Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ndiheni të shtyrë për të vepruar, siç ndihej Jezui?

A ndiheni të shtyrë për të vepruar, siç ndihej Jezui?

A ndiheni të shtyrë për të vepruar, siç ndihej Jezui?

«Ai pa një turmë të madhe, por u ndie i shtyrë nga mëshira për ta, sepse ishin si dele pa bari. Dhe ai filloi t’u mësonte atyre.»​—MARKU 6:34, BR.

1. Përse është e kuptueshme që njerëzit të shfaqin cilësi të admirueshme?

GJATË historisë shumë njerëz kanë shfaqur cilësi të admirueshme. Ne mund ta kuptojmë përse. Perëndia Jehova zotëron dhe shfaq dashuri, dashamirësi, bujari dhe cilësi të tjera, të cilat ne i vlerësojmë shumë. Njerëzit u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Prandaj, e kuptojmë përse shumë veta shfaqin një masë dashurie, dashamirësie, dhembshurie dhe cilësi të tjera hyjnore, ashtu si shumë veta tregojnë se kanë ndërgjegje. (Zanafilla 1:26; Romakëve 2:14, 15) Gjithsesi, mund të shohim se disa i shfaqin këto cilësi më shpejt se të tjerët.

2. Cilat janë disa vepra të mira që mund të bëjnë njerëzit, ndoshta duke menduar se po imitojnë Krishtin?

2 Ndoshta njohim burra dhe gra që shpeshherë vizitojnë ose ndihmojnë të sëmurët, që tregojnë dhembshuri për ata me mangësi fizike ose që u japin me bujari të varfërve. Mendoni, gjithashtu, për njerëzit që ndihen të shtyrë nga dhembshuria për ta harxhuar jetën e tyre në kolonitë për lebrosët ose nëpër shtëpitë e fëmijës; ata që bëjnë punë vullnetare nëpër spitale ose nëpër institucione për të sëmurët në gradën e fundit; njerëzit që përpiqen të ndihmojnë të pastrehët ose ata që janë refugjatë. Ndoshta disa prej tyre mendojnë se po imitojnë Jezuin, i cili dha shembullin për të krishterët. Në Ungjij lexojmë që Krishti shëroi të sëmurët dhe ushqeu të uriturit. (Marku 1:34; 8:1-9; Luka 4:40) Shfaqjet e dashurisë, të butësisë dhe të dhembshurisë nga ana e Jezuit na bëjnë të njohur «mendjen e Krishtit», i cili nga ana e vet, po imitonte Atin e tij qiellor.​—1. Korintasve 2:16.

3. Çfarë duhet të shqyrtojmë, për të pasur një pikëpamje të ekuilibruar lidhur me veprat e mira të Jezuit?

3 Por, a e keni vërejtur se sot, shumë nga ata që i bën për vete dashuria dhe dhembshuria e Jezuit, kalojnë pa vënë re një faktor kyç të mendjes së Krishtit? Mund të fitojmë mendjehollësi për këtë, duke shqyrtuar me kujdes kapitullin 6 të Markut. Atje lexojmë se njerëzit i sollën të sëmurët te Jezui që t’i shëronte. Duke lexuar kontekstin mësojmë, gjithashtu, se kur pa që ata mijëra njerëz të cilët kishin ardhur tek ai ishin të uritur, Jezui i ushqeu duke bërë një mrekulli. (Marku 6:35-44, 54-56) Fakti që shëroi të sëmurët dhe ushqeu të uriturit përbën një shfaqje të jashtëzakonshme të dhembshurisë së dashur, por a ishin këto mënyrat kryesore me të cilat i ndihmoi Jezui njerëzit? Gjithashtu, si mund ta imitojmë sa më mirë shembullin e përsosur të dashurisë, të dashamirësisë dhe të dhembshurisë që shfaqi ai, duke imituar Jehovain?

