Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’të bëj që të mos e dëmtoj më veten?

Ç’të bëj që të mos e dëmtoj më veten?

Të rinjtë pyesin . . .

Ç’të bëj që të mos e dëmtoj më veten?

«Nuk e kontrolloja dot angështinë emocionale. Pastaj gjeta diçka që mund ta kontrolloja—dhembjen fizike.»—Xheniferi, 20 vjeçe. *

«Kur mërzitesha, bëja prerje në trup. Kjo ishte mënyra se si e nxirrja dufin. Më pas, ndihesha më mirë.»—Xhesika, 17 vjeçe.

«Kam gati dy javë që nuk jam prerë. Është goxha kohë për mua. S’besoj se do të heq dorë njëherë e mirë.»—Xhemi, 16 vjeçe.

XHENIFERI, Xhesika dhe Xhemi nuk e njohin njëra-tjetrën, por kanë shumë gjëra të përbashkëta. Të tria ishin të dëshpëruara. Të tria përdorën të njëjtën mënyrë për të përballuar dëshpërimin. Xheniferi, Xhesika dhe Xhemi gjetën lehtësim të përkohshëm duke dëmtuar veten. *

Edhe pse mund të duket shumë i pazakontë, vetëdëmtimi—që përfshin të bësh prerje në trup ose vetëgjymtimin—është bërë çuditërisht i zakonshëm mes adoleshentëve e të rinjve. Gazeta National Post e Kanadasë vëren se kjo praktikë «i tmerron prindërit, i lë pa fjalë këshilltarët [e shkollave] dhe sfidon mjekët». Po ashtu, thotë se vetëdëmtimi «mund të bëhet një nga varësitë më të forta për t’u luftuar, që mjekësia njeh». A je bërë ti ose ndonjë i afërmi yt skllav i këtij vesi? Nëse po, çfarë mund të bësh?

Në fillim, përpiqu të dallosh arsyen që të shtyn të dëmtosh veten. Mos harro, të bësh prerje në trup është më shumë se vetëm një ves që e bën kur je nervoz. Zakonisht, është një mënyrë për të përballuar disa forma të stresit. Dikush që dëmton veten, e bën këtë që të largojë dhembjen emocionale me anë të dhembjes fizike. Prandaj, pyete veten: ‘Përse e dëmtoj veten? Për çfarë mendoj kur ndiej dëshirën për t’u prerë?’ A je në ndonjë situatë—mbase që përfshin familjen ose miqtë—që po të shkakton ankth?

Sigurisht, duhet guxim që ta shqyrtosh veten me këto pyetje. Por mund të nxjerrësh shumë dobi. Shpesh, ky është hapi i parë për të hequr dorë nga vetëdëmtimi. Megjithatë, nevojitet më shumë sesa vetëm të zbulosh rrënjët e këtij vesi.

T’u hapësh zemrën të tjerëve

Nëse edhe ti je bërë pre e këtij vesi, do të kesh shumë dobi nëse ia shpreh ndjenjat e tua të trazuara një shoku të besuar e të pjekur. Një proverb i Biblës thotë: «Shqetësimi mund të ta vjedhë lumturinë, por fjalët e mira do të të çelin.» (Proverbat 12:25, Today’s English Version) Duke u hapur me dikë, mund të dëgjosh ato fjalë ngushëlluese dhe të këndshme për të cilat ke nevojë.—Proverbat 25:11.

Me kë duhet të flasësh? Do të ishte mirë të zgjidhje dikë më të madh në moshë, që shfaq mençuri, pjekuri e dhembshuri. Të krishterët mund të nxjerrin dobi nga pleqtë e kongregacionit, të cilët janë «si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkrepi të madh në një tokë të shkretë».—Isaia 32:2.

