Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Beteja ime me endometriozën

Beteja ime me endometriozën

Beteja ime me endometriozën

TREGUAR NGA DEBORA ANDREOPULOS

DUHET ta them që në fillim se nuk jam nga ata tipa që shqetësohen vazhdimisht për shëndetin. Nuk bëhem merak për dhembjet e vogla që mund të kem kohë pas kohe. Përpiqem ta marr jetën ashtu siç është. Disa ditë janë të mira; disa të tjera janë të këqija.

Megjithatë, gjatë adoleshencës, nisa të luftoj me dhembje të forta. Gjatë ditëve të vështira të ciklit menstrual, kisha shpesh dhembje therëse në vezore, si edhe dhembje koke, diarre, marrje mendsh, të përzier dhe dhembje në fund të shpinës. Nganjëherë vuaja njëkohësisht nga më shumë se një prej këtyre simptomave. Vura re pastaj se ushtrimet dhe pushimi më bënin mirë, por ishte e vështirë të gjeja kohën.

Dhembja është diçka personale. Nuk mund ta matësh dhe nuk ua përshkruan dot gjithnjë të tjerëve në mënyrë bindëse. Disa herë kaloja ditë të tëra në krevat, e sfilitur nga simptomat e përmendura më sipër, ose e detyroja veten të çohesha dhe të ndiqja një rutinë më aktive, teksa merrja qetësues. E kisha të vështirë të punoja dhe të bëja një jetë normale. Isha tepër e zhgënjyer. Ndieja që diçka s’ishte në rregull. Por kur bëja kontrollet e zakonshme mjekësore, fjalët siguruese të mjekëve ma largonin atë mendim.

Simptomat u keqësuan kur kalova moshën 30-vjeçare. Dhembje djegëse vinin e shkonin pa ndonjë arsye të dukshme. Zgjohesha në mes të natës nga dhembje të forta. Njëherë fjeta vetëm pak orë gjatë një jave të tërë. Veç kësaj, kisha herë pas here pak temperaturë, për ditë me radhë. Përfundoja duke përdorur qetësues për dhembje të ndryshme, pilula për qetësimin e spazmave në zorrë, pilula për stomakun dhe pomada e hape për shpinën.

Mjeshtre e mimetizimit

Simptomat që më torturonin mund t’i atribuoheshin një sërë sëmundjeve të njohura. Gjendja ime po merrte pamjen e migrenës, të ngjitjeve në pjesën e legenit, të dismenorresë (dhembje nga menstruacionet), të sindromit të zorrës së irritueshme, të kolitit dhe të gastritit. Vazhdoja t’ia vija fajin dismenorresë për shumicën e dhembjeve, por asokohe nuk e dija se intensiteti i dhembjeve të dismenorresë është krejt i ndryshëm nga ajo që po përjetoja.

Më thanë se ishte diçka e zakonshme të kishe një cikël menstrual të vështirë dhe dhembje, e se disa faktorë që ndikonin mund të ishin trashëgimia, mungesa e ushtrimeve të rregullta, orët e gjata të punës ulur, problemet hormonale, lodhja, stresi, si edhe fakti që kisha kaluar moshën 30-vjeçare pa lindur. Një mjek, madje, më tha se të gjitha simptomat e mia ishin shenjë e shëndetit të mirë!

Po simptomat e tjera shqetësuese? Për rraskapitjen u quajt përgjegjëse puna e madhe dhe stresi. Për temperaturën u bë përgjegjëse lodhja. Për dhembjet në zorrë dhe shqetësimet në stomak u bë përgjegjës stresi dhe dieta e papërshtatshme. Faji për dhembjen e shpinës iu vu një problemi në shtyllën kurrizore dhe pozicionit të gabuar të mbajtjes së trupit. Kështu, gjithçka dukej se e kishte një shpjegim. Megjithatë, mbetej fakti që unë ndihesha vërtet shumë keq.