I shtyrë për të reaguar ndaj nevojave frymore

4. Cili ishte konteksti i ngjarjes te Marku 6:30-34?

4 Jezui ndjeu mëshirë për ata që ishin përreth tij, në radhë të parë sepse kishin nevoja frymore. Ato nevoja kishin rëndësi parësore, më shumë se nevojat fizike. Shqyrtoni tregimin te Marku 6:30-34. Ngjarja e dokumentuar aty ndodhi në brigjet e Detit të Galilesë, afër kohës së Pashkës së vitit 32 të e.s. Apostujt ishin të entuziazmuar dhe kishin arsye për këtë. Ata sapo kishin mbaruar një udhëtim në shumë zona dhe erdhën te Jezui, pa dyshim me zell për t’i treguar përvojat e tyre. Megjithatë, aty u mblodh një turmë e madhe. Ishte kaq e madhe, sa Jezui dhe apostujt e tij nuk kishin mundësi as të hanin, as të pushonin. Jezui u tha apostujve: «Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak.» (Marku 6:31) Pasi hipën në një varkë (ndoshta afër Kapernaumit), ata lundruan përgjatë Detit të Galilesë, për të shkuar në një vend të qetë. Por turma vrapoi përgjatë bregut dhe arriti aty para se të mbërrinte varka. Si do të reagonte Jezui? A u zemërua ai që i prishën qetësinë? Aspak!

5. Si u ndie Jezui për turmën që shkoi tek ai dhe çfarë bëri në përgjigje të kësaj?

5 Zemra e Jezuit u prek kur pa këtë turmë prej mijëra vetash, duke përfshirë edhe të sëmurë, të cilët e pritnin me padurim. (Mateu 14:14; Marku 6:44) Duke u përqendruar në aspektin që nxiti dhembshurinë e Jezuit dhe në mënyrën se si Ai reagoi, Marku shkroi: «[Ai] pa një turmë të madhe dhe iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari; dhe nisi t’u mësojë shumë gjëra.» (Marku 6:34) Jezui nuk pa vetëm një masë njerëzish. Ai pa individë që kishin nevoja frymore. Ata ishin si dele të pambrojtura që kishin humbur rrugën, duke mos pasur asnjë bari që t’i drejtonte nëpër kullota të gjelbëruara ose që t’i mbronte. Jezui e dinte se udhëheqësit fetarë zemërftohtë, nga të cilët pritej të ishin barinj të kujdesshëm, faktikisht i përbuznin njerëzit e thjeshtë dhe i linin pas dore nevojat e tyre frymore. (Ezekieli 34:2-4; Gjoni 7:47-49) Jezui kishte ndër mend t’i trajtonte krejt ndryshe këta njerëz, duke u bërë më të mirën që mundej. Ai filloi t’u mësonte për Mbretërinë e Perëndisë.

6, 7. (a) Çfarë përparësie zbulojnë Ungjijtë në reagimin e Jezuit ndaj nevojave të njerëzve? (b) Cili motiv e shtynte Jezuin të predikonte dhe të mësonte?

6 Vini re se si janë renditur përparësitë në një tregim paralel dhe çfarë nënkuptohet prej tyre. Këtë tregim e shkroi Luka, i cili ishte mjek dhe interesohej shumë për mirëqenien fizike të të tjerëve. «Turmat . . . e ndiqnin [Jezuin]; dhe ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim.» (Luka 9:11; Kolosianëve 4:14) Çfarë përmendi së pari tregimi i frymëzuar i Lukës, ndonëse kjo nuk ndodh në çdo rast kur tregohet për një mrekulli? Ishte fakti që Jezui mësoi njerëzit.

7 Faktikisht, kjo është në përputhje me atë që theksohet te Marku 6:34. Ky varg tregon qartë mënyrën kryesore në të cilën Jezui u shty të shprehte mëshirën e tij. Ai i mësoi njerëzit, duke iu përgjigjur nevojave të tyre frymore. Më parë, në shërbimin e tij, Jezui kishte thënë: «Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar.» (Luka 4:43) Megjithatë, do të gabonim po të mendonim se Jezui e shpallte mesazhin e Mbretërisë thjesht si një detyrë, sikur po bënte mekanikisht veprën e predikimit që i duhej ta kryente. Përkundrazi, një motiv kryesor që e shtynte ta ndante lajmin e mirë me njerëzit ishte dhembshuria e dashur që kishte për ta. Më e mira që mund të bënte Jezui për ata​—madje edhe për të sëmurët, për të munduarit nga demonët, për të varfrit ose për të uriturit​—ishte t’i ndihmonte që të njihnin, të pranonin dhe të donin të vërtetën për Mbretërinë e Perëndisë. Kjo e vërtetë kishte rëndësi parësore, për shkak të rolit që luan Mbretëria në shfajësimin e sovranitetit të Jehovait dhe në sigurimin e bekimeve të përhershme për njerëzit.

8. Çfarë mendonte Jezui për predikimin dhe për mësimdhënien e tij?

