Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e sheh dobësinë njerëzore ashtu si Jehovai?

A e sheh dobësinë njerëzore ashtu si Jehovai?

«Ato gjymtyrë të trupit që duket se janë më të dobëta, janë të nevojshme.»1 KOR. 12:22.

1, 2. Pse Pavli i kuptonte fare mirë të dobëtit?

HERA-HERËS të gjithë ndihemi të dobët. Një grip ose një alergji mund të na dobësojë deri në atë pikë sa mezi bëjmë punët normale. Por, përfytyro sikur të jesh ndier i këputur jo vetëm për nja dy javë por për muaj të tërë. Po të ishe në këtë gjendje, a nuk do të të pëlqente që të tjerët të të kuptonin?

2 Apostulli Pavël e dinte fare mirë ç’do të thoshte të të mundonin e madje të të dobësonin presionet jashtë e brenda kongregacionit. Disa herë ai mendoi se s’ia dilte dot më. (2 Kor. 1:8; 7:5) Tek sillte ndër mend jetën e vet dhe peripecitë e shumta që kishte kaluar si i krishterë besnik, Pavli rrëfeu: «Kush është i dobët dhe unë nuk jam i dobët?» (2 Kor. 11:29) Për pjesëtarët e kongregacionit, të krahasuar me gjymtyrët e trupit njerëzor, ai tha se ata që ‘duket se janë më të dobët, janë të nevojshëm’. (1 Kor. 12:22) Ku e kishte fjalën? Pse duhet t’i shohim ata që duken më të dobët siç i sheh Jehovai? Si do të nxjerrim dobi nga kjo?

PIKËPAMJA E JEHOVAIT PËR DOBËSINË NJERËZORE

3. Pse mund t’i shohim me sy të shtrembër ata që kanë nevojë për ndihmë në kongregacion?

3 Jetojmë në një botë konkurruese ku shpesh ngrihen në qiell të fortët dhe të rinjtë. Shumë veta nuk frenohen para asgjëje, derisa t’u dalë e tyrja, dhe shpesh dërrmojnë shpirtërisht më të dobëtit. E dimë mirë se kjo është e gabuar, mirëpo pa e kuptuar mund të fillojmë t’i shohim me sy të shtrembër ata që vazhdimisht kanë nevojë për ndihmë, madje edhe në kongregacion. Sidoqoftë, mund të zhvillojmë një pikëpamje më të ekuilibruar, si ajo e Perëndisë.

4, 5. (a) Si na ndihmon ilustrimi te 1 Korintasve 12:21-23 të dallojmë pikëpamjen e Jehovait për dobësinë njerëzore? (b) Si nxjerrim dobi kur ndihmojmë të dobëtit?

4 Mund të dallojmë si e sheh Jehovai dobësinë njerëzore nga një ilustrim që gjendet te letra e parë e Pavlit drejtuar korintasve. Në kapitullin 12, Pavli na kujton se edhe ajo pjesë e trupit të njeriut që duket më e shëmtuar ose më e dobët, e ka një funksion. (Lexo 1 Korintasve 12:12, 18, 21-23.) Disa evolucionistë e kanë hedhur poshtë këtë pikëpamje për trupin njerëzor. Gjithsesi, zbulimet në fushën e anatomisë tregojnë se pjesët e trupit që dikur mendohej se ishin të kota, në të vërtetë kryejnë funksione jetësore. * Për shembull, disa mendonin se gishti i vogël i këmbës ishte i padobishëm, por tani pranohet se ai ndikon në ekuilibrin e gjithë trupit.

5 Ilustrimi i Pavlit thekson se secili në kongregacion ka vlerë. Ndryshe nga Satanai që ua heq dinjitetin njerëzve, për Jehovain janë ‘të nevojshëm’ të gjithë shërbëtorët e tij, përfshirë edhe ata që duken të dobët. (Jobi 4:18, 19) Ky mendim duhet të na bëjë të ndihemi mirë për rolin që luajmë në kongregacionin tonë dhe si pjesë e kongregacionit mbarëbotëror të popullit të Perëndisë. Për shembull, mendo për një rast kur mbajte për krahu një të moshuar. Mbase t’u desh t’i përshtateshe hapit të tij. Duke i dhënë një dorë, kreve një shërbim të dobishëm, ama u ndjeve mirë edhe vetë apo jo? E pra, provojmë gëzim kur kujdesemi për nevojat e të tjerëve. Jo vetëm kaq, por bëhemi më të duruar, më të dashur e më të pjekur. (Efes. 4:15, 16) Ati ynë i dhembshur e di se një kongregacion që i vlerëson të gjithë pjesëtarët e vet, pavarësisht nga kufizimet e tyre, është i ekuilibruar e i dashur.

