Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta në parajsën që do të vijë

Jeta në parajsën që do të vijë

JEZUI foli me bindje se njerëzit mund të jetojnë sërish dhe u tha dishepujve të tij se kjo ishte e sigurt. ‘Në përtëritjen e krijimit,—tha ai,—do të trashëgoni jetën e përhershme.’ Çfarë donte të thoshte Jezui me «përtëritjen e krijimit»?​—Mateu 19:25-29.

Sipas tregimit paralel të shkrimtarit biblik Luka, Jezui tha se «në sistemin që po vjen», dishepujt e tij do të marrin «jetën e përhershme». (Luka 18:28-30) Pse Bibla thotë se ‘sistemi që po vjen’ është njësoj me «përtëritjen e krijimit»?

Me sa duket, kjo theksonte se Perëndia Jehova do të marrë masa të realizohet qëllimi që kishte në fillim, pra, që njerëzimi të gëzojë jetën e përhershme në një tokë parajsore. Njerëzve do t’u kthehet përsosmëria që kishin Adami dhe Eva para se të mëkatonin. Kështu, «në sistemin që po vjen», do të ndodhë ‘përtëritja e krijimit’, pra, do të krijohen sërish kushtet parajsore që ekzistonin në kopshtin e Edenit.

Si do të vendoset sërish parajsa?

Kur ishte në tokë, Jezui i mësoi dishepujt të luteshin pikërisht për mjetin që do të përdorë Perëndia për të kthyer sërish mbarë tokën në parajsë. Jezui tha se duhet të lutemi kështu: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) Perëndia caktoi Birin e tij si Mbret të kësaj Mbretërie, e cila do të përmbushë qëllimin e Perëndisë që të ketë kushte parajsore në mbarë tokën.

Bibla tha për atë që Perëndia ka caktuar si Mbret: «Na ka lindur një fëmijë, na është dhënë një bir dhe mbi supet e tij do të jetë sundimi princëror. Ai do të thirret . . . Princ i Paqes. Sundimi i tij i madh princëror dhe paqja nuk do të kenë fund.» (Isaia 9:6, 7) Mirëpo, si do ta plotësojë vullnetin e Perëndisë kjo qeveri nën ‘sundimin princëror’?

Bibla jep këtë përgjigje: «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri [sundim princëror] që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»​—Danieli 2:44.

Le të shohim kushtet që do të ekzistojnë anembanë tokës në parajsën e ardhshme, «në përtëritjen e krijimit», kur Biri i Perëndisë të ushtrojë pushtetin si ‘sundimtari princëror’ në Mbretërinë e Atit të tij.

Si do të jetë jeta në parajsë?

Ringjallen të vdekurit

«Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.»​—Gjoni 5:28, 29.

«Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.»​—Veprat 24:15.

S’ka më sëmundje, pleqëri dhe vdekje

«Në atë kohë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve. I çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje.»​—Isaia 35:5, 6.

«Vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»​—Zbulesa 21:3, 4.

Bollëk ushqimesh të shijshme

«Toka do të japë prodhimin e saj. Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.»​—Psalmi 67:6.

«Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»​—Psalmi 72:16.

Shtëpi të mira e punë të kënaqshme për të gjithë

«Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër.»​—Isaia 65:21, 22.

S’ka më krime, dhunë e luftëra

«Të ligjtë do të shfarosen nga toka.»​—Proverbat 2:22.

«Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.»​—Isaia 2:4.

S’ka më frikë, mbretëron paqja

«Do të banojnë [të sigurt], dhe askush nuk do t’i trembë.»​—Ezekieli 34:28.

«Në tërë malin tim të shenjtë askush nuk do të bëjë asnjë dëm dhe nuk do të prishë asgjë, sepse toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.»​—Isaia 11:9.

Ç’kënaqësi do të jetë të jetosh kur mbarë toka të jetë prapë parajsë dhe çdokush ta dojë Perëndinë e të tregojë dashuri për të tjerët! (Mateu 22:37-39) Mund të jeni të sigurt se atëherë do të plotësohen të gjitha premtimet e Perëndisë. «Unë e kam thënë,—deklaron Perëndia,—dhe unë do ta realizoj.»​—Isaia 46:11.

Ndoshta keni ende shumë gjëra për të mësuar rreth Perëndisë Jehova dhe botës së re që ka premtuar. Për shembull, ç’prova ekzistojnë që kjo botë e re është afër? Si do t’i zëvendësojë Mbretëria e Perëndisë të gjitha qeveritë e tokës? Cilat ngjarje do t’i hapin udhë kësaj? Dëshmitarët e Jehovait do t’ju ndihmonin me kënaqësi për t’i shqyrtuar këto pyetje. Për më shumë informacione, shihni faqen 32 të kësaj reviste.

Po u vjen fundi viteve të panumërta që njerëzimi ka qenë i dëshiruar për një botë të re të drejtë. Shumica e njerëzve që kanë vdekur, do të jetojnë përsëri. Kjo nuk është thjesht diçka e mundur: është vullneti i Perëndisë. Po, njerëzit mund të jetojnë sërish! Ata do të gëzojnë «jetën e vërtetë»​—jetën «që do të vijë».​—1 Timoteut 4:8; 6:19.