Eksodi 2:1-25
2 Në këtë kohë, një burrë nga shtëpia e Levit mori për grua një bijë të Levit.+
2 Gruaja mbeti shtatzënë, dhe lindi një djalë. Kur pa se sa i bukur ishte, ajo e mbajti të fshehur+ për tre muaj hënorë.+
3 Por kur nuk e mbante dot më të fshehur,+ ajo mori një arkë papirusi, e leu me bitum e katran,+ futi fëmijën brenda, dhe e vuri mes kallamave+ buzë lumit Nil.
4 Kurse motra e tij ndenji në njëfarë largësie për të parë se ç’do të bëhej me të.+
5 Pas pak, e bija e faraonit zbriti për t’u larë në lumin Nil, kurse shërbëtoret e saj ecnin buzë lumit Nil. Ajo vuri re arkën mes kallamave dhe menjëherë dërgoi skllaven e saj që ta merrte.+
6 Kur e hapi, pa fëmijën, dhe ja, djali po qante. Prandaj, asaj iu dhimbs,+ edhe pse tha: «Ky është një fëmijë hebre.»
7 Atëherë motra e tij e pyeti vajzën e faraonit: «A të shkoj e të thërras një mëndeshë nga gratë hebreje, që të mëndë fëmijën për ty?»
8 Bija e faraonit i tha: «Shko!» Dhe vasha shkoi menjëherë e thirri nënën e fëmijës.+
9 E bija e faraonit i tha: «Merre me vete këtë fëmijë e mënde për mua, dhe unë do të të paguaj.»+ Prandaj, gruaja e mori fëmijën dhe e mëndi.
10 Kështu, fëmija u rrit. Pastaj ajo e çoi te bija e faraonit, dhe ai u bë bir i saj.+ Ajo ia vuri emrin Moisi,* sepse tha: «E kam nxjerrë nga uji.»+
11 Kur u rrit e u bë burrë, Moisiu doli një ditë për të parë vëllezërit e tij, dhe barrët që bartnin ata.+ Atje pa një egjiptian që po rrihte një nga vëllezërit e tij hebrenj.+
12 Prandaj, ai shikoi andej-këtej, dhe kur pa që s’kishte njeri, e vrau egjiptianin dhe e fshehu në rërë.+
13 Doli edhe të nesërmen, dhe pa dy hebrenj që po ziheshin. Dhe i tha atij që e kishte gabim: «Përse e godet shokun?»+
14 Ai ia ktheu: «Kush të vuri ty princ dhe gjykatës?+ Mos ke ndër mend të më vrasësh edhe mua, si vrave atë egjiptianin?»+ Moisiu u frikësua dhe tha: «Me siguri kjo punë është marrë vesh!»+
15 Këtë gjë e dëgjoi edhe faraoni, dhe u orvat ta vriste Moisiun,+ por ai ia mbathi,+ dhe vajti të banonte në vendin e Midianit.+ Atje u ul pranë një pusi.
16 Prifti+ i Midianit kishte shtatë vajza. Ato vajtën si zakonisht për të nxjerrë ujë dhe për të mbushur vijat e ujit, që të pinin kopetë e atit të tyre.+
17 Por, si përherë, erdhën barinjtë dhe i përzunë. Atëherë Moisiu u ngrit, i ndihmoi gratë dhe u dha ujë kopeve të tyre.+
18 Kështu, kur ato vajtën në shtëpi te Reueli,+ ati i tyre, ai i pyeti: «Si vallë erdhët kaq shpejt sot?»
19 Ato ia kthyen: «Një egjiptian+ na çliroi nga dora e barinjve. Ai nxori ujë për ne, dhe i dha për të pirë kopesë.»
20 Pastaj ai u tha bijave të tij: «Po ku është? Pse nuk e morët me vete? Shkoni e thirreni, që të vijë të hajë bukë.»+
21 Moisiu pranoi të banonte me atë njeri, dhe ai i dha për grua Ziporën,+ bijën e vet.
22 Më vonë, ajo lindi një djalë, dhe ai ia vuri emrin Gershom,+ sepse tha: «Jam një i ardhur në vend të huaj.»+
23 Pas shumë kohësh, mbreti i Egjiptit më në fund vdiq.+ Megjithatë, bijtë e Izraelit ende psherëtinin nga skllavëria dhe thërritnin me ankim.+ Thirrja e tyre për ndihmë u ngjit deri te Perëndia i vërtetë.+
24 Atëherë Perëndia e dëgjoi+ rënkimin e tyre,+ dhe kujtoi besëlidhjen e tij me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin.+
25 Kështu, Perëndia i pa bijtë e Izraelit dhe u kushtoi vëmendje.
Shënimet
^ Që do të thotë «i nxjerrë; i shpëtuar nga uji».

