Eksodi 7:1-25
7 Prandaj, Jehovai i tha Moisiut: «Unë të kam bërë Perëndi për faraonin,+ dhe Aaroni, yt vëlla, do të bëhet profeti yt.+
2 Ti do të thuash gjithçka që do të të urdhëroj unë,+ ndërsa Aaroni, vëllai yt, do t’i flasë faraonit,+ dhe ky do t’i lërë bijtë e Izraelit të ikin nga vendi i tij.+
3 Unë do të lejoj që zemra e faraonit të bëhet kryeneçe,+ dhe do t’i shtoj shenjat e mrekullitë e mia në vendin e Egjiptit.+
4 Faraoni nuk do t’ju dëgjojë,+ prandaj do të më duhet ta shtrij dorën mbi Egjiptin dhe t’i nxjerr që andej ushtritë e mia,+ popullin tim,+ bijtë e Izraelit,+ me gjykime të mëdha.+
5 Egjiptianët kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai, kur ta shtrij dorën kundër Egjiptit+ dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit që andej.»+
6 Kështu, Moisiu dhe Aaroni bënë siç i urdhëroi Jehovai.+ Ata bënë pikërisht ashtu.+
7 Moisiu ishte tetëdhjetë vjeç, kurse Aaroni tetëdhjetë e tre vjeç, kur i folën faraonit.+
8 Jehovai i tha Moisiut dhe Aaronit:
9 «Në rast se faraoni ju thotë: ‘Bëni një mrekulli’,+ thuaji Aaronit: ‘Merre shkopin tënd+ dhe hidhe përtokë para faraonit.’ Shkopi do të shndërrohet në një gjarpër të madh.»+
10 Atëherë, Moisiu dhe Aaroni hynë te faraoni dhe bënë pikërisht siç i urdhëroi Jehovai. Kështu, Aaroni e hodhi përtokë shkopin para faraonit e shërbëtorëve të tij, dhe ai u shndërrua në një gjarpër të madh.
11 Megjithatë, edhe faraoni thirri njerëzit e mençur dhe shtriganët.+ Priftërinjtë e Egjiptit, që merreshin me magji, bënë të njëjtën gjë me magjitë e tyre.+
12 Kështu, secili hodhi përtokë shkopin e vet, dhe ata u shndërruan në gjarpërinj të mëdhenj. Por shkopi i Aaronit i përpiu shkopinjtë e tyre.
13 Gjithsesi, zemra e faraonit u bë kryeneçe,+ dhe ai nuk i dëgjoi ata, ashtu si kishte thënë Jehovai.
14 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Zemra e faraonit është e pandjeshme.+ Ai nuk ka pranuar ta lërë popullin të shkojë.+
15 Shko te faraoni në mëngjes. Kur ai të shkojë për t’u futur në ujë,+ ti dili përpara për ta takuar buzë lumit Nil.+ Merr me vete në dorë shkopin që u kthye në gjarpër.+
16 Do t’i thuash: “Jehovai, Perëndia i hebrenjve, më ka dërguar te ti,+ që të të them: ‘Lëre popullin tim të shkojë e të më shërbejë në shkretëtirë.’+ Por deri tani ti nuk je bindur.
17 Kështu thotë Jehovai:+ ‘Nga kjo ke për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.+ Unë do të godas me shkopin që kam në dorë, ujin e lumit Nil,+ dhe ai do të kthehet në gjak.+
18 Peshqit e lumit Nil do të ngordhin,+ dhe lumi do të bjerë erë të qelbur.+ Egjiptianëve do t’u vijë ndot të pinë ujin e Nilit.”»+
19 Pastaj, Jehovai i tha Moisiut: «Thuaji Aaronit: ‘Merre shkopin dhe shtrije dorën+ mbi ujërat e Egjiptit, mbi lumenjtë, mbi kanalet e Nilit, mbi pellgjet me kallamishte+ dhe mbi gjithë ujërat që kanë mbledhur, që të kthehen në gjak.’ Do të ketë gjak në gjithë vendin e Egjiptit, në enët prej druri dhe në enët prej guri.»
20 Menjëherë, Moisiu dhe Aaroni bënë pikërisht ashtu+ siç i urdhëroi Jehovai.+ Ai e ngriti shkopin, goditi ujin e lumit Nil në sy të faraonit e të shërbëtorëve të tij,+ dhe gjithë uji i lumit Nil u kthye në gjak.+
21 Peshqit në lumin Nil ngordhën,+ dhe Nili nisi të binte erë të qelbur. Egjiptianët nuk mund ta pinin ujin e Nilit,+ dhe në mbarë Egjiptin kishte gjak.
22 Mirëpo priftërinjtë e Egjiptit që merreshin me magji, bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta.+ Prandaj zemra e faraonit mbeti kryeneçe,+ dhe ai nuk i dëgjoi ata, pikërisht ashtu si kishte thënë Jehovai.+
23 Pastaj, faraoni u kthye e shkoi në shtëpi, por zemra e tij nuk u prek, dhe ai nuk ia vuri veshin as kësaj.+
24 Gjithë egjiptianët gërmonin rreth e qark lumit Nil për të gjetur ujë, që të pinin, sepse nuk mund ta pinin ujin e Nilit.+
25 Kështu, kaluan shtatë ditë që kur Jehovai goditi lumin Nil.

