Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinj: Rezistojini presionit të moshatarëve

Të rinj: Rezistojini presionit të moshatarëve

Të rinj: Rezistojini presionit të moshatarëve

«Fjala juaj të jetë . . . e ndrequr me kripë, që të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.»—KOLOS. 4:6.

1, 2. Si ndihen shumë të rinj ngaqë duken ndryshe nga të tjerët dhe pse?

PA DYSHIM, jo vetëm e ke dëgjuar frazën «presioni i moshatarëve», por edhe e ke përjetuar vetë se ç’do të thotë. Ndoshta dikush të ka nxitur të bësh diçka që e dije se ishte e gabuar. Si ndihesh kur të ndodh kjo? Kristoferi 14-vjeçar thotë: «Ndonjëherë do të doja të zhdukesha në çast ose të isha si gjithë shokët e klasës, që të mos dukesha ndryshe.»

2 A ndikojnë shumë moshatarët te ti? Nëse po, pse? Mbase ngaqë dëshiron të të pranojnë? Në vetvete kjo dëshirë nuk është e gabuar. Faktikisht edhe të rriturit duan të pranohen nga moshatarët e tyre. Askujt, i ri a i moshuar, nuk i pëlqen ta refuzojnë. Por realiteti është se, duke mbajtur anën e së drejtës, nuk do të të lavdërojnë gjithmonë. Edhe Jezui e përjetoi këtë. Megjithatë, bënte gjithmonë atë që është e drejtë. Edhe pse disa e ndoqën Birin e Perëndisë dhe u bënë dishepuj të tij, të tjerë e përbuzën e ‘nuk e çmuan aspak’.—Isa. 53:3.

Sa i fuqishëm është presioni për të qenë si të tjerët?

3. Pse është e gabuar të sillesh si moshatarët?

3 Nganjëherë mund të tundohesh të sillesh si moshatarët vetëm e vetëm që të të pranojnë. Kjo do të ishte e gabuar. Të krishterët nuk duhet të jenë «fëmijë, të lëkundur nga dallgët». (Efes. 4:14) Fëmijët e vegjël mund të ndikohen fare lehtë nga të tjerët. Por ti si i ri je në rrugën e pjekurisë. Prandaj, nëse beson se normat e Jehovait janë për të mirën tënde, ia vlen të jetosh sipas bindjeve që ke. (Ligj. 10:12, 13) Po të veprosh ndryshe, do të ishte sikur të mos e kishe më nën kontroll jetën tënde. E vërteta është se kur i dorëzohesh presionit nga të tjerët, s‘bëhesh gjë tjetër veçse kukull në duart e tyre.—Lexo 2 Pjetrit 2:19.

4, 5. (a) Si iu dorëzua Aaroni presionit të të tjerëve? Ç’mësime mund të nxjerrësh nga kjo? (b) Cilat metoda mund të përdorin moshatarët e tu për të të bërë presion?

4 Në një rast, Aaroni, vëllai i Moisiut, iu dorëzua presionit të të tjerëve. Kur izraelitët e nxitën t’u bënte një perëndi, ai e bëri. Aaroni nuk ishte burracak. Më parë kishte qenë përkrah Moisiut kur i kishin bërë ballë faraonit, njeriut më të fuqishëm në Egjipt. Atëherë Aaroni foli me guxim duke shpallur mesazhin e Perëndisë për faraonin. Por, kur izraelitët i bënë presion, Aaroni u dorëzua. Sa i fuqishëm është presioni i të tjerëve! Aaroni e kishte më të lehtë t’i rezistonte mbretit të Egjiptit, sesa bashkëkombësve të tij.—Dal. 7:1, 2; 32:1-4.

5 Siç tregon shembulli i Aaronit, presioni nga të tjerët nuk është problem vetëm për të rinjtë dhe as vetëm për ata që duan të bëjnë të keqen. Presioni mund të ndikojë edhe tek ata që duan sinqerisht të bëjnë atë që është e drejtë, përfshirë edhe te ti. Moshatarët mund të përpiqen të të detyrojnë që të sillesh keq duke të sfiduar, duke të akuzuar ose duke të tallur. Në cilëndo formë të jetë, është e vështirë ta përballosh presionin e moshatarëve. Për t’i rezistuar me sukses, fillimisht duhet të rritësh sigurinë te gjërat që beson.

«Vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë»

6, 7. (a) Pse është e rëndësishme të jesh i bindur për pikëpamjet e tua fetare? Si mund ta zhvillosh këtë bindje? (b) Cilat pyetje mund t’i bësh vetes që të forcosh bindjen tënde?

6 Që t’i rezistosh presionit të moshatarëve, së pari duhet të jesh i bindur se pikëpamjet fetare dhe normat e tua janë të drejta. (Lexo 2 Korintasve 13:5.) Një bindje e tillë do të të ndihmojë të jesh i guximshëm, ndonëse mund të jesh i ndrojtur si natyrë. (2 Tim. 1:7, 8) Por, edhe nëse dikush zakonisht është i guximshëm, mund ta ketë mjaft të vështirë të mbrojë ose të bëjë diçka që e beson me gjysmë zemre. Kështu, pse të mos e provosh vetë se ajo që të kanë mësuar nga Bibla është pa diskutim e vërteta? Fillo me gjërat kryesore. Për shembull, ti beson te Perëndia dhe ke dëgjuar të tjerë të shprehen pse besojnë se ai ekziston. Atëherë, pyet veten: «Çfarë më bind mua se Perëndia ekziston?» Qëllimi i kësaj pyetjeje nuk është që të të ngjallë dyshime, por që të të forcojë besimin. Po kështu, pyet veten: «Si e di se Shkrimet janë të frymëzuara nga Perëndia?» (2 Tim. 3:16) «Pse jam i bindur se jetojmë në ‘ditët e fundit’?» (2 Tim. 3:1-5) «Pse besoj se normat e Jehovait janë për të mirën time?»—Isa. 48:17, 18.

7 Ndoshta ngurron t’ia bësh vetes këto pyetje nga frika se nuk di si të përgjigjesh. Por kjo do të ishte njësoj sikur të ngurrosh të shohësh treguesin e nivelit të karburantit te kruskoti i makinës nga frika se shigjeta tregon që serbatori është bosh. Në qoftë se nuk ka karburant në serbator, duhet ta dish që të bësh diçka. Po kështu, është mirë të pranosh se nuk je i bindur për diçka dhe të punosh për ta forcuar bindjen tënde.—Vep. 17:11.

8. Shpjego se si mund ta rritësh sigurinë se urdhri i Perëndisë për të mos kryer kurvëri është i mençur.

8 Shqyrto një shembull: Bibla nxit «ikni nga kurvëria». Pyet veten: «Pse është një urdhër i mençur ky?» Mendo për të gjitha arsyet pse moshatarët e tu përfshihen në një sjellje të tillë. Medito edhe për arsyet e ndryshme pse ai që praktikon kurvërinë «mëkaton kundër trupit të vet». (1 Kor. 6:18) Tani analizoji arsyet dhe pyet veten: «Cila është rruga më e mirë për t’u ndjekur? A ia vlen vërtet të përfshihem në një sjellje të gabuar seksuale?» Kushtoji vëmendje edhe më tej kësaj çështjeje duke pyetur veten: «Si do të ndihem nëse do të dorëzohem dhe do të kryej imoralitet?» Mund të kesh miratimin e menjëhershëm të disa moshatarëve, por si do të ndihesh më pas kur të jesh me prindërit ose të krishterët e tjerë në Sallën e Mbretërisë? Ç’ndjenja do të provosh kur të përpiqesh t’i lutesh Perëndisë? A je vërtet i gatshëm të sakrifikosh një qëndrim të pastër para Perëndisë vetëm që t’u pëlqesh shokëve të klasës?

9, 10. Në ç’mënyrë siguria te pikëpamjet e tua fetare do të të ndihmojë të ndihesh më i sigurt kur të jesh me moshatarët?

9 Nëse je adoleshent, gjendesh në një periudhë të jetës kur ‘fuqia për të arsyetuar’ po zhvillohet si kurrë më parë. (Lexo Romakëve 12:1, 2.) Shfrytëzoje këtë periudhë që të mendosh seriozisht se çfarë do të thotë për ty të jesh Dëshmitar i Jehovait. Ky meditim do të të ndihmojë të rritësh sigurinë te pikëpamjet fetare që ke. Atëherë, kur të hasësh presion nga moshatarët, do të arrish të përgjigjesh menjëherë dhe plot siguri. Do të ndihesh si një motër e re e krishterë e cila thotë: «Kur i rezistoj presionit të moshatarëve, thjesht po u bëj të qartë të tjerëve se kush jam. Feja ime nuk është thjesht një etiketë. Është qendra e mendimeve, synimeve, normave morale dhe e ekzistencës sime.»

