Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa «shok» je me shokët e shkollës?

Sa «shok» je me shokët e shkollës?

Të rinjtë pyesin . . .

Sa «shok» je me shokët e shkollës?

«Shokët në shkollë flitnin se sa mirë ia kishin kaluar së bashku gjatë fundjavës. . . . Kurse unë ndihesha krejtësisht e veçuar.»—Mishela. *

«Nganjëherë shihja një grup djemsh e vajzash dhe mendoja me vete: ‘Sa shokë që janë me njëri-tjetrin! Sikur të isha edhe unë me ta.’»—Xhoi.

«Nuk e kisha fare problem të zija shokë në shkollë, përkundrazi, e kisha të lehtë. Ky ishte problemi im.»—Maria.

NJË pjesë të mirë të ditës ti rrethohesh nga shokët e shkollës. Njësoj si ata, edhe ti përballesh me të njëjtat vështirësi, zhgënjime dhe rezultate që duhet të arrish. Në njëfarë mënyre, mund të mendosh se ke më shumë gjëra të përbashkëta me ta, sesa me prindërit e tu, me vëllanë ose motrën a me të bashkëkrishterët. Kuptohet, mund të të pëlqejë të kesh shoqëri. A është e gabuar kjo? A ka rrezik? Sa «shok» duhet të jesh me shokët e shkollës? Ku duhet vënë kufiri?

Ke nevojë për shokë

Të gjithë kemi nevojë për shokë, për dikë me të cilin t’ia kalojmë mirë e të kënaqemi dhe tek i cili të mbështetemi kur gjendemi në vështirësi. Jezui kishte shokë dhe kënaqej kur rrinte me ta. (Gjoni 15:15) Më pas, kur do të vdiste në shtyllën e torturës, shoku i ngushtë i Jezuit, Gjoni, ‘dishepulli që ai donte [më shumë]’, ishte aty pranë. (Gjoni 19:25-27; 21:20) Edhe ti ke nevojë për shokë të tillë, për njerëz që të të rrinë pranë në kohë të mira e të këqija. Një proverb në Bibël thotë: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17.

Ndoshta mendon se e ke gjetur një shok të tillë në shkollë—ndonjë nga shokët e klasës me të cilin të hahet muhabeti. Keni të njëjtat interesa dhe ju pëlqen të bisedoni bashkë. Vërtet, mund të mos jetë një bashkëbesimtar, por nga pikëpamja jote, ai ose ajo nuk është nga ata që përbëjnë një ‘shoqëri të keqe’. (1 Korintasve 15:33) Duhet thënë se disa të rinj që nuk kanë të njëjtin besim me ty, u përmbahen disa parimeve të drejta. (Romakëve 2:14, 15) Por, a do të thotë kjo se duhet të jesh shok i ngushtë me ta?

Të krishterët nuk janë të pashoqërueshëm

Të krishterët e vërtetë nuk rrinë larg njerëzve që nuk kanë të njëjtin besim me ta. Përkundrazi, flasin me njerëz të të gjitha racave, feve dhe kulturave që të përmbushin detyrën e tyre ‘për të bërë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. (Mateu 28:19) Ndaj ata nuk janë të ftohtë me fqinjët dhe shokët e punës a të shkollës, dhe as të pashoqërueshëm. Përkundrazi, të krishterët tregojnë interes të thellë për të tjerët.

Apostulli Pavël la një shembull të shkëlqyer në këtë aspekt. Ai dinte të komunikonte me «njerëz të çdo lloji», edhe nëse ata nuk kishin të njëjtat bindje me të. Pa dyshim, Pavli nuk kishte për qëllim të shoqërohej me ta. Përkundrazi, ai tha: «Çdo gjë e bëj për hir të lajmit të mirë, që të bëhem pjesëmarrës i këtij lajmi bashkë me të tjerët.»—1 Korintasve 9:22, 23.

Edhe ti mund të ndjekësh shembullin e Pavlit. Ji i përzemërt me shokët. Mëso si të komunikosh me ta. Disa nga shokët e shkollës mund të jenë në kërkim të shpresës që jep Bibla e që ti tashmë e njeh. Le të marrim rastin e Zhanetës, një Dëshmitare e Jehovait. Asaj dhe nxënësve të tjerë në klasë iu la si detyrë të shkruanin nga një koment të shkurtër për secilin nga shokët e klasës, dhe pastaj secili nxënës do të lexonte komentet që ishin shkruar për të. Në njërin nga shënimet që mori Zhaneta thuhej: «Ti dukesh gjithmonë shumë e lumtur. Të lutem, na thuaj pse!»

Siç tregohet në këtë përvojë, disa nga shokët e klasës mund të jenë të gatshëm të mësojnë rreth bindjeve të tua. Pa dyshim, është mirë të jesh miqësor me ta, pasi kështu do të kesh mundësi t’u flasësh për besimin tënd. Lëri edhe shokët të shprehin pikëpamjet e tyre dhe dëgjoji kur flasin. Përvoja që fiton duke bashkëbiseduar me shokët, do të jetë shumë e vyer nëse një ditë do të të duhet të fillosh punë e do të përballesh me situata të ngjashme. Sjellja miqësore, në punë a në shkollë, do të të ndihmojë ‘që në çdo gjë të stolisësh mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë’.—Titit 2:10.

