Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është Bibla kontradiktore?

A është Bibla kontradiktore?

Kapitulli 7

A është Bibla kontradiktore?

Shpesh, Biblën e akuzojnë si kontradiktore. Në përgjithësi, ata që e bëjnë këtë akuzë, as që e kanë lexuar ndonjëherë Biblën, por thjesht përsëritin ç’kanë dëgjuar. Megjithatë, disa mendojnë se kanë gjetur kontradikta të vërteta, të cilat i pështjellojnë.

1, 2. (Përfshi hyrjen.) (a) Për çfarë e akuzojnë shpesh Biblën? (b) Ç’duhet të mbajmë ndër mend kur krahasojmë pjesë të ndryshme të saj? (c) Cilat janë disa nga arsyet që nganjëherë, dy shkrimtarë të Biblës e tregojnë ndryshe të njëjtën ngjarje?

NËSE është vërtet Fjala e Perëndisë, Bibla duhet të ketë harmoni të brendshme, pra, të mos jetë kontradiktore. Pse, atëherë, duket që disa pjesë janë kontradiktore me disa të tjera? Për t’u përgjigjur, duhet të mos harrojmë se, megjithëse është Fjala e Perëndisë, Bibla u shkrua nga disa burra përgjatë disa shekujve. Ata vinin nga mjedise të ndryshme, kishin dhunti të ndryshme dhe shkruanin me stile të ndryshme, e të gjitha këto ndryshime i pasqyruan në atë që shkruan.

2 Për më tepër, kur dy ose më shumë shkrimtarë trajtojnë të njëjtën ngjarje, njeri mund të japë hollësi që tjetri nuk i përmend. Veç kësaj, shkrimtarët e paraqitin materialin nga këndvështrime të ndryshme. Dikush mund të ndjekë radhën kronologjike, kurse një tjetër mund t’i paraqitë faktet në një mënyrë tjetër. Në këtë kapitull do të flasim për disa të ashtuquajtura kontradikta të Biblës dhe do të shohim shpjegimin e tyre, duke marrë parasysh ato që përmendëm më lart.

Dëshmitarë të pavarur nga njëri-tjetri

3, 4. Ç’mospërputhje duket se ekziston mes tregimeve të Mateut dhe të Lukës për centurionin që kishte një shërbëtor të sëmurë, dhe si mund të shpjegohet?

3 Disa «kontradikta» shfaqen kur krahasohen dy ose më shumë tregime që paraqitin të njëjtën ngjarje. Për shembull, te Mateu 8:5 lexojmë se, kur Jezui hyri në Kapernaum, «iu afrua një centurion, i cili me përgjërim» i kërkoi t’i shëronte shërbyesin. Por, te Luka 7:3 lexojmë se ky centurion «dërgoi tek ai [Jezui] disa pleq të judenjve që t’i kërkonin të vinte e t’i shpëtonte skllavin». Tani, foli vetë centurioni me Jezuin, apo dërgoi pleqtë?

4 S’ka dyshim se ai dërgoi pleqtë e judenjve. Pse, atëherë, Mateu thotë se centurioni iu përgjërua vetë Jezuit? Sepse ai ia bëri këtë kërkesë Jezuit nëpërmjet pleqve, të cilët, në këtë rast, luajtën rolin e zëdhënësve të tij.

5. Pse thotë Bibla se tempullin e ndërtoi Solomoni kur duket qartë se punën e bënë të tjerë?

5 Një shembull të ngjashëm e gjejmë te 2 Kronikave 3:1, ku lexojmë: «Përfundimisht, Solomoni filloi të ndërtonte shtëpinë e Jehovait në Jerusalem.» Më pas lexojmë: «Kështu Solomoni mbaroi shtëpinë e Jehovait.» (2 Kronikave 7:11) A e ndërtoi vetë Solomoni tempullin, që nga guri i parë deri tek i fundit? Patjetër që jo. Me ndërtimin në kuptimin e vërtetë të fjalës, u mor një numër i madh zanatçinjsh e argatësh, kurse Solomoni organizonte punën dhe përgjigjej për të. Ja pse Bibla thotë se shtëpinë e ndërtoi ai. Po ashtu, Ungjilli i Mateut na thotë se ai që i kërkoi Jezuit t’i shëronte shërbëtorin, ishte komandanti ushtarak, kurse Luka saktësoi se këtë ai e bëri nëpërmjet pleqve të judenjve.

