Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe»

«Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe»

«Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe»

«Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Bëni gjëra të shkëlqyera sipas nevojës që kanë të gjithë njerëzit.»​—ROMAKËVE 12:17.

1. Cila sjellje është e zakonshme sot?

ZAKONISHT reagimi i parë i një fëmije kur e shtyn vëllai ose motra, është ta shtyjë edhe ai. Por, mjerisht, nuk e kanë vetëm fëmijët prirjen për t’ia kthyer tjetrit me të njëjtën monedhë. Edhe shumë të rritur veprojnë po njësoj. Kur dikush i fyen, duan të marrin hak. Sigurisht, shumica e të rriturve nuk ia kthejnë tjetrit duke e shtyrë fizikisht, por gjithsesi ia shpaguajnë në mënyra më tinëzare. Ndoshta përhapin thashetheme për atë që i ka fyer ose bëjnë ndonjë marifet që ai të mos ketë sukses. Cilado qoftë taktika, synimi mbetet i njëjtë: t’ia kthejnë me të njëjtën monedhë, të hakmerren.

2. (a) Pse të krishterët e vërtetë i rezistojnë dëshirës për të marrë hak? (b) Cilat pyetje dhe cilin kapitull të Biblës do të shqyrtojmë?

2 Edhe pse dëshira për të marrë hak është e rrënjosur thellë, të krishterët e vërtetë i rezistojnë prirjes për t’iu dorëzuar asaj. Ata përpiqen të ndjekin këshillën e apostullit Pavël: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe.» (Romakëve 12:17) Çfarë do të na motivojë që të jetojmë sipas kësaj norme të lartë? Kujt në veçanti nuk duhet t’ia kthejmë të keqen me të keqe? Ç’dobi do të kemi nëse i rezistojmë dëshirës për të marrë hak? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, le të studiojmë kontekstin e fjalëve të Pavlit e të shohim se si kapitulli i 12-të i letrës drejtuar romakëve tregon se rruga e drejtë, e dashur dhe modeste është të mos hakmerremi. Do t’i shqyrtojmë me radhë të tria aspektet.

«Prandaj, o vëllezër, ju përgjërohem»

3, 4. (a) Çfarë trajton Pavli duke filluar në kapitullin e 12-të të letrës drejtuar romakëve, e përse përdor fjalën «prandaj»? (b) Si duhej të ndikonte te të krishterët në Romë dhembshuria e Perëndisë?

3 Duke filluar në kapitullin e 12-të, Pavli shqyrton katër argumente të lidhura me njëra-tjetrën që prekin jetën e të krishterëve. Ai përshkruan marrëdhënien tonë me Jehovain, me bashkëbesimtarët, me jobesimtarët dhe me autoritetet qeveritare. Pavli tregon se ka një arsye themelore për t’u rezistuar prirjeve të gabuara, ku futet edhe dëshira për të marrë hak. Ai thotë: «Prandaj, o vëllezër, ju përgjërohem nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë.» (Romakëve 12:1) Të ndalemi një çast te fjala «prandaj», që do të thotë «duke pasur parasysh sa më sipër». Me fjalë të tjera, Pavli thotë: ‘Duke pasur parasysh sa ju shpjegova më sipër, ju përgjërohem të bëni atë që do t’ju them tani.’ Çfarë u kishte shpjeguar Pavli të krishterëve në Romë?

4 Në 11 kapitujt e parë të letrës së tij, Pavli foli rreth mundësisë së mrekullueshme që kishin judenjtë dhe jojudenjtë, për të sunduar bashkë me Krishtin në Mbretërinë e Perëndisë, një shpresë që kombi i Izraelit s’e kishte pranuar. (Romakëve 11:13-36) Ky privilegj i çmuar ishte bërë i mundur vetëm «nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë». Si duhej t’i përgjigjeshin të krishterët kësaj dashamirësie të madhe të pamerituar që kishte treguar Perëndia? Zemra duhej t’u mbushej me një çmueshmëri kaq të thellë, sa të ndiheshin të nxitur për të bërë ç’tha më tej Pavli: «T’i paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, që të bëni një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar.» (Romakëve 12:1) Po si mund t’ia paraqitnin veten të krishterët si «një flijim» Perëndisë?

