Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A janë planet e tua në harmoni me qëllimin e Perëndisë?

A janë planet e tua në harmoni me qëllimin e Perëndisë?

A janë planet e tua në harmoni me qëllimin e Perëndisë?

ARRËTHYESJA amerikane është një zog këngëtar bardhë e gri, që mund të shihet duke fluturuar sa në një vend në tjetrin përmes pyjeve në perëndim të Amerikës së Veriut. Ajo grumbullon e fsheh deri në 33.000 fara në vit, duke i ruajtur ato në 2.500 vende të ndryshme, për t’u përgatitur për muajt e acartë të dimrit. Vërtet, ky zog është ‘instinktivisht i mençur’, sepse grumbullon ushqim për të ardhmen.—Proverbat 30:24.

Njerëzit kanë një aftësi edhe më të jashtëzakonshme. Nga të gjitha krijesat tokësore të Jehovait, njerëzit kanë një aftësi të pashoqe për të mësuar nga përvojat e së kaluarës dhe për t’i lejuar këto mësime të ndikojnë në planet e tyre për të ardhmen. Mbreti i mençur Solomon vërejti: «Të shumta janë planet në zemrën e njeriut.»—Proverbat 19:21.

Pavarësisht nga kjo, njerëzit në përgjithësi nuk kanë zgjedhje tjetër veçse t’i bazojnë në supozime planet e tyre për të ardhmen. Për shembull, ti planifikon për të nesërmen duke menduar se dielli do të lindë dhe do të jesh akoma gjallë. Supozimi i parë është i sigurt, kurse i dyti është më pak i sigurt. Shkrimtari biblik Jakovi shprehu këtë të vërtetë: «Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj.»—Jakovi 4:13, 14.

Perëndia Jehova nuk ka kufizime të tilla. Ai e di «përfundimin qysh në fillim». Do ta përmbushë patjetër qëllimin që ka shpallur. «Qëllimi im do të qëndrojë dhe do të bëj çdo gjë që më pëlqen»,—deklaron ai. (Isaia 46:10) Por, çfarë ndodh kur planet e njerëzve bien në kundërshtim me qëllimin e Perëndisë?

Kur planet e njerëzve shpërfillin qëllimin e Perëndisë

Rreth 4.000 vjet më parë, ndërtuesit e kullës së Babelit planifikuan të kufizonin përhapjen e njerëzve. Ata thanë: «Oburra! Le të ndërtojmë një qytet dhe një kullë, maja e së cilës të arrijë deri në qiej, e të bëjmë emër, që të mos shpërndahemi në gjithë faqen e tokës.»—Zanafilla 11:4.

Megjithatë, qëllimi që kishte Perëndia për tokën ishte krejt i ndryshëm. Ai i kishte urdhëruar Noenë dhe bijtë e tij: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbushni tokën.» (Zanafilla 9:1) Si veproi Perëndia ndaj qëllimeve të rebelëve të Babelit? U ngatërroi gjuhën që të mos komunikonin me njëri-tjetrin. Cili ishte rezultati? «Kështu, Jehovai i shpërndau në gjithë faqen e tokës.» (Zanafilla 11:5-8) Ndërtuesit e Babelit u detyruan të nxirrnin një mësim të vlefshëm. Kur planet e njerëzve ndryshojnë nga qëllimi i Perëndisë, «vetëm vullneti i Jehovait do të qëndrojë». (Proverbat 19:21) A lejon që mësime të tilla nga e kaluara të ndikojnë në jetën tënde?

Marrëzia e një të pasuri

Ndoshta nuk po planifikon të ndërtosh një kullë, por sot shumë njerëz planifikojnë të kenë një llogari bankare të majme dhe të grumbullojnë të mira materiale, që të kenë një jetë të rehatshme kur të dalin në pension. Është më se e natyrshme që një njeri të dojë të shijojë frytet e punës së vet. «Çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia»,—shkroi Solomoni.—Eklisiastiu 3:13.

Por jemi përgjegjës para Jehovait për mënyrën se si e përdorim këtë dhuratë. Pothuajse 2.000 vjet më parë, Jezui ua theksoi këtë të vërtetë dishepujve nëpërmjet një ilustrimi. Ai tha: «Toka e një njeriu të pasur dha prodhime të mbara. Prandaj, ai nisi të arsyetonte me vete: ‘Ç’të bëj tani që s’kam ku t’i fut të korrat?’ Kështu tha: ‘Ja ç’do të bëj: do t’i shemb depot që kam e do të ndërtoj më të mëdha. Atje do të fut gjithë grurin dhe gjithë të mirat që kam dhe do t’i them shpirtit: “Shpirt, ti ke mbledhur shumë të mira që do të të mjaftojnë për shumë vjet. Prandaj rehatohu, ha, pi dhe gëzohu.”’» (Luka 12:16-19) A nuk duket si i arsyeshëm synimi që kishte ky i pasur? Ashtu si arrëthyesja amerikane, zogu i përmendur më lart, burri në ilustrim po përgatitej për nevojat e së ardhmes.

Por kishte diçka të gabuar në mënyrën e tij të të menduarit. Jezui vazhdoi: «Por Perëndia i tha: ‘Njeri i paarsyeshëm, sonte do të kërkojnë shpirtin tënd. Të kujt do të jenë, atëherë, gjërat që grumbullove?’» (Luka 12:20) A po kundërshtonte Jezui pohimin e Solomonit se puna dhe të mirat që vijnë prej saj, janë dhurata nga Perëndia? Jo. Ku donte të dilte Jezui? Ai tha: «Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesare për vete, por nuk është i pasur në sytë e Perëndisë.»—Luka 12:21.