6, 7. Si mund të shpjegohen dy tregimet e ndryshme të Ungjijve për kërkesën e bijve të Zebedeut?

6 Ja edhe një shembull tjetër i ngjashëm. Te Mateu 20:20, 21 lexojmë: «Gruaja e Zebedeut iu afrua [Jezuit] bashkë me dy djemtë e saj, i bëri nderime dhe kërkoi diçka nga ai.» Ajo i kërkoi Jezuit që bijtë e saj të zinin postet më të mira kur ai të bëhej Mbret. Të njëjtën ndodhi, Marku e tregon kështu: «Jakovi dhe Gjoni, dy bijtë e Zebedeut, iu afruan [Jezuit] dhe i thanë: ‘Mësues, duam të bësh për ne atë që do të të kërkojmë.’» (Marku 10:35-37) Tani, kush ia bëri kërkesën Jezuit: bijtë e Zebedeut apo e ëma e tyre?

7 Është e qartë se kërkesën e bënë dy bijtë e Zebedeut, siç thotë edhe Marku, por këtë e bënë nëpërmjet së ëmës, që foli në vend të tyre. Këtë e mbështet edhe Mateu që thotë se, kur apostujve të tjerë u ra në vesh ç’kishte bërë nëna e bijve të Zebedeut, ata nuk u indinjuan me nënën, por «me dy vëllezërit».—Mateu 20:24.

8. Si është e mundur që dy variante të së njëjtës ngjarje të jenë të vërteta, edhe pse ndryshojnë nga njëri-tjetri?

8 A të ka ndodhur ndonjëherë të dëgjosh një ngjarje të treguar nga dy njerëz që e kanë parë me sytë e tyre? Nëse po, a s’ke vërejtur që secili ka nxjerrë në pah hollësitë që i kanë bërë më shumë përshtypje? Njëri mund të ketë përmendur gjëra që tjetri i ka lënë pa përmendur. Megjithatë, të dy kanë thënë të vërtetën. Është e njëjta gjë me tregimet e katër Ungjijve, që përshkruajnë shërbimin e Jezuit, si edhe me ngjarje të tjera historike të Biblës të treguara nga disa shkrimtarë. Të gjithë paraqitën të dhëna të sakta, edhe nëse dikush dha hollësi që një tjetër nuk i përmendi. Duke i parë të gjitha tregimet, mund të kuptojmë më mirë çfarë ndodhi. Këto variante dëshmojnë se tregimet janë të pavarur nga njëri-tjetri, dhe se harmonia e përgjithshme e tyre tregon që janë të vërteta.

Të lexohet konteksti

9, 10. Si na ndihmon konteksti për të ditur se ku e gjeti Kaini gruan?

9 Ato që në pamje të parë duken si mospërputhje, shpesh mund të shpjegohen nëse i hedhim një sy kontekstit. Për shembull, të shohim një pyetje që lind shpesh për gruan e Kainit. Te Zanafilla 4:1, 2 lexojmë: «Ajo [Eva] lindi Kainin dhe tha: ‘Solla në jetë një burrë me ndihmën e Jehovait.’ Më vonë lindi vëllanë e tij, Abelin.» Të gjithë e dinë se Kaini vrau Abelin, por më pas tregimi thotë se Kaini kishte grua dhe fëmijë. (Zanafilla 4:17) Ku e gjeti Kaini gruan, nëse Adami dhe Eva kishin vetëm këta dy djem?