5. (a) Si mund t’ia paraqitim veten si «një flijim» Perëndisë? (b) Cili parim duhet të ndikojë në sjelljen e të krishterëve?

5 Pavli vazhdon shpjegimin: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote, por shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj, që të vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Ata nuk duhej ta lejonin frymën e botës t’u modelonte mënyrën e të menduarit, por duhej ta përtërinin mendjen duke përvetësuar mënyrën e të menduarit të Krishtit. (1 Korintasve 2:16; Filipianëve 2:5) Ky parim duhet të ndikojë në sjelljen e përditshme të të gjithë të krishterëve të vërtetë, duke na përfshirë edhe neve sot.

6. Çfarë na nxit që të mos hakmerremi, duke u bazuar në arsyetimin e Pavlit te Romakëve 12:1, 2?

6 Si na ndihmon arsyetimi që bëri Pavli te Romakëve 12:1, 2? Ashtu si të krishterët në Romë që ishin të mirosur nga fryma, edhe ne jemi thellësisht mirënjohës për shprehjet e shumta e të vazhdueshme të dhembshurisë që Perëndia ka treguar e vazhdon të tregojë ndaj nesh çdo ditë të jetës sonë. Prandaj, zemra jonë e mbushur me mirënjohje na nxit t’i shërbejmë Perëndisë me gjithë forcën tonë, mundësitë dhe aftësitë tona. Kjo dëshirë e thellë na nxit edhe të bëjmë çmos që të mendojmë si Krishti, dhe jo si bota. Kur kemi mendjen e Krishtit, e pasqyrojmë në mënyrën si i trajtojmë të tjerët, qoftë bashkëbesimtarët, qoftë jobesimtarët. (Galatasve 5:25) Për shembull, nëse mendojmë si Krishti, do të ndiejmë se duhet t’i rezistojmë dëshirës për të marrë hak.​—1 Pjetrit 2:21-23.

«Dashuria juaj të jetë pa hipokrizi»

7. Cila lloj dashurie shqyrtohet në kapitullin e 12-të të letrës drejtuar romakëve?

7 Nuk ia kthejmë askujt të keqen me të keqe jo vetëm sepse kjo është e drejtë, por edhe sepse është e dashur. Shikoni se si e shqyrton më tej apostulli Pavël dashurinë si motiv nxitës. Në letrën drejtuar romakëve, Pavli përdor disa herë fjalën «dashuri»» (agápe në greqisht) kur flet për dashurinë e Perëndisë dhe të Krishtit. (Romakëve 5:5, 8; 8:35, 39) Por në kapitullin e 12-të, Pavli e përdor fjalën agápe në një mënyrë tjetër, teksa flet për dashurinë që u tregojmë njerëzve në përgjithësi. Pasi thotë se dhuratat frymore ndryshojnë nga njëra-tjetra dhe se i kanë vetëm disa besimtarë, Pavli përmend një cilësi që duhet ta zhvillojnë të gjithë të krishterët. Ai thotë: «Dashuria juaj të jetë pa hipokrizi.» (Romakëve 12:4-9) Dashuria që tregojmë për të tjerët është tipari kryesor i të krishterëve të vërtetë. (Marku 12:28-31) Pavli na bën thirrje që të sigurohemi se dashuria që tregojmë si të krishterë është e sinqertë.