8 Predikimi aktiv për Mbretërinë ishte në themel të arsyes përse erdhi Jezui në tokë. Afër fundit të shërbimit të tij tokësor, Jezui i tha Pilatit: «Për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim.» (Gjoni 18:37) Në dy artikujt pararendës kemi vënë re se Jezui ishte një person me ndjenja të buta: i kujdesshëm, një person të cilit mund t’i afroheshe, i vëmendshëm ndaj të tjerëve, i gatshëm për të pasur siguri te të tjerët dhe mbi të gjitha i dashur. Nëse duam ta kuptojmë vërtet mendjen e Krishtit, duhet të kuptojmë këto aspekte të personalitetit të tij. Po kaq e rëndësishme është të kuptojmë se mendja e Krishtit përfshin përparësinë që i dha ai veprës së predikimit dhe të mësimdhënies.

I nxiti të tjerët që të jepnin dëshmi

9. Për kë duhej të kishte përparësi predikimi dhe mësimdhënia?

9 Nuk ishte vetëm Jezui ai që duhej t’i jepte përparësi predikimit dhe mësimdhënies, të cilat ishin shprehje të dashurisë dhe të dhembshurisë. Ai i nxiti ithtarët e vet që të imitonin motivet, përparësitë dhe veprimet e tij. Për shembull, pasi Jezui zgjodhi 12 apostujt e tij, çfarë duhet të bënin ata? Te Marku 3:14, 15 na thuhet: «Dhe i emëroi të dymbëdhjetët [të cilët edhe i quajti apostuj], që të jenë me të e t’i dërgojë të predikojnë, e ta kenë pushtetin t’i dëbojnë djajtë.» (DSF) A e dalloni se çfarë duhej të kishte përparësi për apostujt?

10, 11. (a) Çfarë u tha Jezui apostujve që të bënin, kur i dërgoi te njerëzit? (b) Cili qe synimi për të cilin Jezui i dërgoi apostujt te njerëzit?

10 Me kalimin e kohës, Jezui u dha aftësi të dymbëdhjetëve që të shëronin të tjerët dhe të dëbonin demonët. (Mateu 10:1; Luka 9:1) Pastaj i nisi në udhëtim për te «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». Çfarë duhej të bënin ata? Jezui i drejtoi: «Shkoni dhe predikoni duke thënë: ‘Mbretëria e qiejve u afrua.’ Shëroni të sëmurët, pastroni lebrosët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët.» (Mateu 10:5-8; Luka 9:2) Çfarë bënë ata faktikisht? «Kështu ata shkuan dhe [1] u predikonin njerëzve që të pendoheshin dhe [2] dëbonin shumë demonë dhe vajosnin me vaj shumë të lëngatë dhe i shëronin.»​—Marku 6:12, 13.

11 Meqë mësimdhënia nuk përmendet e para në çdo rast, a mos po i japim shumë rëndësi çështjes së përparësive ose të motiveve të përfshira, duke theksuar renditjen e mësipërme? (Luka 10:1-8) Puna është që nuk duhet ta minimizojmë faktin se sa shpesh përmendet mësimdhënia para shërimit. Shqyrtoni kontekstin në këtë rast. Pikërisht para se të dërgonte 12 apostujt, Jezuin e kishte prekur gjendja e turmës. Lexojmë: «Jezui kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull. Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari. Atëherë ai u tha dishepujve të vet: ‘E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak. Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.’»​—Mateu 9:35-38.

12. Për cilin qëllim të mëtejshëm mund të shërbenin veprat e mrekullueshme të Jezuit dhe të apostujve të tij?

12 Duke ndenjur me të, apostujt mund të merrnin sadopak nga mendja e Krishtit. Ata mund ta kuptonin se për të qenë vërtet të dashur e të dhembshur me njerëzit duhej t’u predikonin dhe t’u mësonin atyre për Mbretërinë​—ky duhej të ishte aspekti kryesor i veprave të tyre të mira. Në harmoni me këtë, veprat e shkëlqyera me natyrë fizike, si shërimi i të sëmurëve, nuk shërbyen vetëm për të ndihmuar nevojtarët. Siç mund ta imagjinojmë, disa njerëz mund të ndihen të tërhequr nga shërimet dhe nga ushqimi i siguruar me anë të një mrekullie. (Mateu 4:24, 25; 8:16; 9:32, 33; 14:35, 36; Gjoni 6:26) Gjithsesi, përveçse t’i ndihmonin nga ana fizike, këto vepra faktikisht i shtynë vëzhguesit që të pranonin se Jezui ishte Biri i Perëndisë dhe «profeti» për të cilin kishte parafolur Moisiu.​—Gjoni 6:14; Ligji i përtërirë 18:15.