Më në fund, diagnoza e duhur

Në prill 1998 bëra një kontroll me ultratinguj, por rezultatet treguan se vezoret i kisha të pastra. Gjatë katër muajve që pasuan, shëndeti m’u keqësua më shumë. Vendosa të vizitohesha te një mjek. Ai urdhëroi të më bëhej përsëri një analizë me ultratinguj dhe zbuloi diçka shumë të madhe jashtë mitrës. Atëherë më dërgoi te një gjinekolog. Gjinekologu konfirmoi se kisha ose një cist mjaft të madh, ose një formacion cistesh afër mitrës, me përmasa 10 centimetra me 12 centimetra​—aq i madh, sikur të isha katër muajshe shtatzënë! Pas kësaj, ai dyshoi se shkaku i problemeve të mia ishte endometrioza.

Në fillim mbeta e hutuar. Dija shumë pak për endometriozën. Kisha aq shumë pyetje. Çfarë e shkakton? Si do të ndikonte kjo gjë në jetën time? Ndjenja që provova më pas ishte lehtësimi. Për shumë vjet isha ndier si e zënë në grackë në një tunel dhembjesh. Kur pas analizash mjekësore të përsëritura nuk më jepej asnjë terapi qetësuese ose ndonjë shpjegim i kënaqshëm, ndihesha vërtet e pafuqishme dhe e dëshpëruar e përfundoja duke akuzuar veten se reagoja në mënyrë të tepruar ndaj dhembjeve normale të përditshme. Thosha me vete se intensiteti i dhembjeve ishte vetëm në imagjinatën time. Por, tani, të gjitha ato simptoma që më linin ndërdyshas e kishin një shpjegim.

Shkaqet, dhe mundësitë e kurimit

Mjeku sugjeroi që brenda pak ditësh të operohesha, pasi cisti ose cistet mund të shpërthenin në çfarëdo momenti. Megjithatë, para kësaj, im shoq dhe unë vendosëm ta shqyrtonim këtë diagnozë dhe të mësonim sa më shumë të mundeshim për të panjohurën me emrin endometriozë.

Mësuam se sipas disa përllogaritjeve, deri në 30 për qind e grave në moshën riprodhuese mund të kenë endometriozë! Shkaku i endometriozës nuk dihet. Një teori është se gjatë menstruacioneve, një pjesë e indit të menstruacioneve lëviz mbrapsht përmes tubave të Falopit, implantohet ose vendoset në bark dhe atje shtohet. Një tjetër teori sugjeron që indi i endometrit shpërndahet nga mitra në pjesë të tjera të trupit nëpërmjet sistemit limfatik ose qarkullimit të gjakut. Një teori gjenetike sugjeron që endometrioza mund të mbartet nga gjenet e disa familjeve ose që disa gra mund të kenë faktorë që i bëjnë të prirura ndaj saj. Të tjerë ua vënë fajin toksinave dhe dioksinave që gjenden në mjedisin tonë të ndotur.

Na u tha se çdo rast i endometriozës është i ndryshëm. Vendndodhja e indit të implantuar, thellësia në të cilën ka depërtuar dhe madhësia e përgjithshme e tij kontribuojnë në natyrën unike të sëmundjes. Mësuam se edhe një sasi fare e vockël indi të implantuar mund të shkaktojë dhembje ligështuese, nëse ngacmon ndonjë nerv diku afër.

Disa mjekë mendojnë se zgjidhja përfundimtare është heqja e mitrës bashkë me vezoret. Megjithatë, përveç kësaj, mund të përdoren hormone për ta ndaluar ovulacionin për sa më shumë kohë që të jetë e mundur. Kjo ndonjëherë mund të bëjë që endometrioza të qetësohet gjatë kohës së trajtimit, e disa herë edhe për muaj ose vite pas trajtimit. Në disa raste rekomandohet edhe ajo lloj kirurgjie që përpiqet t’i ruajë indet sa më shumë të jetë e mundur​—qoftë kirurgji tradicionale, qoftë nëpërmjet laparoskopit​—e cila përfshin heqjen ose shkatërrimin e tumoreve. Kjo gjë mund t’i lehtësojë simptomat.

