Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Katër fjalë që ndryshuan botën

Katër fjalë që ndryshuan botën

Kapitulli Shtatë

Katër fjalë që ndryshuan botën

1. Ç’shtrirje pati ndikimi i katër fjalëve të shkruara shumë kohë më parë në një mur?

KATËR fjalë të thjeshta të shkruara në një mur të suvatuar. Megjithatë, ato katër fjalë i futën frikën një sundimtari të fuqishëm që thuajse luajti mendsh. Ato njoftuan heqjen nga froni të dy mbretërve, vdekjen e njërit prej tyre dhe fundin e një fuqie të madhe botërore. Rezultati i atyre fjalëve qe poshtërimi i një urdhri të nderuar fetar. Ç’është më e rëndësishmja, ato lartësuan adhurimin e pastër të Jehovait dhe ripohuan sovranitetin e tij në një kohë kur shumica e njerëzve tregonin mospërfillje si për njërin, ashtu edhe për tjetrin. Madje ato fjalë hodhën dritë mbi ngjarje të botës së sotme! Si mund ta bënin gjithë këtë katër fjalë? Le ta shohim.

2. (a) Çfarë ndodhi në Babiloni pas vdekjes së Nabukodonosorit? (b) Cili sundimtar e kishte tani pushtetin?

2 Që prej ngjarjeve të përshkruara në kapitullin 4 të Danielit kanë kaluar dekada. Mbretërimi 43-vjeçar i mbretit krenar Nabukodonosor në Babiloni mori fund me vdekjen e tij në vitin 582 p.e.s. Nga familja e tij dolën një sërë pasuesish, por vdekja e parakohshme ose vrasja i dha fund sundimit të tyre, njëri pas tjetrit. Së fundi, një burrë i quajtur Nabonid e fitoi fronin me anë të një revolte. Me sa duket, si bir i një kryepriftëreshe të perëndisë hënë Sin, Nabonidi nuk kishte lidhje gjaku me shtëpinë mbretërore të Babilonisë. Disa autoritete hedhin idenë se për ta ligjëruar sundimin e tij, ai u martua me një bijë të Nabukodonosorit, e bëri birin e tyre bashkëregjentin e vet dhe ia la në ngarkim Babiloninë për vite të tëra njëherësh. Nëse është kështu, Belshazari duhet të ketë qenë nipi i Nabukodonosorit. A kishte mësuar ai nga përvojat e gjyshit të tij se Jehovai është Perëndia Suprem, në gjendje për të poshtëruar çdo mbret? Vështirë!—Danieli 4:37.

NJË GOSTI DEL JASHTË KONTROLLIT

3. Si ishte gostia e Belshazarit?

3 Kapitulli i pestë i Danielit hapet me një banket. «Për sa i përket Belshazarit, mbretit, ai bëri një gosti të madhe për një mijë të mëdhenj të tij dhe përballë të njëmijëve pinte verë.» (Danieli 5:1) Siç mund ta marrësh me mend, për t’u ulur gjithë këta burra bashkë me gratë dytësore të mbretit dhe konkubinat e tij, duhet të jetë dashur një sallon tepër i madh. Një studiues vëren: «Banketet babilonase ishin madhështore, megjithëse zakonisht përfundonin në dehje. Tryeza ishte plot e përplot me verë të importuar nga jashtë dhe me artikuj luksi të çdo lloji. Parfumet mbushnin sallonin; këngëtarët dhe instrumentistët zbavitnin mysafirët e mbledhur.» Duke drejtuar nga një vend ku mund të shihej prej të gjithëve, Belshazari pinte verën e tij, pinte e pinte.

4. (a) Pse mund të duket e çuditshme që babilonasit po bënin gosti natën e 5-6 tetorit të vitit 539 p.e.s.? (b) Ç’gjë duket se u dha siguri babilonasve përballë ushtrive pushtuese?

