Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Fjala e Perëndisë është e gjallë»

«Fjala e Perëndisë është e gjallë»

Kapitulli 13

«Fjala e Perëndisë është e gjallë»

Në kapitullin e mëparshëm pamë se si këshillat e Biblës mund të na ndihmojnë të zgjidhim problemet e të mos biem në gabim. Mençuria e këshillave të Biblës, që vlen në çdo kohë, dëshmon qartë se është një libër i frymëzuar nga Perëndia. Bibla pohon: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi.» (2 Timoteut 3:16) Megjithatë, Bibla nuk mjaftohet vetëm me këshilla të mençura. Si Fjala e Perëndisë, ajo ka fuqi t’i ndryshojë njerëzit.

1-3. (a) Si e thekson Bibla nevojën për të bërë ndryshime në personalitet? (b) Cila përvojë tregon fuqinë që ka Bibla për të ndryshuar personalitetin?

VËRTET mund t’i ndryshojë Bibla njerëzit?! Po, madje mund të ndryshojë edhe personalitetin e tyre. Ja ç’thotë një këshillë nga Bibla: «Ju mësuat që të flakni tej personalitetin e vjetër, që ishte në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes suaj dhe që është korruptuar sipas dëshirave të tij mashtruese, të rinoheni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj dhe të vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.»—Efesianëve 4:22-24.

2 A është e mundur të vishet një personalitet i ri? Pa asnjë dyshim. Ç’është e vërteta, disave u është dashur të bëjnë ndryshime të jashtëzakonshme në personalitetin e tyre, që të bëheshin të krishterë. (1 Korintasve 6:9-11) Për shembull, një djalë në Amerikën e Jugut mbeti jetim në moshën 9-vjeçare. Meqenëse u rrit pa kujdesin e prindërve, ai zhvilloi vese të këqija. Ai vetë tregon: «Në moshën 18-vjeçare isha tashmë i droguar, e madje kisha provuar edhe burgun ngaqë vidhja për të siguruar drogë.» Mirëpo halla e tij, që ishte Dëshmitare e Jehovait, e ndihmoi të dilte nga kjo gjendje.

3 «Fillova të studioj Biblën me hallën dhe pas shtatë muajsh arrita ta lë drogën»,—shpjegon ai. Gjithashtu, u shkëput nga shoqëria e mëparshme dhe zuri shokë të rinj mes Dëshmitarëve të Jehovait. Ai shton: «Këta shokë të rinj, si edhe studimi i rregullt i Biblës, më ndihmuan të bëja përparim dhe, në fund, t’ia kushtoja jetën shërbimit të Perëndisë.» Ja pra, ky ish-i droguar dhe hajdut u bë një i krishterë i zellshëm dhe ndryshoi rrënjësisht falë fuqisë së Biblës. Vërtet, si thotë edhe apostulli Pavël, «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi».—Hebrenjve 4:12.

Ndryshime falë njohurisë

4, 5. Sipas Kolosianëve 3:8-10, çfarë nevojitet që të veshësh personalitetin e ri?

4 Si i ndryshon Bibla njerëzit? Përgjigjen e gjejmë te ky varg i Biblës: «Flakini larg jush të gjitha këto: furinë, zemërimin, të keqen, sharjen dhe në gojën tuaj të mos ketë të folur të ndyrë. Mos e gënjeni njëri-tjetrin. Zhvishni personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe vishni personalitetin e ri, i cili nëpërmjet njohurisë së saktë rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi.»—Kolosianëve 3:8-10.

5 Vëre ç’rol të rëndësishëm luan njohuria e saktë e Biblës. Bibla shpjegon cilat tipare të personalitetit duhet të heqim dhe cilat duhet të zhvillojmë. Kjo njohuri në vetvete mund të ketë një ndikim shumë të fuqishëm, siç tregon rasti i një të riu nga Evropa Jugore. Ai kishte një problem shumë të madh: ishte i dhunshëm. Gjatë fëmijërisë zihej vazhdimisht me të tjerët. Për të shfryrë dhunën, filloi të merrej me boks, por as kjo s’e ndihmoi të mbante nën kontroll temperamentin e tij të dhunshëm. Kur ishte në ushtri, u fut në telashe sepse rrahu një ushtar tjetër. Si mbaroi ushtrinë, u martua, dhe tani rrihte gruan. Gjatë një zënke familjare, goditi të atin dhe e përplasi përtokë. Njeri vërtet gjaknxehtë dhe i dhunshëm!