Operimi dhe rishfaqja

Kjo mundësi e fundit dukej se ishte më e përshtatshmja për rastin tim. Pasi cistet u hoqën me operacion, u habita kur mjeku më tha se operacioni nuk do t’i ndreqte të gjitha problemet e mia shëndetësore. Ai tha se do të më nevojitej shpresë dhe gatishmëri për të pranuar gjendjen time, në mënyrë që të vazhdoja ta jetoja jetën sa më plotësisht që të ishte e mundur, pavarësisht nga ndonjë keqësim i shëndetit në të ardhmen. Më siguroi se do të ishte i gatshëm të më ndihmonte në çfarëdo kohe.

Mjeku më tha se çdo tre muaj duhet të bëja një kontroll me ultratinguj të vezoreve dhe se duhet të isha e përgatitur të merrja herë pas here mjekim, në varësi nga gjendja ime. Më rekomandoi që të filloja menjëherë trajtimin me hormonin lirues të gonadotropinave. Në thelb, kjo gjë pengonte lirimin e hormoneve që stimulojnë funksionet e vezores dhe më fuste në një pseudo-menopauzë. Ky ilaç mund të merrej vetëm për gjashtë muaj, sepse mund të shkaktonte rënie të densitetit të kockave ose ndryshime të tjera që shoqërojnë menopauzën.

Rreth një muaj e gjysmë pas përfundimit të trajtimit ndjeva sërish dhembje therëse. Kisha lexuar për përqindjet e rishfaqjes së sëmundjes dhe isha përpjekur ta përgatitja veten për krizën tjetër të endometriozës. Por nuk e prisja të vinte kaq shpejt. Kontrolli me ultratinguj tregoi se tani kisha një cist të madh në vezoren e majtë. Mora menjëherë mjekimin e rekomanduar për një javë, dhe dhembjet u lehtësuan. Pas disa muajsh ky cist s’ishte më. Por, një vit më pas u shfaq një cist tjetër. Sido që të jetë, do të më duhet të jem gjithë jetën në gatishmëri dhe nën kujdesin e një mjeku.

Meqë endometrioza është sëmundje hormonale dhe e sistemit imunitar, ka edhe gjëra të tjera, veç mjekimit, që e ndihmojnë trupin të gjejë ekuilibrin. Më është dashur të rregulloj dietën, duke përfshirë më shumë perime të freskëta, fruta me bollëk, si edhe duke marrë vitamina e duke pakësuar konsumin e kafeinës. Bëj më shumë ushtrime dhe i kushtoj më shumë kohë pushimit. E gjithë kjo më ka ndihmuar të pakësoj efektet anësore të mjekimit dhe ta bëj trupin më të fortë.

Gjatë këtyre peripecive, e kam çmuar mbështetjen e dhembshur dhe mirëkuptimin e dashur të burrit tim. Veç kësaj, bashkëpunëtorët e mi​—të gjithë vullnetarë në degën e Shoqatës Watch Tower në Greqi​—kanë qenë të gjindshëm, dhe kjo ma ka ngrohur zemrën. Mbi të gjitha, kam marrë forcë nga marrëdhënia personale me Jehovain, me atë që ‘më ka ndihmuar në shtratin e sëmundjes’.​—Psalmi 41:3.

[Kutia dhe figura në faqen 10]

Komuniko!

