Eksodi 38:1-31
38 Ai bëri edhe altarin e blatimit të djegur me dru akacieje. Ai ishte katror, pesë kute i gjatë dhe pesë kute i gjerë, kurse i lartë ishte tri kute.+
2 Pastaj i bëri brirë+ në katër qoshet. Brirët dilnin nga qoshet e altarit, të cilin e veshi me bakër.+
3 Bëri edhe të gjitha pajisjet e altarit: enët, lopatat, taset, pirunët dhe mbajtëset e zjarrit. Të gjitha pajisjet e tij i bëri prej bakri.+
4 I bëri altarit edhe një skarë, një rrjetë prej bakri, poshtë buzës së tij, të futur përbrenda, mes për mes altarit.+
5 Pastaj derdhi katër unaza, në katër qoshet pranë skarës së bakrit, si mbajtëse për shufrat.
6 Bëri edhe shufra me dru akacieje dhe i veshi me bakër.+
7 Pastaj i futi shufrat tek unazat që ishin në anët e altarit për ta mbartur.+ E bëri si një arkë dërrase të zgavërt.+
8 Bëri legenin prej bakri+ dhe mbajtësen e tij prej bakri, me pasqyrat e grave që shërbenin në mënyrë të organizuar në hyrje të tendës së takimit.+
9 Pastaj bëri edhe oborrin.+ Në anën nga Negebi, në jug, pëlhurat e oborrit ishin prej liri të hollë të dredhur, njëqind kute.+
10 Njëzet shtyllat dhe njëzet bazamentet e tyre me fole ishin prej bakri. Kunjat në majë të shtyllave dhe lidhjet e tyre ishin prej argjendi.+
11 Po kështu, edhe në anën veriore kishte njëqind kute pëlhurë. Njëzet shtyllat dhe njëzet bazamentet e tyre me fole ishin prej bakri. Kunjat në majë të shtyllave dhe lidhjet e tyre ishin prej argjendi.+
12 Por në anën perëndimore kishte pesëdhjetë kute pëlhurë, dhjetë shtylla dhe dhjetë bazamente me fole.+ Kunjat në majë të shtyllave dhe lidhjet e tyre ishin prej argjendi.
13 Nga lindja e diellit kishte pesëdhjetë kute pëlhurë.+
14 Në njërën anë kishte pesëmbëdhjetë kute pëlhurë, tri shtylla dhe tri bazamente.+
15 Edhe në anën tjetër, pra si në njërën anë dhe në anën tjetër të portës së oborrit, kishte pesëmbëdhjetë kute pëlhurë, tri shtylla dhe tri bazamente me fole.+
16 Gjithë pëlhurat rreth e qark oborrit ishin prej liri të hollë të dredhur.
17 Bazamentet e shtyllave ishin prej bakri. Kunjat në majë të tyre, lidhjet dhe kokat e tyre ishin prej argjendi, të gjitha shtyllat e oborrit kishin lidhje prej argjendi.+
18 Perdja e hyrjes së oborrit ishte e endur me fill blu, me lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt, me fill ngjyrë kërmëzi dhe me li të hollë të dredhur.+ Ajo ishte njëzet kute e gjatë, dhe gjithandej ishte pesë kute e lartë, njëlloj me pëlhurat e oborrit.+
19 Katër shtyllat dhe katër bazamentet e tyre me fole ishin prej bakri. Kunjat në majë të tyre ishin prej argjendi. Edhe kokat dhe lidhjet e tyre ishin të veshura me argjend.
20 Të gjithë kunjat për tendën e tabernakullit dhe për oborrin rreth e qark ishin prej bakri.+
21 Këto janë gjërat e regjistruara në inventarin e tabernakullit të Dëshmisë.+ Inventari u bë me urdhër të Moisiut, nga levitët+ nën drejtimin e Ithamarit,+ birit të priftit Aaron.
22 Bezaleli,+ biri i Urit, nipi i Hurit, nga fisi i Judës, bëri gjithçka që i urdhëroi Jehovai Moisiut.
23 Me të ishte Oholiabi,+ biri i Ahisamakut, nga fisi i Danit, një artizan, qëndistar dhe endës i fillit blu, i leshit të ngjyer në të kuqe të purpurt, i fillit ngjyrë kërmëzi dhe i lirit të hollë.
24 Tërë ari që u përdor në gjithë punën për vendin e shenjtë, ishte njësoj me sasinë e arit të blatimit të tundur:+ njëzet e nëntë talenta dhe shtatëqind e tridhjetë sikla, sipas siklës+ së vendit të shenjtë.+
25 Argjendi i mbledhur nga ata që u regjistruan nga asambleja, ishte njëqind talenta dhe një mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë sikla, sipas siklës së vendit të shenjtë.
26 Gjysma e siklës për kokë ishte sa gjysma e siklës së vendit të shenjtë, për këdo që përfshihej te të regjistruarit, nga njëzet vjeç e lart.+ Këta ishin gjithsej gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë veta.+
27 Njëqind talenta argjendi u përdorën për derdhjen e bazamenteve me fole të vendit të shenjtë dhe të bazamenteve të perdes. Njëqind bazamente ishin baras me njëqind talenta, një talentë për një bazament.+
28 Me një mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë sikla bëri kunjat e shtyllave, veshi majat e tyre dhe i bashkoi.
29 Bakri i blatimit të tundur ishte shtatëdhjetë talenta dhe dy mijë e katërqind sikla.
30 Me të bëri bazamentet e hyrjes së tendës së takimit, altarin prej bakri, skarën e tij prej bakri, të gjitha pajisjet e altarit,
31 bazamentet e oborrit rreth e qark, bazamentet e hyrjes së oborrit, gjithë kunjat e tendës për tabernakullin dhe gjithë kunjat+ e tendës për oborrin rreth e qark.

