin ata rregullisht. O sa e çmojnë prindërit atë dhuratë! Ose ndoshta një djalë a vajzë që shërben si pionier e që jeton me prindërit, me të drejtë mund t’u japë atyre ca para për të ndihmuar në shpenzimet e familjes. Ndonëse mund të mos i presin këto dhurata, prindërit i pranojnë sepse kjo është një mënyrë që fëmija të shprehë mirënjohjen për gjithë sa bëjnë ata për të. Po njësoj, edhe Jehovai e di se nxjerrim dobi kur japim nga gjërat tona me vlerë.

KONTRIBUTET NË KOHËT BIBLIKE

7, 8. Si lanë një shembull shërbëtorët e Jehovait në kohët biblike duke kontribuar (a) për projekte të veçanta? (b) për veprën në përgjithësi?

7 Në Shkrime tregohet qartë se shërbëtorët e Jehovait japin nga të mirat e tyre materiale. Në disa raste, ata kontribuan për projekte të veçanta. Për shembull, Moisiu u bëri thirrje izraelitëve të kontribuonin për ndërtimin e tabernakullit; po njësoj veproi edhe Davidi kur do të ndërtohej tempulli. (Dal. 35:5; 1 Kron. 29:5-9) Gjatë kohës së mbretit Jehoas, priftërinjtë i përdorën paratë që ishin mbledhur për të meremetuar shtëpinë e Jehovait. (2 Mbret. 12:4, 5) Kur vëllezërit në kongregacionin e shekullit të parë morën vesh çfarë nevojash lindën për shkak të zisë së bukës, «vendosën që gjithsecili, sipas mundësisë, të jepte ndihmë për vëllezërit që banonin në Jude».​—Vep. 11:27-30.

8 Në raste të tjera, shërbëtorët e Jehovait mbështetën materialisht ata që ishin në ballë të veprës. Nën Ligjin e Moisiut, levitët nuk merrnin trashëgimi si fiset e tjera. Izraelitët kontribuonin të dhjetat për ta, e kjo u jepte mundësi levitëve të përqendroheshin te shërbimi në tabernakull. (Num. 18:21) Po ashtu, më vonë Jezui dhe apostujt e tij nxorën dobi nga bujaria e grave që «u shërbenin duke përdorur pasuritë e tyre».​—Luka 8:1-3.

9. Cilat ishin disa burime të kontributeve në të kaluarën?

9 Sigurisht, burimet e këtyre kontributeve ndryshonin. Për shembull, kontributi që dhanë izraelitët për ndërtimin e tabernakullit në shkretëtirë ka shumë të ngjarë të përfshinte gjëra që kishin sjellë me vete nga Egjipti. (Dal. 3:21, 22; 35:22-24) Në shekullin e parë, disa të krishterë shitën gjëra që zotëronin, si ara e shtëpi, dhe paratë ua çuan apostujve. Apostujt ua shpërndanë këto fonde atyre që ishin në nevojë. (Vep. 4:34, 35) Të tjerë vinin para mënjanë dhe bënin rregullisht kontribute për të mbështetur veprën. (1 Kor. 16:2) Kështu, njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore​—nga më i pasuri te më i varfri—​bënin pjesën e tyre.​—Luka 21:1-4.

KONTRIBUTET SOT

10, 11. (a) Si mund t’i imitojmë shërbëtorët bujarë të Jehovait në kohët biblike? (b) Si ndihesh për privilegjin që ke për të mbështetur veprën e Mbretërisë?

10 Edhe sot mund të nevojiten kontribute për një qëllim të caktuar. Për shembull, a është në plan ndërtimi i një Salle të re Mbretërie që do ta përdorë kongregacioni yt? Ose a po restaurohet Salla juaj e Mbretërisë? A mbase na vënë në dijeni të nevojave financiare për restaurimin e zyrës së degës, për një kongres që do të ndjekim ose për të ndihmuar vëllezërit tanë pas një katastrofe natyrore. Ne kontribuojmë edhe për të mbështetur ata që kujdesen për veprën në selinë botërore dhe në zyrat e degëve përreth botës. Kontributet tona mbështetin misionarët, pionierët specialë dhe ata që shërbejnë në veprën qarkore. Veç kësaj, kongregacioni yt me siguri ka miratuar një rezolutë për të ndihmuar financiarisht në programin mbarëbotëror të ndërtimit të Sallave të Asambleve dhe Sallave të Mbretërisë, që u sjell dobi vëllezërve në tërë botën.

