Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse duhet ta shmangni spiritizmin?

Përse duhet ta shmangni spiritizmin?

Përse duhet ta shmangni spiritizmin?

NËSE ju është mësuar se disa forma të spiritizmit janë mënyra për t’u vënë në kontakt me frymërat e mira, mund të habiteni po të mësoni se çfarë thotë Bibla rreth spiritizmit. Për shembull, në të thuhet: «Mos iu drejtoni mediumeve dhe magjistarëve [parashikuesve profesionistë të ngjarjeve, BR]; mos u konsultoni për të mos u ndotur me anë të tyre.»​—Levitiku 19:31; 20:6, 27.

Bibla, në fakt, e përshkruan atë që praktikon spiritizmin si «diçka të neveritshme para Jehovait». (Ligji i përtërirë 18:11, 12, BR) Përse? Një vështrim më nga afër i asaj që thotë Bibla rreth një aspekti kryesor të spiritizmit, pra, rreth komunikimit të supozuar me të vdekurit, do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

A janë gjallë të vdekurit?

Ndryshe nga ç’mendojnë shumë njerëz, Fjala e Perëndisë, Bibla, mëson se nuk është e mundur që njerëzit të komunikojnë me të dashurit e tyre që kanë vdekur. Pse jo? Epo, që ndokush të flasë me të vdekurit, duhet në të vërtetë që të vdekurit të jenë gjallë. Duhet të ekzistojë një pjesë e tyre që mbijeton pas vdekjes. Disa thonë se pasi trupi vdes, shpirti vazhdon të jetojë. A është e vërtetë kjo?

Tregimi biblik rreth krijimit të njeriut thotë: «Perëndia Jehova krijoi njeriun nga pluhuri i dheut, i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» (Zanafilla 2:7, BR) A nuk zbulon kjo se vetë personi është një shpirt dhe se ai nuk ka një shpirt të pavdekshëm që vazhdon të jetojë pas vdekjes së trupit? Në fakt, Shkrimet thonë: «Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.» (Ezekieli 18:4) ‘Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë . . . Nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri në Sheol’, në varrin e përgjithshëm të njerëzimit.​—Predikuesi 9:5, 10.

Kështu, sipas Biblës, shpirti nuk është diçka që mbijeton pas vdekjes së trupit dhe me të cilin qeniet njerëzore mund të komunikojnë më pas. Më poshtë jepen dy shembuj studiuesish të respektuar të Biblës, të cilët kanë arritur në përfundimin që shpirti vdes. Teologu kanadez Klark H. Pinak vërejti: «Ky koncept [që shpirti njerëzor është i pavdekshëm] ka ndikuar në teologji për shumë e shumë kohë, por nuk është një koncept biblik. Bibla nuk mëson që shpirti është prej natyre i pavdekshëm.» Ngjashëm, studiuesi britanik Xhon R. U. Stot pohoi: «Pavdekshmëria​—e për pasojë edhe pashkatërrueshmëria​—e shpirtit është një koncept grek, jo një koncept biblik.»

Megjithatë, njerëzit në fakt marrin mesazhe dhe dëgjojnë zëra që duket se vijnë nga të vdekurit. Kush u flet atëherë?

Komunikim me kë?

Bibla tregon se një person i padukshëm frymor përdori një gjarpër (ashtu si një njeri që flet me bark përdor një kukull), për të komunikuar me gruan e parë, Evën, dhe e shtyu atë të rebelohej kundër Perëndisë. (Zanafilla 3:1-5) Bibla e quan këtë person frymor ose engjëll, «gjarpri i hershëm, ai që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9) Ky person, Satanai, ia doli të joshte edhe engjëj të tjerë në rebelim. (Juda 6) Këta engjëj të ligj janë quajtur demonë dhe janë armiq të Perëndisë.

Bibla tregon se demonët kanë fuqi të ndikojnë te njerëzit. (Luka 8:26-34) S’është çudi, pra, që Ligji i Perëndisë thotë: ‘Të mos gjendet midis teje ndonjë . . . medium që konsulton frymat, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit, sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti.’ (Ligji i përtërirë 18:10-12) Çfarë rreziqesh ka ta shpërfillësh këtë ligj?

Një përvojë e vërtetë nga jeta e mbretit Saul të Izraelit të lashtë i përgjigjet kësaj pyetjeje. Nga frika e armiqve, mbreti Saul kërkoi një medium. I kërkoi asaj të lidhej me profetin e vdekur Samuel. Duke dëgjuar përshkrimin e mediumit për një burrë të moshuar, Sauli e mori atë si shfaqja e Samuelit. E çfarë mesazhi mori Sauli? Izraeli do të jepej në duart e armiqve dhe Sauli e bijtë e tij do të ishin me «Samuelin», që tregonte se do të vdisnin. (1 Samuelit 28:4-19) Cili qe reagimi i Perëndisë ndaj vendimit të Saulit për t’u konsultuar me një medium? Shkrimet na tregojnë: ‘Kështu Sauli vdiq për shkak të mosbesnikërisë së tij . . . dhe njëkohësisht sepse kishte konsultuar një medium për të marrë këshilla prej saj.’ (1 Kronikave 10:13) Çfarë çmimi të lartë pagoi!

