Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëgjojeni zërin e brendshëm

Dëgjojeni zërin e brendshëm

Dëgjojeni zërin e brendshëm

‘Njerëzit e kombeve, që nuk kanë ligjin e Perëndisë, bëjnë nga natyra gjërat e ligjit.’—ROMAKËVE 2:14.

1, 2. (a) Si kanë vepruar shumë njerëz ngaqë interesoheshin për të tjerët? (b) Cilët shembuj biblikë ilustrojnë se si disa u interesuan për të tjerët?

NJË 20-vjeçar që ndodhej në platformën e metrosë e zuri një krizë epileptike dhe ra mbi shina. Kur një burrë e pa, i la vajzat e veta dhe u hodh poshtë. Ai e tërhoqi djalin e sëmurë në një hendek midis shinave dhe qëndroi si mburojë mbi të ndërsa treni frenoi fare pranë. Disa do ta quanin këtë njeri një hero, por ai tha: «E bëra thjesht sepse ishte e drejtë. Nuk e bëra këtë veprim të njerëzishëm për të fituar famë ose lavdi.»

2 Ndoshta njihni njerëz që e kanë vënë veten në rrezik për të ndihmuar të tjerët. Shumë vepruan kështu gjatë Luftës II Botërore, duke fshehur njerëz të një kombi ose race tjetër. Kujtoni gjithashtu rastin e apostullit Pavël dhe të 275 njerëzve që ishin me të, të cilëve iu shkallmua anija në Maltë, pranë Sicilisë. Vendësit u erdhën në ndihmë këtyre të huajve, duke u treguar «tejet të njerëzishëm». (Veprat 27:27–28:2) Ose, ç’mund të themi për vajzën izraelite që, edhe pse ndoshta nuk vuri në rrezik jetën, u tregua e njerëzishme duke u shqetësuar për shëndetin e njërit prej sirianëve që e kishin marrë rob? (2 Mbretërve 5:1-4) Mendoni edhe për ilustrimin e njohur të Jezuit për samaritanin e mirë. Një prift e një levit nuk deshën t’ia dinin për një jude gjysmë të vdekur, kurse një samaritan u bë copë që ta ndihmonte. Gjatë shekujve kjo shëmbëlltyrë u ka prekur zemrën njerëzve të kulturave të ndryshme.—Luka 10:29-37.

3, 4. Çfarë tregon për teorinë e evolucionit përhapja e ndjenjave altruiste?

3 Është e vërtetë se jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». Shumë njerëz janë «të egër» dhe «pa dashuri për mirësinë». (2 Timoteut 3:1-3) Megjithatë, a nuk kemi vërejtur akte dashamirësie, prej të cilave mund të kemi përfituar edhe ne? Prirja për t’i ndihmuar të tjerët, madje edhe duke sakrifikuar nga vetja, është kaq e përhapur saqë disa e quajnë «humanizëm».

4 Gatishmëria për të ndihmuar të tjerët me vetëmohim shihet në të gjitha racat e kulturat, dhe kjo kundërshton pohimin se njeriu evoluoi sipas ligjit të xhunglës, pra, «mbijetesa e më të aftit». Profesor Frensis Kolinsi, një gjenetist që drejtoi kërkimet e qeverisë amerikane për të deshifruar gjenomin e njeriut (ADN), tha: «Altruizmi vetëmohues përbën një problem të madh për evolucionistët. . . . Ai nuk mund të shpjegohet me teorinë se gjenet e nxitin atë për të mbijetuar vetë.» Gjithashtu Kolinsi tha: «Disa njerëz sakrifikojnë duke u dhënë nga vetvetja individëve që nuk bëjnë pjesë në rrethin e tyre [familjar, racial, shoqëror ose fetar] dhe me të cilët nuk kanë absolutisht asgjë të përbashkët. . . . Teoria e Darvinit nuk mund ta shpjegojë dot këtë.»

«Zëri i ndërgjegjes»

5. Çfarë është vërejtur shpesh te njerëzit?

5 Profesor Kolinsi thekson një aspekt të altruizmit të njeriut: «Zëri i ndërgjegjes na bën thirrje t’i ndihmojmë të tjerët, edhe nëse nuk marrim ndonjë gjë në këmbim.» * Ai përmend ‘ndërgjegjen’ dhe kjo mund të na kujtojë një fakt që e tha apostulli Pavël: «Sa herë që njerëzit e kombeve, që nuk kanë ligj, bëjnë nga natyra gjërat e ligjit, këta njerëz, edhe pse nuk kanë ligj, janë ligj për vetveten. Këta tregojnë se thelbin e ligjit e kanë të shkruar në zemër, ndërkohë që ndërgjegjja e tyre, që jep dëshmi bashkë me ta dhe në mendimet e tyre, i akuzon ose i shfajëson.»—Romakëve 2:14, 15.

