Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shkëlqimi dhe rënia e «specialistëve»

Shkëlqimi dhe rënia e «specialistëve»

Shkëlqimi dhe rënia e «specialistëve»

NË SHUMË gjuhë, mjafton të kërkosh në Internet fjalët «prind» dhe «këshilla», dhe menjëherë të dalin me miliona referime. Sikur edhe një minutë t’i kushtoje secilit referim për ta gjetur e për ta lexuar, fëmija yt ndërkohë do të ishte rritur e do të kishte shkuar të jetonte më vete, para se ti të mbaroje kërkimin.

Po ku drejtoheshin për këshilla prindërit, para epokës së mjekëve pediatër, të psikologëve të fëmijëve dhe të Internetit? Zakonisht në rrethin familjar. Nënat, baballarët, tezet e dajat ishin gati dhe kishin përvojë për të dhënë drejtim, ndihmë financiare e për t’u mbajtur fëmijët. Por, në shumë vende, lëvizja masive e popullsisë nga fshatrat në qytete, i ka prerë pothuajse fare këto lidhje të ngushta familjare. Sot, shumë shpesh, nënat dhe baballarët përballen të vetëm me sfidat e rritjes së fëmijëve.

Pa dyshim, kjo është një arsye pse industria e sotme e institucioneve të kujdesit për fëmijët është rritur kaq shpejt. Një arsye tjetër është besimi te shkenca që është përhapur shumë. Aty nga fundi i viteve 1800, publiku amerikan tashmë po bindej se shkenca mund të sillte përmirësime në çdo fushë të jetës. E pse jo edhe në rritjen e fëmijëve? Prandaj, kur në vitin 1899 Kongresi Kombëtar Amerikan i Nënave u ankua publikisht për «paaftësinë e prindërve», menjëherë doli në skenë një sërë «specialistësh shkencorë». Ata premtuan se do t’i ndihmonin nënat dhe baballarët në vështirësi që të gjenin mënyrën e duhur për të rritur fëmijët.

Të rritësh fëmijë me libër

Por, çfarë kanë arritur këta specialistë? A janë prindërit e sotëm më pak në ankth dhe më të përgatitur për t’i rritur fëmijët, sesa prindërit në të kaluarën? Jo, sipas një ankete të bërë kohët e fundit në Britani. Nga kjo anketë doli që rreth 35 për qind e prindërve me fëmijë të vegjël ende janë në kërkim të këshillave të besueshme. Të tjerë mendojnë se s’kanë rrugë tjetër veçse të ndjekin instinktin.

Në librin e saj, Të rritësh fëmijë në Amerikë: Specialistët, prindërit dhe një shekull me këshilla për fëmijët (anglisht), Ana Hulberti shqyrton se si lindi literatura profesionale që flet për rritjen e fëmijëve. Hulberti, që është vetë nënë me dy fëmijë, thekson se shumë pak nga zbulimet e specialistëve ishin bazuar në shkencën e provuar. Duket se, në shumicën e rasteve, këshillat e tyre janë ndikuar më tepër nga përvoja që kanë pasur vetë në jetë, jo nga faktet. Tani që shqyrtojmë këto gjëra, duket se një pjesë e mirë e asaj që shkruanin ishte ekstravagante, kontradiktore e nganjëherë edhe krejt e çuditshme.

Atëherë, në ç’situatë gjenden prindërit e sotëm? Të themi të drejtën, shumë ndihen të pështjelluar, pasi ballafaqohen më shumë se kurrë më parë me këshilla, ide dhe polemika. Por, jo të gjithë prindërit mendojnë se janë pa asnjë drejtim. Në mbarë botën ka prindër që po nxjerrin dobi nga një burim i lashtë mençurie, i cili ende jep prova se është një burim këshillash të besueshme, siç do ta tregojë edhe artikulli vijues.