Ngjashëm, sot ata që përfshihen në spiritizëm e vënë veten në rrezik të madh. Bibla paralajmëron se «ata që praktikojnë spiritizmin» do të përjetojnë ‘vdekjen e dytë [ose të përhershme]’. (Zbulesa 21:8; 22:15) Është e qartë, pra, se rruga e mençur e jetëshpëtuese që duhet të marrim është ta shmangim spiritizmin në të gjitha format e tij.

Si t’u rezistoni frymërave të liga?

Po sikur tanimë të jeni përfshirë në spiritizëm? Atëherë bëni mirë të ndërmerrni hapa të menjëhershëm për të mbrojtur veten dhe familjen tuaj nga dëmtimi prej frymërave të liga. Çfarë hapash? Le ta ilustrojmë: Si e mbron një person shtëpinë dhe familjen e tij nga një parazit? Pasi e pastron shtëpinë prej tyre, heq nga banesa ato gjëra që tërheqin parazitin. Zë plasaritjet dhe përforcon muret për të penguar hyrjen e parazitit, dhe nëse problemi me parazitin vazhdon, mund të kërkojë ndihmën e institucioneve të specializuara për t’u marrë me këtë gjë.

Një mënyrë e ngjashme të vepruari mund t’ju ndihmojë t’u rezistoni frymërave të liga dhe të çliroheni prej tyre. Shqyrtoni shembullin e të krishterëve të shekullit të parë në Efes, të cilët, para se të bëheshin të krishterë, praktikonin spiritizmin. Pasi e ndanë mendjen të çliroheshin nga spiritizmi, ata ndërmorën tre hapa për t’u mbrojtur nga sulmet e frymërave të liga ngjashëm sulmeve të parazitëve. Çfarë bënë?

Hapi i parë

Bibla shpjegon: «Mjaft nga ata që kishin praktikuar artet magjike, i grumbulluan librat e tyre dhe i dogjën para të gjithëve.» (Veprat 19:19) Duke i shkatërruar librat e tyre të fallit, ata të krishterë të rinj në të vërtetën lanë një shembull për të gjithë ata që duan t’u rezistojnë frymërave të liga sot. Çlirohuni nga të gjitha objektet që kanë të bëjnë me spiritizmin. Kjo do të përfshinte gjithë librat, revistat, librat komikë, videot, posterat, materiale nga burime elektronike e kasetat me muzikë që kanë ngjyrime spiritiste, si edhe hajmalitë a sende të tjera që mbahen për «mbrojtje».​—Ligji i përtërirë 7:25, 26; 1 Korintasve 10:21.

Një burrë nga Amerika Jugore, i cili ishte zhytur në spiritizëm për dekada të tëra, e mori për zemër këtë këshillë nga Shkrimet. «Një ditë,​—kujton ai,​—i mblodha të gjitha gjërat e mia të spiritizmit para shtëpisë, kapa një sëpatë dhe i bëra copë-copë.» Pastaj i dogji të tëra, derisa s’mbeti asgjë. Pas kësaj ai bëri përparim të mirë frymor dhe jo shumë kohë më vonë u bë një shërbëtor i zellshëm në njërin nga kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait.

Gjithsesi, ky hap i parë nuk mjafton. Përse jo? E pra, edhe disa vjet pasi të krishterët në Efes i kishin shkatërruar librat e magjisë, apostulli Pavël shkroi: «Ne kemi një përleshje . . . kundër forcave të liga frymore.» (Efesianëve 6:12) Demonët s’ishin dorëzuar. Ata po bënin ende përpjekje që të fitonin. Ç’duhet të bënin tjetër ata të krishterë?

Hapi i dytë

Pavli i nxiti efesianët e shekullit të parë: «Vishni armaturën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje të qëndroni të patundur kundër veprimeve dinake të Djallit.» (Efesianëve 6:11, shënimi) Kjo këshillë është ende e vlefshme sot. Në mënyrë shumë të ngjashme me atë njeri që përpiqet ta mbajë parazitin larg shtëpisë, i krishteri duhet të forcojë mbrojtjen e tij ngjashëm një muri, me qëllim që të qëndrojë jashtë ndikimit të frymërave të liga. Çfarë përfshin ky hap i dytë?

«Mbi të gjitha,​—thekson Pavli,​—merrni mburojën e madhe të besimit, me të cilën do të jeni në gjendje të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.» (Efesianëve 6:16) Kjo mburojë është absolutisht e nevojshme. Sa më të patundur të jeni në besim, aq më me forcë do t’u rezistoni forcave të liga frymore.​—Mateu 17:20.