10 Në të vërtetë Adami dhe Eva patën më shumë se dy fëmijë, dhe kjo i jep përgjigje pyetjes. Madje, konteksti tregon se ata patën një familje të madhe. Te Zanafilla 5:3 lexojmë se Adamit i lindi edhe një djalë tjetër, të cilit ia vuri emrin Set, dhe në vargun tjetër lexojmë se «i lindën bij e bija». (Zanafilla 5:4) Kështu, Kaini mund të jetë martuar me një nga motrat ose mbesat e tij. Në atë periudhë të hershme të historisë, kur njerëzimi ishte shumë afër përsosmërisë, duket që një martesë e tillë nuk paraqiste rreziqe për lindjen e fëmijëve, si mund të ndodhë sot.

11. Cilën të ashtuquajtur mospërputhje mes Jakovit dhe apostullit Pavël tregojnë disa?

11 Shqyrtimi i kontekstit sqaron edhe atë që disa e kanë quajtur mospërputhje mes apostullit Pavël dhe Jakovit. Tek Efesianëve 2:8, 9, Pavli tha se të krishterët shpëtojnë falë besimit, jo falë veprave. Ai thotë: «Ju keni shpëtuar nëpërmjet besimit. . . . Jo . . . nga veprat.» Kurse Jakovi thekson rëndësinë e veprave. Ai shkruan: «Ashtu si trupi pa frymë është i vdekur, edhe besimi pa vepra është i vdekur.» (Jakovi 2:26) Si mund të pajtohen këto dy pohime?

12, 13. Si e plotësojnë fjalët e Jakovit atë që tha apostulli Pavël, në vend që ta kundërshtojnë?

12 Po të shqyrtojmë kontekstin e këtyre fjalëve, kuptojmë se këto dy pohime plotësojnë njëri-tjetrin. Apostulli Pavël flet për përpjekjet e judenjve për të zbatuar Ligjin e Moisiut, pasi ata besonin se, po ta zbatonin Ligjin deri në hollësi, do të ishin të drejtë. Pavli tregoi se kjo ishte e pamundur. Veprat nuk na bëjnë kurrë të drejtë aq sa të meritojmë shpëtimin, sepse kemi lindur mëkatarë. Mund të shpëtojmë vetëm nëse besojmë te flijimi shpërblyes i Jezuit.—Romakëve 5:18.

13 Kurse Jakovi shton këtë pikë të rëndësishme: besimi në vetvete nuk ka asnjë vlerë nëse nuk tregohet me vepra. Kush thotë se beson te Jezui, duhet ta tregojë me atë që bën. Besimi pa vepra është i vdekur dhe nuk na çon drejt shpëtimit.

14. Si tregon Pavli se pajtohet plotësisht me parimin se besimi i gjallë duhet treguar me vepra?

14 Pavli ishte plotësisht dakord me fjalët e Jakovit, pasi shpesh përmend veprat që duhet të bëjnë të krishterët për të treguar besimin e tyre. Për shembull, ai u shkroi romakëve: «Me zemër njeriu tregon besim, që të çon në drejtësi, por me gojë bën publikisht shpalljen, që të çon në shpëtim.» Që të shpëtojmë, duhet patjetër të ‘bëjmë publikisht shpalljen’, domethënë, t’ua tregojmë besimin tonë të tjerëve. (Romakëve 10:10; shih edhe 1 Korintasve 15:58; Efesianëve 5:15, 21-33; 6:15; 1 Timoteut 4:16; 2 Timoteut 4:5; Hebrenjve 10:23-25) Megjithatë, asnjë vepër, e aq më pak zbatimi me përpikëri i Ligjit të Moisiut, nuk i jep të drejtën një të krishteri të fitojë jetën e përhershme. Ajo është ‘dhurata që u jep Perëndia’ të gjithë atyre që tregojnë besim.—Romakëve 6:23; Gjoni 3:16.

Këndvështrime të ndryshme

15, 16. Si mund të kenë të drejtë edhe Moisiu, edhe Josiu kur njëri thotë se lindja e Jordanit ishte «në këtë anë» të lumit, kurse tjetri thotë se ishte «matanë» lumit?

