Eksodi 37:1-29
37 Bezaleli+ bëri Arkën+ me dru akacieje. Ajo ishte dy kute e gjysmë e gjatë, një kut e gjysmë e gjerë dhe një kut e gjysmë e lartë.+
2 Pastaj e veshi me ar të kulluar brenda e jashtë, dhe rreth e qark i bëri një bordurë ari.+
3 Derdhi katër unaza ari, që t’i vinte sipër katër këmbëve të saj, dy unaza në njërën anë dhe dy në anën tjetër.+
4 Bëri edhe shufra me dru akacieje dhe i veshi me ar.+
5 Pastaj i kaloi shufrat nëpër unazat në krah të Arkës, që ta mbartnin.+
6 Pastaj bëri kapakun+ me ar të kulluar, të gjatë dy kute e gjysmë dhe të gjerë një kut e gjysmë.+
7 Më tej, bëri dy kerubinë prej ari. I punoi me çekan, në të dyja anët e kapakut.+
8 Një kerubin ishte në njërën anë dhe tjetri në anën tjetër. Kerubinët i bëri mbi kapak, në të dyja anët e tij.+
9 Kerubinët i kishin krahët të shtrirë përsipër, duke e mbuluar kapakun me krahët e tyre.+ Ata ishin kundrejt njëri-tjetrit, me fytyrë nga kapaku.+
10 Pastaj bëri tryezën me dru akacieje.+ Ajo ishte dy kute e gjatë, një kut e gjerë dhe një kut e gjysmë e lartë.+
11 E veshi me ar të kulluar dhe rreth e qark i bëri një bordurë prej ari.+
12 Më pas i bëri rreth e qark edhe një buzë katër gisht të lartë, dhe kësaj i bëri rreth e qark një bordurë prej ari.+
13 I derdhi pastaj katër unaza ari dhe i vendosi në katër qoshet ku ishin katër këmbët.+
14 Unazat ishin pranë buzës, dhe në to futeshin shufrat për të mbartur tryezën.+
15 Shufrat i bëri me dru akacieje dhe i veshi me ar. Me to mbartnin tryezën.+
16 Bëri pastaj edhe pajisjet që janë në tryezë: pjatat, kupat, taset dhe brokat, me të cilat do të derdheshin libacione. I bëri me ar të kulluar.+
17 Pastaj bëri shandanin+ me ar të kulluar, të punuar me çekan. Baza, krahët, kupat, koklat dhe lulet dilnin nga trungu i tij.+
18 Nga trungu dilnin gjashtë krahë: tre krahë nga njëra anë dhe tre nga ana tjetër.+
19 Në çdo krah të njërës anë kishte tri kupëza në formën e lules së bajames, bashkë me kokla e lule, që këmbeheshin me njëra-tjetrën. Po kështu edhe në anën tjetër, në çdo krah kishte tri kupëza në formën e lules së bajames, bashkë me kokla e lule, që këmbeheshin me njëra-tjetrën. Kështu ishte për gjashtë krahët që dilnin nga shandani.+
20 Në trungun e shandanit kishte katër kupëza në formën e lules së bajames, me koklat dhe lulet e tyre, që këmbeheshin me njëra-tjetrën.+
21 Një kokël ishte nën dy krahët e parë që dilnin nga trungu, një kokël nën dy krahët e tjerë që dilnin nga trungu dhe një kokël tjetër nën dy krahët e fundit që dilnin nga ai, për gjashtë krahët që dilnin nga shandani.+
22 Koklat dhe krahët dilnin nga trungu i tij. Ai ishte një trup i tërë, i punuar me çekan dhe i bërë me ar të kulluar.+
23 Pastaj i bëri shtatë llamba, si dhe mashat dhe mbajtëset e zjarrit, me ar të kulluar.+
24 Shandani dhe gjithë pajisjet e tij peshonin një talentë ari të kulluar.
25 Bëri edhe altarin e temjanit+ me dru akacieje.+ Ai ishte katror, një kut i gjatë dhe një kut i gjerë, kurse i lartë dy kute. Brirët dilnin nga qoshet e tij.+
26 Sipërfaqen e sipërme, anët rreth e qark dhe brirët i veshi me ar të kulluar. Përreth i bëri një bordurë ari.+
27 I bëri edhe dy unaza ari nën bordurë, në dy anët e tij të kundërta, që shërbenin si mbajtëse për shufrat me të cilat do të mbartej.+
28 Pastaj bëri shufrat me dru akacieje dhe i veshi me ar.+
29 Bëri edhe vajin e shenjtë për mirosje+ dhe temjanin+ e kulluar aromatik, me mjeshtërinë e një pomadëbërësi.

