Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sekreti i lumturisë së vërtetë

Sekreti i lumturisë së vërtetë

Sekreti i lumturisë së vërtetë

NJË recetë e mirë dhe një kuzhinier i mirë, bëjnë një gjellë të mirë. Në njëfarë mënyre kështu ndodh edhe me lumturinë. Ajo nuk varet nga një faktor i vetëm, por lumturia në jetë vjen kur kombinohen shumë gjëra. Këtu përfshihen puna, zbavitja, koha që kalojmë me familjen e miqtë, si dhe veprimtaritë frymore, domethënë ato që lidhen me adhurimin e Perëndisë. Por ka edhe faktorë disi të padukshëm, siç janë qëndrimi, dëshirat dhe synimet në jetë.

Lumturisht, nuk na duhet ta zbulojmë vetë sekretin për të gjetur lumturinë e vërtetë. Përse? Sepse Krijuesi ynë na ka dhënë një libër të mrekullueshëm me udhëzime, Biblën, që tani është botuar e plotë ose pjesërisht në 2.377 gjuhë e dialekte, shumë më tepër se çdo botim tjetër në botë.

Kjo shpërndarje e jashtëzakonshme tregon se sa kujdeset Perëndia për lumturinë dhe mirëqenien frymore të të gjithë njerëzve. (Veprat 10:34, 35; 17:26, 27) Perëndia thotë: «Unë . . . jam . . . Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete.» Nëse ua vëmë veshin urdhërimeve të tij, ai na premton se qetësinë dhe paqen, do ta kemi «si lumë».—Isaia 48:17, 18.

Ky premtim na sjell ndër mend fjalët e Jezuit që u përmendën në artikullin e mëparshëm: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.» (Mateu 5:3) Kjo vetëdije nuk është diçka sipërfaqësore, pra thjesht të ndjekësh një fe. Por ndikon në të gjithë jetën tonë. Ajo duket në gatishmërinë tonë për të dëgjuar Perëndinë dhe për t’u mësuar prej tij, ngaqë e pranojmë se ai na njeh më mirë nga sa e njohim ne veten. «Ajo që më bind më shumë se çdo gjë tjetër që Bibla është nga Perëndia,—thotë Eroli, i cili ka 50 vjet që e studion Biblën,—është se kur zbaton këshillat e saj, ato të sjellin dobi.» Për shembull, shqyrtoni këshillën e shkëlqyer të Biblës për çështje të tilla, si rendja pas parave dhe kënaqësive.

Këshilla të mençura për paratë

Jezui tha: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Po, vlera e vërtetë që ke si njeri, sidomos në sytë e Perëndisë, nuk ka fare lidhje me paratë. Ç’është e vërteta, rendja pas pasurisë shpesh i shton ankthet. Këto të grabitin gëzimin e jetës dhe të vjedhin kohën që mund të shfrytëzohej për gjëra më të rëndësishme.—Marku 10:25; 1 Timoteut 6:10.

Sipas Riçard Rajanit, profesor psikologjie në Shtetet e Bashkuara, sa më shumë e kërkojnë njerëzit kënaqësinë në gjërat materiale, aq më pak e gjejnë. Një shkrimtar i Biblës, Solomoni, e shprehu në këtë mënyrë: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura.» (Eklisiastiu 5:10) Kjo gjendje mund të krahasohet me kruajtjen që shkakton pickimi i mushkonjës, pra sa më shumë e ngacmon vendin e pickimit, aq më shumë të kruhet, derisa të bëhet plagë.

Bibla na këshillon të punojmë pa u lodhur dhe të gëzojmë frytet e punës sonë. (Eklisiastiu 3:12, 13) Kështu na rritet respekti për veten, një element tjetër jetësor për të qenë i lumtur. Gjithashtu mund të gëzojmë disa nga kënaqësitë e shëndetshme të jetës. Megjithatë, ndryshe është të gëzojmë disa të mira që sigurojnë paratë dhe ndryshe është kur rendja pas pasurisë bëhet gjëja kryesore në jetën tonë.