Kuptohet, ideja që t’ia tregosh dikujt sekretin tënd mund të të frikësojë. Mund të ndihesh njësoj si Sara. «Në fillim, nuk i zija besë njeriu,—pranon ajo.—Mendoja se pasi të më njihnin—të më njihnin vërtet siç isha—do të më largoheshin, duke më parë me neveri.» Megjithatë, duke u hapur me dikë, Sara provoi vërtetësinë e asaj që thotë Bibla te Proverbat 18:24: «Ka një mik me të cilin lidhesh më ngushtë se me një vëlla.» Ajo thotë: «Të krishterët e pjekur, të cilëve u tregova gjithçka për zakonin e vetëdëmtimit, kurrë nuk u sollën ashpër me mua. Përkundrazi, më dhanë këshilla praktike. Arsyetuan me mua duke përdorur Shkrimet, duke më inkurajuar me durim sa herë që dëshpërohesha dhe ndihesha fare pa vlerë.»

Përse të mos flasësh me dikë për këtë problem që ke? Nëse e ke të vështirë të flasësh ballë për ballë, provo t’ia thuash në letër ose në telefon. Ky mund të jetë një hap pozitiv drejt shërimit tënd. Xheniferi thotë: «Gjëja më e rëndësishme ishte të dija se dikush interesohej vërtet për mua, se kisha dikë me të cilin mund të flisja kur isha e dëshpëruar.» *

Rëndësia e lutjes

Dona ishte në një udhëkryq. Nga njëra anë, e dinte se kishte nevojë për ndihmën e Perëndisë. Nga ana tjetër, mendonte se ai nuk do ta mbështeste, përderisa ajo vazhdonte të bënte prerje në trup. Çfarë e ndihmoi Donën? Një aspekt ishte meditimi për shkrimin e 1 Kronikave 29:17, që e quan Perëndinë Jehova, «ai që shqyrton zemrën». «Jehovai e dinte se thellë në zemër doja vërtet të hiqja dorë,—thotë Dona.—Nisa t’i lutesha për ndihmë; ishte e habitshme. Pak nga pak, u bëra më e fortë.»

Psalmisti David, i cili kishte vuajtur shumë edhe vetë, shkroi: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psalmi 55:22) Po, Jehovai i di vuajtjet e tua. Jo vetëm kaq, por ‘ai interesohet për ty’. (1 Pjetrit 5:7) Nëse zemra të dënon, mbaj mend se Perëndia është ‘më i madh se zemra jote dhe di gjithçka’. Po, ai e kupton përse e dëmton veten dhe përse e ke të vështirë të heqësh dorë. (1 Gjonit 3:19, 20) Nëse i afrohesh në lutje dhe përpiqesh të heqësh dorë nga kjo praktikë, ai vërtet ‘do të të ndihmojë’.—Isaia 41:10.

Po nëse e bën prapë të njëjtën gjë? A do të thotë se dështove plotësisht? Jo, në asnjë mënyrë! Proverbat 24:16 thotë: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur.» Duke medituar për këtë varg të Biblës, Dona thotë: «Kam rënë më shumë se shtatë herë, por nuk u dorëzova.» Dona kuptoi se këmbëngulja është thelbësore. Edhe Kareni u ndie po njësoj. «Mësova t’i shihja si një rënie të përkohshme, jo si një dështim, rastet që bija pre e vesit. Dhe e nisja nga fillimi, sa herë që ishte e nevojshme»,—thotë ajo.

Kur nevojitet ndihmë e mëtejshme

Jezui e pranoi se ‘ata që janë të sëmurë, kanë nevojë për mjek’. (Marku 2:17) Në shumë raste, është e nevojshme të këshillohesh me një mjek të kualifikuar, për të përcaktuar nëse fshihet ndonjë çrregullim pas zakonit të vetëdëmtimit dhe nëse është e këshillueshme një kurë. * Xheniferi pranoi të merrte këtë ndihmë, e cila plotësoi mbështetjen që kishte marrë nga mbikëqyrësit e dashur të krishterë. «Pleqtë e kongregacionit nuk janë mjekë, po gjithsesi më kanë mbështetur shumë,—thotë ajo.—Pavarësisht se më vjen ndonjëherë të dëmtoj veten, kam mundur ta kontrolloj me ndihmën e Jehovait, të kongregacionit dhe të aftësive që kam mësuar për t’i bërë ballë këtij problemi.» *

Për një gjë të jesh i sigurt: ti mund të mësosh të gjesh mënyra më pozitive për të zgjidhur problemet, e kështu të heqësh dorë nga ky ves. Lutu si psalmisti: «Bëji të patundur hapat e mi në fjalët e tua, dhe asnjë e keqe mos më sundoftë!» (Psalmi 119:133) Pa dyshim, do të jesh i kënaqur e do të fitosh respekt për veten, kur ta mposhtësh këtë ves, kështu ai nuk do të vazhdojë të sundojë më mbi ty.