Shoqëri jo «nën të njëjtën zgjedhë»

Pa dyshim, të jesh i afrueshëm me një shok klase nuk është njësoj si të jesh shok i ngushtë me të. Pavli shkoi: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët.» (2 Korintasve 6:14) Që të jesh shok i ngushtë me dikë, duhet të kesh të njëjtat vlera dhe synime, dhe kjo nuk është e mundur të arrihet me dikë që nuk u përmbahet bindjeve dhe normave biblike që ndjek ti. Të futesh nën të njëjtën zgjedhë me një shok klase që nuk ka të njëjtat bindje si ti, ka të ngjarë të të shtyjë të ngatërrohesh me gjëra të gabuara ose të prishësh zakonet e tua të dobishme.

Maria e kuptoi këtë duke e pësuar. Natyra e saj e shoqërueshme, ia bënte të lehtë të tërhiqte pas vetes shokë, por të vështirë të kuptonte se ku ishte kufiri. «Më vinte mirë që çuna e goca më kishin qejf,—pranon ajo.—Si pasojë, e pashë veten të zhytur gjithnjë e më thellë në gropën thithëse të kësaj bote.»

Njësoj si Maria, edhe ti mund ta kesh të vështirë të kuptosh se kur shoqëria me dikë që nuk ka të njëjtat bindje si ti, është bërë tepër e ngushtë. Megjithatë, mund t’ia kursesh dhembjen vetes, nëse vë kufij të qartë se cilët do t’i kesh thjesht të njohur dhe cilët do t’i zgjedhësh si shokë të ngushtë. Si mund ta bësh këtë?

Si të zgjedhësh shokë të mirë?

Siç u përmend edhe më parë, Jezui lidhi shoqëri të ngushta kur ishte në tokë. Ai e bëri këtë duke bërë një jetë të ndershme dhe duke folur për gjëra frymore. Nëse njerëzit pranonin mësimet e tij dhe mënyrën e tij të jetesës, afroheshin më shumë me të. (Gjoni 15:14) Për shembull, pasi dëgjuan se çfarë tha Jezui, katër burra—Pjetri, Andrea, Jakovi dhe Gjoni—u prekën aq shumë, sa «braktisën çdo gjë dhe e ndoqën», e kështu u bënë shokët e ngushtë të Jezuit.—Luka 5:1-11; Mateu 4:18-22.

Fjalët dhe veprat e Jezuit e tregonin qartë se ai i kishte marrë seriozisht bindjet e tij dhe ishte i patundur në qëndrimin e tij. Ata që nuk e pranuan Jezuin dhe mësimet e tij, u tërhoqën, dhe ai i la të iknin.—Gjoni 6:60-66.

Për shembull, Jezui u prek thellë nga sinqeriteti i një djali të ri. Bibla thotë: «Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të.» Megjithatë, kur mësoi se çfarë priste Jezui nga shokët e tij, ai «iku». Ai dukej njeri i mirë—në të vërtetë Jezui «ndjeu dashuri për të»—megjithatë Jezui kërkonte më shumë nga shokët e tij. (Marku 10:17-22; Mateu 19:16-22) Po ti?

Ndoshta të hahet muhabeti me një shok shkolle. Megjithatë, pyet veten: ‘A është i gatshëm ai të zbatojë ato që urdhëron Jezui? A do që të njohë Jehovain, të cilin Jezui na udhëzoi të adhuronim?’ (Mateu 4:10) Nëse flet me shokët e klasës dhe nëse jeton sipas normave biblike, këto pyetje do të marrin përgjigje.

Është mirë të jesh i afrueshëm me shokët e klasës, njësoj si Jezui ishte miqësor me të gjithë njerëzit. Por Jezui sigurohej që ata që zgjidhte si shokë të ngushtë ta donin Atin e tij qiellor, Jehovain. Të njëjtën gjë mund të bësh edhe ti. ‘Mbaje të shkëlqyer sjelljen tënde’ në shkollë, dhe me takt folu të tjerëve për bindjet e tua. Mbi të gjitha, sigurohu që të zgjedhësh shokë të mirë.—1 Pjetrit 2:12.

[Shënimi]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

PYETJE PËR TË MENDUAR

▪ Cilat janë rreziqet kur kohën e lirë pas shkollës e kalon me një shok klase që nuk ka të njëjtat bindje si ti? A është e mençur një gjë e tillë?

▪ Pasi lexove këtë artikull, a mendon se je lidhur tepër me ndonjë nga shokët e klasës? Nëse po, çfarë mund të bësh?

[Kutia dhe figurat në faqen 18]

SI MUND TË BËJ MIQ TË VËRTETË?

Kjo videokasetë e përgatitur nga Dëshmitarët e Jehovait, ka intervista të sinqerta me të rinj nga Shtetet e Bashkuara, Italia, Franca dhe Spanja. Disponohet në 36 gjuhë.

[Figura në faqen 18]

Disa nga shokët e klasës mund të jenë kureshtarë për bindjet e tua