6, 7. Si e ndihmoi njohuria e saktë nga Bibla të ndryshonte personalitetin një të ri nga Evropa Jugore?

6 Mirëpo, më pas, ai studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe gjeti këshilla si kjo: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. . . . Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë. Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë.» (Romakëve 12:17-19) Kjo e ndihmoi të kuptonte se temperamenti i tij i dhunshëm ishte një e metë e madhe. Hoqi dorë nga boksi pasi e kuptoi se ky sport nuk pajtohej me personalitetin paqësor të krishterë. Megjithatë, ai vazhdonte të luftonte për të kontrolluar natyrën e tij të dhunshme.

7 Zgjerimi i njohurisë për parimet e Biblës, e ndihmoi. Kështu pastroi ndërgjegjen, dhe kjo i dha mundësi të frenonte natyrën e tij të rrëmbyer. Njëherë, kur tashmë kishte përparuar me studimin e Biblës, një burrë u nxeh dhe e mbyti me të shara. Tek e dëgjonte, ai ndjeu se po vlonte përbrenda, aq sa mendoi se do të shpërthente gjithë tërbim. Por shpejt një forcë tjetër, ndjenja e turpit, ia frenoi zemërimin. Në vend që ‘t’ia kthente të keqen me të keqe’, u përmbajt. Tani, falë njohurisë së saktë nga Bibla, ai është tjetër njeri dhe ka veshur një personalitet të ri.

Njohuria për Perëndinë

8. (a) Sipas shëmbëlltyrës së kujt krijohet personaliteti i ri? (b) Njohurinë për kë duhet të përfshijë njohuria e saktë që i jep formë personalitetit të ri?

8 A s’është e vërtetë që shumë njerëz u hapin rrugë dobësive të mishit, edhe pse e dinë si duhet vepruar? Faktikisht, thjesht të dish çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, nuk mjafton. Ajo që i ndihmoi të ndryshonin dy individët që përmendëm më lart, ishte diçka tjetër. Çfarë? Vargu që cituam më lart, thoshte: «Vishni personalitetin e ri, i cili nëpërmjet njohurisë së saktë rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi.» (Kolosianëve 3:10) Ashtu si Adami u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, edhe personaliteti i ri krijohet sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. (Zanafilla 1:26) Prandaj, njohuria e saktë që i ndihmoi dy të rinjtë, duhej të përfshinte njohurinë për Perëndinë. Kjo na kujton fjalët e Jezuit: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.

9. Si na ndihmon njohuria për Perëndinë të ndryshojmë personalitetin?

9 Si na ndihmon njohuria për Perëndinë të ndryshojmë personalitetin? Ajo na jep arsye për të ndryshuar. Kur njohim Perëndinë, duke studiuar Biblën, njohim cilësitë e tij hyjnore dhe shohim dashurinë që ka treguar për ne. Kjo na nxit edhe ne ta duam. (1 Gjonit 4:19) Kështu mund t’i bindemi atij që Jezui tha se është urdhërimi i parë dhe më i madhi: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) Nga dashuria për Perëndinë ne duam të veshim personalitetin e ri që i pëlqen atij. Kjo dashuri na nxit ta imitojmë, edhe nëse na duhet të luftojmë shumë për t’ia arritur.

Dobësi të rrënjosura thellë

10, 11. Si e ndihmoi njohuria e saktë një grua nga Amerika e Veriut që të fillonte të ndryshonte personalitetin?

10 Në disa raste ndryshimi i personalitetit është një luftë e vërtetë. Një gruaje në moshë të re nga Amerika e Veriut, iu desh të luftonte shumë për të ndryshuar. Në fëmijëri kishte qenë viktimë e abuzimit seksual, ishte rritur në një familje të dhunshme, dhe në fund kishte filluar edhe drogën. Por droga kushtonte, ndaj nisi të shiste trupin si prostitutë që të fitonte para për ta blerë. Gjithashtu, ngacmonte e grabiste turistët dhe, si përfundim, kalonte më shumë kohë burgjeve e bilardove, se në shtëpi.

