Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Këshilla të besueshme për rritjen e fëmijëve

Këshilla të besueshme për rritjen e fëmijëve

Këshilla të besueshme për rritjen e fëmijëve

«ISHA 19 vjeçe, jetoja larg familjes sime dhe isha krejt e papërgatitur»,​—thotë Rutha ndërsa kujton shtatzëninë e saj të parë. Ajo kishte qenë fëmijë i vetëm dhe nuk e kishte menduar shumë që një ditë do të bëhej prind. Ku mund të gjente këshilla të besueshme?

Kurse Jani, që tani i ka të dy fëmijët të rritur, kujton: «Në fillim, isha shumë i sigurt në vetvete. Po nuk m’u desh shumë që të kuptoja se s’kisha njohuri praktike.» Ku mund të gjejnë ndihmë prindërit për të rritur fëmijët, edhe nëse ndihen të papërgatitur që në fillim apo në njëfarë pike fillojnë të dyshojnë për metodën e tyre se si t’i rritin fëmijët?

Sot, gjithnjë e më shumë veta po kërkojnë këshilla në Internet. Por ndoshta ju pyesni veten sa të besueshme mund të jenë këshillat që gjenden aty. Ka arsye të forta për të qenë të kujdesshëm. A e dini vërtet se kush po ua jep këshillat në Internet? Sa sukses kanë pasur ata me fëmijët e tyre? Pa dyshim, ju doni të tregoheni të matur kur bëhet fjalë për familjen tuaj, apo jo? Siç u tha në artikullin e mëparshëm, nganjëherë edhe këshillat e specialistëve të zhgënjejnë. Atëherë, ku mund të drejtoheni?

Burimi kryesor i këshillave për rritjen e fëmijëve është Perëndia Jehova, Nismëtari i familjes. (Efesianëve 3:15) Ai është i vetmi specialist i vërtetë. Në Fjalën e tij, në Bibël, ai siguron udhëzime të besueshme dhe praktike, që funksionojnë vërtet. (Psalmi 32:8; Isaia 48:17, 18) Por, detyra për t’i zbatuar na mbetet neve.

Pyetëm disa çifte që të na tregonin se çfarë kishin mësuar ndërsa rritnin fëmijët e tyre, të cilët tani janë të rritur të ekuilibruar dhe me frikë Perëndie. Ata thanë se kryesisht suksesin e arritën falë zbatimit të parimeve të Biblës. E provuan vetë se këshillat e Biblës janë po aq të besueshme sot, sa edhe në kohën kur u shkrua Bibla.

Kaloni kohë me fëmijët

Kur pyetëm Katrinën, nënë e dy fëmijëve, se cila këshillë e kishte ndihmuar më shumë, menjëherë përmendi Ligjin e përtërirë 6:7. Ky varg thotë: «Ngulitua [parimet biblike] bijve të tu dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.» Katrina e kuptoi se, për të ndjekur këtë këshillë, duhej të kalonte kohë me fëmijët e saj.

‘Kjo është më e lehtë të thuhet se të bëhet’,​—mund të mendoni ju. Ku ta gjejnë kohën për fëmijët prindërit e zënë deri në grykë, në një kohë kur shumë familje kanë nevojë për dy paga që t’ia dalin deri në fund të muajit? Torlifi, djali i të cilit tani është vetë baba, thotë se çelësi është ndjekja e këshillës që gjendet në Ligjin e përtërirë. Merrini me vete fëmijët kudo që shkoni dhe do ta shikoni se rastet për të folur do të vijnë natyrshëm. «Punoja bashkë me djalin për të bërë ndonjë riparim në shtëpi,​—tregon Torlifi.—​Bënim udhëtime si familje. Edhe për të ngrënë uleshim gjithnjë bashkë si familje.» Kështu, siç thotë ai, «djali ynë ndihej gjithnjë i lirë për t’u shprehur».