13. Çfarë roli duhej të kishte «profeti», siç theksohej te profecia e Ligjit të përtërirë 18:18?

13 Përse ishte domethënës fakti që Jezui ishte «profeti»? Mirë, pra, cili rol kryesor ishte parathënë për të? A do të ishte i famshëm «profeti» ngaqë do të bënte shërime të mrekullueshme ose ngaqë do të siguronte me dhembshuri ushqim për të uriturit? Te Ligji i përtërirë 18:18 parathuhej: «Do të ngre ndër ta, prej vëllezërve të tyre, një profet të ngjashëm me ty [Moisi]. Në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia dhe ai do t’u flasë gjithçka unë kam për t’i urdhëruar.» (DSF) Prandaj, ndërsa apostujt mësuan të kishin dhe të shfaqnin ndjenja të buta, ata mund të nxirrnin përfundimin se mendja e Krishtit duhej shfaqur edhe në aktivitetin e tyre të predikimit dhe të mësimdhënies. Kjo do të ishte gjëja më e mirë që mund të bënin për njerëzit. Në këtë mënyrë, të sëmurët dhe të varfrit mund të fitonin dobi të përhershme, jo thjesht ato të kufizuara në një jetë të shkurtër ose në një a dy vakte.​—Gjoni 6:26-30.

Të zhvillojmë mendjen e Krishtit sot

14. Si përfshihet në predikimin tonë pasja e mendjes së Krishtit?

14 Asnjeri nga ne nuk do ta konsideronte mendjen e Krishtit sikur ishte vetëm për shekullin e parë, vetëm për Jezuin dhe për dishepujt e hershëm, lidhur me të cilët apostulli Pavël shkroi: «Ne kemi mendjen e Krishtit.» (1. Korintasve 2:16) Gjithashtu, do ta pranonim menjëherë se ndihemi të detyruar të predikojmë lajmin e mirë dhe të bëjmë dishepuj. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Megjithatë, është e dobishme të meditojmë për motivet që na shtyjnë të bëjmë këtë vepër. Nuk duhet ta bëjmë atë vetëm nga ndjenja e detyrës. Dashuria për Perëndinë është një arsye kryesore për të cilën marrim pjesë në shërbim, dhe të jemi vërtet si Jezui përfshin të predikojmë e të mësojmë të shtyrë nga dhembshuria.​—Mateu 22:37-39.

15. Përse dhembshuria është një pjesë e rëndësishme e shërbimit tonë publik?

15 Kuptohet, nuk është gjithnjë e lehtë të ndiejmë dhembshuri për ata që nuk kanë të njëjtat bindje si ne, sidomos kur hasim apati, refuzim ose kundërshtim. Por, nëse do ta humbnim dashurinë dhe dhembshurinë që ndiejmë për njerëzit, mund të humbnim një motiv jetësor për të cilin marrim pjesë në shërbimin e krishterë. Atëherë, si mund ta kultivojmë dhembshurinë? Mund të përpiqemi t’i konsiderojmë njerëzit siç i konsideronte Jezui, si «të nëpërkëmbur dhe të lënë pas dore, si delet pa bari». (Mateu 9:36, DSF) A nuk u përshtatet ky përshkrim shumë njerëzve sot? Ata janë lënë pas dore dhe janë verbuar frymësisht nga barinjtë e rremë fetarë. Për pasojë, nuk dinë gjë për udhëheqjen e pagabueshme që gjendet në Bibël, as për kushtet në Parajsën që do të sjellë së shpejti në tokë Mbretëria e Perëndisë. Ata i përballojnë problemet e jetës së përditshme​—që përfshijnë varfërinë, shqetësimet familjare, sëmundjet dhe vdekjen​—pa pasur shpresën e Mbretërisë. Ne kemi atë që u nevojitet atyre: lajmin e mirë jetëshpëtues të Mbretërisë së Perëndisë tashmë të vendosur në qiell!