Sëmundja dhe dhembja mund të shkaktojnë stres në çfarëdo marrëdhënieje. Gjithsesi, në të njëjtën kohë, ato ofrojnë edhe mundësi për rritje emocionale. Kur sëmundja duket se s’ka fund, sjellja e personit që vuan mund të jetë mjaft e ndryshme. Kjo gjë mund të paraqesë sfida për pjesëtarët e familjes, sidomos për bashkëshortët. Në vend që të dorëzohen, bashkëshortët duhet të përpiqen të zhvillojnë dhe të vënë në përdorim aftësitë e komunikimit, duke mos u ngutur të akuzojnë dhe duke qenë të shpejtë për të falur.

Një grua që vuan nga endometrioza duhet të kujtojë se i tërë cikli menstrual është diçka që një burrë nuk e ka përjetuar kurrë dhe se gjendja e saj mund të jetë krejtësisht pështjelluese për të. Megjithatë, nëse bashkëshorti përfshihet plotësisht gjatë shqyrtimit të problemit, ka të ngjarë që të bëhet më mirëkuptues. Këtu janë disa sugjerime për pacienten.

Bashkëshorti nuk mund t’ju lexojë mendjen; tregojini se si dhe ku ju dhemb

Zgjidhni një mjek që do të të mësojë si ty, ashtu edhe burrin tënd rreth endometriozës dhe që, po të jetë e nevojshme, do të harxhojë më tepër kohë

Tregojini bashkëshortit rreth ndryshimeve në mënyrën se si ndiheni, duke përfshirë edhe ndryshimet për mirë.

Kërkojini të lexojë rreth kësaj gjendjeje

[Kutia dhe diagramet në faqen 11]

Çfarë është endometrioza?

Endometrioza e merr emrin nga endometri​—shtresa e qelizave që vesh uterusin (mitrën). Endometrioza është një gjendje në të cilën një ind i ngjashëm me endometrin shfaqet në vendndodhje të ndryshme jashtë mitrës. Sëmundja mund të ndeshet në organet fqinje, si në vezoret, në fshikëz, në zorrë, dhe në disa raste mund të jetë e pranishme në gjithë zonën e legenit.

Ndonëse përfshin rritjen anormale të një indi, endometrioza zakonisht nuk është kanceroze. Ajo që e bën endometriozën një anomali nuk është indi në vetvete, por vendosja e këtij indi jashtë mitrës. Brenda mitrës, indi i endometrit ndihmon për të ushqyer një fetus në zhvillim gjatë shtatzënisë. Te gratë që s’janë shtatzëna, ai nxirret jashtë gjatë menstruacioneve.

Mirëpo, indi endometrial që ndodhet jashtë mitrës nuk ka asnjë mënyrë për të dalë nga trupi. Pasoja është gjakrrjedhje e brendshme, degjenerim i gjakut dhe i indit që rrjedh nga indet e implantuara, mahisje e zonave rrethuese dhe formim indi të dëmtuar. Disa ndërlikime të tjera, që varen nga vendndodhja e indeve të implantuara, mund të jenë formimi i ngjitjeve, gjakrrjedhja në zorrë ose bllokimi i tyre, pengimi i funksionimit të fshikëzës dhe çarja e indit të implantuar, e cila mund ta përhapë sëmundjen. Me kalimin e kohës, simptomat mund të keqësohen, ndonëse në disa raste pacientet kalojnë cikle përmirësimi dhe rishfaqjeje të sëmundjes.

[Diagramet]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Tubat e Falopit

Vezoret

Mitra

Endometri (qeliza që veshin muret e mitrës)

Çdo muaj, indet e implantuara të endometrit çahen dhe rrjedhin gjak, por s’kanë asnjë mënyrë për të dalë nga trupi

Ind i endometrit i implantuar

Ngjitje në vezore

Ind i endometrit i implantuar

[Kutia dhe figura në faqet 12, 13]

«NJËFARË SËMUNDJEJE E ÇUDITSHME FEMËRORE?»

Për të zbuluar më shumë rreth efekteve mendore dhe emocionale të endometriozës, Zgjohuni! foli me Meri Lu Bollueg, presidente e Shoqatës së Endometriozës, në Miluoki, Uiskonsin. Këtu është një fragment nga ajo intervistë.