8. Si mund të tregojmë dashuri pa hipokrizi?

8 Pastaj Pavli shpjegon se si e tregojmë dashurinë pa hipokrizi: «Urreni thellësisht atë që është e ligë, kapuni fort pas asaj që është e mirë.» (Romakëve 12:9) Shprehjet «urreni thellësisht» dhe «kapuni fort» janë të fuqishme. Nuk duhet të urrejmë vetëm pasojat e ligësisë, por edhe vetë të ligën. (Psalmi 97:10) Shprehja «kapuni fort» është përkthyer nga një folje greke që fjalë për fjalë do të thotë «të ngjitësh» me ngjitës. Një i krishterë që ka dashuri të sinqertë ngjitet kaq fort pas mirësisë, sa ajo bëhet pjesë e pandashme e personalitetit të tij.

9. Cilën këshillë jep herë pas here Pavli?

9 Ka një shprehje të veçantë të dashurisë që Pavli e përmend herë pas here. Ai thotë: «Vazhdoni të bekoni ata që ju përndjekin; të bekoni e të mos mallkoni.» «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe.» «Mos u hakmerrni për veten, o të dashur.» «Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.» (Romakëve 12:14, 17-19, 21) Këto fjalë të Pavlit s’lënë vend për dyshim se si duhet t’i trajtojmë jobesimtarët, qoftë edhe ata që na kundërshtojnë.

«Vazhdoni të bekoni ata që ju përndjekin»

10. Si mund t’i bekojmë ata që na përndjekin?

10 Si ta zbatojmë nxitjen që jep Pavli: «Vazhdoni të bekoni ata që ju përndjekin.» (Romakëve 12:14) Jezui u tha ithtarëve të tij: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» (Mateu 5:44; Luka 6:27, 28) Pra, një mënyrë se si i bekojmë ata që na përndjekin është duke u lutur për ta, duke i kërkuar Jehovait që, nëse ndonjëri prej tyre po na kundërshton nga padija, Ai t’ia hapë sytë që të kuptojë të vërtetën. (2 Korintasve 4:4) Kuptohet që mund të duket e çuditshme t’i kërkosh Perëndisë që të bekojë një përndjekës. Por, sa më shumë që mendja jonë t’i ngjajë mendjes së Krishtit, aq më shumë do të kemi mundësi t’u tregojmë dashuri armiqve tanë. (Luka 23:34) Ç’mund të vijë si rezultat kur tregojmë një dashuri të tillë?

11. (a) Ç’mësojmë nga shembulli i Stefanit? (b) Çfarë ndryshimi mund të ndodhë te disa përndjekës, siç e ilustron jeta e Pavlit?

11 Stefani u lut për përndjekësit e tij, dhe lutja e tij nuk shkoi kot. Jo shumë kohë pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kundërshtarët e kongregacionit të krishterë e arrestuan Stefanin, e tërhoqën zvarrë jashtë Jerusalemit dhe e vranë me gurë. Para se të vdiste, ai thirri me zë të fortë: «O Jehova, mos ua ngarko atyre këtë mëkat.» (Veprat 7:58–8:1) Një nga ata për të cilët u lut Stefani atë ditë, ishte Sauli, i cili e pa me sytë e tij dhe e miratoi vrasjen e Stefanit. Më vonë, Saulit iu shfaq Jezui i ringjallur. Ai ish-përndjekës u bë ithtar i Krishtit dhe u njoh si apostulli Pavël, shkrimtari i letrës drejtuar romakëve. (Veprat 26:12-18) Në përputhje me lutjen e Stefanit, me sa duket Jehovai ia fali Pavlit mëkatin e përndjekjes së të krishterëve. (1 Timoteut 1:12-16) Nuk habitemi që Pavli u bëri thirrje të krishterëve: «Vazhdoni të bekoni ata që ju përndjekin.» Ai e dinte nga përvoja e vet se disa përndjekës me kalimin e kohës mund të bëhen shërbëtorë të Perëndisë. Edhe në ditët tona disa përndjekës janë bërë besimtarë, falë sjelljes paqësore të shërbëtorëve të Jehovait.