4 Duket e çuditshme që atë natë, 5-6 tetor 539 p.e.s., babilonasit ndodheshin në një atmosferë kaq festive. Kombi i tyre ishte në luftë dhe punët nuk po u shkonin mirë. Kohët e fundit, Nabonidi ishte mundur nga forcat pushtuese medo-perse dhe ishte strehuar në Borsipa, në jugperëndim të Babilonisë. Ndërsa tani, ushtritë e Kirit kishin fushuar pikërisht jashtë Babilonisë. Megjithatë, duket se Belshazari dhe të mëdhenjtë e tij nuk ishin të shqetësuar. Në fund të fundit, qyteti i tyre ishte Babilonia e pathyeshme! Muret e saj kolosale ngriheshin madhështore mbi hendeqe të thella që mbusheshin nga ujërat e lumit të madh Eufrat, ndërsa ky rridhte përmes qytetit. Gjatë më shumë se një mijë vjetëve, asnjë armik nuk e kishte marrë me sulm Babiloninë. Kështu që, pse të shqetësoheshin? Ndoshta Belshazari arsyetonte që zhurma e festimit të tyre të shfrenuar do t’u tregonte armiqve jashtë se ata ishin të sigurt në vetvete dhe kjo do të bënte që ata t’i lëshonte zemra.

5, 6. Çfarë bëri Belshazari nën ndikimin e verës dhe pse kjo qe një fyerje flagrante për Jehovain?

5 S’kaloi shumë dhe Belshazarin e zuri pija e tepërt. Siç thuhet në Proverbat 20:1, «vera është tallëse». Në këtë rast, vera e çoi me të vërtetë mbretin në një marrëzi shumë të madhe. Ai dha urdhër që enët e shenjta të tempullit të Jehovait të silleshin në gosti. Këto enë që ishin marrë si plaçkë gjatë pushtimit të Jerusalemit nga Nabukodonosori, duheshin përdorur vetëm në adhurimin e pastër. Madje edhe priftërinjtë judenj, të cilët në të kaluarën ishin të autorizuar për t’i përdorur në tempullin e Jerusalemit, ishin paralajmëruar që ta mbanin veten të pastër.—Danieli 5:2; krahaso Isainë 52:11.

6 Megjithatë, Belshazari kishte ndër mend një akt edhe më të paturp. «Mbreti dhe të mëdhenjtë e tij, konkubinat e tij dhe gratë e tij dytësore . . . pinë verë dhe lavdëruan perënditë prej ari dhe argjendi, prej bakri, hekuri, druri dhe guri.» (Danieli 5:3, 4) Kështu, Belshazari kishte si qëllim të lartësonte perënditë e tij të rremë mbi Jehovain! Duket se ky qëndrim ishte tipik mes babilonasve. Ata i përçmonin robërit e tyre judenj, duke u tallur me adhurimin e tyre dhe duke mos u dhënë asnjë shpresë për t’u kthyer në mëmëdheun e tyre të dashur. (Psalmi 137:1-3; Isaia 14:16, 17) Ndoshta ky monark i dehur mendonte se poshtërimi i këtyre të mërguarve dhe fyerja e Perëndisë së tyre do t’u bënin shumë përshtypje grave të tij dhe zyrtarëve, duke bërë kështu që të dukej i fortë. * Por nëse Belshazarin e drithëronte ideja e pushtetit, kjo nuk i zgjati shumë.

SHKRIMI I DORËS NË MUR

7, 8. Si u ndërpre gostia e Belshazarit dhe çfarë efekti pati kjo te mbreti?

7 «Në atë çast,—thotë tregimi i frymëzuar,—dolën gishtat e dorës së një njeriu dhe shkruan përballë shandanit, në suvanë e murit të pallatit të mbretit dhe mbreti pa kurrizin e dorës që shkruante.» (Danieli 5:5) Ç’pamje e llahtarshme! Një dorë u shfaq nga asgjëkundi, duke u lëkundur në ajër pranë një pjese muri të ndriçuar mirë. Imagjino heshtjen që pllakosi në atë mbrëmje, ndërsa mysafirët mbetën gojëhapur nga kjo gjë. Dora nisi të shkruante mbi suva një mesazh të mistershëm. * Kaq ogurzi dhe kaq i paharrueshëm ishte ky fenomen, saqë edhe sot e kësaj dite, për të dhënë idenë e paralajmërimit për një katastrofë të afërt, njerëzit përdorin shprehjen «shkrimi i dorës në mur».

