Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ta mbajmë nën kontroll stresin

Ta mbajmë nën kontroll stresin

Ta mbajmë nën kontroll stresin

Bibla flet për «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». A nuk je dakord se po jetojmë në kohë të vështira që shkaktojnë stres?—2 Timoteut 3:1.

SIÇ e dimë mirë, është më e lehtë të shuash një zjarr të vogël, sesa flakët e një zjarri të tërbuar. Po kështu, dozat e lehta të stresit mund të kontrollohen më mirë sesa stresi i rëndë që është grumbulluar gjatë kohës. Një mjeke thotë se «është jetësore ta bëjmë praktikë mbajtjen e stresit nën kontroll çdo ditë, pavarësisht nga jeta e ngarkuar». *

Kur mbajtja e stresit nën kontroll bëhet praktikë e përditshme, sjell dy të mira. Së pari ndihmon të pakësosh ato shkaqe të stresit që mund të shmangen. Dhe së dyti na ndihmon të kontrollojmë reagimin tonë ndaj streseve të pashmangshme.

A na jep Bibla udhëheqjen e duhur për të përballuar stresin?

Të vërtetat biblike janë jetësore

Kur përvetësojmë të vërtetat e faqeve të Biblës, kuptojmë mendimet freskuese dhe inkurajuese të Krijuesit tonë. Fjala e Perëndisë na siguron udhëheqje të çmuar. Po, është burim i pashtershëm të vërtetash shpirtërore që lehtësojnë stresin. Këto të vërteta na ndihmojnë ‘të mos tronditemi e të mos trembemi’, si dhe t’i përballojmë siç duhet streset e përditshme.—Josiu 1:7-9.

Është e mrekullueshme se si Bibla na ndihmon ta pakësojmë stresin, duke na siguruar se Ati ynë qiellor, Jehovai, «është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm». (Jakovi 5:11) «Ajo që më ka ndihmuar tepër është meditimi për vullnetin e Perëndisë dhe për gjërat e mahnitshme që po bën»,—shpjegon Patrisa, një ish-pedagoge në Universitetin e Kalifornisë.

Mendo se si kohë më parë, me sjelljen dhe fjalët e tij të ëmbla, Jezu Krishti i freskoi dëgjuesit e shtypur e të stresuar. Ai i ftoi: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj [shpirtërisht].»—Mateu 11:28-30.

Vërtet, Jezui nuk ishte i ashpër. Përkundrazi, merrte parasysh nevojat emocionale dhe fizike të dishepujve, madje kujdesej që të pushonin gjatë ditëve të ngarkuara të predikimit. (Marku 6:30-32) Mund të kemi besim se Jezuit, tani Mbret qiellor, i vjen keq kur kalojmë stres sfilitës. Ai me mëshirë na qëndron pranë duke na dhënë «ndihmë në kohën e duhur».—Hebrenjve 2:17, 18; 4:16.

Rëndësia e komunikimit të mirë

Komunikimi i mirë është një nga mënyrat më të rëndësishme për të përballuar stresin. Bibla na mëson: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim, por përmbushen aty ku ka shumë këshilltarë.» (Proverbat 15:22) Pra, kur flasin me bashkëshortin, me një mik ose koleg, shumë kanë kuptuar se stresi pakësohet ndjeshëm.

Një mënyrë mjaft e rëndësishme, e dobishme dhe e lehtë ‘e të folurit në mirëbesim’, është lutja që i bëjmë Perëndisë. Nëse lutesh rregullisht, nuk do të jesh «në ankth për asgjë». Shumë njerëz, kur mbështeten te lutja, kanë arritur të provojnë ‘paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim’. Siç premton Bibla, kjo paqe u mbron ‘zemrën dhe fuqitë e tyre mendore’.—Filipianëve 4:6, 7; Proverbat 14:30.