«Jini paqësorë me të gjithë»

12. Si lidhen me njëra-tjetrën këshillat që gjejmë te Romakëve 12:9, 17?

12 Ja ç’na këshillon më tej Pavli se si t’i trajtojmë besimtarët dhe jobesimtarët: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe.» Kjo këshillë është përfundimi logjik i asaj që tha më parë, domethënë: «Urreni thellësisht atë që është e ligë.» Dhe vërtet, si mund të thotë dikush se e urren thellësisht të ligën, nëse do ta përdorte si mjet për t’i shpaguar të tjerët? Kjo do të ishte e kundërta e dashurisë «pa hipokrizi». Më tej Pavli thotë, siç lexojmë në përkthimin Diodati i Ri: «Bëni të mirën përpara gjithë njerëzve.» (Romakëve 12:9, 17) Si t’i zbatojmë këto fjalë?

13. Si duhet të sillemi «përpara gjithë njerëzve»?

13 Më parë, në letrën që u kishte drejtuar korintasve, Pavli shkroi për përndjekjen që hasnin apostujt. Ai tha: «Jemi bërë teatër për botën, për engjëjt dhe për njerëzit. . . . Kur na shajnë, bekojmë; kur na përndjekin, durojmë; kur na përgojojnë, përgjërohemi.» (1 Korintasve 4:9-13) Po ashtu edhe sot, të krishterët e vërtetë vëzhgohen nga njerëzit e kësaj bote. Kur ata që na rrethojnë vënë re gjërat e mira që bëjmë, edhe pse na trajtojnë padrejtësisht, mund të priren ta shohin më pozitivisht mesazhin tonë të krishterë.​—1 Pjetrit 2:12.

14. Deri ku duhet të shkojmë për të bërë paqe me të tjerët?

14 Por deri ku duhet të shkojmë për të nxitur paqen? Duhet të bëjmë sa më shumë që të mundemi. Pavli u thotë vëllezërve të tij të krishterë: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.» (Romakëve 12:18) «Nëse është e mundur» dhe «aq sa varet nga ju» janë shprehje cilësuese dhe tregojnë se jo gjithmonë është e mundur të bëjmë paqe me të tjerët. Për shembull, ne nuk e shkelim një urdhër të Perëndisë vetëm për të ruajtur paqen me njerëzit. (Mateu 10:34-36; Hebrenjve 12:14) Gjithsesi, bëjmë gjithçka mundemi në mënyrë të arsyeshme​—pa shkelur parimet e drejta​—për të bërë paqe «me të gjithë».

«Mos u hakmerrni»

15. Ç’arsye për të mos u hakmarrë na jep Romakëve 12:19?

15 Pavli jep një arsye tjetër të fortë pse nuk duhet të hakmerremi: kjo tregon modesti. Ai thotë: «Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai.”» (Romakëve 12:19) I krishteri që përpiqet të marrë hak, me arrogancë i jep vetes liri të tepruar. Ai merr përsipër një rol që i takon vetëm Perëndisë. (Mateu 7:1) Për më tepër, duke i marrë vetë në dorë çështjet, tregon mungesë besimi te siguria që jep Jehovai kur thotë: «Unë do të shpaguaj.» Ndryshe nga kjo, të krishterët e vërtetë kanë besim se Jehovai ‘do t’u japë të drejtën të zgjedhurve të vet’. (Luka 18:7, 8; 2 Selanikasve 1:6-8) Me modesti, ata ia lënë në dorë Perëndisë hakmarrjen për të keqen që u është bërë.​—Jeremia 30:23, 24; Romakëve 1:18.

16, 17. (a) Ç’do të thotë «të grumbullosh thëngjij të ndezur» mbi kokën e dikujt? (b) A keni parë ju vetë ndonjë rast kur dashamirësia i ka zbutur zemrën një jobesimtari? Nëse po, jepni një shembull.

16 Po të hakmerremi ndaj një armiku, ka të ngjarë që atij t’i ngurtësohet zemra, kurse po ta trajtojmë me dashamirësi, zemra e tij mund të zbutet. Përse? Shikoni çfarë u tha Pavli të krishterëve në Romë: «Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi diçka për të pirë, sepse po të bësh kështu, do të grumbullosh thëngjij të ndezur mbi kokën e tij.» (Romakëve 12:20; Proverbat 25:21, 22) Ç’do të thotë kjo?

