Eksodi 25:1-40
25 Jehovai nisi t’i thoshte Moisiut:+
2 «Thuaju bijve të Izraelit që të më sjellin një kontribut: do ta merrni kontributin nga çdo njeri që nxitet ta japë nga zemra.+
3 Nga ata do të merrni këtë kontribut: ar,+ argjend,+ bakër,+
4 fill blu, lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt, fill ngjyrë kërmëzi, li të hollë, lesh dhie,+
5 lëkurë dashi të ngjyera në të kuqe, lëkurë foke, dru akacieje,+
6 vaj për ndriçuesit,+ vaj balsami+ për vajin e mirosjes+ dhe për temjanin aromatik,+
7 gurë oniksi dhe gurë për t’i vënë tek efodi*+ e te copa që vendoset para kraharorit.+
8 Të më bëjnë një shenjtërore, që të banoj mes tyre.+
9 Do ta bësh sipas gjithë modelit që do të të tregoj për tabernakullin dhe për tërë pajimet e tij.+
10 Të bëjnë një Arkë me dru akacieje,+ të gjatë dy kute e gjysmë, të gjerë një kut e gjysmë dhe të lartë një kut e gjysmë.
11 Vishe me ar të kulluar.+ Praroje jashtë e brenda, dhe sipër bëji një bordurë prej ari rreth e qark.+
12 Derdh katër unaza ari dhe vendosi mbi katër këmbët e arkës, dy në njërën anë dhe dy në anën tjetër.+
13 Bëj edhe shufra me dru akacieje dhe vishi me ar.+
14 Shufrat kaloji nëpër unazat në krah të Arkës, që ta mbartni.
15 Shufrat do të qëndrojnë tek unazat e Arkës. Ato s’kanë për t’u hequr që andej.+
16 Brenda Arkës vendos dëshminë që do të të jap.+
17 Bëj një kapak me ar të kulluar, të gjatë dy kute e gjysmë dhe të gjerë një kut e gjysmë.+
18 Bëj edhe dy kerubinë prej ari në të dyja anët e kapakut.+ Punoji me çekan.
19 Bëj një kerubin në njërën anë dhe një kerubin në anën tjetër.+ Kerubinët do t’i bësh mbi kapak, në të dyja anët e tij.
20 Kerubinët do t’i kenë krahët të shtrirë përsipër, duke e mbuluar kapakun me krahët e tyre.+ Ata do të jenë kundrejt njëri-tjetrit, me fytyrë nga kapaku.
21 Kapakun+ vendose mbi Arkë, dhe brenda Arkës vendos dëshminë që do të të jap.
22 Atje do të të shfaqem dhe, nga lart kapakut,+ mes dy kerubinëve që ndodhen mbi arkën e dëshmisë, do të flas me ty dhe do të të them të gjitha urdhërimet për bijtë e Izraelit.+
23 Bëj një tryezë+ me dru akacieje, të gjatë dy kute, të gjerë një kut dhe të lartë një kut e gjysmë.
24 Vishe me ar të kulluar dhe rreth e qark bëji një bordurë prej ari.+
25 Bëji rreth e qark edhe një buzë katër gisht të lartë, dhe kësaj bëji rreth e qark një bordurë prej ari.+
26 Bëji katër unaza ari dhe vendosi në katër qoshet, ku janë katër këmbët.+
27 Unazat duhet të jenë pranë buzës, dhe në to do të futen shufrat për të mbartur tryezën.+
28 Shufrat bëji me dru akacieje dhe vishi me ar. Me to duhet të mbartin tryezën.+
29 Bëj pjatat e kupat e saj, si dhe brokat e taset, me të cilat do të derdhin libacione. Bëji me ar të kulluar.+
30 Vër në tryezë bukët e paraqitjes, dhe ato do të qëndrojnë vazhdimisht para meje.+
31 Bëj edhe një shandan me ar të kulluar. Shandanin do ta punosh me çekan.+ Baza, krahët, kupat, koklat e lulet e tij do të dalin nga trungu i tij.
32 Gjashtë krahë dalin nga trungu i tij: tre krahë nga njëra anë dhe tre nga ana tjetër.+
33 Në çdo krah të njërës anë ka tri kupëza në formën e lules së bajames, bashkë me kokla e lule, që këmbehen me njëra-tjetrën. Po kështu edhe në anën tjetër, në çdo krah ka tri kupëza në formën e lules së bajames, bashkë me kokla e lule, që këmbehen me njëra-tjetrën.+ Kështu do të jenë gjashtë krahët që dalin nga shandani.
34 Në trungun e shandanit ka katër kupëza në formën e lules së bajames, me koklat e lulet e tyre, që këmbehen me njëra-tjetrën.+
35 Një kokël do të jetë nën dy krahët e parë që dalin nga trungu, një kokël nën dy krahët e tjerë që dalin nga trungu dhe një kokël tjetër nën dy krahët e fundit që dalin nga ai, për gjashtë krahët që dalin nga shandani.+
36 Koklat dhe krahët do të dalin nga trungu i tij. Ai është një trup i tërë, i punuar me çekan dhe i bërë me ar të kulluar.+
37 Bëji shtatë llamba, që do të ndizen e do të ndriçojnë zonën përballë tij.+
38 Edhe mashat, edhe mbajtëset e zjarrit do të jenë prej ari të kulluar.+
39 Shandani dhe gjithë pajisjet e tij do të peshojnë një talentë ari të kulluar.
40 Ki kujdes që t’i bësh sipas modelit që t’u tregua në mal.+
Shënimet
^ Me sa duket ishte një veshje si përparëse, me dy pjesë, para dhe prapa.