8 Ç’efekt pati kjo gjë te ky mbret krenar, i cili ishte përpjekur të lartësonte veten dhe perënditë e tij mbi Jehovain? «Në atë kohë, për sa i përket mbretit, vetë ngjyra e fytyrës së tij ndryshoi në të dhe vetë mendimet e tij filluan ta frikësonin dhe kyçet e ijeve të tij u liruan dhe vetë gjunjët e tij përpiqeshin me njëri-tjetrin.» (Danieli 5:6) Belshazari kishte synuar të dukej i madh dhe madhështor përpara nënshtetasve të tij. Në vend të kësaj, ai u bë portreti i gjallë i kulmit të tmerrit: fytyra e tij u zbeh, ijet iu drodhën, i gjithë trupi i dridhej kaq fort saqë gjunjët përplaseshin me njëri-tjetrin. Në fakt, fjalët që i drejtoi Davidi Jehovait në një këngë, ishin të vërteta: «Sytë e tu janë kundër fodullëve, që t’i ulësh.»—2. Samuelit 22:1, 28; krahaso Proverbat 18:12.

9. (a) Pse tmerri i Belshazarit nuk ishte njësoj me druajtjen hyjnore? (b) Çfarë u ofroi mbreti të mençurve të Babilonisë?

9 Duhet vërejtur se frika e Belshazarit nuk ishte e njëjtë me druajtjen hyjnore, e cila është një nderim i thellë për Jehovain, fillimin e të gjithë mençurisë. (Proverbat 9:10) Jo, ajo ishte një tmerr ngjethës dhe te monarku që dridhej nuk krijoi asgjë të ngjashme me mençurinë. * Në vend që t’i kërkonte falje Perëndisë, të cilin sapo e kishte fyer, ai thirri me zë të lartë «yshtësit, kaldeasit dhe astrologët». Madje deklaroi: «Cilido burrë që do ta lexojë këtë shkrim dhe do të më tregojë vetë interpretimin e tij, do të vishet me purpur, me një gjerdan ari rreth qafës së tij dhe do të sundojë si i treti në mbretëri.» (Danieli 5:7) Sundimtari i tretë në mbretëri do të ishte vërtet i fuqishëm, pasi do të kishte mbi vete vetëm dy mbretërit që mbretëronin, Nabonidin dhe vetë Belshazarin. Zakonisht një vend i tillë duhej t’i ishte rezervuar djalit të madh të Belshazarit. Sa shumë dëshironte mbreti që t’ia shpjegonin atë mesazh të shfaqur mrekullisht!

10. Si ia bënë të mençurit në përpjekjet e tyre për interpretimin e shkrimit të dorës në mur?

10 Të mençurit hynë në sallon njëri pas tjetrit dhe nuk ishin pak, sepse Babilonia ishte një qytet i zhytur në fenë e rreme dhe i mbushur me tempuj. Burrat që pretendonin se lexonin oguret dhe deshifronin shkrimet e mistershme ishin me siguri me shumicë. Këta të mençur duhet të jenë rrëqethur nga kjo mundësi që u ofrohej. Tani kishin rastin ta praktikonin artin e tyre përpara një auditori të madh, të fitonin favorin e mbretit dhe të ngjiteshin në një pozitë me pushtet të madh. Por sa keqazi dështuan! «Ata nuk ishin mjaft kompetentë për ta lexuar shkrimin ose për t’ia bërë të njohur interpretimin mbretit.» *Danieli 5:8.

11. Pse mund të mos kenë qenë në gjendje ta lexonin shkrimin të mençurit e Babilonisë?

11 Nuk dihet me siguri nëse për të mençurit e Babilonisë ishte shkrimi, vetë shkronjat e tij, i padeshifrueshëm. Nëse po, këta burra të paskrupullt do të kishin pasur dorë të lirë për të shpikur një interpretim mashtrues të çfarëdoshëm, madje ndoshta një interpretim që i bënte lajka mbretit. Mundësia tjetër është që ato shkronja të ishin plotësisht të lexueshme. Megjithatë, përderisa gjuhë të tilla si ajo aramaike dhe hebraike shkruheshin pa zanore, secila fjalë mund të ketë pasur disa domethënie të mundshme. Nëse është kështu, ka të ngjarë që të mençurit të mos kenë qenë në gjendje të vendosnin se cilat fjalë nënkuptoheshin. Edhe sikur të kishin mundur ta vendosnin, prapëseprapë nuk do të kishin qenë në gjendje të kapnin kuptimin e fjalëve, që pastaj t’i interpretonin. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: të mençurit e Babilonisë dështuan, dhe keqazi madje!