Kënaqësitë kanë vendin e vet

Çmueshmëria për gjërat frymore na ndihmon të nxjerrim sa më shumë dobi nga koha e lirë, argëtimi dhe kënaqësitë e tjera. Jezui mori pjesë në raste të gëzueshme ku kishte të ngrëna e të pira. (Luka 5:29; Gjoni 2:1-10) Por patjetër, këto gjëra nuk ishin burimi kryesor i gëzimit për të. Përkundrazi, kënaqësinë më të madhe ai e gjente në gjërat frymore, ku përfshihej edhe t’u jepte ndihmë të tjerëve që të mësonin rreth Perëndisë dhe qëllimit të Tij për njerëzimin.—Gjoni 4:34.

Mbreti Solomon i provoi kënaqësitë njëra pas tjetrës që të shihte nëse ato ishin çelësi i lumturisë. Ai tha: «Eja pra, tani, të provosh gëzimin e të shohësh edhe të mira.» Ky mbret i pasur nuk i provoi me ngurrim e përciptas kënaqësitë. Përkundrazi, ai u zhyt në to. Por, si u ndie më pas? «Edhe kjo ishte kotësi»,—shkroi ai.—Eklisiastiu 2:1.

Boshllëk, zbrazëti—këtë provojnë zakonisht ata që rendin pas kënaqësive. Kur studiuesit e krahasuan dhënien pas qejfeve me gjëra të tilla, si një punë e dobishme, veprimtaritë frymore dhe përkushtimin ndaj familjes, panë se rendja pas kënaqësive ishte faktori që ndikonte më pak në lumturinë e të anketuarve.

Jini bujarë dhe mirënjohës

Në vend që të përqendrohen te vetja, njerëzit e lumtur janë bujarë dhe interesohen për të tjerët. «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh»,—tha Jezui. (Veprat 20:35) Përveçse të japim të mira materiale, mund të japim kohën dhe energjitë tona, të cilat mund të vlerësohen më shumë, sidomos në familje. Bashkëshortët duhet të kalojnë kohë bashkë për ta mbajtur të fortë e të lumtur martesën, kurse prindërit duhet të kalojnë mjaft kohë me fëmijët, duke folur me ta, duke u treguar përzemërsi e duke i mësuar. Kur pjesëtarët e familjes japin në këto mënyra, ata ndihen mirë dhe shtëpia e tyre bëhet një strehë lumturie.

Nga ana tjetër, kur të tjerët ju japin juve, qoftë nga vetja ose në ndonjë formë tjetër, a ‘tregoheni mirënjohës’? (Kolosianëve 3:15) Kur veprojmë sipas këtyre dy fjalëve, kjo mund të sjellë një ndryshim të madh në marrëdhëniet tona me të tjerët e mund të na e shtojë shumë gëzimin. Kur dikush ju shpreh mirënjohje të sinqertë a nuk ju gufon zemra nga gëzimi?

Kur tregojmë mirënjohje, bëhemi më të vetëdijshëm për gjërat e mira që na ndodhin. Gjatë një studimi shkencor, një kërkuese në Universitetin e Kalifornisë në Riversajd, SHBA, u tha të anketuarve të mbanin një «ditar mirënjohjeje» ku të shkruanin gjërat për të cilat ishin mirënjohës. Nuk ishte habi që për një periudhë gjashtëjavore, të anketuarit u ndien goxha më të kënaqur me jetën.

Çfarë mësimi nxirrni? Pavarësisht nga rrethanat, mësohuni të përqendroheni te gjërat e mira që ju rrethojnë. Bibla na nxit të bëjmë kështu, duke thënë: «Gëzoni gjithmonë. Falënderoni për çdo gjë.» (1 Selanikasve 5:16, 18) Sigurisht, për të arritur këtë, duhet të bëjmë përpjekje të ndërgjegjshme që të kujtojmë gjërat e mira që na ndodhin. Përse të mos ia vini vetes këtë synim?