Po sikur komunikimi të ndërpritet dhe bisedat të bëhen të vështira? Kjo ndodh nganjëherë, ndërsa fëmijët rriten. Edhe këtu, ajo që mund të na ndihmojë është të kalojmë më shumë kohë me ta. Të shoqit të Katrinës, Kenit, i kujtohet që, kur vajza e tyre hyri në adoleshencë, filloi të ankohej se ai nuk e merrte seriozisht kur ajo i fliste. Kjo ankesë është e zakonshme tek adoleshentët. Ç’mund të bënte? Keni kujton: «Vendosa të kaloja më shumë kohë vetëm për vetëm me të, duke folur për mendimet, ndjenjat dhe zhgënjimet e saj. Kjo ndihmoi vërtet.» (Proverbat 20:5) Por Keni beson se arsyeja pse kjo gjë funksionoi, është se ata gjithnjë komunikonin si familje. «Kam pasur gjithnjë një marrëdhënie të mirë me time bijë,​—thotë ai,—​prandaj ajo ndihej e lirë për të folur me mua.»

Është interesante se, sipas një studimi të kohëve të fundit, adoleshentët ankohen tri herë më shumë se prindërit e tyre, duke thënë se prindërit dhe fëmijët nuk kalojnë mjaft kohë së bashku. Pra, përse të mos ndiqni këshillën e Biblës? Kaloni sa më shumë kohë të mundeni me fëmijët tuaj: kur pushoni, kur punoni, në shtëpi, kur udhëtoni, në mëngjes kur ngriheni nga gjumi dhe në darkë, para se të flini. Po të jetë e mundur, merrini me vete kudo që të shkoni. Siç tregon Ligji i përtërirë 6:7, nuk ka gjë tjetër më të mirë sesa të kaloni kohë me fëmijët tuaj.

Mësojuni vlera të drejta

Mario, baba i dy fëmijëve, po ashtu thotë: «Jepuni shumë dashuri fëmijëve dhe lexojuni atyre materiale të ndryshme.» Por, nuk bëhet fjalë vetëm për të nxitur aftësitë mendore të fëmijëve. Duhet t’u mësoni të dallojnë të drejtën nga e gabuara. Mario shton: «Bëni një studim biblik me ta.»

Për këtë qëllim, Bibla i këshillon prindërit: «Mos i acaroni fëmijët tuaj, por rritini me butësi, duke u dhënë stërvitje dhe këshilla të vërteta të krishtere.» (Efesianëve 6:4, Weymouth) Sot, në shumë familje, nuk vihet më theksi te mësimi i vlerave morale. Disa besojnë se kur rriten ca, fëmijët janë në gjendje të vendosin vetë se cilat vlera të pranojnë. A ju duket e arsyeshme kjo? Ashtu si një trup i ri ka nevojë të ushqehet siç duhet për t’u bërë i fortë dhe i shëndetshëm, po ashtu një mendje dhe një zemër e re kanë nevojë për udhëzime. Po të mos i mësojnë vlerat morale nga ju në shtëpi, me siguri fëmijët do të përvetësojnë pikëpamjet e shokëve të shkollës dhe të mësuesve ose ato të mjeteve të informacionit.

Bibla mund t’i ndihmojë prindërit që t’i mësojnë fëmijët si të dallojnë të drejtën nga e gabuara. (2 Timoteut 3:16, 17) Xhefi, një plak i krishterë me përvojë, i cili ka rritur dy fëmijë, u rekomandon prindërve të përdorin Biblën për t’u mësuar fëmijëve vlerat e drejta. Ai thotë: «Kur përdorni Biblën, fëmijët kuptojnë se si mendon Krijuesi për një çështje të caktuar, jo vetëm si mendojnë mami dhe babi. Kemi vënë re se Bibla ka ndikim të pakrahasueshëm në mendje e në zemër. Për të ndrequr sjelljet ose mendimet e gabuara, përpiqeshim të gjenim ndonjë shkrim të përshtatshëm. Pastaj e merrnim veç fëmijën dhe i thoshim të lexonte shkrimin. Shpesh, reagimi ishte një pikë loti ose edhe të qara me ngashërim. Kjo na mahniste, sepse Bibla ndikonte shumë më tepër se çdo gjë që kishim menduar të thoshim ose të bënim ne.»

Te Hebrenjve 4:12 shpjegohet: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi. . . . Është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» Pra, mesazhi i Biblës nuk përmban thjesht pikëpamjet personale ose përvojat e njerëzve të cilët Perëndia i përdori për ta shkruar atë. Jo, aty janë mendimet e Perëndisë për çështjet morale. Kjo i dallon këshillat e saj nga gjithë këshillat e tjera. Duke përdorur Biblën për të mësuar fëmijët, po i ndihmoni të mendojnë si Perëndia për gjërat. Kështu, stërvitja që jepni ka më shumë peshë dhe ju keni më shumë mundësi t’i prekni zemrën fëmijës.