15 Nganjëherë shkrimtarët e Biblës e kanë treguar të njëjtën ngjarje nga këndvështrime të ndryshme ose i kanë ndërtuar tregimet në mënyra të ndryshme. Nëse mbahet parasysh kjo, është më e lehtë të shpjegohen disa të ashtuquajtura kontradikta të tjera. Për shembull, sipas disa përkthimeve, te Numrat 35:14 Moisiu përdor shprehjen «në këtë anë të Jordanit» kur flet për territorin në lindje të Jordanit. Kurse Josiu, kur flet për të njëjtin territor, përdor shprehjen «matanë Jordanit». (Josiu 22:4) Cili pohim është i saktë në këtë rast?

16 Që të dy janë të saktë. Sipas tregimit të Numrave, izraelitët nuk e kishin kaluar ende lumin Jordan për të hyrë në Tokën e Premtuar, kështu që për ta, lindja e Jordanit ishte «në këtë anë». Kurse Josiu e kishte kaluar tashmë Jordanin dhe tani gjendej në bregun perëndimor të lumit, në Kanaan. Kështu që për të, krahu lindor i Jordanit ishte «matanë».

17. (a) Me sa duket, ç’kontradiktë shohin disa te dy kapitujt e parë të Zanafillës? (b) Pse ekziston kjo e ashtuquajtur mospërputhje?

17 Edhe mënyra si është ndërtuar një tregim, mund të duket në pamje të parë si një kontradiktë. Sipas Zanafillës 1:24-26, kafshët u krijuan para njeriut. Mirëpo, sipas disa përkthimeve, te Zanafilla 2:7, 19, 20 duket sikur njeriu u krijua para kafshëve. Si shpjegohet kjo mospërputhje? Këto dy tregime flasin për krijimin nga dy këndvështrime të ndryshme. I pari përshkruan krijimin e qiellit, të tokës dhe të gjithçkaje në ta. (Zanafilla 1:1–2:4) Kurse i dyti, përqendrohet te krijimi i racës njerëzore dhe te mëkati i njerëzve të parë.—Zanafilla 2:5–4:26.

18. Si mund të shpjegohen të ashtuquajturat mospërputhje mes dy tregimeve për krijimin në kapitujt e parë të Zanafillës?

18 Tregimi i parë është ndërtuar sipas një radhe kronologjike dhe është ndarë në gjashtë «ditë» të njëpasnjëshme. Kurse i dyti, është shkruar sipas rëndësisë së ngjarjeve. Pas një hyrjeje të shkurtër, lexuesi njihet menjëherë me krijimin e Adamit, dhe kjo është logjike, pasi më poshtë do të flitet për të dhe për familjen e tij. (Zanafilla 2:7) Më pas, ndërfuten edhe të dhëna të tjera sipas nevojës. Tregimi shpjegon se, pasi u krijua, Adami duhej të jetonte në kopshtin e Edenit. Kështu, tani është koha të flitet për mbjelljen e kopshtit të Edenit. (Zanafilla 2:8, 9, 15) Pas këtyre, Jehovai i thotë Adamit t’i vërë emrin ‘çdo bishe të fushës dhe çdo krijese fluturuese të qiejve’. Dhe tani është koha të saktësohet se të gjitha këto krijesa ‘Perëndia Jehova i kishte formuar nga toka’, shumë kohë para se të dilte në skenë Adami.—Zanafilla 2:19; 1:20, 24, 26.

Të lexohet tregimi me vëmendje

19. Ç’ngatërresë duket që ekziston në tregimin e Biblës për pushtimin e Jerusalemit?