11 Të gjithë ne mund të bëjmë pjesën tonë për të mbështetur veprën që po kryen Jehovai në këto ditë të fundit. Shumica e kontributeve janë anonime. Pa rënë në sy, hedhim një shumë në kutitë e kontributeve në Sallën e Mbretërisë ose kontribuojmë online nëpërmjet sitit jw.org. Ndoshta mendojmë se kontributet tona të vogla nuk kanë shumë vlerë. E megjithatë, sot pjesa më e madhe e fondeve vjen nga shumë dhurata të vogla e jo nga pak dhurata të mëdha. Vëllezërit tanë, madje edhe ata që janë të varfër, janë si maqedonasit që pavarësisht nga «varfëria e tyre e thellë», përgjëroheshin që të kishin privilegjin të jepnin dhe e bënë këtë me bujari.​—2 Kor. 8:1-4.

12. Si përpiqet fort organizata që t’i përdorë sa më mirë kontributet?

12 Me lutje dhe shqyrtim të kujdesshëm, Trupi Udhëheqës bën çmos që të tregohet i besueshëm dhe i matur në mënyrën si i përdor fondet e organizatës. (Mat. 24:45) Bëhet një buxhet për fondet që grumbullohen dhe pastaj ato shpenzohen sipas këtij buxheti. (Luka 14:28) Në kohët biblike, ata që kujdeseshin për kontributet e dhëna për Jehovain ndiqnin disa procedura që të siguroheshin se ato fonde do të përdoreshin vetëm për qëllimin e caktuar. Për shembull, ndërsa udhëtonte për në Jerusalem, Ezdra kishte me vete sende të dhuruara nga mbreti i Persisë​—ar, argjend dhe materiale të tjera të çmuara, që sot do të arrinin vlerën mbi 100 milionë dollarë amerikanë. Ezdra i konsideronte ato fonde si blatim vullnetar për Jehovain dhe ndoqi disa procedura të hollësishme për t’i mbrojtur ato thesare gjatë udhëtimit të rrezikshëm përmes një territori armiqësor. (Ezd. 8:24-34) Apostulli Pavël mblodhi fonde për të ndihmuar vëllezërit në Jude. Ai mori masa për t’u siguruar se ata që do të çonin fondet ‘do të kujdeseshin me ndershmëri për çdo gjë, jo vetëm në sytë e Jehovait, por edhe në sy të njerëzve’. (Lexo 2 Korintasve 8:18-21.) Duke imituar shembullin e Ezdrës dhe të Pavlit, organizata jonë sot ndjek procedura rigoroze kur administron dhe shpenzon kontributet financiare.

13. Si duhet t’i shohim thjeshtimet që ka bërë organizata kohët e fundit?

13 Një familje mund të bëjë rregullime ndërsa përpiqet të gjejë ekuilibrin mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Ose mund të bëjë ndryshime ndërsa shqyrton si të thjeshtojë jetën e të pakësojë shpenzimet që të bëjë më shumë për Jehovain. Po njësoj ndodh edhe me organizatën e Jehovait. Vitet e fundit, janë marrë shumë nisma të reja emocionuese. Ndonjëherë, kjo ka bërë që për njëfarë kohe shpenzimet të ishin më të mëdha se kontributet. Prandaj, organizata kërkon mënyra si të pakësojë shpenzimet dhe të thjeshtojë punën, që të bëjë maksimumin e mundshëm me kontributet tuaja bujare.

DOBITË QË VIJNË NGA KONTRIBUTET E TUA

Kontributet e tua ndihmojnë në veprën mbarëbotërore (Shih paragrafët 14-16.)

14-16. (a) Cilat janë disa nga gjërat që po arrihen falë kontributeve të tua? (b) Në cilat mënyra ke nxjerrë dobi nga këto masa?

14 Shumë nga ata që i shërbejnë Jehovait prej kohësh, shprehen se s’kanë parë kurrë një kohë si kjo me kaq shumë dhurata nga organizata e tij. Mendo pak! Vitet e fundit, kemi parë hapjen e jw.org dhe të JW Broadcasting. Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re është botuar në shumë më tepër gjuhë. Në vitet 2014/​2015, në disa nga stadiumet më të mëdha në 14 qytete përreth botës u zhvilluan Kongreset Ndërkombëtare treditore «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë!». Sa të entuziazmuar ishin ata që morën pjesë!