6. Pse të gjithë njerëzit kanë përgjegjësi para Perëndisë?

6 Në letrën drejtuar romakëve, Pavli tregoi se njerëzit kanë përgjegjësi para Perëndisë sepse ekzistenca dhe cilësitë e Tij duken qartë nga gjërat që shihen. Ka qenë kështu «që nga krijimi i botës». (Romakëve 1:18-20; Psalmi 19:1-4) Vërtet që shumë e shpërfillin Krijuesin dhe ndjekin një udhë të shthurur. Megjithatë, vullneti i Perëndisë është që njerëzit të pranojnë normat e tij të drejta dhe të pendohen për praktikat e tyre të këqija. (Romakëve 1:22–2:6) Judenjtë kishin një arsye shumë të fortë për të vepruar kështu—atyre u ishte dhënë Ligji i Perëndisë nëpërmjet Moisiut. Por edhe popujt që nuk kishin «thëniet e shenjta të Perëndisë» duhej ta kishin pranuar ekzistencën e Perëndisë.—Romakëve 2:8-13; 3:2.

7, 8. Sa e përhapur është ndjenja e drejtësisë dhe ç’tregon kjo?

7 Një arsye e fortë pse të gjithë duhet ta pranojnë Perëndinë e ta marrin parasysh në gjërat që bëjnë, është ndjenja e tyre e brendshme për atë që është e drejtë dhe e gabuar. Ndjenja jonë e drejtësisë tregon se kemi një ndërgjegje. Përfytyroni këtë skenë: Disa fëmijë po presin në radhë që të hipin në një shilarës. Një prej tyre nuk mban radhën, por del para të tjerëve pa i përfillur fare ata që po presin. Shumë fëmijë thonë: ‘Oh, po kjo nuk është e drejtë!’ Tani pyetni veten: ‘Si ka mundësi që edhe fëmijët e shfaqin në mënyrë spontane këtë ndjenjë të drejtësisë?’ Kjo pasqyron ndjenjën e tyre të brendshme morale. Pavli shkroi: ‘Sa herë që njerëzit e kombeve, që nuk kanë ligj, bëjnë nga natyra gjërat e ligjit.’ Ai nuk tha: «Nëse ndonjëherë», sikur të ishte diçka që ndodhte rrallë. Përkundrazi tha «sa herë që» ose «kurdoherë që», duke lënë të nënkuptohet se kjo ndodh shpesh. Pra, njerëzit «bëjnë nga natyra gjërat e ligjit», që do të thotë se ata nxiten nga ndjenja e tyre e brendshme morale për të vepruar në përputhje me atë që lexojmë në ligjin e shkruar të Perëndisë.

8 Kjo prirje morale shihet në shumë vende. Një profesor në Universitetin e Kembrixhit shkroi se në normat e sjelljes të babilonasve, të egjiptianëve dhe të grekëve, si edhe të aborigjenëve australianë e të indianëve të Amerikës përfshiheshin «dënimi i shtypjes, i vrasjes, i mashtrimit dhe i gënjeshtrës, si edhe të njëjtat rregulla mirëdashëse për të moshuarit, të rinjtë dhe të dobëtit». Po ashtu profesor Kolinsi shkroi: «Koncepti i së drejtës dhe i së gabuarës duket se është i zakonshëm për të gjithë pjesëtarët e species njerëzore.» A nuk ju sjell kjo ndër mend Romakëve 2:14?

Si funksionon ndërgjegjja?

9. Ç’është ndërgjegjja dhe si mund t’ju ndihmojë përpara se të veproni?

9 Bibla tregon se ndërgjegjja është aftësia e brendshme e njeriut për të vëzhguar dhe për të vlerësuar veprimet e tij. Është sikur një zë i brendshëm t’ju thotë nëse një veprim është i drejtë ose jo. Pavli foli për zërin e tij të brendshëm, kur tha: «Ndërgjegjja ime jep dëshmi me mua në përputhje me frymën e shenjtë.» (Romakëve 9:1) Për shembull, ky zë mund të flasë që më përpara ndërsa jeni duke menduar të bëni diçka që lidhet me atë që është e drejtë ose e gabuar. Ndërgjegjja mund t’ju ndihmojë të gjykoni një veprim të ardhshëm dhe t’ju thotë se si do të ndiheni po ta kryeni atë veprim.