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.

^ par. 6 Për më shumë informacion lidhur me vetëdëmtimin—çfarë përfshin dhe cilat janë shkaqet—shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Pse e dëmtoj veten?» në revistën Zgjohuni!, janar 2006.

^ par. 14 Mund t’i shprehësh ndjenjat e tua duke i hedhur në letër nganjëherë. Edhe shkrimtarët e psalmeve të Biblës përjetuan emocione të forta, dhe me anë të fjalëve shprehën ndjenjat e keqardhjes, zemërimit, acarimit dhe trishtimit. Për shembull, lexo Psalmet 6, 13, 42, 55 dhe 69.

^ par. 20 Disa herë, vetëdëmtimi është efekt anësor i një problemi tjetër shëndetësor, si për shembull: depresioni, çrregullimi bipolar, neuroza obsesive-kompulsive ose ndonjë çrregullim në të ngrënë. Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë metodë të veçantë mjekimi. Të krishterët duhet të sigurohen se çfarëdo kure që të bëjnë, të mos bjerë ndesh me parimet e Biblës.

^ par. 20 Numrat e kaluar të Zgjohuni! kanë pasur artikuj të cilët trajtonin çështje që shpesh fshihen pas vetëdëmtimit. Për shembull, shih seritë «Të kuptojmë çrregullimet e humorit» (8 janar 2004), «Ndihmë për adoleshentët me depresion» (8 shtator 2001), «Çfarë fshihet pas çrregullimeve të të ngrënit?» (22 janar 1999, anglisht), dhe artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Si të sillem kur kam një prind të alkoolizuar?» (8 gusht 1992, anglisht).

PYETJE PËR TË MENDUAR

▪ Çfarë mund të bësh tjetër, përveçse të bësh prerje në trup, kur je i mërzitur?

▪ Kujt mund t’i hapesh, nëse ke këtë problem?

[Kutia dhe figura në faqen 20]

SI TË NDIHMOJMË DIKË QË VETËDËMTOHET?

Si ta ndihmosh një pjesëtar të familjes ose një shokun tënd që ka këtë problem? Tregohu i gatshëm për ta dëgjuar sepse ai vuan dhe mund të ketë jashtëzakonisht nevojë për dikë me të cilin të hapet. Mundohu të jesh «shoku i vërtetë» që «bëhet vëlla në ditë të vështira». (Proverbat 17:17) Kuptohet, në fillim mund të reagosh i frikësuar dhe t’i kërkosh që të heqë dorë pa humbur kohë. Por kështu ka shumë të ngjarë që ta largosh. Përveç kësaj, nuk mjafton vetëm t’i thuash të heqë dorë. Duhet gjykim i thellë për ta ndihmuar të mësojë mënyra të reja si të përballojë problemet. (Proverbat 16:23) Gjithashtu duhet kohë. Prandaj, ki durim. Ji ‘i shpejtë në të dëgjuar dhe mos u nxito në të folur’.—Jakovi 1:19.

Nëse je i ri, mos mendo se mund ta ndihmosh vetë dikë që ka këtë problem. Mos harro, pas këtij vesi mund të jetë ndonjë problem i fshehur ose një çrregullim që ka nevojë të kurohet. Po ashtu, vetëdëmtimi mund të rrezikojë jetën, edhe atëherë kur ai individ nuk ka qëllim të vrasë veten. Prandaj, do të ishte e mençur ta nxitje të fliste për situatën e tij me një të rritur të pjekur, që kujdeset për të.

[Figurat në faqen 19]

Asnjëherë mos e nënvlerëso rëndësinë e lutjes dhe dobitë që vijnë kur i hapesh një njeriu të dashur