Dashuria dhe shpresa​—Jetësore për lumturinë

Me të drejtë thuhet se që nga djepi e deri në varr, njeriu ka nevojë për dashuri. Po të mungojë kjo, njerëzit ligështohen. Por çfarë është saktësisht dashuria? Ndonëse sot kjo fjalë përdoret në shumë kuptime, Bibla e përshkruan bukur. Ajo thotë: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk provokohet. Ajo nuk e mban llogari të keqen. Nuk gëzon për padrejtësinë, por gëzon me të vërtetën. Mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje.»—1 Korintasve 13:4-8.

Sa shumë mendon për të tjerët dashuria e vërtetë! Meqë «nuk kërkon interesat e veta», ajo e vë lumturinë e të tjerëve para përfitimit personal. Mjerisht, një dashuri e tillë sa vjen e bëhet më e rrallë. Në profecinë madhështore për fundin e sistemit të tanishëm, Jezui tha se «dashuria e shumicës do të ftohet».—Mateu 24:3, 12; 2 Timoteut 3:1-5.

Megjithatë, kjo gjendje nuk do të vazhdojë përgjithnjë, sepse është fyerje për Krijuesin, për vetë personifikimin e dashurisë. (1 Gjonit 4:8) Së shpejti, Perëndia do të zhdukë nga toka të gjithë njerëzit që janë plot urrejtje ose që drejtohen nga lakmia. Ai do të shpëtojë vetëm ata që përpiqen të kultivojnë atë dashuri që përshkruhet më sipër. Si rrjedhojë, paqja dhe lumturia do të mbretërojnë në mbarë tokën. Premtimi i Biblës do të plotësohet me siguri: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»—Psalmi 37:10, 11.

Përfytyroni që çdo ditë ‘të kënaqeni pa masë’. Atëherë, a është e çuditshme që Bibla thotë: «Gëzoni në shpresë»? (Romakëve 12:12) A do të donit të mësonit më shumë për shpresën e mrekullueshme që u jep Perëndia njerëzve të bindur? Atëherë, ju lutemi të lexoni artikullin vijues.

[Diçitura në faqen 7]

«Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»—Veprat 20:35

[Kutia dhe figura në faqen 5]

Historitë e njerëzve të suksesshëm​—Sa të vërteta janë?

Herë pas here dëgjojmë histori që flasin për individë, të cilët u rritën në familje me probleme, por pasi luftuan dhe mposhtën vështirësi që dukeshin të pakapërcyeshme, u bënë shumë të pasur. «Këto histori ndonjëherë përmenden për të treguar se me gjithë vështirësitë, ata çanë në jetë, pavarësisht se patën një fëmijëri të vështirë ose edhe ngaqë patën një fëmijëri të tillë,—thuhet në një artikull për lumturinë në San Francisco Chronicle.—Sipas studimeve, problemi i këtij shpjegimi është se ata mund të mos jenë bërë dhe aq të lumtur. Mund të jenë bërë vetëm të pasur.»

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Lumturia ndihmon për një shëndet të mirë

Një qëndrim i lumtur është një ilaç i mirë. «Lumturia dhe një gjendje mendore që lidhet me të, siç është shpresa, optimizmi dhe kënaqësia, duket se pakësojnë rrezikun ose i lehtësojnë sëmundjet e zemrës, e mushkërive, diabetit, hipertensionit, e të ftohurit dhe infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes»,—thotë një artikull në revistën Time. Për më tepër, një studim në Holandë për pacientët e moshuar zbuloi se gjatë një periudhe nëntëvjeçare një qëndrim i lumtur e optimist e zvogëloi 50 për qind rrezikun e vdekjes: një zbulim vërtet mahnitës!

Ende mbetet e paqartë mënyra si ndikon gjendja mendore te gjendja fizike e trupit. Megjithatë, studimet kanë treguar se njerëzit optimistë e kanë më të ulët nivelin e hormonit të stresit, kortizolit, i cili dihet se frenon sistemin imunitar.

[Figura në faqet 4, 5]

Po të ndjekësh një recetë të mirë, do të bësh një gjellë të shijshme dhe, po të ndjekësh këshillat e Perëndisë, do të gjesh lumturi