10. Në ç’mënyrë del shpesh në pah roli i ndërgjegjes?

10 Zakonisht ndërgjegjja vepron pasi kryeni diçka. Kur jetonte si i arratisur për shkak të mbretit Saul, Davidit iu dha rasti të vepronte pa respekt ndaj mbretit të mirosur të Perëndisë dhe ai bëri diçka të tillë. Por, më pas, «Davidin filloi ta qortonte zemra». (1 Samuelit 24:1-5; Psalmi 32:3, 5) Në këtë tregim nuk është përdorur fjala «ndërgjegje», por Davidi ndjeu pikërisht atë—reagimin e ndërgjegjes. Në mënyrë të ngjashme të gjithë kemi ndier brejtjet e ndërgjegjes. Ndoshta kemi bërë diçka e më pas jemi trazuar ose turbulluar brenda vetes për mënyrën se si kemi vepruar. Disa njerëz që nuk kishin paguar taksat i mundonte kaq shumë ndërgjegjja, saqë më vonë e paguan detyrimin që kishin. Të tjerë janë shtyrë t’ia rrëfenin bashkëshortit kurorëshkeljen që kishin bërë. (Hebrenjve 13:4) Megjithatë, kur dikush vepron në përputhje me ndërgjegjen, mund të ketë si rezultat kënaqësi dhe paqe.

11. Pse mund të jetë e rrezikshme që të na drejtojë vetëm ndërgjegjja? Ilustrojeni me një shembull.

11 Atëherë, a duhet që të na drejtojë vetëm ndërgjegjja? E pra, është mirë ta dëgjojmë ndërgjegjen, por zëri i saj mund të na çojë në drejtim krejt të gabuar. Po, zëri i ‘njeriut të brendshëm’ mund të gabojë. (2 Korintasve 4:16) Shqyrtoni një shembull. Bibla thotë se Stefani ishte një ithtar i përkushtuar i Krishtit «plot mirësi dhe fuqi». Por disa judenj e nxorën Stefanin jashtë Jerusalemit dhe e goditën me gurë derisa e vranë. Sauli (i cili më vonë u bë apostulli Pavël) ishte aty pranë dhe «e miratoi vrasjen» e Stefanit. Me sa duket ata judenj ishin kaq të bindur se po vepronin drejt, saqë ndërgjegjja nuk i trazonte. Kështu duhet të jetë ndier edhe Sauli, sepse pas kësaj ai «ende i kërcënonte dishepujt e Zotërisë dhe bënte çmos t’i vriste». Kuptohet pra, se ndërgjegjja e tij nuk po i thoshte të bënte atë që ishte e drejtë.—Veprat 6:8; 7:57–8:1; 9:1.

12. Në ç’mënyrë mund të ndikohet ndërgjegjja?

12 Ç’gjë mund të ketë ndikuar te ndërgjegjja e Saulit? Një gjë mund të ketë qenë shoqëria e ngushtë me të tjerët. Të bëjmë këtë ilustrim: Shumë nga ne kanë folur në telefon me dikë, që e kishte zërin shumë të ngjashëm me zërin e babait të vet. Deri në një farë mase ky individ mund ta ketë trashëguar timbrin e zërit, por ai mund të jetë ndikuar edhe nga mënyra e të folurit të të atit. Në mënyrë të ngjashme, Sauli mund të jetë ndikuar nga shoqëria e ngushtë me judenjtë që e urrenin Jezuin dhe i kundërshtonin mësimet e tij. (Gjoni 11:47-50; 18:14; Veprat 5:27, 28, 33) Po, shokët e Saulit mund të kenë ndikuar te zëri i tij i brendshëm, pra, ndërgjegjja.