11 Kur e takuan Dëshmitarët e Jehovait, ajo sapo kishte lindur një fëmijë të paligjshëm, pas disa aborteve. Megjithatë, i pëlqeu ajo që dëgjoi nga Bibla dhe filloi të studionte rregullisht. S’kaloi shumë kohë dhe ndërtoi një marrëdhënie të mirë me Perëndinë, si edhe nisi një jetë për së mbari.

12, 13. Trego si të nxit të ndryshosh njohuria e saktë, pasi rrënjoset.

12 Megjithatë, e priste një luftë e vështirë, sepse personaliteti i vjetër i kishte hedhur rrënjët thellë. Në një rast, u fye kur i dhanë disa këshilla me qëllim të mirë. La studimin dhe iu kthye jetës së mëparshme. Megjithatë, nuk mundi ta harronte të vërtetën që kishte mësuar nga Bibla dhe që kishte zënë rrënjë në zemrën e saj. Ajo thotë: «Herë pas here ndihesha fajtore, dhe më kalonin nëpër mendje fjalët e 2 Pjetrit 2:22: ‘Qeni u kthye tek e vjella e tij, dhe dosa që ishte larë u kthye të zhgërryhet në llucë.’»

13 Por në fund, kjo njohuri e nxiti të përpiqej edhe një herë. «Fillova t’ia hapja derën Jehovait dhe i lutesha shpesh për ndihmë»,—thotë ajo. Edhe pse ende duhej të luftonte shumë, këtë herë personaliteti i ri hodhi rrënjë edhe më të thella. Njëherë, në një çast dobësie, u deh sërish dhe bëri imoralitet. Por këtë herë, reagimi i saj tregoi se po ndryshonte vërtet. Ajo pranon se i vinte ndot nga vetja dhe thotë: «U luta dhe studiova shumë.» Përfundimisht, Fjala e Perëndisë ushtroi kaq fuqi në jetën e saj, sa u bë një e krishtere e zellshme me një jetë të pastër e të ndershme. Prej disa vjetësh ajo është një njeri krejt tjetër, shumë e ndryshme nga gruaja e droguar dhe e shthurur me të cilën kishin abuzuar.

Një popull që ka ndryshuar falë Fjalës së Perëndisë

14, 15. (a) Cila forcë hyjnore vepron nëpërmjet Biblës? (b) Cilat janë disa karakteristika të të krishterëve të vërtetë sot?

14 Fuqia që ka ushtruar Bibla në jetën e njerëzve të përulur, tregon se ajo nuk është fryt i punës së njerëzve, por është Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Si e tillë, është një kanal nëpërmjet të cilit vepron fryma e Perëndisë. E njëjta frymë që i dha mundësi Jezuit të kryente mrekulli, na ndihmon edhe ne sot të mposhtim tiparet e këqija dhe të zhvillojmë personalitetin e krishterë. Cilësitë kryesore që duhet të zhvillojnë të krishterët—dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia dhe vetëkontrolli—në Bibël quhen «fryti i frymës».—Galatasve 5:22, 23.

15 Sot, kjo frymë nuk vepron vetëm te pak individë, por te miliona njerëz që ‘janë mësuar nga Jehovai’ dhe gëzojnë ‘paqen e madhe’ që u jep Ai. (Isaia 54:13) Cilët janë këta? Jezui tregoi një mënyrë si t’i identifikojmë kur tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Dashuria e krishterë është një fryt i frymës dhe një pjesë e rëndësishme e personalitetit të ri të krishterë. A ka ndonjë grup tjetër njerëzish që tregon dashurinë për të cilën foli Jezui?

16, 17. Përmend disa komente të gazetave të ndryshme, që na ndihmojnë të identifikojmë ata që ‘janë mësuar nga Jehovai’ dhe gëzojnë ‘paqe të madhe’.

16 Le të shohim këtë fragment të shkëputur nga një letër drejtuar një gazete amerikano-veriore: «Edhe nëse prozelitizmi i tyre ju ka bezdisur ose acaruar, njësoj si edhe mua, përkushtimi, morali i shëndoshë, sjellja shembullore dhe jeta e shëndetshme e këtyre njerëzve janë për t’u admiruar.» (New Haven Register) Para ca vitesh, një gazetë gjermane tha për të njëjtin grup: «Ata janë paguesit më të ndershëm dhe më të përpiktë të taksave në Republikën Federale [të Gjermanisë]. Bindja ndaj ligjeve, shihet nga mënyra si i japin makinës dhe nga treguesit e ulët të kriminalitetit.»—Münchner Merkur.