12. Çfarë provoi dështimi i të mençurve?

12 Në këtë mënyrë, këta të mençur u demaskuan si sharlatanë, ndërsa urdhri i tyre i nderuar fetar si një mashtrim. Ç’zhgënjim shkaktuan ata! Kur Belshazari pa se besimi i tij te këta fetarë kishte qenë i kotë, u frikësua edhe më shumë, ngjyra e fytyrës iu bë edhe më e zbehtë e madje edhe të mëdhenjtë e tij «u hutuan». *Danieli 5:9.

THIRRET NJË NJERI ME MENDJEHOLLËSI

13. (a) Pse mbretëresha sugjeroi që të thirrej Danieli? (b) Ç’lloj jete bënte Danieli?

13 Në këtë çast kritik, vetë mbretëresha, me sa duket nëna mbretëreshë, hyri në sallonin e banketit. Ajo kishte dëgjuar për trazirën e krijuar në gosti dhe njihte dikë që mund ta deshifronte shkrimin e dorës në mur. Dekada më parë, babai i saj, Nabukodonosori, e kishte caktuar Danielin mbi të gjithë të mençurit e tij. Mbretëresha e mbante mend atë si një njeri me «frymë të jashtëzakonshme, njohuri dhe mendjehollësi». Meqenëse duket se Belshazari nuk e njihte Danielin, ka të ngjarë që pas vdekjes së Nabukodonosorit profeti ta ketë humbur pozitën e tij të lartë qeveritare. Por për Danielin nuk ishte e rëndësishme të binte në sy. Në atë kohë ai ishte ndoshta te të 90-at, duke i shërbyer ende me besim të plotë Jehovait. Megjithëse kishte kaluar rreth tetë dekada si i mërguar në Babiloni, ai njihej ende me emrin e tij hebre. Madje edhe mbretëresha iu referua me emrin Daniel dhe jo duke përdorur emrin babilonas që i kishin vënë dikur. Në fakt, ajo e nxiti mbretin: «Le të thirret vetë Danieli, që të tregojë vetë interpretimin.»—Danieli 1:7; 5:10-12.

14. Në ç’pozitë të vështirë u ndodh Danieli kur pa shkrimin e dorës në mur?

14 Danieli u thirr dhe erdhi përpara Belshazarit. T’i kërkoje një nder këtij judeu ishte e sikletshme, sepse mbreti sapo e kishte fyer Perëndinë e tij. Megjithatë, Belshazari u përpoq ta merrte me të mirë Danielin, duke i ofruar të njëjtin shpërblim: vendin e tretë në mbretëri, nëse do të mundej t’i lexonte dhe shpjegonte fjalët e mistershme. (Danieli 5:13-16) Danieli ngriti sytë drejt shkrimit të dorës në mur dhe fryma e shenjtë bëri të mundur që ai të shquante domethënien e tij. Ishte një mesazh dënimi nga Perëndia Jehova! Si mundej Danieli t’i thoshte mu në fytyrë një gjykim të rreptë këtij mbreti mendjemadh dhe madje përpara grave dhe të mëdhenjve të tij? Imagjino në ç’pozitë të vështirë ndodhej Danieli! A u lëkund ai nga fjalët lajkatare të mbretit dhe nga oferta e tij për pasuri e për të rënë në sy? A do ta zbuste profeti deklaratën e Jehovait?

15, 16. Cilin mësim jetësor nuk kishte arritur të nxirrte nga historia Belshazari dhe sa i zakonshëm është sot një dështim i ngjashëm?