19 Për të shpjeguar disa të ashtuquajtura kontradikta, nganjëherë mjafton të lexosh me vëmendje dhe të arsyetosh rreth asaj që lexon. Le të marrim rastin e pushtimit të Jerusalemit nga izraelitët. Jerusalemi bënte pjesë në trashëgiminë e fisit të Beniaminit, i cili nuk kishte mundur ta pushtonte. (Josiu 18:28; Gjykatësit 1:21) Gjatë leximit kuptojmë se edhe Juda nuk kishte mundur ta pushtonte Jerusalemin, sikur ky qytet të ishte pjesë e trashëgimisë së këtij fisi. Si përfundim, fisi i Judës e pushtoi Jerusalemin dhe i vuri zjarrin. (Josiu 15:63; Gjykatësit 1:8) Mirëpo, sipas tregimit, qindra vjet më vonë Jerusalemin e kish pushtuar edhe Davidi.—2 Samuelit 5:5-9.

20, 21. Çfarë del nga shqyrtimi i kujdesshëm i të gjitha hollësive të historisë së pushtimit të Jerusalemit nga hebrenjtë?

20 Në pamje të parë të gjitha këto mund të të ngatërrojnë, por në të vërtetë nuk ka asnjë kontradiktë. Faktikisht, kufiri mes trashëgimisë së Beniaminit dhe të Judës kalonte përgjatë luginës së Hinomit, pikërisht mes për mes qytetit të lashtë të Jerusalemit. Sipas Josiut 18:28, zona që më vonë u quajt Qyteti i Davidit, gjendej në territorin e Beniaminit. Megjithatë, ka të ngjarë që qyteti jebusit i Jerusalemit të shtrihej përtej luginës së Hinomit, duke hyrë pjesërisht në territorin e Judës, kështu që edhe Judës iu desh të luftonte me banorët kananitë të këtij qyteti.

21 Beniamini nuk mundi ta pushtonte Jerusalemin, kurse Juda e pushtoi dhe e dogji. (Gjykatësit 1:8, 9) Mirëpo, me sa duket, pasi u larguan trupat e Judës, disa jebusitë u kthyen sërish që të shtinin në dorë qytetin. Më vonë, ata formuan një grup që i bëri qëndresë edhe Judës, edhe Beniaminit, të cilët nuk mundën ta largonin. Kështu, jebusitët mbetën në Jerusalem derisa qytetin e pushtoi Davidi qindra vjet më vonë.

22, 23. Kush e mbajti shtyllën e torturës të Jezuit deri në vendin e ekzekutimit?

22 Një shembull tjetër e gjejmë tek Ungjijtë. Kur përmend Jezuin që po e çonin drejt vendit të ekzekutimit, Ungjilli i Gjonit thotë: «Duke e mbajtur vetë shtyllën e torturës, ai u nis.» (Gjoni 19:17) Mirëpo, te Luka lexojmë: «Kur po e largonin, kapën Simonin, me origjinë nga Kirena, që po vinte nga fusha dhe i ngarkuan që të mbante shtyllën e torturës pas Jezuit.» (Luka 23:26) Tani, kush e mbajti shtyllën e torturës: Jezui apo Simoni?

23 Si tregon edhe Gjoni, në fillim shtyllën e torturës e mbajti Jezui. Por më vonë, si dëshmojnë edhe Mateu, Marku dhe Luka, u mor Simoni nga Kirena që ta mbante për pjesën tjetër të rrugës deri në vendin e ekzekutimit.

Provë se u shkrua në mënyrë të pavarur

24. Pse s’është çudi që në Bibël të gjejmë disa mospërputhje në dukje, por çfarë nuk duhet të nxjerrim si përfundim?

24 Edhe pse në Bibël ka disa mospërputhje në dukje, që janë të vështira për t’u shpjeguar, nuk duhet t’i shohim ato si kontradikta të papajtueshme. Shpesh duket ashtu, thjesht sepse nuk është treguar çdo hollësi. Bibla siguron njohuri të mjaftueshme për të plotësuar nevojën tonë frymore. Nëse do të përshkruante të gjitha hollësitë për çdo ngjarje të treguar, nuk do të ishte një libër kaq praktik e i lehtë për t’u mbajtur, si ky që kemi sot, përkundrazi, do të ishte një bibliotekë e stërmadhe dhe e pamanovrueshme.

