Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE

Vlera morale që të pasurojnë vërtet

Vlera morale që të pasurojnë vërtet

Kristina nuk u besonte dot syve! Sapo kishte gjetur një qese të zezë me një sasi tepër të madhe parash që për të ishte e barabartë me rrogën e 20 vjetëve. E dinte kush ishte pronari. Çfarë duhej të bënte? Po ti, çfarë do të bëje? Përgjigjja do të zbulojë pikëpamjen tënde për ndershmërinë dhe vendosmërinë për ta pasur këtë vlerë morale.

Çfarë janë vlerat morale? Janë parime morale ose etike që i konsiderojmë të mira dhe të rëndësishme. Ato përfshijnë faljen, ndershmërinë, dashurinë, respektin për jetën dhe vetëkontrollin. Pra, vlerat që kemi, ndikojnë te sjellja, te përparësitë, te marrëdhëniet tona dhe te drejtimi moral që u japim fëmijëve. Por, megjithëse janë të rëndësishme, vlerat morale po bien gjithnjë e më shumë.

DEGRADIM I VLERAVE

Në vitin 2008, disa studiues në Shtetet e Bashkuara intervistuan qindra të rinj për pikëpamjen e tyre rreth vlerave morale. «Ajo që të shkurajon, është sa pak mendojnë e flasin për çështje morale»,—tha Dejvid Bruksi për gazetën The New York Times. Shumica mendonin se vrasja dhe përdhunimi janë të gabuar, por «përveç këtyre rasteve ekstreme, fjalët e drejtë dhe e gabuar as që figuronin në fjalorin e tyre, as kur bëhej fjalë për ngarjen e makinës i dehur, kopjimin në shkollë ose tradhtinë e partnerit». Një vajzë u shpreh: «As që e vras mendjen për të drejtën dhe të gabuarën.» Shumë ishin të mendimit: «Nëse  të duket e drejtë, bëje. Ndiq zemrën.» A është arsyetim i mençur ky?

Zemra e njeriut, edhe pse në gjendje të ndiejë dashuri e dhembshuri të madhe, mund të jetë gjithashtu ‘e pabesë dhe e rrezikshme’. (Jeremia 17:9) Ky realitet i hidhur pasqyrohet në skenën morale të kësaj bote që po ndryshon, një prirje e parathënë në Bibël. Para shumë kohësh, ajo tha: «Në ditët e fundit . . . njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, . . . të papërmbajtur [dhe] mizorë.» Gjithashtu, do të jenë njerëz «që s’e duan të mirën» dhe «dëfrimdashës më fort se perëndidashës».2 Timoteut 3:1-5, Diodati i Ri.

Ky realitet duhet të na shtyjë të shqyrtojmë zemrën tonë, e jo t’i besojmë verbërisht asaj. Po, Bibla thotë qartë: «Kush i zë besë zemrës së vet, është budalla.» (Proverbat 28:26) Ashtu si një busull duhet kalibruar, edhe zemra duhet ndrequr sipas vlerave të shëndosha nëse duam që të na drejtojë si duhet. Ku mund t’i gjejmë këto vlera? Shumë i drejtohen vetë Biblës, pasi vlerësojnë mençurinë e saj dhe faktin që flet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

VLERA KU MUND TË KEMI BESIM

Vlerat biblike tregojnë qartë se janë bërë enkas për njerëzit. Le të shqyrtojmë vetëm disa shembuj, si dashurinë, mirësinë, bujarinë dhe ndershmërinë.

Dashuria për të tjerët.

«Nëse ke mësuar të duash, atëherë lumturia me siguri do të të trokasë në derë»,—thotë libri Engineering Happiness—A New Approach for Building a Joyful Life. Kuptohet, ne njerëzit kemi nevojë për dashuri. Pa të, nuk mund të jemi vërtet të lumtur.

Çfarë thotë Bibla? «Vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.» (Kolosianëve 3:14) I njëjti shkrimtar biblik tha edhe: «Sikur . . . të mos kem dashuri, nuk do të jem asgjë.»1 Korintasve 13:2.

Këtu nuk bëhet fjalë për dashuri seksuale apo sentimentale; kjo lloj dashurie udhëhiqet nga parimet. Është ajo dashuri që na shtyn të ndihmojmë një të panjohur në vështirësi, pa dëshiruar asgjë në këmbim. Te 1 Korintasve 13:4-7 lexojmë: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. [Ajo] nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk provokohet. Ajo nuk e mban llogari të keqen. Nuk gëzon për padrejtësinë, por gëzon me të vërtetën. Mban çdo gjë, . . . i qëndron çdo gjëje.»

Kur familjes i mungon një dashuri e tillë, të gjithë vuajnë, sidomos fëmijët. Një grua me emrin Monika, shkroi se kur ishte fëmijë, abuzuan me të fizikisht, emocionalisht dhe seksualisht. «Askush nuk më tregonte dashuri dhe ndihesha e pashpresë»,—tha ajo. Por, kur ishte 15 vjeçe, shkoi të jetonte me gjyshërit që janë Dëshmitarë të Jehovait.

 Ajo vazhdon: «Gjatë dy viteve që jetova me ta, më mësuan mua, kësaj vajze të turpshme, të isha e afrueshme dhe të interesohesha për të tjerët. Më ndihmuan të bëhesha një vajzë e respektueshme.» Tani, e martuar dhe e lumtur, bashkë me të shoqin dhe tre fëmijët, Monika u tregon dashuri të tjerëve duke u dhënë mesazhin biblik.