17 Për kë po flitnin këto dy gazeta? Për të njëjtin grup që një gazetë argjentinase e përshkruante kështu: «Dëshmitarët e Jehovait kanë treguar gjatë viteve se janë shtetas që punojnë pa u lodhur, seriozë, kursimtarë dhe njerëz me frikë Perëndie, për të cilët vendi ka vërtet nevojë.» (Herald e Buenos-Ajresit) Një studim sociologjik që u bë në Zambie dhe u botua në një revistë amerikane, i referohej të njëjtit grup kur thoshte: «Dëshmitarët e Jehovait kanë më shumë sukses sesa anëtarët e besimeve të tjera kur bëhet fjalë për lidhje të qëndrueshme martesore.»—American Ethnologist.

18, 19. Si përshkruhen Dëshmitarët e Jehovait në Itali dhe në Afrikën e Jugut?

18 Edhe një gazetë e njohur italiane e kishte fjalën për Dëshmitarët e Jehovait kur tha: «Ata janë qytetarët më të besuar, që do t’i dëshironte çdokush: nuk u dredhojnë taksave dhe nuk mundohen t’u bëjnë bisht për qëllim përfitimi ligjeve që nuk u vijnë për shtat. Motoja e jetës së tyre ‘të përditshme’ është: dashuri për të afërmin, mospranim i pushtetit, paqe dhe ndershmëri (që për pjesën dërrmuese të të krishterëve janë veç ‘rregulla të së dielës’, të mira vetëm për t’u predikuar nga katedra e priftit).»—La Stampa.

19 Një profesor universiteti në Afrikën e Jugut, që kishte qenë viktimë e diskriminimit racial sipas ligjeve të atëhershme të atij vendi, i quan Dëshmitarët e Jehovait «njerëz që normat e larta të Biblës i kanë bërë të mos paragjykojnë nga ‘ngjyra’». Për të shpjeguar thelbin e mendimit të tij, ai shton: «Janë njerëz që vlerësojnë atë që njeriu është përbrenda pa u ndikuar nga ngjyra e lëkurës. Dëshmitarët e Jehovait sot formojnë të vetmen vëllazëri të vërtetë ndërkombëtare.»

20. Ku ndryshojnë Dëshmitarët e Jehovait nga të tjerët?

20 Këto komente tregojnë se ka një grup njerëzish që ia ka hapur portat e zemrës Biblës dhe mbi të cilët ka vepruar fryma e Perëndisë. Por s’duhet harruar se janë po këta, që në një kapitull të mëparshëm i identifikuam si njerëzit që i binden urdhrit të Jezuit për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë në mbarë tokën. (Mateu 24:14) Pse Dëshmitarët e Jehovait bien kaq shumë në sy? Për shumë gjëra ata nuk ndryshojnë nga të tjerët. Kanë të njëjtat dobësi, të njëjtat probleme ekonomike dhe të njëjtat nevoja si të gjithë. Por si grup ata e duan Perëndinë, e konsiderojnë Biblën një libër shumë të rëndësishëm dhe e lënë të ushtrojë fuqi në jetën e tyre.

21. Çfarë tregon ekzistenca e një grupi të tillë si Dëshmitarët e Jehovait në botën e sotme plot urrejtje?

21 Dëshmitarët e Jehovait janë me miliona dhe jetojnë në rreth 235 vende. Mes tyre gjen njerëz të çdo race, gjuhe dhe niveli shoqëror. Megjithatë, janë një vëllazëri ndërkombëtare e bashkuar dhe paqësore. Në çdo vend ku jetojnë, janë shtetas të mirë, por mbi të gjitha janë nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë, dhe që të gjithë u tregojnë të tjerëve me zell lajmin e mirë për këtë Mbretëri. Është gati e pabesueshme që ka një grup si Dëshmitarët e Jehovait në këtë botë të përçarë e plot urrejtje. Ekzistenca e tyre tregon bindshëm se fryma e Perëndisë vepron ende mes njerëzve. Gjithashtu, tregon se Bibla është vërtet «e gjallë dhe ushtron fuqi».

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 177]

Bibla i ndryshon vërtet njerëzit

[Diçitura në faqen 181]

Njohuria për Perëndinë i shtyn njerëzit të duan ta imitojnë atë