10 Po, kërkohen përpjekje për të qëndruar të patundur për atë që e di se është e drejtë. (Luka 13:24) E ndoshta vret mendjen nëse ia vlen. Por kujto këtë: në qoftë se dukesh sikur ndihesh në faj ose sikur të vjen turp për qëndrimin tënd, të tjerët mund ta vërejnë dhe fare mirë mund të të bëjnë edhe më shumë presion. Megjithatë, nëse flet me bindje, mund të habitesh se sa shpejt do të tërhiqen moshatarët e tu.—Krahaso Lukën 4:12, 13.

‘Medito para se të përgjigjesh’

11. Ç’dobi ka të përgatitesh për t’i rezistuar presionit të moshatarëve?

11 Një hap tjetër i rëndësishëm për t’i rezistuar presionit të moshatarëve, është përgatitja. (Lexo Proverbat 15:28.) Të jesh i përgatitur do të thotë që të mendosh më përpara për situata që mund të lindin. Ndonjëherë, pak përgatitje mund të të ndihmojë të parandalosh një përplasje me moshatarët e tu. Për shembull, ta zëmë se sheh para teje një grup shokësh shkolle që po pinë duhan. A ka mundësi që të të ofrojnë një cigare? Duke i paraprirë problemit, çfarë mund të bësh? Proverbat 22:3 thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» Duke ndryshuar rrugë, mund të shmangësh fare përplasjen me ta. Kjo nuk tregon se je frikacak; është mënyra më e mençur për të vepruar.

12. Si mund të përgjigjesh kur moshatarët të bëjnë presion?

12 Çfarë mund të bësh nëse nuk mund ta shmangësh një situatë si më sipër? Mendo sikur një moshatar të pyet i habitur: «Mos më thuaj që s’ke bërë akoma seks?!» Zgjidhja është të ndjekësh këshillën e Kolosianëve 4:6: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë, që të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.» Siç tregon ky shkrim, mënyra si përgjigjesh, do të varet nga rrethanat. Mbase nuk ka nevojë të fillosh t’i japësh leksione nga Bibla. Mund të mjaftojë një përgjigje e thjeshtë, por e vendosur. Për shembull, kur dikush të pyet nëse ke bërë seks, mund t’i thuash thjesht «jo» ose «kjo është çështje personale».

13. Ç’rol luan aftësia dalluese për t’iu përgjigjur një moshatari që të tall?

13 Jezui shpesh jepte një përgjigje të shkurtër kur nuk ia vlente të fliste më shumë. Në fakt, kur Herodi e mori në pyetje Jezui nuk foli fare. (Luka 23:8, 9) Heshtja është shpesh një mënyrë e mirë për t’u bërë ballë pyetjeve pa vend. (Prov. 26:4; Ekl. 3:1, 7) Nga ana tjetër mund të vëresh se dikush që çuditet për sjelljen tënde—ta zëmë në lidhje me imoralitetin—mbase e ka pa të keq, edhe pse në fillim të ka sharë. (1 Pjet. 4:4) Në këtë rast, mund të jetë e nevojshme të japësh një shpjegim më të hollësishëm për qëndrimin tënd të bazuar në Bibël. Nëse është kështu, mos ngurro nga frika. Ji gjithnjë «gati për t’u mbrojtur».—1 Pjet. 3:15.

14. Në disa raste, si mund ta vësh me takt nën presion dikë kur ai të vë nën presion?

14 Në disa raste, kur dikush të vë nën presion, mund ta vësh edhe ti nën presion. Mirëpo këtë duhet të përpiqesh ta bësh me takt. Për shembull, nëse një shok shkolle të sfidon që të pranosh një cigare prej tij, mund të thuash «jo faleminderit» e të shtosh «nuk mendoja që një djalë i zgjuar si ti të pinte duhan». A e sheh se si e vë edhe ti nën presion? Në vend që të të duhet ty të shpjegosh pse nuk pi duhan, shoku i shkollës detyrohet të mendojë pse pi ai. *

15. Pse është mirë të largohesh kur moshatarët përpiqen të të vënë nën presion dhe pse?

15 Ç’mund të bësh kur, me gjithë përpjekjet e tua, presioni vazhdon? Në këtë rast, është më mirë të largohesh. Sa më shumë të rrish, aq më tepër mundësi do të ketë që të bësh kompromis në ndonjë mënyrë. Prandaj, largohu nga ajo situatë. Mund ta bësh këtë pa u ndier i mundur. Në fund të fundit, ti e more nën kontroll situatën. Nuk u bëre një kukull në duart e moshatarëve dhe ia gëzove zemrën Jehovait.—Prov. 27:11.