Pyetja: Çfarë efektesh emocionale ka endometrioza te gratë?

Përgjigjja: Shumë varet nga se si po përparon sëmundja në një moment të caktuar. Kur të sëmurat janë adoleshente, kjo mund të jetë mjaft rrënuese nga ana emocionale. Vajzat nuk mund ta kuptojnë me të vërtetë çfarë po ngjet, sidomos ngaqë gjendja e tyre në atë periudhë zakonisht nuk diagnostikohet. Ato, gjithashtu, janë mjaft të ndjeshme rreth këtyre çështjeve. Nuk duan të flasin për to me prindërit a me ndokënd tjetër. Kështu, këto të reja mund të mendojnë se nuk janë aq të forta ose aq të zonjat sa njerëzit e tjerë. Shpesh kanë vështirësi që të ecin në një hap me detyrat shkollore dhe kanë probleme në jetën shoqërore. Njohim shumë vajza që e kanë lënë shkollën. Çdo javë dëgjojmë nga të paktën një vajzë se s’po ia del në shkollë, për shkak të problemeve të rënda shëndetësore që lidhen me endometriozën.

Pyetja: Po gratë e martuara dhe ato në moshë të shkuar?

Përgjigjja: Dhembjet mund të shkaktojnë pështjellim të madh në martesë, sidomos nëse gjendja e gruas nuk është diagnostikuar. Pasi sëmundja diagnostikohet, burri dhe gruaja mund të punojnë së bashku, sepse e dinë çfarë po ngjet. Pas kësaj shpresohet se ata mund të gjejnë së bashku mënyra për të neutralizuar efektet e sëmundjes. Por është vërtet shkretuese kur gjendja e gruas nuk diagnostikohet siç duhet. Kemi një grua këtu në stafin tonë, së cilës mjeku i tha​—përpara të shoqit​—se simptomat ishin të gjitha në kokën e saj. I shoqi e besoi mjekun, dhe tani ata janë të divorcuar. Kjo mungesë mirëkuptimi është një sfidë e madhe. Nëse shkon në shtëpi dhe i thua familjes se ke ndonjë sëmundje kronike, si për shembull, sklerozë të përhapur, ka të ngjarë që të gjesh mirëkuptim dhe mbështetje. Por nëse shkon në shtëpi dhe u thua se ke endometriozë, përgjigjja është: e pastaj, ç’na qenka kjo? Për ta është njëfarë sëmundjeje e çuditshme femërore, për të cilën kurrkush nuk dëshiron madje as të flasë. Mund të mos të mbështetin aspak.

Pyetja: Ç’lloj mbështetjeje mendoni se mund t’i japin bashkëshorti, fëmijët dhe prindërit një gruaje që ka endometriozë?

Përgjigjja: Para së gjithash, mendoj se duhet ta besojnë gruan dhe të besojnë atë që po i ngjet. Duhet të përpiqen të ofrojnë atë mbështetje që do të ofronin nëse do të dilte çfarëdolloj problemi tjetër shëndetësor. Një pjesë e madhe e kësaj mbështetjeje është të mësosh gjithçka që mundesh rreth sëmundjes. Pasi të dish më shumë për këtë sëmundje, mund të kuptosh efektet e saj dhe mund të kuptosh, gjithashtu, efektet anësore të disa prej ilaçeve. Veç kësaj, mendoj se shumica e shoqërive anekënd botës kanë krijuar një tabu​—u vjen zor të flasin rreth biologjisë së femrës. Kjo është vërtet e trishtueshme. Prandaj, mendoj se sfida më e madhe, ndoshta, që ndeshim anembanë botës është të ndryshojmë qëndrimet e njerëzve rreth asaj se çfarë nënkupton të jesh femër.

[Figura]

Meri Lu Bollueg