25. Çfarë thotë Gjoni për shërbimin e Jezuit? Si na ndihmon kjo të kuptojmë pse Bibla nuk i përshkruan me hollësi të gjitha ngjarjet?

25 Duke folur për shërbimin e Jezuit, apostulli Gjon shkroi me një ekzagjerim të përligjur: «Jezui bëri edhe shumë gjëra të tjera, që po të shkruheshin një për një, ma ha mendja se as bota vetë nuk do t’i mbante rrotullat e shkruara.» (Gjoni 21:25) Do të ishte edhe më e pamundur po të përshkruhej me hollësi e gjithë historia e popullit të Perëndisë, duke filluar që nga patriarkët deri te kongregacioni i të krishterëve të shekullit të 1-rë.

26. Çfarë informacionesh të bollshme përmban Bibla dhe për cilën të vërtetë na sigurojnë ato?

26 Vërtet, Bibla është një vepër e përmbledhur në mënyrë të mrekullueshme. Ajo përmban të dhëna të mjaftueshme që na ndihmojnë të kuptojmë se është shumë më tepër se një libër i shkruar nga njerëzit. Larmia e saj tregon se shkrimtarët shkruan vërtet të pavarur nga njëri-tjetri. Nga ana tjetër, uniteti i jashtëzakonshëm i Biblës, për të cilin do të flasim më me hollësi në një nga kapitujt e ardhshëm, tregon pa pikë dyshimi se është një libër hyjnor. Po, Bibla është pa diskutim Fjala e Perëndisë, jo e njerëzve.

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 89]

Mospërputhjet në dukje të Biblës, tregojnë se shkrimtarët e saj pa dyshim ishin dëshmitarë të pavarur nga njëri-tjetri

[Diçitura në faqen 91]

Shqyrtimi i kontekstit shpesh ndihmon të shpjegohen disa të ashtuquajtura kontradikta

[Kutia në faqen 93]

«Mospërputhjet» nuk janë medoemos kontradikta

Njëherë, teologu Keneth Kantzer ilustroi me anë të një ndodhie se si dy versione të së njëjtës ngjarje mund të duken kontradiktore, e megjithatë, të jenë të dyja të vërteta. Ai shkroi: «Disa kohë më parë vdiq nëna e një mikut tonë të ngushtë. Në fillim, lajmin e vdekjes së saj e morëm nga një shoku ynë i besuar. Na tha se ajo po priste autobusin në cep të rrugës, mirëpo, një autobus tjetër që po kalonte, e kishte shtypur. Ishte plagosur rëndë dhe pak minuta më pas, kishte vdekur.»

S’kaloi shumë dhe Kantzeri dëgjoi një version krejt tjetër. Ai thotë: «Nga nipi i së ndjerës mësuam se ajo kishte pësuar një aksident dhe, nga përplasja, kishte fluturuar jashtë makine e kishte vdekur në vend. Djali ishte shumë i sigurt për këtë.

Kohë më vonë, . . . pyetëm pak më shumë për të marrë vesh pse këto dy versione nuk përputheshin, dhe mësuam se gjyshja po priste autobusin. Një autobus tjetër e kishte përplasur dhe e kishte plagosur rëndë. Një makinë që po kalonte atypari, e kishte marrë për ta çuar urgjentisht në spital, por nga shpejtësia, ishte përplasur me një makinë tjetër. Nga përplasja, ajo kishte fluturuar jashtë makine dhe kishte vdekur në vend.»

Po, dy versione të së njëjtës ngjarje mund të jenë të dyja të vërteta, edhe nëse duket sikur nuk përputhen. Kështu ndodh shpesh edhe me tregimet e Biblës. Për të njëjtën ngjarje, çdo dëshmitar mund të japë hollësi të ndryshme. Megjithatë, tregimet e tyre nuk janë aspak kontradiktore, përkundrazi, plotësojnë njëri-tjetrin. Nëse i marrim parasysh të gjitha hollësitë, mund ta kuptojmë më mirë çfarë ndodhi.