Bëj ‘plane që sjellin përfitim’

16. Si mund të vijë presioni nga disa që thonë se janë të krishterë?

16 Ndonjëherë presioni për t’u përfshirë në një aktivitet të dëmshëm, mund të vijë nga të rinj të tjerë që thonë se janë shërbëtorë të Jehovait. Për shembull, çfarë mund të bësh nëse shkon në një festë të organizuar nga një person i tillë dhe zbulon se nuk ka asnjë të rritur që ta mbikëqyrë? Ose, ç’mund të bësh nëse ka alkool me tepri dhe disa fillojnë të pinë rëndshëm? Mund të lindin mjaft situata kur duhet të ndjekësh ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës. Një adoleshente e krishterë tregon: «Unë dhe motra u larguam në një rast kur po shihnim një film që përmbante shumë fjalë të pista. Të tjerët që ishin me ne vendosën të rrinin. Prindërit na lavdëruan për atë që bëmë. Por ata që kishin qenë me ne, u zemëruan sepse i bëmë të dukeshin keq.»

17. Ç’masë praktike mund të marrësh që t’u përmbahesh normave të Perëndisë kur shkon në një festë?

17 Siç tregon përvoja e mësipërme, duke ndjekur ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës, mund të vihesh në një pozitë të sikletshme. Por përmbaju asaj që e di se është e drejtë. Ji i përgatitur. Nëse shkon në një festë, ki një plan për t’u larguar në rast se gjërat nuk janë siç e prisje. Disa të rinj merren vesh me prindërit që mjafton t’u bëjnë një telefonatë e të vijnë t’i marrin në shtëpi më herët. (Psal. 26:4, 5) Këto ‘plane sjellin përfitim’.—Prov. 21:5.

‘Gëzohu në rininë tënde’

18, 19. (a) Pse mund të jesh i sigurt se Jehovai dëshiron të jesh i lumtur? (b) Si ndihet Perëndia për ata që i rezistojnë presionit të moshatarëve?

18 Jehovai të krijoi me aftësinë që ta gëzosh jetën dhe dëshiron të jesh i lumtur. (Lexo Eklisiastiun 11:9.) Kujto se ajo që provojnë shumë prej moshatarëve të tu është vetëm ‘kënaqësia e përkohshme e mëkatit’. (Hebr. 11:25) Perëndia i vërtetë do që të kesh shumë më tepër. Ai do që të jesh i lumtur përgjithmonë. Prandaj, kur has një tundim për të bërë diçka që e di se është e keqe në sytë e Perëndisë, kujto se në fund të fundit, ajo që kërkon Ai nga ti është gjithmonë për të mirën tënde.

19 Si i ri ke nevojë të kuptosh se, edhe nëse fiton miratimin e moshatarëve, vite më vonë shumica e tyre ka shumë mundësi që mos të të kujtojë as emrin. Përkundrazi, kur i reziston presionit të moshatarëve, Jehovai e vëren dhe kurrë nuk do të të harrojë ty ose besnikërinë tënde. ‘Do të të hapë portat e qiejve dhe do të të derdhë një bekim të tillë, sa të mos kesh më nevojë.’ (Mal. 3:10) Për më tepër, ai do të të japë me bujari frymën e tij të shenjtë që të të forcojë vendosmërinë sa herë të ndihesh i dobët. Po, Jehovai mund të të ndihmojë t’i rezistosh presionit të moshatarëve!

[Shënimi]

A të kujtohet?

• Ç’ndikim mund të ketë presioni i moshatarëve?

• Ç’rol luan bindja që t’i rezistosh presionit të moshatarëve?

• Si mund të përgatitesh për t’i bërë ballë presionit të moshatarëve?

• Si e di se Jehovai e vlerëson besnikërinë tënde?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 8]

Pse Aaroni pranoi të bënte viçin e artë?

[Figura në faqen 10]

Ji i përgatitur: vendos që më përpara se çfarë do të thuash