Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur të vdes një njeri i afërt

Kur të vdes një njeri i afërt

Kur të vdes një njeri i afërt

Më 17 korrik 2007, të martën në mbrëmje, rreth orës shtatë, një aeroplan pasagjerësh doli nga pista e njërit prej aeroporteve më të populluar të Brazilit, në zemër të San-Paulos. Aeroplani çau përmes një rruge kryesore dhe u përplas me një depo mallrash. Në atë aksident vdiqën rreth 200 veta.

KJO ngjarje, që është përshkruar si katastrofa ajrore më e rëndë në Brazil, do të mbetet e pashlyeshme në kujtesën e atyre që humbën njerëz të afërt. Klaudeta ishte një ndër ata që përjetuan një humbje të tillë. Ajo po shihte televizor kur dëgjoi lajmin për përplasjen e avionit. Djali i saj, Renatoja, ndodhej në atë avion. Ishte vetëm 26 vjeç. Ai kishte planifikuar të martohej në tetor. Me dëshpërim, Klaudeta u përpoq të fliste me të në celular, por s’mori përgjigje. Ajo u shemb përtokë dhe filloi të qante me ngashërim.

Antja humbi të fejuarin në një aksident tragjik me makinë, në janar të vitit 1986. Kur e dëgjoi lajmin, pësoi një tronditje të jashtëzakonshme. Ajo thotë: «Në fillim nuk doja ta besoja. Më dukej sikur po shihja një ëndërr të keqe dhe se papritur do të zgjohesha e do të kuptoja që s’ishte e vërtetë. Dridhesha dhe ndieja dhembje të tmerrshme sikur dikush të më kishte goditur në stomak.» Antja vuajti nga depresioni për tri vitet që pasuan. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga aksidenti, ajo ende dridhet kur kujton se ç’ndodhi.

Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar ndjenjat dërrmuese të tronditjes, të mospranimit të realitetit, të mpirjes dhe të dëshpërimit që mund të sjellin vdekje të tilla tragjike e të papritura. Megjithatë, edhe kur vdekja e një njeriu të afërt pritet, si për shembull, pas një sëmundjeje të gjatë, prapëseprapë, hidhërimi mund të jetë shumë i thellë. Askush nuk është plotësisht i përgatitur për vdekjen e një njeriu të afërm. Mamaja e Nensit vdiq në vitin 2002 pas një sëmundjeje të gjatë. Gjithsesi, ditën që mamaja vdiq, Nensi u ul në dyshemenë e spitalit krejtësisht e tronditur. I dukej sikur jeta s’kishte më kuptim. Kanë kaluar pesë vjet, por ajo ende qan kur mendon për mamanë.

«Njerëzit nuk e marrin veten kurrë nga vdekja e një njeriu të afërt, ata thjesht mësohen me idenë e humbjes»,—tha dr. Holli Prixherson. Nëse, në mënyrë të papritur ose jo, të ka vdekur një njeri i afërt, mund të pyesësh veten: «A është normale të hidhërohem? Si mund ta përballoj vdekjen e një njeriu të afërt? A do ta shoh përsëri atë?» Në artikullin vijues do të trajtohen këto, si edhe pyetje të tjera që mund të kesh.

[Burimi i figurës në faqen 3]

EVERTON DE FREITAS/​AFP/​Getty Images