Katrina, e përmendur më sipër, është dakord me këtë. Ajo thotë: «Sa më e vështirë të ishte gjendja, aq më tepër kërkonim drejtim në Fjalën e Perëndisë, dhe kjo ishte një metodë e suksesshme!» A mund ta përdorni edhe më tepër Biblën për t’u mësuar fëmijëve tuaj si të dallojnë të drejtën nga e gabuara?

Jini të arsyeshëm

Apostulli Pavël tregon një parim tjetër të rëndësishëm që ndihmon në rritjen e fëmijëve. Ai i nxiti të krishterët: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit.» (Filipianëve 4:5) Sigurisht, kjo përfshin që arsyetueshmërinë tonë ta shohin edhe fëmijët tanë. Mos harroni edhe që arsyetueshmëria është shenjë e ‘mençurisë nga lart’.​—Jakovi 3:17.

Po si lidhet arsyetueshmëria me stërvitjen e fëmijëve? Ndërkohë që u japim gjithë ndihmën që mundemi, ne nuk u kontrollojmë çdo veprim. Për shembull, Mario që përmendëm më sipër, është Dëshmitar i Jehovait dhe kujton: «Gjithnjë i nxitnim fëmijët të pagëzoheshin, të shërbenin në kohë të plotë dhe të kishin synime të tjera që lidhen me shërbimin e Perëndisë. Megjithatë, u thoshim qartë se kjo ishte zgjedhja e tyre, që duhej ta bënin kur të vinte koha.» Rezultati? Fëmijët e tij tani shërbejnë që të dy si ungjillëzues në kohë të plotë.

Te Kolosianëve 3:21, Bibla i paralajmëron etërit: «Mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» Katrinës i pëlqen ky varg. Kur prindit i soset durimi, është e lehtë që ai të zemërohet ose të bëhet tepër kërkues. Por, thotë ajo, «mos kërkoni nga fëmijët tuaj aq sa pritni nga vetja». Edhe Katrina është Dëshmitare e Jehovait dhe thotë: «Bëjuani të pëlqyeshëm shërbimin ndaj Jehovait.»

Xhefi, i përmendur më parë, nisur nga përvoja e tij thotë: «Kur filluan të na rriteshin fëmijët, një mik na tha se ai kishte kuptuar se sa shpesh i duhej t’u thoshte jo kërkesave të fëmijëve të tij. Por kjo i mërziste dhe ndiheshin të rënduar. Për të shmangur këtë, na këshilloi të kërkonim mënyra për të thënë po.

Kjo ishte vërtet këshillë e mirë,​—vazhdon Xhefi.—​Që nga ajo kohë, kërkonim mundësi që fëmijët tanë të rrinin me të tjerë, në rrethana që ne i miratonim. Kështu, shkonim tek ata dhe u thoshim: ‘E di që filani po organizon këtë ose atë? Pse s’shkon edhe ti?’ Ose, në qoftë se fëmijët na kërkonin t’i çonim diku, e detyronim veten të shkonim, edhe sikur të ishim të lodhur. Këtë e bënim vetëm që të mos u thoshim jo.» Ky është vetë thelbi i arsyetueshmërisë: të jesh i paanshëm, të mendosh për të tjerët dhe të lëshosh pe, pa bërë kompromis me parimet e Biblës.

Përfitoni nga këshilla të besueshme

Shumica e këtyre çifteve tani janë gjyshër. Ata kënaqen kur shohin që të njëjtat parime biblike i ndihmojnë fëmijët e tyre të kenë sukses si prindër. A mund të përfitoni edhe ju nga këshillat e Biblës?