15 Me kurajë, Danieli foli hapur, duke thënë: «Dhuratat e tua qofshin për ty vetë dhe peshqeshet e tua jepua të tjerëve. Megjithatë, unë do t’i lexoj mbretit vetë shkrimin dhe do t’i bëj të njohur interpretimin e tij.» (Danieli 5:17) Më pas, Danieli pranoi madhështinë e Nabukodonosorit, mbret aq i fuqishëm, saqë kishte pasur mundësi të vriste, të godiste, të lartësonte ose të poshtëronte këdo që zgjidhte vetë. Megjithatë, Danieli i kujtoi Belshazarit se Nabukodonosorin e kishte bërë të madh Jehovai, «Perëndia Më i Lartë». Ishte Jehovai ai që e kishte poshtëruar atë mbret të fuqishëm, kur u bë fodull. Po, Nabukodonosori kishte qenë i detyruar të mësonte se «Perëndia Më i Lartë është Sundimtar në mbretërinë e njerëzimit dhe mbi të ai vendos kë të dojë».—Danieli 5:18-21.

16 Belshazari «e dinte të gjithë këtë». Por megjithatë, nuk kishte nxjerrë mësime nga historia. Në fakt, ai kishte shkuar shumë më tej mëkatit të krenarisë së gabuar të Nabukodonosorit dhe kishte kryer një akt përbuzjeje të plotë kundër Jehovait. Danieli e zbuloi sheshit mëkatin e mbretit. Për më tepër, përpara atij grumbullimi pagan, ai i tha me guxim Belshazarit se perënditë e rreme «as shohin gjë, as dëgjojnë gjë, as dinë gjë». Profeti i guximshëm i Perëndisë shtoi se në kontrast me ato perëndi të kota, Jehovai është Perëndia «në dorën e të cilit është fryma jote». Edhe sot e kësaj dite, njerëzit bëjnë perëndi gjërash pa jetë, duke kthyer në idhuj paratë, karrierën, prestigjin, madje edhe kënaqësinë. Por asnjëra prej këtyre gjërave nuk mund të japë jetë. Vetëm Jehovai është ai të cilit të gjithë ne i detyrojmë ekzistencën tonë, ai prej të cilit varemi për çdo frymëmarrje tonën.—Danieli 5:22, 23; Veprat 17:24, 25.

ZGJIDHET NJË GJËEGJËZË!

17, 18. Cilat qenë katër fjalët e shkruara në mur dhe cila është domethënia e tyre e mirëfilltë?

17 Tani, profeti i moshuar nisi të bënte atë që për gjithë të mençurit e Babilonisë kishte qenë e pamundur. Ai lexoi dhe interpretoi shkrimin e dorës të gdhendur në mur. Fjalët ishin: «MENE, MENE, TEKEL dhe PARSIN.» (Danieli 5:24, 25) Cila është domethënia e tyre?

18 Kuptimi i mirëfilltë i fjalëve është «një mina, një mina, një sikël dhe gjysmë siklash». Çdo fjalë ishte një masë e peshës monetare, e vendosur në rendin zbritës të vlerave. Sa enigmatike! Edhe sikur të mençurit babilonas të ishin në gjendje t’i identifikonin shkronjat, prapëseprapë s’është për t’u habitur që nuk mund t’i interpretonin ato.

19. Cili qe interpretimi i fjalës «MENE»?

19 Nën ndikimin e frymës së shenjtë të Perëndisë, Danieli shpjegoi: «Ky është interpretimi i fjalës: MENE: Perëndia ka numëruar ditët e mbretërisë sate dhe i ka dhënë fund asaj.» (Danieli 5:26) Bashkëtingëlloret e fjalës së parë linin vend si për fjalën «mina», ashtu edhe për një formë të fjalës aramaike për «llogarit» ose «numëroj», në varësi nga zanoret që vendoste lexuesi. Danieli e dinte mirë se mërgimit të judenjve po i vinte fundi. Nga 70 vjetët që ishte parathënë se do të zgjaste ai, tashmë kishin kaluar 68 vjet. (Jeremia 29:10) Llogaritësi i Madh i kohës, Jehovai, kishte numëruar ditët e mbretërimit të Babilonisë si fuqi botërore dhe fundi i saj ishte më pranë nga ç’mendonin ata që ndodheshin në banketin e Belshazarit. Në fakt, koha kishte mbaruar jo vetëm për Belshazarin, por edhe për babain e tij, Nabonidin. Kjo mund të jetë arsyeja se përse fjala «MENE» ishte shkruar dy herë: për të njoftuar fundin e të dyja sundimeve mbretërore.