Një armik veçanërisht tinëzar i dashurisë është materializmi, bindja se rehatia materiale dhe kënaqësia janë vlerat më të larta. Megjithatë, studimet tregojnë në mënyrë të përsëritur se njerëzit kanë nevojë për çuditërisht pak para për të qenë të lumtur. Në fakt, ata që përvetësojnë një qëndrim materialist, në të vërtetë mund të jenë duke investuar në drejtim të kundërt të lumturisë. Edhe Bibla e pohon këtë tek Eklisiastiu 5:10: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura. Edhe kjo është kotësi.» Gjithashtu, Bibla thotë: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para.»Hebrenjve 13:5.

Mirësia dhe bujaria.

«A nuk do të ishte fantastike të hyje në një dyqan dhe të blije lumturinë e përhershme?—thoshte një artikull nga një universitet në Shtetet e Bashkuara.—Por kjo ide nuk është aq utopike sa duket nëse ajo që blen është për të tjerët.» (The Greater Good Science Center në Universitetin e Kalifornisë, Berkli.) Përfundimi? Kur japim, jemi më të lumtur se kur marrim.

Çfarë thotë Bibla? «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»Veprat 20:35.

Shpesh, mënyra më e mirë dhe më shpërblyese për të dhënë, është nga vetja jonë, nga koha dhe energjitë tona. Për shembull, një grua me emrin Kerën pa një nënë me dy vajzat e saj ulur në makinë me kapakun e motorit të ngritur. Nëna dhe njëra nga vajzat duhej të kapnin avionin, por nuk u ndizej makina dhe taksia po vonohej. Kerëni u ofrua t’i çonte në aeroport, edhe pse ishte 45 minuta larg. Ato pranuan. Kur po kthehej, Kerëni pa që vajza tjetër ishte akoma duke pritur në makinë në parking.

«Po vjen burri të më marrë»,—tha ajo.

«Jam e kënaqur që je mirë,—iu përgjigj Kerëni.—Po shkoj të punoj në kopshtin e Sallës së Mbretërisë ose të kishës, siç e quajnë disa.»

«Je Dëshmitare e Jehovait?»—e pyeti ajo.

«Po»,—tha Kerëni, dhe bënë një bisedë të shkurtër.

Pak javë më vonë, Kerëni mori një letër. Pjesërisht, ajo thoshte: «Unë dhe mamaja nuk e kemi harruar ndihmën tënde të mrekullueshme. Falë teje e kapëm avionin. Motra më tha se je Dëshmitare e Jehovait, dhe kjo shpjegon çdo gjë. Unë dhe mamaja jemi Dëshmitare, por unë jam joaktive. Por shumë shpejt do të bëj diçka për këtë!» Kerëni u kënaq jashtë mase që kishte arritur të ndihmonte dy bashkëbesimtare. «Qava»,—tha ajo.

 Autori Çarls D. Uorner shkroi: «Fakti që dikush ndihmon veten kur përpiqet me sinqeritet të ndihmojë dikë, është një nga shpërblimet më të bukura të jetës.» Kjo ndodh sepse Perëndia nuk i krijoi njerëzit për të qenë egoistë, por për të pasqyruar cilësitë e tij të çmuara.Zanafilla 1:27.

Ndershmëria.

Kjo vlerë etike është themelore për çdo shoqëri të civilizuar. Pandershmëria sjell frikë, mosbesim dhe degradim të shoqërisë.

Çfarë thotë Bibla? «Kush do të jetë mysafir në tendën [e Perëndisë]?» Përgjigjja? «Ai që ecën në mënyrë të patëmetë dhe . . . që thotë të vërtetën që ka në zemër.» (Psalmi 15:1, 2) Po, ndershmëria e vërtetë, ashtu si cilësitë e tjera që kemi shqyrtuar, është veçori e personalitetit. Nuk kushtëzohet nga rrethanat ose nga leverdia.

Të kujtohet Kristina që gjeti paratë? Dëshira që kishte në zemër, nuk ishte të bëhej e pasur, por t’i pëlqente Perëndisë. Prandaj, kur i zoti i parave u kthye i shqetësuar, ajo i tha që i kishte gjetur paratë. Ai u habit nga kjo ndershmëri. Edhe punëdhënësi i saj u habit, dhe më vonë e ngriti në detyrë dhe e bëri menaxhere të përgjithshme, një pozitë që kërkon persona tepër të besueshëm. Sa të vërteta janë fjalët te 1 Pjetrit 3:10: ‘Ai që e do jetën dhe dëshiron të shohë ditë të bardha, t’u vërë fre buzëve, për të mos mashtruar.’

‘EC NË UDHËN E NJERËZVE TË MIRË’

Vlerat morale që gjejmë në Bibël, pasqyrojnë dashurinë e thellë që ka Krijuesi për ne, pasi këto vlera na japin mundësinë ‘të ecim në udhën e njerëzve të mirë’. (Proverbat 2:20; Isaia 48:17, 18) Kur e ndjekim këtë drejtim, ne nga ana jonë tregojmë dashurinë për Perëndinë dhe korrim shumë shpërblime. Në fakt Bibla premton: «Ndiq udhët e [Perëndisë], e ai do të të lartësojë dhe ti do të trashëgosh tokën. Ti do të shohësh kur të shfarosen të ligjtë.»—Psalmi 37:34.

Po, ç’e ardhme e mrekullueshme i pret ata që ndjekin normat biblike: jeta në një tokë paqësore pa ligësi! Sigurisht, ia vlen t’i shqyrtojmë vlerat që mëson Bibla.