6. Si i përdori nganjëherë Pavli fjalët ‘i dobët’ dhe ‘i fortë’?

6 Është interesante se në letrën që u shkroi korintasve, Pavli i përdori fjalët «e dobëta» dhe «dobësi» kur foli për pikëpamjen e jobesimtarëve kundrejt të krishterëve në shekullin e parë. I përdori edhe për ndjenjat që kishte për veten. (1 Kor. 1:26, 27; 2:3) Kur foli për ata që ishin «të fortë», Pavli nuk kishte si qëllim që disa të krishterë të ndiheshin më të mirë se të tjerët. (Rom. 15:1) Përkundrazi donte të thoshte se të krishterët më me përvojë duhej të tregonin durim me ata që akoma nuk ishin rrënjosur fort në të vërtetën.

A DUHET TA NDREQIM PIKËPAMJEN?

7. Çfarë mund të na stepë t’i ndihmojmë nevojtarët?

7 Kur ndihmojmë «nevojtarin», jo vetëm imitojmë Jehovain, por edhe fitojmë miratimin e Tij. (Psal. 41:1, Filipaj; Efes. 5:1) Veçse, ndonjëherë pikëpamja negative për nevojtarët mund të na stepë t’i ndihmojmë. Ose ndoshta nuk dimë ç’t’u themi atyre që e kanë punën pisk, prandaj jemi në siklet dhe u rrimë larg. Sintia, * një motër që e braktisi i shoqi, thotë: «Nëse vëllezërit të shmangin ose nuk sillen siç pritet nga miqtë e ngushtë, lëndohesh. Kur je në hall, ke nevojë për njerëz pranë.» Në lashtësi, Davidi e dinte mirë si ndihesh kur nuk t’i hedhin sytë.Psal. 31:12.

8. Çfarë do të na ndihmojë të bëhemi më të dhembshur?

8 Do të bëhemi më të dhembshur po të mbajmë parasysh se disa nga motrat e vëllezërit e shtrenjtë i kanë dobësuar rrethanat e vështira, si shëndeti i dobët, jeta në një familje të ndarë nga ana fetare ose lufta me depresionin. Një ditë, edhe ne mund të gjendemi në situata të ngjashme. Për shembull, izraelitët kishin qenë të varfër e të dobët në Egjipt. Para se të hynin në Tokën e Premtuar, Jehovai u kujtoi ‘të mos e ngurtësonin zemrën’ me vëllezërit e munduar. Ai priste t’i shihnin të varfrit si të denjë për ndihmë.Ligj. 15:7, 11; Lev. 25:35-38.

9. Cila duhet të jetë gjëja parësore kur ndihmojmë dikë që e ka punën pisk? Ilustrojeni.

9 Në vend që të jemi kritikues ose dyshues, duhet t’i ngushëllojmë frymësisht ata që gjenden në rrethana të vështira. (Jobi 33:6, 7; Mat. 7:1) Le ta ilustrojmë: kur një motoçiklist i plagosur në një aksident rrugor përfundon në urgjencë, a përpiqet ekipi mjekësor të zbulojë nëse e kishte ai fajin? Jo. I japin në çast ndihmën e nevojshme mjekësore. Po njësoj, gjëja parësore për ne duhet të jetë ta ndihmojmë frymësisht një bashkëbesimtar që e kanë dobësuar problemet personale.Lexo 1 Selanikasve 5:14.

10. Si mund të jenë vërtet «të pasur në besim» disa që ndoshta duken më të dobët?

10 Nëse ndalemi pak e mendojmë për rrethanat e vëllezërve, mund ta shohim në një dritë tjetër brishtësinë e tyre në dukje. Mendo për ato motra që kanë duruar vite të tëra kundërshtimin e familjarëve. Disa mbase nuk bien edhe aq në sy e duken të brishta, por ama, a nuk tregojnë forcë të brendshme e besim të jashtëzakonshëm? Kur sheh një nënë të vetme që vjen rregullisht në mbledhje me fëmijën ose fëmijët e vet, a nuk të bëjnë përshtypje besimi e këmbëngulja e saj? E ç’të themi për adoleshentët që qëndrojnë besnikë pavarësisht nga ndikimet e këqija në shkollë? Me modesti e pranojmë se këta që ndoshta duken më të dobët, mund të jenë po aq «të pasur në besim» sa ata që kanë rrethana më të favorshme.Jak. 2:5.