20. Cili qe shpjegimi i fjalës «TEKEL» dhe si iu aplikua ajo Belshazarit?

20 «TEKEL», nga ana tjetër, ishte shkruar vetëm një herë dhe në njëjës. Kjo mund të tregojë se i drejtohej kryesisht Belshazarit. Kjo gjë do të ishte e përshtatshme, sepse ai personalisht kishte treguar një mungesë flagrante respekti për Jehovain. Vetë fjala do të thotë «sikël», por bashkëtingëlloret lënë vend edhe për fjalën «peshuar». Kështu, Danieli i tha Belshazarit: «TEKEL: je peshuar në peshore dhe je gjetur mangët.» (Danieli 5:27) Për Jehovain, tërë kombet janë aq të papërfillshme sa dhe shtresa e pluhurit mbi një peshore. (Isaia 40:15) Ato nuk kanë fuqi ta pengojnë realizimin e qëllimeve të tij. Deri ku mund të arrinte, pra, një mbret arrogant? Belshazari ishte përpjekur ta lartësonte veten mbi Sovranin e universit. Ai, thjesht njeri, kishte guxuar të fyente Jehovain dhe të tallej me adhurimin e pastër, por ishte «gjetur mangët». Po, Belshazari e meritonte plotësisht gjykimin që po afrohej me shpejtësi!

21. Në ç’mënyrë «PARSIN» ishte një lojë trefishe fjalësh dhe çfarë tregonte kjo fjalë për të ardhmen e Babilonisë si fuqi botërore?

21 Fjala e fundit në mur ishte «PARSIN». Danieli e lexoi atë në njëjës, «PERES», ndoshta sepse ai po i drejtohej vetëm një mbreti, ndërkohë që tjetri mungonte. Me këtë fjalë u zbulua plotësisht gjëegjëza e madhe e Jehovait me një lojë trefishe fjalësh. Fjalë për fjalë, «parsin» do të thotë «gjysmë siklash». Por shkronjat lënë vend edhe për dy domethënie të tjera: «ndarjet» dhe «persët». Kështu, Danieli paratha: «PERES: mbretëria jote është ndarë dhe u është dhënë medëve dhe persëve.»—Danieli 5:28.

22. Si reagoi Belshazari ndaj zgjidhjes së gjëegjëzës dhe çfarë mund të ketë shpresuar ai?

22 Kështu, gjëegjëza u zgjidh. Së shpejti, Babilonia e fuqishme do të binte në duart e forcave medo-perse. Megjithëse kokëvarur nga kjo shpallje katastrofe, Belshazari e mbajti fjalën. Ai i urdhëroi shërbëtorët e tij që ta vishnin Danielin me purpur, ta stolisnin me një gjerdan ari dhe ta shpallnin si sundimtarin e tretë në mbretëri. (Danieli 5:29) Danieli nuk i refuzoi këto nderime, duke e pranuar se ato pasqyronin nderimin që i detyrohej Jehovait. Sigurisht, Belshazari mund të ketë shpresuar që duke nderuar profetin e Jehovait, të zbuste gjykimin e Tij. Nëse kjo ishte e vërtetë, qe tepër vonë për të ndryshuar diçka.

RËNIA E BABILONISË

23. Cila profeci e lashtë po përmbushej, madje ndërkohë që vazhdonte gostia e Belshazarit?

23 Madje në kohën që Belshazari dhe oborrtarët e tij po pinin për perënditë e tyre dhe po tallnin Jehovain, në errësirën jashtë pallatit po zhvillohej një dramë e madhe. Profecia që ishte thënë nëpërmjet Isaisë pothuajse dy shekuj më parë, po përmbushej. Në lidhje me Babiloninë, Jehovai kishte parathënë: «Kam bërë të pushojë çdo psherëtimë për shkak të saj.» Po, gjithë shtypjes së popullit të zgjedhur të Perëndisë nga ai qytet i lig duhej t’i vinte fundi. Me anë të cilit mjet? E njëjta profeci thoshte: «Ngjitu, o Elam! Rretho, o Medi!» Elami u bë pjesë e Persisë pas kohës së profetit Isaia. Në kohën e gostisë së Belshazarit, e cila ishte parathënë, gjithashtu, në të njëjtën profeci të Isaisë, Persia dhe Media i kishin bashkuar me të vërtetë forcat për t’u «ngjitur» dhe për të «rrethuar» Babiloninë.—Isaia 21:1, 2, 5, 6.