Si mund ta forconi, atëherë, mbrojtjen tuaj? Duke vazhduar studimin e Biblës. Në ç’mënyrë lidhet studimi i Biblës me besimin? E pra, ashtu si patundshmëria e një muri varet shumë nga fortësia e themeleve të tij, ashtu edhe patundshmëria e besimit varet në një masë të madhe nga fortësia e themelit të tij. Çfarë është ky themel?

Njohuria e saktë e Fjalës së Perëndisë. Apostulli Pavël shpjegon: «Besimi vjen pas asaj që është dëgjuar. Nga ana e saj, ajo që është dëgjuar vjen nëpërmjet fjalës në lidhje me Krishtin.» (Romakëve 10:17) Jeni të ftuar të kërkoni një studim biblik pa pagesë me një Dëshmitar të Jehovait, në një kohë dhe vend të volitshëm për ju. Ky studim do t’ju forcojë besimin. (Romakëve 1:11, 12; Kolosianëve 2:6, 7) Rezultati? Nuk do kalojë shumë, dhe besimi juaj do të bëhet një barrikadë që do të shërbejë si mburojë kundër ndikimit të frymërave të liga.​—Psalmi 91:4; 1 Gjonit 5:5.

Cili është hapi i tretë që duhej të ndërmerrnin ata të krishterë në Efes?

Hapi i tretë

Në ato kohëra në Efes, besimtarët e rinj në të vërtetën kishin ndërmarrë hapa për t’u rezistuar frymërave të liga, por ata të krishterë jetonin ende në një qytet plot me demonizëm. Kishin nevojë për mbrojtje të mëtejshme. Prandaj, kur u shkroi bashkëbesimtarëve, apostulli Pavël u tha se çfarë të bënin: «Vazhdoni . . . të luteni në çdo rast në frymë me çdo lloj lutjeje dhe me përgjërim. E për këtë qëllim qëndroni zgjuar me qëndresë të plotë dhe me përgjërim për gjithë të shenjtët.»​—Efesianëve 6:18.

Patjetër, lutja intensive dhe e vazhdueshme për mbrojtjen e Jehovait ishte, dhe është ende, një hap thelbësor, që është i nevojshëm për t’u mbrojtur kundër frymërave të liga. E është ngushëlluese të dini se Jehovai do t’u përgjigjet përgjërimeve tuaja me gjithë zemër, duke ju dhënë mbrojtjen e tij, e cila përfshin ndihmën e engjëjve të tij. (Psalmi 34:7; 91:2, 3, 11, 14; 145:19) Është mjaft e rëndësishme, pra, të ngulmoni duke iu lutur Perëndisë: «Na çliro nga i ligu.»​—Mateu 6:13; 1 Gjonit 5:18, 19.

Antonio, një ish-medium në Brazil, e kuptoi vlerën e lutjes. Pasi pranoi një studim biblik dhe mësoi emrin e Perëndisë, Jehova, ai filloi t’i lutej në mënyrë intensive Perëndisë Jehova për ndihmë, që të shkëputej nga spiritizmi. Duke hedhur vështrimin mbrapa, ai thotë: «Lutja ndaj Jehovait ka dalë se është një strehë për mua dhe për mjaft të tjerë që në të kaluarën kanë qenë nën skllavërinë e frymërave të liga.»​—Fjalët e urta 18:10.

Mund t’ia dilni mbanë

Është jetësore që pasi ta njihni Jehovain, të besoni plotësisht tek ai, t’i nënshtroheni autoritetit të tij dhe t’u bindeni urdhërimeve të tij. Nëse bëni kështu, kur ta thërritni për ndihmë, duke përdorur emrin e tij personal, ai do t’ju japë mbrojtje. Antonio e mori këtë mbrojtje. Sot ai është plak i krishterë në një nga kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në San Paolo dhe është mirënjohës që ka gjetur të vërtetën, e cila e ka liruar.​—Gjoni 8:32.

Ashtu si Antonio dhe mijëra ish-spiritistë të tjerë që tani i shërbejnë Perëndisë Jehova, edhe ju mund t’ia dilni të shpëtoni nga spiritizmi. Prandaj, çlirohuni nga objektet që kanë të bëjnë me spiritizmin, forconi besimin nëpërmjet studimit të Biblës dhe lutuni për mbrojtjen e Jehovait. Ndërmerrini këta hapa: nga kjo varet jeta juaj!

[Diçitura në faqen 5]

Sipas Biblës, të gjallët nuk mund të komunikojnë me të vdekurit

[Figura në faqen 6]

1. Çlirohuni nga të gjitha objektet që kanë të bëjnë me spiritizmin

[Figura në faqen 7]

2. Vazhdoni të studioni Biblën

[Figura në faqen 8]

3. Lutuni intensivisht dhe shpesh