Kalo te përmbajtja

Çfarë është shenja e ‘ditëve të fundit’ ose e ‘mbarimit të kohës’?

Çfarë është shenja e ‘ditëve të fundit’ ose e ‘mbarimit të kohës’?

Përgjigjja e Biblës

 Bibla përshkruan ngjarjet, kushtet dhe sjelljet e njerëzve, që do të karakterizonin ‘përfundimin e sistemit [të tanishëm]’ ose të «mbarimit të botës». (Mateu 24:3; Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar) Ajo e quan këtë periudhë «ditët e fundit» dhe ‘koha e fundit’, ose ‘koha e mbarimit’.—2 Timoteut 3:1; Danieli 8:19; Kristoforidhi.

Cilat janë disa profeci të Biblës për «ditët e fundit»?

 Bibla paratha mjaft gjëra që do të ndodhnin njëkohësisht dhe do të shërbenin si «shenja» identifikuese e ditëve të fundit. (Luka 21:7) Shqyrto disa prej tyre:

 Luftëra anembanë botës. Jezui paratha: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.» (Mateu 24:7) Edhe te Zbulesa 6:4 parathuhej një kalorës simbolik që përfaqësonte luftën, i cili ‘do të hiqte paqen nga toka’.

 Zi buke. Jezui paratha: «Do të ketë mungesa ushqimi.» (Mateu 24:7) Libri i Zbulesës parathoshte një kalorës tjetër simbolik, kalërimi i të cilit do të sillte zi buke në shumë vende.—Zbulesa 6:5, 6.

 Tërmete të mëdha. Jezui tha se do të kishte «tërmete nga njëri vend në tjetrin». (Mateu 24:7; Luka 21:11) Këto tërmete të mëdha në mbarë botën do të sillnin vuajtje dhe vdekje në një shkallë të paparë ndonjëherë.

 Sëmundje. Sipas Jezuit, do të kishte murtaja, ose epidemi ‘sëmundjesh të tmerrshme’.—Luka 21:11, Contemporary English Version.

 Krime. Megjithëse krimi ekziston prej shekujsh, Jezui paratha se në ditët e fundit ‘do të rritej ligësia’.—Mateu 24:12.

 Shkatërrim i tokës. Zbulesa 11:18 parathoshte se njerëzit ‘do të shkatërronin tokën’. Këtë do ta bënin në shumë mënyra, jo vetëm nëpërmjet sjelljes së dhunshme dhe të korruptuar, por edhe duke dëmtuar mjedisin.

 Përkeqësim i sjelljes së njerëzve. Te 2 Timoteut 3:1-4 Bibla paratha se njerëzit në përgjithësi do të ishin ‘mosmirënjohës, të pabesë, nuk do të ishin të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur’. Këto sjellje do të shfaqeshin deri në atë pikë, sa me të drejtë periudha mund të përshkruhej si «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar».

 Prishje e familjes. Te 2 Timoteut 3:2, 3 Bibla paratha se shumë njerëz nuk do të kishin «përzemërsi të natyrshme» për familjen e tyre dhe se fëmijët do të ishin «të pabindur ndaj prindërve».

 Ftohje e dashurisë për Perëndinë. Jezui paratha: «Dashuria e shumicës do të ftohet.» (Mateu 24:12) Me këto fjalë Jezui donte të thoshte se shumica e njerëzve nuk do të kishin dashuri për Perëndinë. Po njësoj, 2 Timoteut 3:4 thotë se në ditët e fundit këta njerëz ‘do të donin kënaqësitë dhe jo Perëndinë’.

 Hipokrizi fetare. Te 2 Timoteut 3:5 Bibla paratha se me fjalë njerëzit do të thoshin se e adhuronin Zotin, ama me vepra jo, pasi nuk do të jetonin sipas standardeve të tij.

 Kuptueshmëri më e plotë për profecitë e Biblës. Libri i Danielit paratha se «në kohën e fundit» shumë do ta kuptonin më mirë të vërtetën e Biblës, ku do të përfshihej edhe kuptueshmëria e saktë për profecitë e ditëve të fundit.—Danieli 12:4.

 Një vepër predikimi globale. Jezui paratha: «Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar.»—Mateu 24:14.

 Indiferencë dhe tallje e përhapur gjerësisht. Jezui paratha se njerëzit në përgjithësi do t’i shpërfillnin provat e qarta se fundi po afrohej. (Mateu 24:37-39) Jo vetëm kaq, por te 2 Pjetrit 3:3, 4 parathuhej se disa do të talleshin me provat, duke thënë se ato s’nënkuptonin asgjë.

 Përmbushje e të gjitha profecive. Jezui tha se në ditët e fundit do të shihnim përmbushjen e njëkohshme të të gjitha këtyre profecive, e jo vetëm të disave ose të pjesës më të madhe.—Mateu 24:33.

A po jetojmë në «ditët e fundit»?

 Po. Kushtet botërore dhe përllogaritjet sipas profecive të Biblës, tregojnë se ditët e fundit filluan më 1914, vit kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Për të kuptuar se si kushtet e sotme në botë janë dëshmi se po jetojmë në ditët e fundit, shihni videon vijuese:

 Në vitin 1914 Mbretëria e Perëndisë nisi të qeverisë në qiell. Një nga gjërat e para që bëri, ishte dëbimi i Satana Djallit dhe i demonëve nga qielli. Tashmë sfera e tyre e aktivitetit u kufizua vetëm në tokë. (Zbulesa 12:7-12) Ndikimi që ka Satanai mbi njerëzit shihet qartë në qëndrimet dhe veprimet e tyre të këqija. Me të drejtë, këto ditë të fundit janë «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar».—2 Timoteut 3:1.

 Mjaft njerëz janë të shqetësuar nga këto kohë kritike. Merakosen se shoqëria njerëzore po shkon keq e më keq. Madje, disa kanë frikë se njerëzimi nuk do të ketë të ardhme.

 Ndërkohë ka edhe të tjerë që, megjithëse janë të shqetësuar nga çfarë po ndodh në botë, e shohin të ardhmen plot shpresë. Ata janë të bindur se është në prag koha kur Mbretëria e Perëndisë do të na çlirojë nga problemet që po na zënë frymën. (Danieli 2:44; Zbulesa 21:3, 4) Gjithashtu presin me durim që Zoti t’i mbajë premtimet dhe marrin zemër nga fjalët e Jezuit: «Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.»—Mateu 24:13; Mikea 7:7.