15 Shumë veta kanë shprehur çmueshmëri për dobitë e jashtëzakonshme që po nxjerrin falë organizatës së Jehovait. Për shembull, ja çfarë shkroi për JW Broadcasting një çift që shërben në një shtet të Azisë: «Jemi caktuar në një qytet të vogël. Prandaj, ndonjëherë ndihemi të izoluar dhe mund ta harrojmë kollaj shtrirjen e veprës së Jehovait. Por sapo shohim programet e ndryshme në JW Broadcasting, na vjen ndër mend se jemi pjesë e një vëllazërie ndërkombëtare. Vëllezërit e motrat tona të dashura në këtë qytet janë shumë entuziastë për JW Broadcasting. Shpesh i dëgjojmë të thonë se pasi shohin programet mujore, ndihen afër anëtarëve të Trupit Udhëheqës. Tani ndihen më krenarë se kurrë që janë pjesë e organizatës së Perëndisë.»

16 Në mbarë botën, po punohet për ndërtimin ose restaurimin rrënjësor të afro 2.500 Sallave të Mbretërisë. Pasi filluan të përdornin Sallën e tyre të re të Mbretërisë, pjesëtarët e një kongregacionin në Honduras shkruan: «Ndihemi vërtet të lumtur që jemi pjesë e familjes universale të Jehovait dhe që kemi këtë vëllazëri të mrekullueshme mbarëbotërore. Këto të dyja kanë ndihmuar të bëhet realitet ëndrra për të pasur Sallën tonë të Mbretërisë.» Shumë veta shprehin një vlerësim të ngjashëm kur marrin Biblën e botime të tjera të përkthyera në gjuhën e tyre, kur nxjerrin dobi nga ndihma në raste katastrofash ose kur shohin rezultatet e dëshmisë në metropol dhe të dëshmisë publike në territorin e tyre.

17. Si tregon mënyra si funksionon organizata jonë se kemi mbështetjen e Jehovait?

17 Njerëzit s’e kuptojnë dot si arrijmë të bëjmë gjithë këtë vepër vetëm me kontribute vullnetare. Pasi bëri një vizitë në një nga shtypshkronjat tona, drejtori i një kompanie të madhe u mahnit që gjithë puna bëhej nga vullnetarë, me kontribute vullnetare dhe pa organizuar evenimente ose fushata për mbledhjen e fondeve. Ai tha se ajo që bëjmë ne nuk duhet të jetë e mundur. Jemi plotësisht dakord. E dimë se kjo është e mundur vetëm ngaqë veprën e mbështet Jehovai.​—Jobi 42:2.

BEKIMET QË VIJNË KUR I JAPIM EDHE NE JEHOVAIT

18. (a) Cilat bekime korrim kur japim për të mbështetur Mbretërinë? (b) Si mund t’i stërvitim fëmijët tanë dhe të rinjtë në të vërtetën që të kontribuojnë?

18 Jehovai na jep dinjitet duke na dhënë mundësi të mbështetim veprën madhështore që po kryhet sot. Ai na garanton se do të korrim bekime po të japim për të mbështetur Mbretërinë. (Mal. 3:10) Jehovai premton se kushdo që jep bujarisht «do të majmet», pra do të gëzojë begati. (Lexo Proverbat 11:24, 25.) Gjithashtu, kur japim jemi të lumtur, sepse «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh». (Vep. 20:35) Kemi privilegjin që me fjalë e me vepra t’i stërvitim fëmijët tanë dhe të rinjtë në të vërtetën që të kuptojnë si mund të kontribuojnë edhe ata e të gëzojnë bekime të shumta nga kjo.

19. Çfarë inkurajimi ke marrë nga ky artikull?

19 Çdo gjë që kemi vjen nga Jehovai. Kur i japim edhe ne Jehovait, tregojmë se e duam dhe se jemi mirënjohës për gjithçka që ka bërë për ne. (1 Kron. 29:17) Kur kontribuoi për ndërtimin e tempullit, «populli s’e mbante dot gëzimin pasi blatimet vullnetare që i bënë Jehovait, ia bënë me gjithë zemër». (1 Kron. 29:9) Vazhdofshim edhe ne të gjejmë gëzim e kënaqësi duke i dhënë Jehovait atë që na ka dhënë vetë dora e tij!