17 «Të grumbullosh thëngjij të ndezur mbi kokën» e dikujt është një figurë letrare e nxjerrë nga metoda e shkrirjes së metaleve në kohët biblike. Xeherori vihej në një furrë shkrirjeje dhe vendosej një shtresë qymyri jo vetëm poshtë tij, por edhe sipër. Thëngjijtë e ndezur që ishin sipër, e shtonin nxehtësinë, kështu që metali i ngurtë shkrihej dhe ndahej nga papastërtitë që ishin në xeheror. Po ashtu, duke bërë vepra të mira për një kundërshtar, mund ta ‘shkrijmë’ zemrën e tij të ngurtë e të nxjerrim cilësitë e mira që ka. (2 Mbretërve 6:14-23) Në fakt, shumë pjesëtarë të kongregacionit të krishterë fillimisht u tërhoqën drejt adhurimit të vërtetë për shkak të veprave të mira që kishin bërë për ta shërbëtorët e Jehovait.

Pse nuk hakmerremi?

18. Pse është e drejtë, e dashur dhe modeste të mos hakmerremi?

18 Në këtë shqyrtim të shkurtër të kapitullit të 12-të të letrës drejtuar romakëve, kemi parë disa arsye të rëndësishme pse ‘nuk ia kthejmë askujt të keqen me të keqe’. Në radhë të parë, e përmbajmë veten për të mos u hakmarrë sepse kjo është e drejtë. Meqë Jehovai na ka treguar dhembshuri, është e drejtë dhe e arsyeshme që ta lëmë veten në dorë të tij dhe t’u bindemi me gatishmëri urdhërimeve që na jep, ndër të cilët është edhe urdhri për të dashur armiqtë tanë. Së dyti, nuk pranojmë ta kthejmë të keqen me të keqe sepse kështu tregojmë dashuri. Duke mos u hakmarrë e duke nxitur paqen, shpresojmë me dashuri që të mund të ndihmojmë edhe disa kundërshtarë të ashpër të bëhen adhurues të Jehovait. Së treti, nuk e kthejmë të keqen me të keqe sepse kështu tregohemi modestë. Hakmarrja do të tregonte se jemi arrogantë dhe po i japim liri të tepruar vetes, pasi Jehovai thotë: «Hakmarrja më përket mua.» Gjithashtu, Fjala e Perëndisë paralajmëron: «Kur vjen arroganca, vjen edhe çnderimi; por mençuria është me modestët.» (Proverbat 11:2; shih edhe shënimin.) Tregohemi modestë kur me mençuri ia lëmë në dorë Perëndisë të hakmerret për një të keqe që na kanë bërë.

19. Ç’do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

19 Pavli e përmbledh arsyetimin e tij se si duhet t’i trajtojmë të tjerët duke i bërë thirrje çdo të krishteri: «Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.» (Romakëve 12:21) Me cilat forca të këqija përballemi sot? Si t’i mundim ato? Përgjigjet për këto pyetje dhe për pyetje të tjera që lidhen me to, do të shqyrtohen në artikullin vijues.

A mund të shpjegoni?

• Cilën këshillë lexojmë herë pas here në kapitullin e 12-të të Romakëve?

• Ç’do të na motivojë që të mos hakmerremi?

• Ç’dobi do të kemi ne dhe të tjerët, nëse ‘nuk e kthejmë të keqen me të keqe’?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 22]

Kapitulli i 12-të i Romakëve përshkruan marrëdhëniet e të krishterëve me:

• Jehovain

• bashkëbesimtarët

• jobesimtarët

[Figura në faqen 23]

Letra e Pavlit drejtuar romakëve është plot me këshilla praktike për të krishterët

[Figura në faqen 25]

Ç’mësojmë nga shembulli që la dishepulli Stefan?