13. Si mund të ndikojë te ndërgjegjja mjedisi që na rrethon?

13 Ndërgjegjja mund të ndikohet edhe nga kultura e përgjithshme ose mjedisi ku jetojmë, ashtu si mjedisi mund të bëjë që dikush të flasë me një theks ose me një dialekt të caktuar. (Mateu 26:73) Mund të ketë ndodhur kështu me asirianët e lashtë. Ata ishin të dhënë pas luftës dhe relievet e tyre të gdhendura i përshkruajnë ndërsa torturonin robërit. (Naumi 2:11, 12; 3:1) Për ninevitët e kohës së Jonait thuhet se ata nuk dinin ‘të dallonin as të djathtën nga e majta’. Ja pse nuk kishin një standard të drejtë për të gjykuar se çfarë ishte e drejtë ose e padrejtë sipas Perëndisë. Merreni me mend se si ai mjedis mund të ketë ndikuar në ndërgjegjen e dikujt që jetonte në Ninevi! (Jonai 3:4, 5; 4:11) Në mënyrë të ngjashme sot, qëndrimi i njerëzve që na rrethojnë mund të ndikojë te ndërgjegjja jonë.

Si ta përmirësojmë zërin e brendshëm?

14. Si pasqyron ndërgjegjja atë që thuhet te Zanafilla 1:27?

14 Jehovai i dha Adamit dhe Evës dhuratën e ndërgjegjes dhe ne e trashëguam ndërgjegjen prej tyre. Te Zanafilla 1:27 thuhet se njerëzit janë bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Kjo nuk do të thotë sipas formës fizike të Perëndisë, sepse ai është frymë dhe ne jemi prej mishi. Ne jemi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë në kuptimin që kemi brenda vetes cilësitë e tij, përfshirë edhe ndjenjën morale dhe një ndërgjegje që funksionon. Ky fakt na tregon se në ç’mënyrë mund ta forcojmë ndërgjegjen, duke e bërë atë më të besueshme: të mësojmë më shumë për Krijuesin dhe t’i afrohemi atij.

15. Cila është një mënyrë se si mund të nxjerrim dobi duke njohur Atin tonë?

15 Bibla tregon se në njëfarë kuptimi Jehovai është për ne një Atë. (Isaia 64:8) Të krishterët besnikë, pavarësisht nëse kanë shpresë qiellore ose shpresën për të jetuar në tokën parajsore, mund t’i drejtohen Perëndisë duke e quajtur Atë. (Mateu 6:9) Duhet të kemi dëshirën që t’i afrohemi gjithnjë e më shumë Atit tonë, dhe kështu të përvetësojmë pikëpamjet dhe normat e tij. (Jakovi 4:8) Shumë veta nuk interesohen fare për ta bërë këtë. Ata janë si judenjtë të cilëve Jezui u tha: «Ju nuk e keni dëgjuar asnjëherë zërin e tij dhe nuk e keni parë pamjen e tij. Fjala e tij nuk mbetet te ju.» (Gjoni 5:37, 38) Ne nuk e kemi dëgjuar zërin e mirëfilltë të Perëndisë, megjithatë duke lexuar Fjalën e tij mund të dimë si mendon ai, e si rrjedhim të bëhemi e të mendojmë si ai.

16. Çfarë ilustron tregimi për Jozefin se si ta stërvitim e ta dëgjojmë ndërgjegjen?

16 Këtë e zbulon tregimi për Jozefin në shtëpinë e Potifarit. Gruaja e Potifarit u përpoq ta joshte Jozefin. Megjithëse jetonte në një kohë kur nuk ishte shkruar ende asnjë libër i Biblës dhe nuk ishin dhënë ende Dhjetë Urdhërimet, Jozefi reagoi duke thënë: «Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër Perëndisë?» (Zanafilla 39:9) Ai nuk u përgjigj kështu thjesht për të kënaqur familjen, sepse ata jetonin shumë larg. Arsyeja kryesore ishte se ai donte të kënaqte Perëndinë. Jozefi e njihte normën e Perëndisë për martesën—një burrë për një grua dhe të dy do të ishin «një mish i vetëm». E ndoshta ai kishte dëgjuar se si u ndie Abimeleku kur mori vesh se Rebeka ishte e martuar, pra, se do të ishte e gabuar ta merrte Rebekën dhe në këtë mënyrë do të bënte me faj edhe popullin e tij. Jehovai e bekoi përfundimin e asaj ngjarjeje dhe tregoi gjithashtu pikëpamjen e tij për kurorëshkeljen. Njohuria që kishte Jozefi për këto ngjarje mund t’ia ketë forcuar edhe më shumë ndërgjegjen e tij të trashëguar, duke e nxitur atë që të mos kryente imoralitet.—Zanafilla 2:24; 12:17-19; 20:1-18; 26:7-14.