Një vepër referimi për stresin thotë se «njerëzit që kanë mbështetjen e shoqërisë, zakonisht e përballojnë më lehtë stresin dhe kanë shëndet mendor më të mirë se ata që përpiqen të bëjnë çdo gjë vetë». S’ka shoqëri që të mbështet më mirë sesa ata që adhurojnë Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Ata ndjekin këshillën e Biblës duke u mbledhur rregullisht dhe duke inkurajuar njëri-tjetrin. (Hebrenjve 10:24, 25) Një pjesëmarrës në këto mbledhje shprehet: «Ndonjëherë punoj me orë të zgjatura dhe jam shumë i stresuar. Por, kur jam në mbledhje, pas lutjes së fundit, stresi më ka ikur dhe ndihem i freskuar.»

Për të përballuar stresin, nuk duhet nënvlerësuar edhe vlera e ndjenjës së humorit. Eklisiastiu 3:4 thotë se ka «një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur». Të qeshurit është freskues dhe i shëndetshëm, pasi, siç shpjegon një mjek, «kur qeshim, trupi prodhon endorfinën dhe bllokon prodhimin e adrenalinës». Një grua vëren: «Në rrethanat më stresuese burri sajon ndonjë gjë për të qeshur, dhe kjo ndihmon vërtet.»

Cilësi që pakësojnë stresin

Bibla na inkurajon të zhvillojmë cilësi që pakësojnë stresin. Këtu futen: «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, [dhe] vetëkontrolli», të cilat quhen «fryti i frymës» së Perëndisë. Për më tepër Bibla na nxit të shmangim «çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje». Pastaj shton: «Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht.»—Galatasve 5:22, 23; Efesianëve 4:31, 32.

Një mjek shpjegon vlerën që marrin këto këshilla biblike kur zbatohen, sidomos në ditët tona. Ai thotë: «Kur e trajtojmë njëri-tjetrin me respekt, kjo e lehtëson stresin jashtë mase.» Bibla na ndihmon edhe të jemi modestë, që do të thotë të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për aftësitë tona.—Mikea 6:8.

Perëndia pret që të pranojmë me përulësi se kemi kufizime fizike, mendore dhe emocionale dhe se nuk mund të bëjmë çdo gjë që do të donim. Sado e vështirë qoftë, mund të jetë e nevojshme të mësojmë kur dhe si t’u themi jo kërkesave që shkojnë përtej asaj që mund të bëjmë vërtet.

Kjo nuk do të thotë se po t’i ndjekim të gjitha këshillat e mësipërme biblike, nuk do të kemi fare stres. Kjo sepse Satana Djalli i ka vënë në shënjestër ata që adhurojnë Perëndinë, që të provojë se ata mund ta braktisin adhurimin e vërtetë nëse janë shumë të stresuar. (Zbulesa 12:17) Megjithatë, siç kemi parë, ka shumë mënyra se si Perëndia na siguron ndihmë në kohën e duhur për të pakësuar dhe përballuar stresin. *

[Shënimet]

^ par. 3 Kur stresi zgjat ose është aq i rëndë sa të shkaktojë probleme shëndetësore, këshillohet që të konsultohesh me një mjek profesionist për mjekimin e duhur.

^ par. 20 Për mënyra të tjera për të përballuar stresin, të lutemi shih në revistën Zgjohuni! serinë «Lehtësim nga stresi!», 8 shkurt 2005, dhe serinë «Si të përballojmë ritmin e ethshëm të ditëve tona?», 8 shkurt 2001, anglisht.

[Kutia në faqen 9]

DISA KËSHILLA PËR TË PAKËSUAR STRESIN

● Mos kërko përsosmëri nga vetja dhe të tjerët.—Eklisiastiu 7:16.

● Jepu përparësi gjërave të duhura.—Filipianëve 1:10, 11.

● Bëj fizkulturë rregullisht.—1 Timoteut 4:8.

● Shijo krijimin e Jehovait.—Psalmi 92:4, 5.

● Rregullisht kalo pak kohë në qetësi.—Mateu 14:23.

● Çlodhu dhe fli mjaftueshëm.—Eklisiastiu 4:6.

[Figura në faqen 7]

Komunikimi është jetësor për të pakësuar stresin

[Figura në faqen 7]

Cilësitë hyjnore ndihmojnë për të pakësuar stresin