Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një ditë në Çernobil

Një ditë në Çernobil

Një ditë në Çernobil

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË UKRAINË

Para njëzet vjetësh, në impiantin bërthamor të Çernobilit ndodhi një aksident i paparë. Më 26 prill 1986, një nga katër reaktorët pësoi një shkrirje që pati pasoja katastrofike. Zakonisht pas katastrofave—natyrore ose për shkak të njeriut—mund të pastrohet dhe rindërtohet gjithçka. Megjithatë, ai aksident la pasoja afatgjata.

VITET e fundit, çdo 9 maj, banorët e dikurshëm të qytezave afër kësaj zone—nganjëherë me shokë dhe të afërm—bëjnë një pelegrinazh në ish-shtëpitë e tyre, tani të braktisura. Shkojnë edhe herë të tjera për funerale. Shkencëtarët e vizitojnë këtë zonë për të studiuar efektet e rrezatimit bërthamor. Përveç këtyre, kohët e fundit agjencitë turistike ukrainase ofrojnë udhëtime njëditore të shoqëruara me ciceron.

Në qershor të 2005-s, në një artikull në faqen e parë, The New York Times fliste për «udhëtimet me shoqërues» në Pripet, udhëtime të shkurtra që «nuk ishin të rrezikshme për shëndetin». * Pripeti—qytet me afro 45.000 banorë, që ndodhet rreth tri kilometra larg reaktorëve—u ndërtua në vitin 1970. Por pas katastrofës bërthamore ai u braktis, ashtu si shumë qytete të tjera. Këto vende u bënë zona të ndaluara për shkak të radioaktivitetit. Kur shkriu reaktori, Ana dhe Viktor Rudniku kishin afro një vit që po jetonin në Pripet. *

Qyteza e Çernobilit (gjithashtu edhe emri i impiantit bërthamor), është më e vogël dhe ndodhet gati pesëmbëdhjetë kilometra nga reaktorët. Vitet e fundit, banorëve të saj të dikurshëm u është lejuar ta vizitojnë një herë në vit. Familja Rudnik e ka vizituar Çernobilin, qytezën e lindjes, gjatë kësaj kohe. Më lejoni t’ju përshkruaj vizitën që bëmë atje para ca vitesh me gruan time dhe me këtë familje.

Pushime të zymta

Lamë pas Kievin, kryeqytetin e Ukrainës, dhe morëm një rrugë me dy korsi drejt veriut. Kaluam përmes qytezave me shtëpi buzë rrugës, ku tulipanët zbukuronin oborret përpara shtëpive dhe njerëzit kultivonin kopshte me perime. Nga qyteza në qytezë shihje fusha me misër, grurë dhe luledielli, që shtriheshin deri ku të hante syri.

Por në një pikë, sikur kapërcyem një kufi të padukshëm. Nuk kishte asnjë tabelë rrugore që të tregonte ndryshimin, por ne e ndiem. Një qetësi e mistershme pushtonte qytezat përgjatë rrugës. Në shtëpitë që po rrënoheshin, dritaret ishin shkatërruar dhe dyert ishin të mbyllura me dryna. Oborret dhe kopshtet ishin të mbuluara nga barërat e këqija.

Kishim hyrë në zonën e ndaluar—rreth 30 kilometra larg reaktorëve. «Qytetet në këtë zonë kanë nivele rrezatimi të larta,—na tha Ana.—Që këtu, mbi 150.000 banorë nga dhjetëra qytete dhe fshatra u transferuan në shtëpi të reja anekënd ish-Bashkimit Sovjetik.»

Pasi ecëm dhe pak, arritëm në një zonë tjetër. Një gardh shumë i lartë me tela me gjemba e ndante nga pjesa tjetër e botës. Aty afër, disa roja në një ndërtesë druri—që ngjante me një pikë kontrolli doganore—vrojtonin të gjitha lëvizjet. Një nga rojat na kontrolloi pasaportat, na regjistroi makinën dhe na hapi derën.

Tani ndodheshim brenda zonës së ndaluar. Pemët që sapo kishin çelur gjethe, formonin një tendë të gjelbër mbi rrugë. Një shkorret mbulonte sipërfaqen pyjore—sigurisht nuk ishte ashtu si e kisha imagjinuar unë me pemë të djegura e shkurre të thara. Përpara, në një tabelë që ngjante si tullë e bardhë ishte shkruar me shkronja blu emri i qytetit të Çernobilit.

Në kufi të Çernobilit kishte një farmaci. Dikur mamaja e Viktorit punonte aty. Në dritaren gjithë njolla dhe të mbuluar nga pluhuri varej ende një tabelë e zbehtë që tregonte orarin kur farmacia ishte hapur. Afër parkut qendror të qytetit ishte Pallati i Kulturës. Ana kujtonte kur ajo dhe banorët e tjerë shkonin shpesh atje për t’u çlodhur pas punës, dhe shihnin shfaqje nga artistë të ndryshëm. Afër tij ishte kinemaja, që quhej «Ukraina». Aty shkonin fëmijët për t’i shpëtuar vapës përvëluese dhe për të parë në fresk filmat e rinj. Ishin shuar prej kohësh të qeshurat e auditorit të kredhur në errësirë. Ana dhe Viktori na çuan në shtëpinë e tyre që ishte disa hapa larg qendrës. Pemët për të cilat s’ishte kujdesur njeri, kishin bllokuar derën kryesore. Prandaj çamë udhën një nga një përmes barishteve për nga dera e pasme—që ishte katandisur në një të çarë cepa-cepa në mur.