17. Pse ndërsa përpiqemi të jemi si Ati ynë, ne kemi rrethana më të favorshme se Jozefi?

17 Sigurisht që ne sot kemi rrethana më të favorshme. Kemi krejt Biblën nga e cila mund të mësojmë për mendimet dhe ndjenjat e Atit tonë, përfshirë edhe çfarë miraton dhe çfarë ndalon ai. Sa më shumë t’i njohim Shkrimet, aq më shumë mund t’i afrohemi Perëndisë e të jemi si ai. Ndërsa veprojmë kështu, nxitjet e ndërgjegjes sonë do t’u përafrohen shumë mendimeve të Atit tonë. Do të jenë gjithnjë e më shumë në harmoni me vullnetin e tij.—Efesianëve 5:1-5.

18. Pavarësisht nga ndikimet e së kaluarës, ç’mund të bëjmë për ta bërë më të besueshme ndërgjegjen?

18 Ç’të themi për ndikimin që ka mjedisi në ndërgjegjen tonë? Ndoshta jemi ndikuar nga mendimet dhe veprimet e të afërmve, si dhe nga mjedisi i përgjithshëm në të cilin jemi rritur. Për pasojë zëri i ndërgjegjes sonë mund të jetë mbytur ose shtrembëruar. Ai ndoshta flet me «theksin» e të tjerëve që na rrethojnë. Është e vërtetë se nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, megjithatë, mund të jemi të vendosur të zgjedhim shokët dhe mjedisin që do të ndikonte për mirë në ndërgjegjen tonë. Një hap i rëndësishëm që mund të bëjmë është të rrimë rregullisht me të krishterë të përkushtuar, të cilët prej një kohe të gjatë përpiqen të jenë si Ati ynë qiellor. Mundësi të shkëlqyera për ta bërë këtë janë mbledhjet e kongregacionit, përfshirë edhe shoqëria para dhe pas tyre. Mund të dallojmë mendimet e bazuara në Bibël të të bashkëkrishterëve dhe reagimet e tyre, përfshirë edhe gatishmërinë e tyre për ta dëgjuar ndërgjegjen e tyre që pasqyron pikëpamjen dhe normat e Jehovait. Me kalimin e kohës, kjo mund të na ndihmojë të përputhim ndërgjegjen tonë me parimet e Biblës, duke na bërë kështu më të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Perëndisë. Kur e përputhim zërin tonë të brendshëm me parimet e Atit tonë dhe lejojmë ndikimin e mirë të të bashkëkrishterëve, ndërgjegjja jonë do të jetë më e besueshme e ne do të jemi më të prirur ta dëgjojmë se ç’thotë ajo.—Isaia 30:21.

19. Cilave aspekte të tjera në lidhje me ndërgjegjen meritojnë t’u kushtojmë vëmendje?

19 Gjithsesi, disa bëjnë ditë për ditë shumë përpjekje që t’i përgjigjen zërit të ndërgjegjes. Në artikullin vijues do të shqyrtohen disa rrethana që kanë hasur të krishterët. Duke i shqyrtuar ato mund të shohim më qartë rolin e ndërgjegjes, pse ndërgjegjja mund të ndryshojë nga një njeri te tjetri dhe si mund t’i përgjigjemi gjithnjë e më shumë zërit të ndërgjegjes.—Hebrenjve 6:11, 12.

[Shënimi]

^ par. 5 Po kështu, Ouen Gingriçi, studiues dhe profesor i astronomisë në Universitetin e Harvardit, shkroi: «Ekzistenca e altruizmit mund të ngrejë një pyetje e cila nuk mund të gjejë . . . një përgjigje shkencore të nxjerrë nga vëzhgimi i botës shtazore. Mund të thuhet thjesht se përgjigjja më bindëse gjendet në një fushë tjetër dhe ka të bëjë me ato cilësi të njeriut që ia ka dhënë Perëndia, në të cilat përfshihet ndërgjegjja.»

Çfarë mësuat?

• Pse themi se në të gjitha kulturat është vënë re një ndjenjë e së drejtës dhe e së gabuarës ose një ndërgjegje?

• Pse duhet të tregojmë kujdes që të mos na drejtojë vetëm ndërgjegjja?

• Cilat janë disa mënyra se si mund të përmirësojmë zërin tonë të brendshëm?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 23]

Davidin e vriste ndërgjegjja . . . ,

por nuk ishte kështu me Saulin nga Tarsi

[Figura në faqen 24]

Mund ta stërvitim ndërgjegjen