Eksodi 13:1-22

13  Jehovai i foli prapë Moisiut: 2  «Më shenjtëro çdo mashkull të parëlindur, që çel çdo bark të bijve të Izraelit, të njerëzve dhe të kafshëve. Është imi.»+ 3  Moisiu i tha popullit: «Kujtojeni ditën kur dolët nga Egjipti,+ nga shtëpia e skllavërisë, sepse Jehovai ju nxori që këtej me forcën e dorës së tij.+ Prandaj, asgjë e mbrujtur nuk mund të hahet.+ 4  Ju po dilni sot, në muajin abib.+ 5  Kur Jehovai të të ketë çuar në vendin e kananitëve, hititëve, amoritëve, hivitëve dhe jebusitëve,+ për të cilin ai iu betua paraardhësve të tu se do të ta jepte ty,+ një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë,+ atëherë do ta bësh këtë shërbim në këtë muaj. 6  Shtatë ditë do të hash kuleç të ndormë,+ dhe dita e shtatë do të jetë festë për Jehovain.+ 7  Për shtatë ditë do të hani kuleç të ndormë.+ Nuk do të duket te ti asgjë e mbrujtur,+ dhe as tharm nuk do të duket fare brenda gjithë kufijve të tu.+ 8  Atë ditë do t’i thuash birit tënd: ‘Veprohet kështu për shkak të asaj që bëri Jehovai për mua kur dola nga Egjipti.’+ 9  Kjo do të jetë si një shenjë në dorën tënde dhe si një kujtim në ballin tënd,+ që ligji i Jehovait të jetë në gojën tënde,+ sepse Jehovai të nxori nga Egjipti me dorë të fortë.+ 10  Këtë ligj do ta zbatosh në kohën e caktuar, vit pas viti.+ 11  Kur Jehovai të të çojë në vendin e kananitëve,+ ashtu si të është betuar ty dhe paraardhësve të tu,+ kur ai të ta japë ty atë vend, 12  do t’i kushtosh Jehovait këdo që çel barkun.+ Po kështu edhe çdo pjellë të parë, të voglin e një kafshe,+ që do të jetë yti. Meshkujt i përkasin Jehovait.+ 13  Çdo pjellë të parë të gomarit do ta shpengosh me një dele, por nëse nuk do ta shpengosh, thyeji qafën.+ Do të shpengosh edhe çdo të parëlindur mes bijve të tu.+ 14  Në rast se më vonë yt bir të pyet:+ ‘Çfarë do të thotë kjo?’, thuaji: ‘Jehovai na nxori nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë,+ me forcën e dorës së tij.+ 15  Por faraoni u tregua kryeneç dhe nuk na la të iknim.+ Prandaj Jehovai vrau çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit,+ që nga i parëlinduri i njeriut, deri te pjella e parë e kafshës.+ Ja përse po i flijoj Jehovait gjithë meshkujt që çelin barkun,+ kurse çdo të parëlindur të bijve të mi, e shpengoj.’+ 16  Kjo do të jetë si një shenjë në dorën tënde dhe si një shirit koke në ballin tënd,+ sepse Jehovai na nxori nga Egjipti me forcën e dorës së tij.»+ 17  Kur faraoni e la popullin të ikte, Perëndia nuk i drejtoi në udhën për në vendin e filistinëve, ndonëse ajo ishte afër, sepse Perëndia tha: «Populli mund të pendohet kur të shohë luftë, dhe ka për t’u kthyer në Egjipt.»+ 18  Prandaj, Perëndia e bëri popullin t’i binte rrotull, nëpër udhën e shkretëtirës pranë Detit të Kuq.+ Megjithatë, bijtë e Izraelit dolën nga vendi i Egjiptit në formacion luftimi.+ 19  Moisiu mori me vete edhe eshtrat e Jozefit, sepse ai i kishte bërë bijtë e Izraelit të betoheshin solemnisht: «Perëndia do ta kthejë vëmendjen nga ju,+ prandaj m’i nxirrni eshtrat së këtejmi.»+ 20  Ata u nisën nga Sukoti dhe fushuan në Etam, buzë shkretëtirës.+ 21  Gjatë ditës Jehovai shkonte para tyre në një shtyllë reje, që t’u printe udhën,+ kurse gjatë natës në një shtyllë zjarri, që t’u jepte dritë. Kështu ata mund të ecnin ditën dhe natën.+ 22  Gjatë ditës shtylla e resë nuk largohej përpara popullit, dhe as shtylla e zjarrit gjatë natës.+

Shënimet