Eksodi 39:1-43
39 Me fillin blu, me leshin e ngjyer në të kuqe të purpurt dhe me fillin ngjyrë kërmëzi+ bënë rroba+ të endura hollë për shërbimin në vendin e shenjtë.+ Kështu bënë rrobat e shenjta+ për Aaronin, ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
2 Në këtë mënyrë, bëri efodin+ me ar, me fill blu, me lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt, me fill ngjyrë kërmëzi dhe me li të hollë të dredhur.
3 Pastaj, e rrahën arin në petëza të holla, dhe ai i preu fije-fije për t’i thurur me fillin blu, me leshin e ngjyer në të kuqe të purpurt, me fillin ngjyrë kërmëzi dhe me lirin e hollë, si qëndisje.+
4 I bënë edhe supore, që të bashkonin dy pjesët e tij.
5 Edhe brezi që ishte mbi të për ta shtrënguar, u bë me të njëjtat materiale dhe me të njëjtin punim: me ar, me fill blu, me lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt, me fill ngjyrë kërmëzi dhe me li të hollë të dredhur,+ ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
6 Pastaj gurët e oniksit+ i ngallmuan në skelete ari, dhe në ta skalitën emrat e bijve të Izraelit,+ ashtu si skalitet një vulë.
7 Kështu, ai i vendosi mbi suporet e efodit si gurë kujtimi+ për bijtë e Izraelit, ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
8 Punoi si qëndisje+ edhe copën që vendoset para kraharorit, me të njëjtin punim si të efodit: me ar, me fill blu, me lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt, me fill ngjyrë kërmëzi dhe me li të hollë të dredhur.+
9 Ishte katrore kur palosej më dysh. Copa që vendosej para kraharorit, kur palosej më dysh, ishte një pëllëmbë e gjatë dhe një pëllëmbë e gjerë.+
10 Pastaj i vunë katër radhë gurësh të çmuar. Radha e parë kishte rubin, topaz dhe smerald.+
11 Radha e dytë+ kishte bruz, safir+ dhe diaspër.+
12 Radha e tretë+ kishte gur leshemi, agat dhe ametist.
13 Radha e katërt+ kishte krizolit, oniks+ dhe nefrit. I ngallmuan në fole prej ari.
14 Gurët u vunë sipas radhës së emrave të bijve të Izraelit, dymbëdhjetë, sipas emrave të tyre. U skalitën ashtu si skalitet një vulë, në secilin gur emrin e njërit prej dymbëdhjetë fiseve.+
15 Mbi copën që vendoset para kraharorit, bënë zinxhirë të thurur prej ari të kulluar, ashtu si punohet litari.+
16 Bënë dhe dy skelete ari e dy unaza ari. Unazat i vunë në dy cepat e sipërm të copës që vendoset para kraharorit.+
17 Pastaj, dy zinxhirët prej ari i kaluan nëpër dy unazat në cepat e copës që vendoset para kraharorit.+
18 Dy anët e tjera të zinxhirëve i kaluan përmes skeleteve dhe i vunë mbi suporet e efodit, në pjesën e tij të përparme.+
19 Bënë më pas dy unaza ari dhe i vendosën në dy cepat e poshtëm të copës që vendoset para kraharorit, në buzën e brendshme, nga ana e efodit.+
20 Bënë dhe dy unaza ari e i vendosën në pjesën e prapme të efodit, pranë vendit ku bashkohet me suporet, lart brezit të efodit.+
21 Së fundi, me një kordon të hollë blu, i lidhën këto unaza me unazat e copës që vendoset para kraharorit, që kjo të qëndronte lart brezit e të mos lëvizte nga efodi. Bënë ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.+
22 Pastaj, punoi në tezgjah petkun pa mëngë+ poshtë efodit, krejt me fill blu.
23 Petku pa mëngë kishte në mes një grykë të hapur, si gryka e një thuraku. Rreth e përqark kishte një buzë, që të mos grisej.+
24 Në buzën e poshtme të petkut bënë shegë të punuara me fill blu, me lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt dhe me fill ngjyrë kërmëzi, të thurura bashkë.+
25 Bënë dhe zile prej ari të kulluar e i vunë ndërmjet shegëve,+ në buzën e poshtme të petkut pa mëngë, rreth e qark ndërmjet shegëve:
26 një zile dhe një shegë, një zile dhe një shegë, rreth e qark buzës së poshtme të petkut,+ që vishej gjatë shërbimit. E bënë ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
27 Më pas, punuan në tezgjah petkat e gjata prej liri të hollë,+ për Aaronin dhe bijtë e tij:
28 çallmën+ me li të hollë, sarëkët*+ prej liri të hollë me zbukurime, mbathjet+ prej liri të hollë të dredhur,
29 rripin+ e endur me li të hollë të dredhur, fill blu, lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt dhe fill ngjyrë kërmëzi, ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
30 Së fundi, bënë prej ari të kulluar pllakën e ndritshme, shenjën e shenjtë të kushtimit, dhe gdhendën mbi të një mbishkrim, ashtu si skalitet një vulë: «Shenjtëria i përket Jehovait.»+
31 Pastaj i lidhën një kordon të hollë me fill blu, që ta vinin në pjesën e përparme të çallmës,+ ashtu siç e urdhëroi Jehovai Moisiun.
32 Kështu përfundoi gjithë puna për tabernakullin, për tendën e takimit. Bijtë e Izraelit vepruan në përputhje me gjithçka që e urdhëroi Jehovai Moisiun.+ Ata bënë pikërisht ashtu.
33 Pastaj ia çuan Moisiut tabernakullin,+ tendën+ me gjithë pajisjet e saj,+ grremçat,+ skeletet me dërrasa,+ shufrat,+ shtyllat, bazamentet me fole,+
34 mbulesën me lëkurë dashi, të ngjyrosura+ në të kuqe, mbulesën me lëkurë foke+ dhe perden ndarëse;+
35 arkën+ e dëshmisë bashkë me shufrat+ dhe kapakun;+
36 tryezën+ me gjithë pajisjet e saj+ dhe bukët e paraqitjes;
37 shandanin+ prej ari të kulluar, llambat+ e vëna në radhë dhe gjithë pajisjet e tij,+ dhe vajin për ndriçim;+
38 altarin+ prej ari, vajin për mirosje,+ temjanin aromatik,+ perden+ për hyrjen e tendës;
39 altarin+ prej bakri dhe skarën+ e tij prej bakri, shufrat+ me gjithë pajisjet e tij+ dhe legenin+ me mbajtësen;+
40 pëlhurat+ e oborrit, shtyllat+ dhe bazamentet e tyre me fole,+ perden+ për hyrjen e oborrit, litarët+ e tendës, kunjat+ e tendës dhe gjithë pajisjet+ për shërbimin në tabernakull, në tendën e takimit;
41 rrobat+ e endura hollë për shërbimin në shenjtërore, rrobat e shenjta+ të priftit Aaron, si dhe rrobat e bijve të tij, që të shërbenin si priftërinj.+
42 Bijtë e Izraelit e bënë punën në përputhje me gjithçka që e urdhëroi Jehovai Moisiun.+
43 Kështu, Moisiu e pa gjithë punën dhe ja, ata e kishin bërë pikërisht ashtu siç urdhëroi Jehovai. Në atë mënyrë e kishin bërë. Prandaj Moisiu i bekoi.+
Shënimet
^ Një lloj çallme.