TA PËRSHTATIM PIKËPAMJEN TONË ME ATË TË JEHOVAIT

11, 12. (a) Ç’do të na ndihmojë të ndreqim pikëpamjen për dobësinë njerëzore? (b) Çfarë mësojmë nga mënyra si u soll Jehovai me Aaronin?

11 Mund ta kemi më kollaj ta përshtatim pikëpamjen tonë për dobësinë njerëzore me atë të Jehovait kur mendojmë si u soll me disa shërbëtorë të tij. (Lexo Psalmin 130:3.) Për shembull, po të ishe pranë Moisiut kur Aaroni bëri një shtatore viçi të artë, si do t’i shihje justifikimet e tij të dobëta? (Dal. 32:21-24) Ose, ç’do të mendoje për qëndrimin e Aaronit kur, i ndikuar nga e motra, Miriami, kritikoi Moisiun ngaqë ishte martuar me një të huaj? (Num. 12:1, 2) Si do të kishe reaguar kur Aaroni dhe Moisiu nuk e nderuan Jehovain, në rastin që Ai siguroi ujë në Meribë me anë të një mrekullie?Num. 20:10-13.

12 Në çdonjërën prej këtyre situatave, Jehovai mund ta kishte ndëshkuar në çast Aaronin. Por, ai dalloi se Aaroni nuk ishte njeri i keq ose nuk gaboi me dashje. Me sa duket, Aaroni lejoi që rrethanat ose presioni i të tjerëve ta devijonin nga rruga e drejtë. Megjithatë, kur dolën në pah gabimet e tij, e pranoi menjëherë fajin dhe mbështeti gjykimet e Jehovait. (Dal. 32:26; Num. 12:11; 20:23-27) Jehovai vendosi të përqendrohej te besimi dhe te qëndrimi i penduar i Aaronit. Shekuj më vonë, Aaroni dhe pasardhësit e tij kujtoheshin ende si njerëz që i frikësoheshin Jehovait.Psal. 115:10-12; 135:19, 20.

13. Si mund ta shqyrtojmë pikëpamjen tonë për dobësinë njerëzore?

13 Që ta përshtatim mënyrën si mendojmë me atë të Jehovait, duhet të shqyrtojmë pikëpamjen tonë për ata që duken të dobët. (1 Sam. 16:7) Për shembull, si reagojmë kur një adoleshent nuk zgjedh me maturi zbavitjen ose kur tregohet moskokëçarës? Në vend që t’i biem në qafë pareshtur, pse të mos vrasim mendjen si ta ndihmojmë të piqet? Kur dikush ka nevojë për ndihmë, mund të marrim iniciativën ta mbështetim, dhe kështu ne vetë bëhemi më të dhembshur e të dashur.

14, 15. (a) Si u ndie Jehovai kur Elija e humbi guximin përkohësisht? (b) Ç’mësim nxjerrim nga përvoja e Elijas?

14 Që të mos jemi mendjengushtë me të tjerët, mund t’i krahasojmë mendimet tona me reagimin e Jehovait ndaj disa shërbëtorëve të tij që ndiheshin përtokë. Një prej tyre ishte Elija. Edhe pse i kishte sfiduar trimërisht 450 profetë të Baalit, ai ia mbathi kur mori vesh se mbretëresha Jezebelë po kurdiste një komplot për ta vrarë. Pasi eci rreth 150 kilometra për në Beer-Shebë, u fut thellë në shkretëtirë. I rraskapitur nga udhëtimi nën diellin përcëllues, profeti u ul poshtë një peme dhe «kërkoi që të vdiste».1 Mbret. 18:19; 19:1-4.

Jehovai mori parasysh kufizimet e Elijas dhe dërgoi një engjëll që t’i jepte zemër (Shih paragrafët 14, 15.)