24. Cilat hollësi në lidhje me rënien e Babilonisë kishte parathënë profecia e Isaisë?

24 Në fakt, ishte parathënë vetë emri i udhëheqësit të këtyre forcave, ashtu siç ishin parathënë edhe pikat kryesore të strategjisë së betejës së tij. Rreth 200 vjet përpara, Isaia kishte profetizuar se Jehovai do të miroste një burrë me emrin Kir, i cili do të dilte kundër Babilonisë. Gjatë sulmit që do të bënte, të gjitha pengesat përpara tij do të sheshoheshin. Ujërat e Babilonisë do të «thaheshin» dhe dyert e saj të fuqishme do të liheshin hapur. (Isaia 44:27–45:3) Dhe kështu ndodhi. Ushtritë e Kirit devijuan lumin Eufrat, duke ulur në këtë mënyrë nivelin e ujit, kështu që mundën të lëviznin nëpër shtratin e lumit. Dyert e murit të Babilonisë ishin lënë hapur nga disa roje të pakujdesshme. Siç janë të mendimit edhe historianët jofetarë, qyteti u pushtua ndërkohë që banorët e tij argëtoheshin. Babilonia u mor pothuajse pa asnjë rezistencë. (Jeremia 51:30) Megjithatë, ndodhi të paktën një vdekje për t’u përmendur. Danieli tregoi: «Po atë natë, Belshazari, mbreti kaldeas, u vra dhe vetë Dari, medi, mori mbretërinë, kur ishte rreth gjashtëdhjetë e dy vjeç.»—Danieli 5:30, 31.

TË MËSOJMË NGA SHKRIMI I DORËS NË MUR

25. (a) Pse Babilonia e lashtë është një simbol i përshtatshëm i sistemit të sotëm global të fesë së rreme? (b) Në ç’kuptim shërbëtorët e Perëndisë në kohët moderne mbaheshin robër në Babiloni?

25 Tregimi i frymëzuar në kapitullin 5 të Danielit, është shumë domethënës për ne. Si qendër e praktikave të feve të rreme, Babilonia e lashtë është një simbol i përshtatshëm i perandorisë botërore të fesë së rreme. E paraqitur në librin e Zbulesës si një lavire e etur për gjak, ky konglomerat global mashtrimi është quajtur «Babilonia e Madhe». (Zbulesa 17:5) Pa ua vënë fare veshin paralajmërimeve për doktrinat dhe praktikat e saj të rreme që çnderojnë Perëndinë, ajo ka persekutuar ata që predikojnë të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Kur persekutimi i nxitur nga kleri pothuajse e ndaloi veprën e predikimit të Mbretërisë në vitin 1918, mbetja besimplotë e të krishterëve të mirosur, ashtu si banorët e Jerusalemit dhe të Judës së lashtë, ishte faktikisht e mërguar në «Babiloninë e Madhe».

26. (a) Si ra Babilonia e Madhe në vitin 1919? (b) Cilit paralajmërim duhet t’ia vëmë veshin dhe t’ua japim edhe të tjerëve?

26 Por papritur, «Babilonia e Madhe» ra. Ishte praktikisht një rënie pa zhurmë, ashtu si Babilonia e lashtë ra thuajse pa zhurmë në vitin 539 p.e.s. Por megjithatë, kjo rënie figurative ishte shkretuese. Ajo ndodhi në vitin 1919 të e.s., kur populli i Jehovait u çlirua nga robëria babilonase dhe u bekua me miratimin hyjnor. Kjo i dha fund pushtetit të «Babilonisë së Madhe» mbi popullin e Perëndisë dhe shënoi fillimin e demaskimit publik të saj si një mashtruese, së cilës s’mund t’i besosh. Kjo rënie ka treguar se është e pakthyeshme dhe shkatërrimi i saj përfundimtar është shumë i afërt. Kështu, shërbëtorët e Jehovait i kanë bërë jehonë paralajmërimit: «Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj.» (Zbulesa 18:4) A ia ke vënë veshin këtij paralajmërimi? A ua jep edhe të tjerëve atë? *

27, 28. (a) Cilën të vërtetë jetësore nuk humbi kurrë nga sytë Danieli? (b) Çfarë dëshmie kemi se së shpejti Jehovai do të veprojë kundër botës së sotme të ligë?