Brenda ishte shkatërruar çdo gjë. Një dyshek gjithë myk rrinte si thes mbi një sustë të ndryshkur. Letra e ndotur e mureve ishte bërë copë-copë dhe varej. Ana u ul për të marrë një fotografi të vjetër nga mbeturinat e shpërndara në tërë dhomën. «Gjithnjë kam dashur të kthehem dhe të gjej çdo gjë në rregull, tamam siç ishte më parë,—tha ajo me një zë të trishtuar.—Sa keq më vjen që shtëpia është katandisur kështu dhe që me kalimin e viteve kanë vjedhur çdo gjë.»

Lamë shtëpinë e familjes Rudnik dhe ecëm përposhtë rrugës. Në një cep, një grup njerëzish bisedonin gjithë gjallëri. Ecëm gjysmë kilometri deri aty ku rruga përfundonte në një vend të ngritur, nga ku shihje lumin që rridhte qetë-qetë. Lulet e bardha të gështenjave fërfërinin nga puhia. Në vitin 1986, në ato shkallë gjarpëruese që zbritnin teposhtë në skelë, qindra banorë pritnin barkat që t’i evakuonin.

Vitin e shkuar, pjesëtarët e familjes Rudnik vizituan për herë të parë ish-shtëpinë e tyre në Pripet. Ata u larguan nga ai qytet 19 vjet më parë, pasi shkriu reaktori bërthamor.

Një kohë për të reflektuar

Gjatë muajit prill të këtij viti, përkujtohet 20-vjetori i katastrofës bërthamore me ceremoni të ndryshme. Për shumë veta kjo shërben si një përkujtues solemn i paaftësisë së njeriut—pavarësisht nga përpjekjet e tij të sinqerta—për të administruar me sukses çështjet në tokë pa drejtimin hyjnor.—Jeremia 10:23.

Shkencëtarët e studiuan sërish atë tragjedi dhe shtatorin e shkuar nxorën rezultatet. Sipas këtij studimi që ishte autorizuar nga Kombet e Bashkuara, aksidenti në fillim vrau 56 vetë dhe parashikohet të vdesin vetëm 4.000 të tjerë si pasojë e drejtpërdrejtë e sëmundjeve të shkaktuara nga rrezatimi. Parashikimet e mëparshme në përgjithësi flitnin për 15.000 deri në 30.000 vdekje. Një kryeartikull i New York Times i 8 shtatorit 2005, pohonte se raporti i Kombeve të Bashkuara «ishte kritikuar nga grupe të ndryshme ambientaliste, si një orvatje e padrejtë për të mbuluar rreziqet e mundshme të fuqisë bërthamore».

Viktori, që pas katastrofës filloi të mësonte për Krijuesin, Perëndinë Jehova, tha: «Nuk jemi më të demoralizuar, sepse e dimë se, kur të vijë Mbretëria e Perëndisë, nuk do të ndodhin më kurrë aksidente kaq të tmerrshme. Mezi presim kohën kur peizazhi përreth shtëpisë sonë të dashur në Çernobil të përtërihet, e nga gjendja që është sot të bëhet pjesë e një parajse të mrekullueshme.»

Që nga katastrofa e Çernobilit, për miliona veta premtimi i Biblës se Parajsa e dikurshme tokësore do të rivendoset e do të shtrihet në të gjithë tokën, është diçka reale. (Zanafilla 2:8, 9; Zbulesa 21:3, 4) Vetëm në Ukrainë, mbi 100.000 veta kanë përqafuar këtë shpresë 20 vitet e fundit. Urojmë që edhe ju të shqyrtoni të ardhmen e shkëlqyer, e cila u premtohet atyre që përpiqen të mësojnë qëllimet e Perëndisë.

[Shënimet]

^ par. 5 Ndërsa burime të ndryshme kanë deklaruar se këto vizita të shkurtra janë të padëmshme, Zgjohuni! nuk rekomandon dhe nuk mbështet ndonjë planifikim personal për udhëtime në këtë zonë.

^ par. 5 Shih Zgjohuni! të 22 prillit 1997 (anglisht), faqet 12-15.

[Kutia dhe figura në faqen 16]

Monument për likuiduesit

Ky monument me përmasa gjigante nderon punëtorët e pastrimit të katastrofës së Çernobilit, të njohur si likuiduesit. Këta punëtorë shuan zjarrin, i groposën mbeturinat e reaktorit bërthamor që digjej në vetvete dhe pastruan ndotjen. Bëheshin qindra mijë punëtorë. Si pasojë e drejtpërdrejtë e këtij aksidenti parashikohet të vdesin rreth 4.000 veta, dhe shumica do të jenë nga këta punëtorë.

[Figurat në faqen 15]

Tabela që tregon qytetin e Çernobilit dhe kinemaja

[Figurat në faqen 15]

Çifti Rudnik dhe shtëpia e tyre në Çernobil

[Figurat në faqen 16]

Centrali elektrik ku shkriu reaktori bërthamor, rreth 3 kilometra larg nga apartamenti i familjes Rudnik në Pripet (fotografia e vogël)