15 Si u ndie Jehovai kur pa nga qielli profetin e tij besnik zemërlëshuar? A e hodhi poshtë shërbëtorin e tij ngaqë ra në dëshpërim dhe përkohësisht humbi guximin? Aspak! Jehovai mori parasysh kufizimet e Elijas dhe dërgoi një engjëll. Engjëlli e nxiti Elijan dy herë të hante. Kështu, pjesa tjetër e udhëtimit ‘nuk do të ishte tepër e vështirë për të’. (Lexo 1 Mbretërve 19:5-8.) E pra, para se t’i jepte ndonjë udhëzim, Jehovai e dëgjoi profetin e tij dhe mori masa praktike që ta forconte.

16, 17. Si mund ta imitojmë kujdesin e Jehovait ndaj Elijas?

16 Si mund ta imitojmë Perëndinë tonë të dhembshur? Të mos japim këshilla nxitimthi. (Prov. 18:13) Kur flasim me ata që mendojnë se janë ‘më pak të nderuar’ për shkak të rrethanave, në fillim më mirë t’u tregojmë dhembshuri e t’u themi se i kuptojmë. (1 Kor. 12:23) Pastaj do ta dimë ç’u nevojitet vërtet e do të jemi në gjendje t’i ndihmojmë siç duhet.

17 Për shembull, të mendojmë pak për Sintian, të përmendur më lart, që e braktisi burri. Ajo dhe dy vajzat mbetën fillikat. Si reaguan disa bashkëbesimtarë? Sintia thotë: «Pasi u telefonuam për t’u treguar ç’na ndodhi, brenda 45 minutash na erdhën në shtëpi me lot në sy. Për dy a tri ditë s’na lanë asnjë minutë vetëm. Ngaqë s’po hanim siç duhet dhe ishim tepër të tronditura, na morën në shtëpinë e tyre për ca kohë.» Mbase kjo të kujton atë që shkroi Jakovi: «Nëse një vëlla ose motër janë të zhveshur dhe nuk u mjafton ushqimi çdo ditë, e ndonjë nga ju u thotë: ‘Shkoni në paqe, rrini ngrohtë dhe ngopuni’, por nuk u jep çka u nevojitet për trupin, ç’dobi ka? Kështu edhe besimi, nëse nuk ka vepra, është i vdekur.» (Jak. 2:15-17) Falë përkrahjes që u dhanë vëllezërit e motrat tamam kur kishin nevojë, Sintia dhe të bijat morën forcë të shërbenin si pioniere ndihmëse vetëm gjashtë muaj pas asaj traume.2 Kor. 12:10.

DOBI PËR SHUMË VETA

18, 19. (a) Si mund t’i ndihmojmë ata që janë përkohësisht të dobët? (b) Cilët nxjerrin dobi kur mbështetim ata që ndihen të dobët?

18 Mbase e di nga përvoja se duhet kohë për të marrë veten nga një sëmundje ligështuese. Po njësoj, një të krishteri të dobësuar nga hallet ose rrethanat tepër të rënda, mund t’i duhet kohë që të marrë sërish forcë frymore. Nuk diskutohet, ai ose ajo duhet ta forcojë vetë besimin me anë të studimit personal, lutjes dhe aktiviteteve të tjera të krishtere. Por a do të jemi të duruar me të derisa të rifitojë ekuilibrin? E, ndërsa rimerr forcë, a do të vazhdojmë t’i shprehim dashuri? A do të bëjmë çmos që, kush është përkohësisht i dobët, të ndihet i vlerësuar dhe të kuptojë se e kemi për zemër?2 Kor. 8:8.

19 Të mos harrojmë kurrë se, ndërsa mbështetim vëllezërit tanë, provojmë gëzimin që vjen vetëm kur u jep të tjerëve. Zhvillojmë edhe aftësinë për të treguar dhembshuri e durim. Por nuk mbaron me kaq. Kongregacioni si një i tërë bëhet më i ngrohtë e më i dashur. Mbi gjithçka, imitojmë Jehovain që e sheh si të vyer secilin prej nesh. Po, të gjithë ne kemi arsye të forta t’i vëmë veshin nxitjes që ‘të ndihmojmë të dobëtit’.Vep. 20:35.

^ par. 4 Në librin e tij Prejardhja e njeriut, Çarls Darvini i quajti «të kota» disa organe të trupit. Një nga përkrahësit e tij pohoi se trupi ynë ka dhjetëra «organe rudimentare», si apendiciti dhe timusi.

^ par. 7 Emri është ndryshuar.