27 Pra, sot shkrimi i dorës ndodhet në mur, por jo vetëm për «Babiloninë e Madhe». Mbaj në mend një të vërtetë jetësore që është kryesore në librin e Danielit: Jehovai është Sovrani Universal. Ai dhe vetëm ai ka të drejtën të vendosë një sundimtar mbi njerëzimin. (Danieli 4:17, 25; 5:21) Çdo gjë që del kundër qëllimeve të Jehovait do të zhduket. Jehovai do të veprojë. Kjo është vetëm çështje kohe. (Habakuku 2:3) Për Danielin, një kohë e tillë erdhi më në fund në dekadën e dhjetë të jetës së tij. Atëherë ai pa Jehovain tek hoqi një fuqi botërore, një fuqi që e kishte shtypur popullin e Perëndisë që prej djalërisë së Danielit.

28 Ka prova të pamohueshme që tregojnë se Perëndia Jehova ka vendosur në fronin qiellor një Sundimtar për njerëzimin. Fakti që bota e ka shpërfillur këtë Mbret dhe ka kundërshtuar sundimin e tij, është dëshmi e sigurt se së shpejti Jehovai do të fshijë tej të gjithë kundërshtarët e sundimit të Mbretërisë. (Psalmi 2:1-11; 2. Pjetrit 3:3-7) A po vepron siç e kërkon urgjenca e kohëve tona dhe a po ndihesh i sigurt te Mbretëria e Perëndisë? Nëse po, ke nxjerrë vërtet mësime nga shkrimi i dorës në mur!

[Shënimet]

^ par. 6 Në një mbishkrim të lashtë, mbreti Kir thoshte për Belshazarin: «Si [sundimtar] i shtetit të tij është vënë një ngordhalaq.»

^ par. 7 Edhe kjo hollësi e vogël e tregimit të Danielit ka dalë e saktë. Arkeologët kanë zbuluar se në Babiloninë e lashtë, muret e pallatit ishin bërë prej tullash të mbuluara me suva.

^ par. 9 Ka mundësi që bestytnitë babilonase ta kenë bërë këtë mrekulli edhe më të tmerrshme. Libri Jeta dhe historia e Babilonisë vëren: «Përveç perëndive të shumta që adhuronin babilonasit, vërejmë se ata ishin shumë të dhënë pas besimeve te frymërat, dhe kjo gjë është në një masë kaq të madhe, saqë lutjet dhe yshtjet kundër tyre përbëjnë një pjesë shumë të madhe të literaturës së tyre fetare.»

^ par. 10 Revista e Arkeologjisë biblike vëren: «Ekspertët babilonas kishin mbledhur në katalog mijëra shenja oguresh. . . . Kur Belshazari kërkoi të dinte se ç’domethënie kishte shkrimi në mur, pa dyshim që të mençurit e Babilonisë iu drejtuan këtyre enciklopedive të ogureve. Por ato dolën fare pa vlerë.»

^ par. 12 Leksikografët vërejnë se fjala e përdorur këtu për «u hutuan», përfshin një turbullim të madh, sikur në atë grumbullim të ishte krijuar një rrëmujë e madhe.

^ par. 26 Shiko faqet 205-271 të librit Zbulesa—Kulmi i saj madhështor është afër!, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., anglisht.

ÇFARË KE KUPTUAR?

• Si u ndërpre gostia e Belshazarit natën e 5-6 tetorit të vitit 539 p.e.s.?

• Cili qe interpretimi i shkrimit të dorës në mur?

• Cila profeci mbi rënien e Babilonisë po përmbushej ndërkohë që vazhdonte gostia e Belshazarit?

• Ç’domethënie ka për ne sot tregimi i shkrimit të dorës në mur?

[Pyetjet]

[Figura që zë gjithë faqen 98]

[Figura që zë gjithë faqen 103]