16. Përse duhet që të dëshirojmë ta ndajmë lajmin e mirë me të tjerët?

16 Kur meditojmë kështu për nevojat frymore të atyre që na rrethojnë, a nuk na shtyn zemra të duam të bëjmë gjithçka mundemi për t’u treguar atyre qëllimin e dashur të Perëndisë? Patjetër, vepra jonë është një vepër dhembshurie. Nëse ndiejmë të njëjtën gjë që ndiente Jezui për njerëzit, kjo do të jetë e dukshme në tonin e zërit, në shprehjen e fytyrës dhe në mënyrën tonë të të mësuarit. Të gjitha këto do ta bëjnë mesazhin tonë më tërheqës për ata që janë «të prirur siç duhet për jetën e përhershme».​—Veprat 13:48, BR.

17. (a) Në cilat mënyra mund ta shfaqim dashurinë dhe dhembshurinë tonë për të tjerët? (b) Përse nuk është një çështje zgjedhjeje: ose të bëjmë vepra të mira, ose të marrim pjesë në shërbimin publik?

17 Patjetër, ne duhet ta shfaqim dashurinë dhe dhembshurinë në tërë jetën tonë. Kjo përfshin të jemi dashamirës me ata që kanë rrethana të pafavorshme, me të sëmurët dhe me të varfrit, duke bërë, në mënyrë të arsyeshme, atë që mundemi për të lehtësuar vuajtjen e tyre. Përfshin edhe përpjekjet që bëjmë me fjalë e me vepra për t’ua lehtësuar pikëllimin atyre që u ka vdekur një njeri i dashur. (Luka 7:11-15; Gjoni 11:33-35) Megjithatë, shfaqje të tilla të dashurisë, të dashamirësisë dhe të dhembshurisë nuk duhet të bëhen pika kryesore ku të përqendrohen veprat tona të mira, siç janë bërë për disa njerëz humanitarë. Shumë më tepër rëndësi kanë përpjekjet e motivuara po nga këto cilësi hyjnore, por që shfaqen kur marrim pjesë në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies së krishterë. Kujtoni atë që tha Jezui për udhëheqësit fetarë judenj: «Ju llogaritni të dhjetën e mendrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t’i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat.» (Mateu 23:23) Nuk është se Jezui duhej të zgjidhte njërën nga këto dy gjëra: ose të ndihmonte njerëzit për nevojat e tyre fizike, ose t’u mësonte gjërat jetëshpëtuese frymore. Ai i bëri të dyja. Megjithatë, është e qartë që vepra e tij e mësimdhënies ishte më e rëndësishme, sepse e mira që bënte ai nëpërmjet kësaj vepre mund t’i ndihmonte njerëzit përgjithmonë.​—Gjoni 20:16.

18. Çfarë duhet të na shtyjë të bëjmë, fakti që kemi shqyrtuar mendjen e Krishtit?

18 Sa mirënjohës mund të jemi që Jehovai na ka zbuluar mendjen e Krishtit! Me anë të Ungjijve, mund të arrijmë të njohim më mirë mendimet, ndjenjat, cilësitë, aktivitetet dhe përparësitë e njeriut më të madh që ka jetuar ndonjëherë. Na përket neve të lexojmë, të meditojmë për atë që lexojmë dhe të vëmë në praktikë atë që zbulon Bibla për Jezuin. Të mos harrojmë se, nëse dëshirojmë vërtet të veprojmë si Jezui, së pari duhet që të mësojmë të mendojmë, të ndiejmë dhe t’i vlerësojmë gjërat si ai, në mënyrën më të mirë që mundemi si njerëz të papërsosur. Le të jemi të vendosur, pra, për të zhvilluar dhe për të shfaqur mendjen e Krishtit! Nuk ka asnjë mënyrë tjetër më të mirë për të jetuar, asnjë mënyrë tjetër më të mirë për të trajtuar njerëzit dhe asnjë mënyrë tjetër më të mirë për t’iu afruar, (ne dhe të tjerët), atij që Jezui e pasqyroi në mënyrë të përsosur, Perëndisë tonë të butë, Jehovait.​—2. Korintasve 1:3; Hebrenjve 1:3.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë mendjehollësie na jep Bibla për mënyrën se si reagonte shpesh Jezui ndaj njerëzve nevojtarë?

• Çfarë theksoi Jezui kur po udhëzonte ithtarët e tij?

• Si mund ta shfaqim «mendjen e Krishtit» në aktivitetet tona?

[Pyetjet]

[Figura që zë gjithë faqen 23]

[Figura në faqen 24]

Cila është më e mira që mund t’u bëjnë të krishterët të tjerëve?