Jezui po u mësonte atyre që po e dëgjonin se Jehovai do që ta marrim parasysh kur bëjmë plane. Burri i pasur mund të kishte qenë i pasur në sytë e Perëndisë, nëse do të kërkonte mënyra që të ishte më i përkushtuar ndaj Tij dhe të kishte më shumë mençuri e dashuri. Fjalët e tij zbulojnë se nuk interesohej fare për këto gjëra, as për të lënë një pjesë të të korrave që ta mblidhnin të varfrit dhe as për t’i paraqitur blatime Jehovait. Këto synime frymore dhe veprime altruiste nuk ishin pjesë e jetës së të pasurit. Planet e tij vërtiteshin vetëm rreth dëshirave e rehative personale.

A ke vënë re se edhe sot shumë njerëz konsiderojnë më të rëndësishme gjërat si ato të të pasurit që përshkroi Jezui? Qofshim të pasur a të varfër, është shumë e lehtë të biem pre e një pikëpamjeje materialiste dhe të vëmë në vend të dytë marrëdhënien me Perëndinë, për shkak të nevojave e dëshirave të jetës së përditshme. Çfarë mund të bësh për të shmangur këtë kurth?

Planifikimi i një jete «normale»

Ndryshe nga i pasuri në ilustrimin e Jezuit, mund të gjendesh në vështirësi ekonomike. Pavarësisht nga kjo, nëse je i martuar, pa dyshim që planifikon të sigurosh nevojat jetësore të familjes dhe, po të jetë e mundur, një arsimim bazë të mirë për fëmijët. Nëse je beqar, ka të ngjarë që planet e tua të përfshijnë gjetjen e një pune ose mbajtjen e punës që ke, që të mos u bëhesh barrë të tjerëve. Këto janë synime të vlefshme.—2 Selanikasve 3:10-12; 1 Timoteut 5:8.

Megjithatë, mënyra e jetesës së dikujt që punon, ha, pi—pra, bën një jetë që konsiderohet normale—mund të bjerë në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Si vallë? Jezui tha: «Ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut. Ashtu si njerëzit në ato ditë përpara përmbytjes, hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë, dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë, kështu do të jetë prania e Birit të njeriut.»—Mateu 24:37-39.

Para Përmbytjes, njerëzit në përgjithësi gëzonin një jetë që mund të jetë konsideruar normale. Gjithsesi, problemi i tyre ishte se «nuk [i] kushtuan vëmendje» qëllimit të Perëndisë për të shfarosur atë botë të ligë me anë të një përmbytjeje globale. Sigurisht që ata mendonin se mënyra e jetesës së Noesë nuk ishte normale. Megjithatë, kur erdhi Përmbytja, mënyra e jetesës së Noesë dhe e familjes së tij ishte vërtet më e mençura.

Në ditët tona, të gjitha dëshmitë që ekzistojnë, vërtetojnë se po jetojmë në ditët e fundit. (Mateu 24:3-12; 2 Timoteut 3:1-5) Së shpejti, Mbretëria e Perëndisë ‘do të thërrmojë dhe do t’i japë fund’ sistemit të tanishëm. (Danieli 2:44) Nën sundimin e kësaj Mbretërie, toka do të transformohet në një parajsë. Mbretëria do të zhdukë sëmundjet dhe vdekjen. (Isaia 33:24; Zbulesa 21:3-5) Të gjitha krijesat e tokës do të jetojnë në harmoni e nuk do të vuajnë më nga uria.—Psalmi 72:16; Isaia 11:6-9.

Megjithatë, para se të veprojë, Jehovai ka si qëllim që lajmi i mirë për këtë Mbretëri «të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet». (Mateu 24:14) Në harmoni me qëllimin e Perëndisë, rreth shtatë milionë Dëshmitarë të Jehovait po e predikojnë këtë lajm të mirë në 236 vende në më shumë se katërqind gjuhë.

Mënyra e jetesës së Dëshmitarëve të Jehovait mund të duket deri diku e çuditshme për botën, e madje qesharake. (2 Pjetrit 3:3, 4) Ngjashëm njerëzve që jetuan para Përmbytjes, shumica e njerëzve sot janë shumë të dhënë pas rutinës së jetës së përditshme. Atyre mund t’u duket i paekuilibruar kushdo që refuzon të jetojë sipas një mënyre që shoqëria e konsideron normale. Por, sipas pikëpamjes së atyre që kanë besim në premtimet e Perëndisë, një jetë e përqendruar në shërbim të tij është vërtet e ekuilibruar.

Prandaj qofsh i pasur a i varfër, apo me një nivel mesatar jetese, bën mirë të shqyrtosh herë pas here planet e tua për të ardhmen e afërt. Ndërsa bën këtë, pyet veten: «A janë planet e mia në harmoni me qëllimin e Perëndisë?»

[Figura në faqen 11]

Kur planet e njerëzve bien në kundërshtim me qëllimin e Perëndisë, vetëm vullneti i Jehovait do të qëndrojë

[Figura në faqen 12]

Kur po bënte planet e tij, i pasuri në shëmbëlltyrën e Jezuit nuk u përqendrua në qëllimin e Perëndisë