Kur u bë prind, Rutha, e përmendur më sipër, dhe i shoqi, nganjëherë ndiheshin të vetmuar. Por nuk ishin vetëm. Kishin këshillat e shkëlqyera të Fjalës së Perëndisë, Biblës. Dëshmitarët e Jehovait kanë botuar shumë libra të shkëlqyer për studimin e Biblës, që mund t’i ndihmojnë prindërit. Ndër to janë: Të mësojmë nga Mësuesi i Madh, Libri im i tregimeve biblike, Të rinjtë pyesin​—Përgjigje praktike dhe Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Torlifi, i shoqi i Ruthës, thotë: «Sot prindërit mund të gjejnë fare lehtë një bollëk me këshilla të bazuara në Bibël. Nëse përfitojnë prej tyre, ato mund t’i ndihmojnë që të përballojnë problemet në çdo fushë të jetës ndërsa fëmijët rriten.»

[Kutia dhe figura në faqen 5]

Çfarë thonë SPECIALISTËT . . . Çfarë thotë BIBLA

Lidhur me shfaqjen e përzemërsisë:

Në librin Kujdesi psikologjik për foshnjën dhe fëmijën (1928, anglisht), dr. Xhon Brodas Uatson i nxiste prindërit: «Kurrë mos i përqafoni e mos i puthni [fëmijët tuaj], asnjëherë mos i lini t’ju ulen në prehër.» Por, kohët e fundit, dr. Vera Lejni dhe dr. Dorothi Molino thanë për revistën Fëmijët tanë (mars 1999, anglisht): «Studimet tregojnë se fëmijët e vegjël të cilëve u mohohen prekjet fizike dhe shfaqja e përzemërsisë, shpesh nuk zhvillohen normalisht.»

Krejt ndryshe, tek Isaia 66:12 lexojmë që Perëndia i tregon dashuri popullit të tij me shprehje të përzemërsisë prindërore. Po kështu, kur dishepujt u përpoqën t’i ndalnin njerëzit që donin t’ia sillnin fëmijët Jezuit, ai i qortoi, duke u thënë: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos u mundoni t’i ndalni.» Pastaj, «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte».​—Marku 10:14, 16.

Lidhur me mësimin e vlerave të drejta:

Në një artikull të vitit 1969, në New York Times Magazine, dr. Bruno Betëlhajmi theksonte se fëmija ka «të drejtë të krijojë idetë e veta të brendshme, i ndikuar jo nga [predikimi] autoritar i [prindërve të tij], por vetëm falë përvojave që do të ketë vetë në jetë». Por, gati 30 vjet më vonë, dr. Robert Kolsi, autor i librit Intelekti moral i fëmijëve (1997, anglisht), pranonte: «Fëmijët kanë shumë nevojë të kenë një ndjenjë qëllimi dhe drejtimi në jetë, kanë nevojë për vlera morale» të miratuara nga prindërit e tyre dhe nga të rritur të tjerë.

Te Proverbat 22:6, prindërit nxiten: «Stërvite djalin në udhën e drejtë. Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.» Fjala hebraike e përkthyer ‘stërvit’ do të thotë edhe «nis», dhe këtu tregon nisjen e mësimit të parë te foshnja. Kështu, prindërit nxiten që të nisin t’ua mësojnë fëmijëve vlerat e drejta që nga foshnjëria. (2 Timoteut 3:14, 15) Ajo që do të mësojnë gjatë viteve të formimit, me siguri do t’u mbetet në mendje e në zemër.

Lidhur me disiplinën:

Dr. Xhejms Dobsoni shkruante në librin Fëmija kokëfortë (1978, anglisht): «Ndëshkimi trupor nga një prind i dashur është një mjet mësimi me anë të të cilit ndalet sjellja e dëmshme.» Në anën tjetër, në një artikull të përshtatur nga botimi i shtatë i librit të famshëm Kujdesi për foshnjën dhe fëmijën (1998, anglisht), dr. Benxhamin Spoku thoshte: «Shuplakat i mësojnë fëmijës se ai që është më i madh e më i fortë ka pushtetin për të bërë si të dojë, ka apo s’ka të drejtë.»

Në lidhje me disiplinën Bibla thotë: «Shufra dhe qortimi japin mençuri.» (Proverbat 29:15) Por jo të gjithë fëmijët kanë nevojë për ndëshkim fizik. Te Proverbat 17:10 na thuhet: «Më thellë vepron një qortim te njeriu me kuptueshmëri, se njëqind goditje te budallai.»

[Figura]

Përdorni Biblën për t’u prekur zemrën fëmijëve

[Figura në faqen 7]

Prindërit e mençur organizojnë raste zbavitjeje për fëmijët e tyre