Eksodi 27:1-21
27 Bëj edhe altarin me dru akacieje, pesë kute të gjatë dhe pesë kute të gjerë. Altari+ duhet të jetë katror, i lartë tri kute.
2 Bëji brirë+ në të katër qoshet. Brirët do të dalin nga qoshet e altarit, të cilin do ta veshësh me bakër.+
3 Bëj pastaj enët për të hequr hirin e lyrosur, si dhe lopatat, taset, pirunët dhe mbajtëset e zjarrit. Të gjitha pajisjet e tij do t’i bësh prej bakri.+
4 Bëji edhe një skarë, një rrjetë+ prej bakri, dhe mbi katër qoshet e rrjetës bëj katër unaza bakri.
5 Skarën vëre poshtë buzës së altarit, aty nga mesi i tij. Ajo do të futet përbrenda, mes për mes altarit.+
6 Bëj për altarin edhe shufra me dru akacieje dhe vishi me bakër.+
7 Shufrat të futen tek unazat dhe të jenë në dy anët e altarit, kur ky të mbartet.+
8 Do ta bësh si një arkë dërrase të zgavërt. Do ta bësh ashtu si t’u tregua në mal.+
9 Bëj pastaj oborrin+ e tabernakullit. Në anën nga Negebi, në jug, oborri do të ketë pëlhura prej liri të hollë të dredhur,+ dhe njëra anë do të jetë njëqind kute e gjatë.
10 Njëzet shtyllat dhe njëzet bazamentet e tyre me fole janë prej bakri. Kunjat në majë të shtyllave dhe lidhjet e tyre janë prej argjendi.+
11 Po kështu do të bësh edhe për gjatësinë e anës veriore: pëlhurat do të jenë njëqind kute të gjata, njëzet shtyllat dhe njëzet bazamentet e tyre me fole do të jenë prej bakri, kunjat në majë të shtyllave dhe lidhjet e tyre do të jenë prej argjendi.+
12 Kurse për gjerësinë e oborrit, në perëndim do të ketë pesëdhjetë kute pëlhurë, dhjetë shtylla dhe dhjetë bazamente me fole.+
13 Gjerësia e oborrit nga lindja e diellit do të jetë pesëdhjetë kute.+
14 Në njërën anë të saj ka pesëmbëdhjetë kute pëlhurë, tri shtylla dhe tri bazamente.+
15 Edhe në anën tjetër ka pesëmbëdhjetë kute pëlhurë, tri shtylla dhe tri bazamente me fole.+
16 Për hyrjen e oborrit do të ketë një perde të endur, njëzet kute të gjatë, me fill blu, me lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt, me fill ngjyrë kërmëzi dhe me li të hollë të dredhur,+ si dhe katër shtylla e katër bazamente.+
17 Të gjitha shtyllat rreth e qark oborrit janë të pajisura me lidhje argjendi. Kunjat në majë të tyre janë prej argjendi, kurse bazamentet prej bakri.+
18 Oborri është njëqind kute i gjatë,+ pesëdhjetë kute i gjerë dhe pesë kute i lartë, i rrethuar me pëlhura prej liri të hollë të dredhur dhe me bazamente bakri.
19 Të gjitha pajisjet që do të përdoren në të gjitha shërbimet e tabernakullit, të gjitha kunjat për tendën e tabernakullit dhe të gjitha kunjat për pëlhurat e oborrit, janë prej bakri.+
20 Ti do t’i urdhërosh bijtë e Izraelit të të sjellin vaj të kulluar, të bërë prej ullinjsh të shtypur, për ndriçim, që llambat të rrinë vazhdimisht të ndezura.+
21 Në tendën e takimit, nga jashtë perdes+ që ndodhet pranë Dëshmisë, Aaroni dhe bijtë e tij do të kujdesen që shandani të ndriçojë para Jehovait, nga mbrëmja deri në mëngjes.+ Ky do të jetë një ligj, që bijtë e Izraelit do ta zbatojnë+ në kohë të pafundme, brez pas brezi.+

