Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë premton ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’?

Çfarë premton ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’?

Çfarë premton ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’?

PERËNDIA JEHOVA e vuri çiftin e parë njerëzor në një parajsë në tokë, në kopshtin e Edenit. Ai u tha atyre që të kishin fëmijë dhe ‘të nënshtronin tokën’. Ndërkohë që familja e tyre do të shtohej, do të zgjerohej edhe shtëpia e tyre parajsore. (Zanafilla 1:26-28; 2:15) A do të plotësohet ndonjëherë qëllimi i Perëndisë që njerëzit të gëzojnë një parajsë në tokë?

Po, do të plotësohet! Sipas profecisë biblike, «[Jehovai] do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen» dhe «do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë». Kur kjo të bëhet, «do të thuhet: ‘Ja, ky është Perëndia ynë: tek ai kemi shpresuar dhe ai do të na shpëtojë. Ky është Zoti tek i cili kemi shpresuar; të ngazëllojmë dhe të gëzohemi në shpëtimin e tij!’»​—Isaia 25:8, 9.

Libri i fundit i Biblës përshkruan se si do të jenë kushtet në tokë, pasi të hiqet ky sistem që sundohet nga Satanai. Lidhur me ‘tokën e re’ që përbëhet nga njerëz që e duan Perëndinë, Bibla thotë: «Tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë me ta, ndërsa ata do të jenë popujt e tij. Dhe vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»​—Zbulesa 21:1-4.

Çfarë premtimesh të mrekullueshme! A mund t’i besojmë ato? Mendoni se si vdekja sakrifikuese e Jezuit dhe mrekullitë që kreu ai, shërbejnë si bazë për të qenë të sigurt se çfarëdo që thotë, Perëndia do ta realizojë.​—2 Korintasve 1:20.

Jeta e Jezuit si një shpërblesë

Kur Satanai e nxiti Adamin që të mos i bindej Perëndisë dhe të mëkatonte, të gjithë pasardhësit e Adamit e trashëguan mëkatin e tij. Bibla thotë: «Ashtu si nëpërmjet një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» Megjithatë, më tej Bibla thotë: «Nëpërmjet bindjes së një të vetmi [njeriut të përsosur, Jezuit], shumë do të bëhen të drejtë.» (Romakëve 5:12, 19) Siç u tha në artikullin e parë të kësaj serie, Jezui është «Adami i fundit», ai që erdhi «nga qielli», ai që e dha jetën e tij «si shpërblesë në këmbim të shumë vetave».​—1 Korintasve 15:45, 47; Mateu 20:28.

Pra, të gjithë ata që ushtrojnë besim te Jezui mund të marrin «çlirimin [nga mëkati] nëpërmjet shpërblesës» dhe mund të kenë jetë të përhershme. (Efesianëve 1:7; Gjoni 3:36) Sigurisht gëzohemi që Perëndia Jehova e deshi kaq shumë njerëzimin, saqë dha Birin e tij për të na shpëtuar ne. (Luka 2:10-12; Gjoni 3:16) Një shqyrtim i asaj që bëri Jezui për të ndihmuar njerëzit që vuanin në shekullin e parë, na ndihmon të kuptojmë se ç’do të ndodhë në të ardhmen. Dhe ajo që bëri Jezui ishte vërtet e mrekullueshme!

Pamje paraprake të një bote të re

Jezui arriti të shëronte çdo të sëmurë që i sollën. Nuk kishte asnjë të sëmurë, të cilit Jezui nuk qe në gjendje t’i rikthente shëndetin, pavarësisht nga lloji i sëmundjes. Për më tepër, me anë të një mrekullie, ai ushqeu mijëra veta, ndërkohë që kishte vetëm ca peshq dhe disa copa buke, dhe këtë nuk e bëri vetëm një herë.​—Mateu 14:14-22; 15:30-38.

Kur Jezui i ktheu shikimin një njeriu që kishte lindur i verbër, fqinjët dhe të njohurit e pranuan se kjo ishte një mrekulli, por udhëheqësit fetarë judenj ishin dyshues. Prandaj burri, të cilit iu rikthye shikimi, arsyetoi me ta: «Që nga lashtësia nuk është dëgjuar kurrë që ndokush të ketë hapur sytë e një të verbri të lindur. Po të mos ishte nga Perëndia ky njeri, nuk mund të bënte asgjë fare.»​—Gjoni 9:32, 33.

Gjatë shërbimit të Jezuit, kushëriri i tij, Gjon Pagëzori, që ishte në burg, dërgoi njerëz që të vërtetonin nëse ato që thuheshin për Jezuin ishin të vërteta. Bibla thotë: «Në atë orë, ai shëroi shumë veta nga sëmundje, lëngata të rënda dhe frymëra të liga, si dhe u dha shumë të verbërve favorin e shikimit.» Pastaj Jezui u tha të dërguarve të Gjonit: «Shkoni, tregojini Gjonit çfarë patë dhe dëgjuat: të verbrit po fitojnë shikimin, të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngrihen.»​—Luka 7:18-22.

Mendoni për këtë: nëse diçka e mirë ka ndodhur në të kaluarën, a nuk do t’ju jepte kjo sigurinë se është e mundur që e njëjta gjë të ndodhë përsëri? Me anë të mrekullive që kreu, Jezui demonstroi në një shkallë të vogël se çfarë do të bëjë në një shkallë të gjerë gjatë sundimit si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Mrekullitë e tij janë prova që vërtetojnë se atë e kishte dërguar Perëndia dhe se ishte me të vërtetë Biri i Perëndisë.

Gjatë sundimit të Mbretërisë së Perëndisë, do të ketë një përmbushje të mirëfilltë të profecive që flasin për gjëra të mrekullueshme. Siç është parathënë, do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve, i çali do të kërcejë si një dre dhe askush nuk do të jetë i sëmurë. Gjithashtu, kudo në tokë do të ketë paqe dhe siguri. Madje edhe kafshët që sot janë të rrezikshme do të jenë në paqe me njerëzit.​—Isaia 9:6, 7; 11:6-9; 33:24; 35:5, 6; 65:17-25.

A do t’ju pëlqente të jetonit përgjithmonë nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, të rrethuar nga kushte të tilla? Jezui e tha se ç’duhet të bëjmë kur iu lut atit të tij: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Mos lejofshi asgjë që t’ju pengojë të vazhdoni të merrni këtë njohuri jetëdhënëse!

[Figura në faqen 10]

Ja se ç’premton Perëndia për tokën